Poezia e Agim Vincës, kuptim dhe bukurzanim

December 6, 2017 11:38

Poezia e Agim Vincës, kuptim dhe bukurzanim

Shefkije ISLAMAJ*

 Agim Vinca, njëri ndër studiuesit e kritikët më të çmuar të letërsisë shqipe, është edhe njëri ndër poetët më të mirë të poezisë së sotme shqipe. E nisi krijimtarinë e tij poetike që më 1972 me përmbledhjen Feniks, për të vazh­duar nëpër kohë deri sot duke rrumbullakuar kështu një krijimtari që shquan jo vetëm me sasinë po, sidomos, me cilësinë.

Përmbledhja e tij e fundit botuar sivjet dhe e titulluar Nostalgji për kohërat e rrezikshme është libri i tij i  trembëdhjetë,[1] duke përfshirë këtu edhe përmbledhjet e botuara në gjuhë të tjera: greqisht, rumanisht, anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht.

Duke qenë studiues e njohës i shkëlqyer i poezisë së sotme shqipe, dëshmuar jo vetëm në auditorët universitarë, ku ka përmbushur mbi 40 vjet pune shumë të frytshme, po edhe me botimin e rreth dhjetë veprave studimore e kritike, ai do të dëshmojë se njohjet e tij mbi poetikën e mbi mje­shtërinë artistike ka ditur t’i jetësojë në një poezi që mban shënjues të qartëdallueshëm individualizues.

Poezia e tij është kri­juar mbi poetikën e poezisë gojore shqipe dhe të poezisë më të mirë të traditës sonë të pasur poetike. Si e tillë ajo përmban veçoritë e të dyja këtyre dhe shquhet me ndje­shmëri të theksuar artistike.

Leximi i poezive të Agim Vinca gjithmonë dhe me të njëjtën peshë nxit interesim te lexuesi si me tematikën ashtu edhe me semantikën e tyre, nxit përjetim të ve­çantë si me figurshmërinë ashtu edhe me bukur­ti­n­gë­llimin a bukurza­ni­në, nxit kënaqësi estetike si me vargun ashtu edhe me gju­hën e pasur, për më tepër pro­vo­kon frymëzueshëm e fuqi­shëm intelektualisht e moralisht.

Së këndejmi përmbledhja e tij e poezive Nostalgji për kohërat e rrezikshme paraqet vepër e cila sipas arritjeve artistike meriton vend të veçantë në poezinë e re shqipe duke e vendosur autorin e saj në lartësinë e merituar.

Poezia e Agim Vincës, prej fillimeve të veta e deri sot, në përgjithësi, nuk është vetëm fakt artistik, po edhe fakt i rëndësishëm kulturor me fuqinë e ndikimit të saj në kup­ti­min e Lotmanit, sepse ajo tematizon një epokë të kulturës shqiptare afro 50 vjeçare, epokën e shqiptarëve të fund­shekullit 20 dhe të fillimshekullit 21. Ai arrin që, brenda hapësirës së përzgjedhur të poezive të tij, një kulturë të kujtimeve ta shndërrojë në art të kujtesës.

Poezia e tij si një fakt i fuqishëm artistik arrin që në një mënyrë a në një tjetër t’i krijojë lexuesit një përfytyrim real për Kosovën e njeriun e saj në përthyerjet më të rëndësishme historike të tyre, jo vetëm për të kaluarën e të tashmen, por edhe të ndikojë në perceptimin e së ardhmes.

Subjekti lirik i numrit më të madh të poezive të tij i tejkalon kufizimet hapësinore-kohore, që kanë lënduar gjatë shqiptarët, duke arritur të shërojë a të mbijetojë vrragët e historisë gjithnjë në funksion të krijimit e të mbajtjes gjallë të hapësirës së përbashkët shpirtërore të shqiptarëve, mbetur gjatë vetëm si hapësirë ëndërrsynuese.

Letërsia shqipe në dhjetëvjetëshat e fundit njeh zhvi­llim jo vetëm sasior po edhe cilësor, njeh zgjerim të fushës së saj tematike dhe këto i ka arritur së pari përmes poezisë. Në këtë zhvillim dhe zgjerim tematik, sado modest në raport me zhvillimet në letërsitë e tjera, ka hisen e vet edhe poeti Agim Vinca.

Duke qenë njohës i mirë i poezisë shqipe dhe më gjerë,[2] ai, me poezinë e tij vetë­dijshëm zgjeron hori­zonte të reja poetike, zgjeron botë­kup­timin për gjithçka që e rrethon, në të vërtetë i shton letërsisë shqipe një artikulimi të ri artistik, duke mos vrapuar, siç do të thoshte ai “pas mo­dave të çastit, që sjellin shumë herë vlera efemere”[3], por duke synuar gjithmonë vlera të përhershme.

Dhe, në këtë pikë, është parimor, i qëndrue­shëm, në gjithë poezinë e tij të krijuar përgjatë 45 vjetëve. Përmbledhja e poezive titulluar Nostalgji për kohërat e rrezikshme e shpërfaq mirë këtë parimësi të poetit, si në përzgjedhjen tematike-për­mbaj­tjesore, si në përzgjedhjen strukturore-metrike, si në për­zgjedhjen stilistike-gjuhë­sore.

Shefkije Islamaj

 Mendim dhe ndjenjë

Si në fillimet poetike ashtu edhe në poezitë e tij të fundit ai është poet theksueshëm lirik, por poezia e tij sjell shumë elemente me përmbajtje kulturore e historike, për­mbajtje kombëtare, për çka ajo mund të quhet poezi e mendimit dhe e ndjenjës.

Si në fillimet e tij poe­tike, si sot, ai shkruan natyrshëm, thjesht, me një gjuhë që rrjedhë tejet natyrshëm, për çka lexohet me shumë ëndje. Shembujt në vijim e përligjin mendimin e shprehur më sipër:

Zgjatmi duart, Veleshtë, zgjatmi,

t’i shoh, t’i preki, t’i puthi!

Zgjatmi duart e ashpra, të buta,

duart tua plot kallo-pllufka.

(1972)

 

Të shkosh në Pogradec

Pa vizë, pa pasaportë

Si të ishe zog

Si të ishe zot.

Në Pogradec ashtu të shkosh.

(2001)

 

Mos kërkoni nga unë këngë as varg

Kësaj nate pa pishë e pa dritë …

Se frymëzimi më ka tretur larg, larg

E fjalët më janë lidhur nyje në fyt.

(2017)

 

Siç shihet nga shembujt e poezive të botuara nëpër vite (1972, 2001, 2017), poeti ka ruajtur lirizmin e tij las­gushian e agollian me veçori të theksuara individualizuese. Nëse lirizmi në fillimet e tij poetike e vite më pas jepte më shumë dritë e shpresë, te poezitë e tij në këta dy dhjetë­vjetëshat e fundit çdo herë e më shumë ky lirizëm u pasurua përmbajtësisht me tema shoqërore e historike, politike, për­gjithësisht kombëtare, rrjedhimisht edhe më shumë dhemb­je, mërzi, pakënaqësi, zhgënjim e revoltë. Më së miri këtë e provon përmbledhja e tij e fundit poetike Nostalgji për ko­hërat e rrezikshme.

Në poezitë e këtij libri që numërojnë 64 sosh, sikur në një shirit filmi, poeti jo vetëm i rikthehet me nostalgji vend­lindjes – Veleshtës, rrënjëve, fisit, Strugës, fë­mijërisë e rinisë së tij (Lëmsh, Jetëshkrim i vogël poetik, Këngë për të parin e fisit, Lisi i Vojncës, Sarajlitë e Strugës, Takim me vendin­d­jen, Kornizë e zverdhur etj.), jo vetëm shpreh dhembjen e madhe për kohën e ikur, sidomos për njerëzit e dashur, familjarë e miq, që tashmë kanë ikur në botën e përtejme (Elegji për motrën, Motrat, Adieu, adash!, Elegji për Ndoc Gjetjen, Sipari, Kërkoj buzëqeshjen e humbur, Homazh për poeteshën B. D., Memento mori!, Notesi etj.), jo vetëm shpreh pakënaqësinë e vetminë e poetit që ka pritur më shumë nga jeta duke e shpërfaqur fuqishëm edhe mërzinë që sa vjen e i shtohet njeriut jo vetëm me moshën (Poeti me kone, E unë as Cuc nuk kam, Kënga e poetit të kyçur, Tri katrena, Pa gaz, pa lot, Provimi (2), riprovim, Mërzia, Tokë e qiell etj.), por, në një numër poezish të tij gjej­më bio­grafinë e copëzuar të Kosovës dhe të shqip­tarëve në për­gjithësi, në të vërtetë njohim dramën e tyre.

Historia e lashtësia, lufta, dëshmorët, paslufta, burgjet, vdekja e idealeve, zhgënjimi, pabarazia, gjendja sociale dhe të këqija të llojeve të ndryshme, që dinë të shfaqen në mjedise të prapangelura nga arsyet më të ndryshme, shtro­hen në një numër jo të vogël poezish (Hija jote më ndjek pas, Danse macabre, Udhëtimi.

Ëndrra, Drini i vogël dhe Amerika e madhe, Epilog për ata që vranë, Monolog i të rënëve në Reçak, Certifikata e lindjes, Piedestal bosh, Ndo­dhi më 17 shkurt, Përse madhëri?, Mësim, Dyert, Ky vend, Grafit në bulevard, Herezi, Lulet e Zvicrës dhe Arta nga Tetova, Romancë vere, Eros, Nostalgji për kohë të rrezik­shme, Soditje nga ballkoni, Duf shekujsh, Delir dimëror etj.), kurse nuk mungojnë as poezitë që ua kushton njerëzve të zemrës – gruas, nipit, miqësisë (Nokturno, Mirëseardhje, Duke soditur portretin tënd, Marinët e historisë, Arti i Mne­mozinës, Një miqësi letrare etj.).

Libri mbyllet me poezinë katërvargëshe Ujk i vetmuar (epilog), e cila në të vërtetë jo vetëm përmbyll këtë përmbledhje poezish, po, njëkohësisht, zbulon qartë shpirtin e poetit, gjendjen e tij emocionale në një qark ko­hor pak a shumë të përcaktuar.

 

Do të vdes një ditë në këtë pyll asfalti

Zemërak e i pikëlluar pa fjalë e pa zë

Do të ik fillikat a nga infarkt-inati

Unë ujku i vetmuar AV.

(Ujk i vetmuar)

 

Në tokë e në qiell subjekti poetik ndihet i humbur e bosh sepse:

 

Kërkon prore poshtë e lart

Një grimë lumturi.

Mbetet, ajme, duarthatë

Si një arixhi.

(Tokë e qiell)

 

Si në krijimet e para ashtu edhe në poezitë e këtij libri, kujtimet e fëmijërisë e të rinisë vazhdojnë ta kenë thjesh­tësinë e butësinë që dëshirohet e që kërkohet pareshtur, por që nuk gjendet askund tjetër, vazhdojnë ta kenë peshën që bartet deri kur fiket dritëza e fundit e jetës, vazhdojnë të sjellin nostalgji që nuk tretet me asgjë, vazhdojnë t’i japin poetit nxitje për të ecur, edhe kur ato janë kujtime të një ko­he të rrezikshme.

 

Më pat thënë dikur im atë;

Ndjesë pastë dhe ime ëmë:

“Lëmsh e gjetëm këtë botë

Dhe lëmsh do ta lëmë!”

(Lëmsh)

 

Mos kërkoni nga unë këngë as varg

Kësaj nate pa pishë e pa dritë …

Se frymëzimi më ka tretur larg, larg

E fjalët më janë lidhur nyje në fyt.

(Katrena)

 

Por, entuziazmi e shpresa që shoqërojnë moshën e rinisë e të pjekurisë, rrjedhimisht edhe poezinë e botimeve të mëhershme të Agim Vincës, në këtë libër ato tashmë këm­be­hen me zhgënjimin e pakënaqësinë, kur e kur edhe me revoltën e dukshme. Mund të thuhet, prandaj, se pothuajse të gjitha poezitë përshkohen nga një fill i përbashkët i mbështjellë me një si hije mërzie, vetmie e trishtimi, kur e kur edhe zhgënjimi, që lexuesi e ndien thellë.

Poeti tregon tejndjeshmëri për të këqijat, për padrej­tësitë e të gjitha llojeve, për shfytyrimet që kanë mbushur jetën tonë këta dy dhjetëvjetëshat e fundit:

Gjithnjë e më shumë dyer të hekurta

gjithnjë e më shumë dyer të blinduara

gjithnjë e më shumë të barrikaduar…

 

Çdo ditë e më shumë…

 

E lufta ka mbaruar!

(Dyert)

 

Ajo që i bashkon poezitë e Agim Vincës përgjatë vite­ve është atdhetaria, dashuria për gjithçka amtare. Shqetësimi dhe adhurimi për të përbashkëtat tona, në rend të parë për gjeografinë e historinë kombëtare, për gjuhën e këngën, për lirinë e dëshmorët enden në shumë poezi të këtij vëllimi. Dikujt sot, në kohën si thuhet kozmopolite a në kohën e prirjeve globaliste, disa nga këto tema mund t’i duken mba­se të tejkaluara, por për poetin Vinca ato janë tema te gjith­monshme dhe, sidomos, janë të përtashme jo vetëm për rëndësinë e tyre qenësore, por edhe për peshën kuptimore e simbolike që bartin për një popull të vonuar, megjithëse të ngulitur gjithmonshëm në këto shkrepa të Ballkanit, i shka­për­derdhur në disa shtete e “shtete”.

 

Ne ramë si gruri nga dora e xhelatit

Në këto gërxhe e skërka të Ballkanit.

(Monolog i të rënëve në Reçak)

 

Jetoj në vendin ku liria është ende emër kuptimi;

Ku askush nuk e di në ka ardhur apo jo vërtet ajo…

Jetoj në vendin e banuar me skllevër të bardhë,

Që qeshin si klounë edhe kur duhet qarë.

(Ky vend…)

 

Përveç semantikës atdhetare, poezinë e Agim Vincës e karakterizojnë edhe leksiku i përzgjedhur dhe leksiku topo­nimik. Bien në sy sidomos antroponimet e toponimet e shumta nga historia jonë kulturore përkatësisht kombëtare, të cilat poeti i aktualizon në mënyrë funksionale, duke kri­juar përmes këtyre shënjuesve lirikë një gjeografi e një histori shpirtërore shqiptare theksueshëm mbresëlënëse. Në të vërtetë, që nga fillimet e tij poetike, ndihet fuqishëm pra­nia e leksikut që shënon emra vetjakë dhe emërvende me funksion simbolik.

 

Nuk mund të shkoj në qytetin e Lezhës

Pas ikjes nga kjo botë të Ndoc Gjetjes.

(Elegji për Ndoc Gjetjen)

 

Për ardhjen tënde nuk qitëm pushkë,

Sipas zakonit të lashtë të fisit tim

As në Veleshtë, as në Prishtinë,

as në Bruklin …

Lajmi për ardhjen tënde në jetë,

U përhap rrufeshëm në internet…

(Mirëseardhje)

 

Për aq sa u tha deri tash mund të nxjerrim përfu­ndimin se poezia e Agim Vincës është poezi me semantikë të ngje­shur dashurie e atdhedashurie.

 

Kuptim dhe bukurzanim

 Poezia e Agim Vincës mund të quhet poezi e sema­n­tikës së thellë, por edhe poezi e bukurtingëllimit. Përveçse shquhet me shumëkuptimësi, shtresa kuptimore, ngjyrime stilistike/kuptimore, shprehësi të lartë, ajo shquhet edhe me harmoni të brendshme ritmike dhe bukurtingëlluese. Bu­kurzanimi është mjet i artit poetik të Agim Vincës. Mendoj se një formë e tillë poetike ku ndërlidhen mirë e në mënyrë harmonike kuptimi, ritmi dhe bukurzanimi dësh­mon, pos të tjerash, gjendjen e tij shpirtërore, mendore, emotive dhe psi­ko­logjike. Sigurisht se tingujt më vete nuk kanë vlerë sema­ntike, por në bashkëharmoni me seman­tikën ata mund të shtojnë shprehësinë dhe estetikën e përmbajtjeve poetike. Kjo bashkëharmoni në poezinë e Agim Vincës arrihet, pos të tjerash, me përsëritjet ritmike të elementeve tingullore dhe me vendosjen në afërsi të njësive gjuhësore që kanë ngjashmëri tingullore.

 

Dhe ti si unë dikur andej matanë,

Veç kones sate – askënd pranë.

Me të flisje, me të qeshje e qaje

Thonë se dhe shtratin me të ndaje.

 

Mesditë gushti. Verë. Zhurmë e vetmi.

Te cafe-bar Relax me veten time rri

(Poeti me kone)

 

Për të shprehur më mirë e më saktë idetë, bindjet e emocionet e tij poeti shfrytëzon ndërgjegjshëm larminë tingullore që ia mundëson gjuha amtare. Në vargjet e sipër­dhëna ritmi dhe muzikaliteti i poezisë realizohen jo vetëm përmes elementeve fonetike, por edhe përmes se­man­tikës, përmes përputhjes përkatësisht kundërvënies kuptimore. Siç shihet nga këto vargje fjala dhe tingulli i drejtohen jo vetëm mendjes po edhe veshit. Tingulli kështu bëhet përçues aktiv i kuptimit dhe i për­mbajtjes poetike. Sipas formës kjo poezi nuk dallohet nga lirika jonë tradicionale: përmasa tingullore i është nënshtruar rrafshit të saj formal dhe semantik, por ajo bart më vete një frymë të re poetike që realizohet me co­pë­zimin brenda vargut, në të vërtetë leksema të caktuara ma­rrin peshën kuptimore të vargjeve, përkatësisht fjalive:

 

Mesditë gushti. Verë. Zhurmë e vetmi.

(Poeti me kone)

 

Siç shihet, brenda këtij vargu kemi tri tërësi sintaksore të realizuara me një sintagmë emërore (mesditë gushti) e tri njësi leksikore (verë. zhurmë, vetmi).

Poezitë më fonike të kësaj përmbledhjeje mendoj se janë: Jetëshkrim i vogël poetik, Poeti me kone, E unë as Cuc nuk kam, Adieu, adash!, Elegji për motrën, Elegji për Ndoc Gjetjen, Nokturn, Këngë për të parin e fisit, Lisi i Vojncës etj. Jo vetëm këto, por edhe pjesa më e madhe e poezive të kësaj përmbledhjeje shquhen me bukurzanim, në të vërtetë te këto poezi ndihet fuqishëm bërthama kuptimore e veshur me breroren tingullore dhe ritmike, e cila shquan ndjeshëm veçantitë e saj kuptimore dhe bukurtingëlluese.

 

Lart mbi re, nën qiellin gri

Me kufje në vesh: oi, oi!

Ku shkon Veleshta, ku fluturon?

Në ç’aeroporte, me ç’avion?

(Takim me vend­lindjen)

 

Qyteti ka ethe, afsh e zjarrmi.

Hëna ndër gjethe si pika mbi i.

(Delir dimëror)

 

Në repertorin e njësive tingullore nuk shfrytëzohen vetëm strukturat a sekuencat tingullore, onomatopetë e të ngjashmet, po edhe sintagmat, si fjalë të plota me veçori e cilësi të theksuara fonike.

Bukurtingëllimi nuk është veçori vetëm e poezive që mbështeten ose rikrijohen mbi bazën e krijimeve gju­hësore-popullore, por është veçori edhe e poezive ku janë shfry­tëzuar njësi leksikore të jetës së sotme ta quajmë “moderne”, pa për­jashtuar në këtë rast as leksemat e vjetruara me kup­time shumështresore, të cilat kontekstit poetik i japin kuptim të ri, dhe as fjalët e krijuara rishtas si njësi emërtuese për dukuri, objekte a mjete të jetës bashkëkohore.

 

Vendlindja ime e kuqe flakë

Përditë firon pak e nga pak.

Pak e nga pak e çikëikë

Në Europë e Amerikë.

 

E ikin vitet, medet, medet

Mallin e derdhiminternet

internet, faks e fejsbuk

Nuk ka më sofër, po ka fastfood.

(Takim me vendlindjen)

 

Figura tingullore e kësaj poezie realizohet me për­sëritjen e shpeshtë, ritmike, jo vetëm të fjalëve të caktuara e të togjeve në të cilat mbizotërojnë sekuenca të ngjashme, po realizohet edhe me përsëritjen e tingujve të caktuar jo vetën në fund të vargjeve po edhe brenda vargjeve. Këta tinguj a sekuenca tingullore me veçoritë e tyre formojnë boshtin rreth të cilit grupohen konfiguracionet tingullore dhe kup­timore. Poezia, fillim e fund, sugjeron nostalgji për kohë të shkuara, por ky sugjerim nuk na vjen vetëm përmes se­mantikës së vargjeve por edhe përmes figurave tingullore, të cilat, pos rolit simbolik e ritmik, marrin edhe rol semantik. Imazhi poetik përmes përsëritjes dhe shkallë­zimit shpërfaq zymtësi e nostalgji.

Ngjashëm ndodh edhe me poezitë ku autori shfry­tëzon varg fjalësh jo vetëm fonike, por edhe fjalë më pak të njo­hura nga fondi leksikor popullor ose krahinor, sidomos arkaizma a historizma, të cilat me veçoritë e tyre tingullore përfshihen në strukturën e poezisë së ndërtuar mbi gjedhet tradicionale të poezisë popullore:

 

Nisej që pa gdhirë i ngrati

Në arë e në mal;

Zinte rrugën taksidari

Xhandari thosh: Ndal!

(Jetëshkrim i vogël poetik)

 

defterin me të zeza

dovletit me pahir

Emri yt Marko Këqeza

Thik përpjetë si një menhir!

(Këngë për të parin e fisit)

 

Në këtë mënyrë poeti ka krijuar jo vetëm sintezë të suksesshme të një poezie tingullore, por edhe shprehësi fonike dhe shpërndarje ritmike të boshtit kryesor të tekstit poetik në një varg imazhesh asociative. Një lloj i sintezës së tillë krijuese verbale, dëgjimore dhe pamore e gjejmë edhe te poezitë e tjera që shquhen me kundërvënie semantike e leksikore. Shembujt e sjellë tregojnë se poezia dhe muzika janë rrjedhojë e proceseve të njëjta mendore dhe se tingujt kanë mundësi të mbajnë të bashkuara kuptimet të cilat në mungesë të tyre do të mund të mbeteshin të shpërndara. Në këtë kontekst Agim Vinca ka nxjerrë në pah ndjeshmërinë e shprehjes gjuhësore përmes muzikës duke rivërtetuar të njohurën se poezia është botë tingujsh dhe botë kuptimesh, kurse poetit i mbetet të parandiejë thelbësoren e fshehur në muzikë dhe të shprehë, përmes mjeteve jogjuhësore, gjendje shoqërore e shpirtërore.

Stil dhe gjuhë

Kur flitet për poezinë e Agim Vincës domos­do­shmë­risht duhet të përmendet edhe stili i tij i veçantë, sepse për poetin stil nuk është vetëm forma, as edhe “veshja e me­ndi­meve” ashtu siç e ka konceptuar stilistika tradicio­nale, por është thelbi, qenësia, që poezinë e bën kulturë të kujtesës. Kur tingulli dhe gjuha marrin formë me shkronjat atëherë ato në një farë mënyre sendëzohen. Kështu ato bëhen histori, ruajtëse të kujtesës sonë kulturore.

Agim Vinca nuk e fsheh mrekullimin a magjepsjen e tij pas fjalës e pas bukurzanimit. Ai bën çmos t’i harmo­nizojë ato dhe jo vetëm në përmbledhjen e tij të fundit No­s­ta­lgji për kohërat e rrezikshme. T’i kujtojmë vargjet e fry­më­zuara plot muzikë të poezisë Legjenda botuar vite më parë:

 

Sa herë nga deti kanë fryrë tufane,

Në breg janë ngjeshur jatagane.

 

Sa herë nga deti është sulur nata,

kanë lidhur besë dyfeku e shpata.

 

Sa herë tutje kanë nxirë anijet,

Këtej kanë zbardhur qeleshet, takijet. …

(Letër Zotit, 2008, f. 31)

 

Ritmi i kësaj poezie është realizuar përmes aktu­alizimit dhe rimimit të leksikut të përzgjedhur nga arkivi i kujtesës sonë historike për të na e sjellë imazhin e asaj që tashmë është shndërruar në legjendë. Përmes leksemave rimore tufane/jatagane, nata/shpata, anijet/qeleshet/takijet dhe njësive të tjera leksikore të vargjeve në vijim të kësaj poezie, si nizamët/Selamët, bajloza/GjergjEleza, legjenda/ zemra, poeti na e ringjall tingëllimën që përfaqësojnë këto njësi leksikore: zhurmën e gjëmimin e tufaneve, të deteve e të anijeve, vringëllimën e jataganëve, të dyfekut e të shpa­tave nëpër motet tona historike. Leximi me kujdes i këtyre poezive të Agim Vincës, prandaj, provon se vargjet e tij poetike marrin kuptim të plotë, të thellë, vetëm atëherë kur kanë edhe bukurtingëllim.

Poezitë që janë përfshirë brenda kopertinave të këtij libri janë formash, gjatësish dhe modelesh ndërtuese të ndry­shme, por krijohet përshtypja se ato kanë njësim të plotë stilor me tërësinë.

Një numër i poezive të shkurtra një e dystrofëshe e rea­lizojnë efektin stilistik përmes dendësimit kuptimor për çka ato marrin pothuajse karakter gnomik:

 

Nganjëherë më ngjan se ti je Rona

Ndërsa unë, Drini im i Zi …

Takohemi vetëm në ëndrra

Marsha, të keqen, mos më mbaj mëri!

(Një miqësi letrare)

 

Ndërkaq, poezitë e tjera që kanë gjatësi dhe struktura të ndryshme funksionojnë kryesisht mbi parimin e figurave te ndryshme sidomos përsëritjes, numërimit, kundërvënies dhe paralelizmit. Disa prej tyre marrin veçori të poezisë liriko-narrative.

 

Asgjë nuk mësuam nga lufta dhe paqja,

Na rroku sëmundja e vjetër harresa,

Nuk mësuam gjë para as pas,

Nuk morëm mësim nga pësimi i madh.

Nga apartheidi, lufta, eksodi biblik

Nga lubia S. te sfinksi Unmik.

(Mësimi)

 

Në një numër poezish kombinohen tipa të ndryshëm të vargjeve dhe gjedhe të ndryshme ndërtimi: vargu lë­kundet prej 12-13 fjalëve e deri te vargu me vetëm një fjalë, vargjet lirike këmbehen me vargje narrative, ele­mentet konkrete me ato abstrakte, elementet shpirtërore me ato fizike, kurse element kryesor koheziv edhe këtu është ritmi. Lidhëzat dhe e e si mjete kohezive paraqiten mjaft shpesh:

 

Ish kohë e gurit kur të njoha

Dhe kohë e fejsbukut ish, çuditërisht!

Pimë pjalm lulesh dhe lëng luleshtrydhesh

E u dehëm në pikë të ditës

E humbëm të pamit, por jo kujtesën

Thyem poçe e vazo buzë Bosforit

E lirës i ramë brigjeve të Jonit…

(Hija jote më ndjek pas)

 

Siç është theksuar edhe më lart, stili i shumë poe­zi­ve të kësaj përmbledhjeje është thellësisht i lidhur me kuptimin, dhe këtë mund ta ndjekim në një varg shembujsh. Në një numër poezish gjejmë paraqitjen e dukurive, gje­ndjeve e të përjetimeve përmes dualizmave që paraqiten në të njëjtin varg, kurse në rrafshin stilor kjo realizohet përmes figurës së kundërvënies duke filluar nga niveli fonemor e ai leksemor e deri te tërësitë më të mëdha tekstore.

 

Hija jote më ndjek pas,

Në tokë e në qiell,

Në fushë e në mal

Në shesh e në shtrat

Në gjumë e në zgjim

Hija jote, vegimi yt,

Dardane e lashtë sa bota.

(Hija jote më ndjek pas)

 

Kjo poezi është e pasur me asociacione dhe na dë­sh­mon kohën e shkuar, që është e përmbajtur në kohën e tashme, kurse të dyja këto të përmbajtura në kohën që do të vijë. Kështu përmes reduktimit leksikor shquhet më shumë vargu i veçantë, posaçërisht ai që i pasvjen var­gjeve kundër­vënëse: Dardane e lashtë sa bota. Reduktimi leksikor rrit ritmin dhe intonacionin, përkatësisht rrit shprehësinë e vargjeve. Përfundimi i poezisë është po­zicioni më i fuqi­shëm i saj. Pas vargjeve që derdhin ndje­nja, mall, nostalgji përmes figurave si krahasimi – si freskun (në zhegun e vapës), si zjarrin (në thëllimë në shkulm të dimrit) kundërvënia dhe përsëritja tingëllojnë fuqishëm në vargun e fundit: Statujë e gjallë malli e dhembjeje, siç e shohim në vargjet në vijim:

Të gjakoj si freskunzhegun e vapës

Si zjarrin në thëllimë në shkulm të dimrit,

Eshkë që digjesh e s’shihesh.

E vegimi yt më ndjek pas!

E vegimi yt më ndjek pas,

Euridika ime prej ere …

Statujë e gjallë malli e dhembjeje.

(Hija jote më ndjek pas)

 

Në një numër të konsiderueshëm poezish kundër­vënia zbulon luftën e përgjithshme e të përjetshme të nje­riut në binomin e mira / e keqja, drita / errësira, luftën më të pasi­gurt të njeriut me veten e vet dhe luftën për idealet e njerë­zimit, për të etikshmen, për njerëzoren.

Thuhet se nuk ka gjuhë të vogla, të gjitha gjuhët janë të mëdha nëse në to mund të shqiptohen gjërat thelbësore dhe gjërat e mëdha të jetës, mençuritë shekullore për jetën, vdekjen, të bukurën e të shëmtuarën, të ulëtën e të lartën … Shikuar nga kjo anë, kjo përmbledhje poezish provon se poeti Agim Vinca vazhdon misionin e tij për të mirën, të drejtën, të vërtetën, të njerëzishmen, por provon, njëko­hësisht, se gjuha, ruajtja dhe kultivimi i saj, i vlerave të saj të pamatshme, janë mision i tij jetësor. Poeti në të vërtetë pro­von të dhënën e njohur se gjuha nuk është vetëm para­qitje e botës, por edhe krijim i saj. Së këndejmi përzgjedhja e tij në rrafshin e gjuhës, përzgjedhja midis varianteve të shumta gjuhësore, i ka ndihmuar atij që të ndërtojë e të shprehë në hollësi e qartësisht botën e tij të brendshme. Përmes kujtesës kulturore dhe kujtesës gjuhësore, poezia e tij në të vërtetë nxit vetëdije kulturo-historike, prandaj ajo bëhet shprehje e kulturës së tij të gjerë, shpre­hje e përvojës së tij të gjatë jetësore, asnjëherë të qetë e të pajtueshme me realitetin, bëhet thirrje për të ruajtur me çdo kusht dinjitetin e inte­gritetin vetjak, fuqinë e ref­lektimit dhe urtinë.

Në këtë përmbledhje më duket se poezia më e arrirë ideo-artistikisht është Kambanë në qafë. Fjala është për një tërësi poetike të organizuar mirë në të cilën nuk kemi strofa të veçanta, por vargjet, shtatëdhjetë e pesë sosh,  paraqesin pjesë të tërësisë, duke sjellë secili në mënyrën e vet plotësim të asaj tërësie e të një botëkuptimi poetik për një çast të rëndësishëm në jetën e poetit, çast që hap një kapitull të ri në jetën e tij – përfundimi i viteve të punës. Kjo poezi është lament për pamundësinë e pafuqinë e tij për të ndryshuar fatin e njeriut e të vetin, për të ndry­shuar ligjet e natyrës e ligjet e shtetit dhe, njëkohësisht, është pranim i gjendjes së tillë çfarë në të vërtetë është.

 

Qe ditë me diell. Muaji maj. Më e bukura stinë,

kur mora pusullën me vulë e nënshkrim!

Tani jam i lirë, plotësisht i lirë, të dashur miq!

I kam gjashtëdhjetë e pesë dimra e beharë mbi kurriz

Dhe shtatëdhjetë e pesë euro në xhep!

Mund të bëj ç’të dua. Po, për besë!

(Kambanë në qafë)

 

Poezia në të vërtetë nuk është vetëm lament për pa­fu­qinë e pamundësinë e njeriut, por është lament për t’i qëndruar gjithçkajes që është kalimtare, e përkohshme. Për­mes para­qitjes së gjendjes së tij emocionale dhe objektive, poeti na shpalos jo vetëm ato që ka kaluar në një farë mënyre në jetën e  tij deri në atë çast, por edhe ato që i ofro­hen, në të vërtetë që mund të zgjedhë ai në një gjendje me mundësi të rrudhura shumanshëm. Poeti na e qet përpara dëshminë e palëkundur se vjen një kohë që skajon e ndrydh gjithçka që ka përfaqësuar jetën e një njeriu të angazhuar profesionalisht e intelektualisht me gjithë qe­nien e tij. Ska­jimi gjithmonë e në çdo kohë është i pamëshirshëm dhe i pashpresë, në të vërtetë zhgënjyes. Na qet përpara dëshminë se në këtë gjendje ai mund të dalë fitues me poezinë, sepse ajo mund kohën dhe asgjënë, në të vërtetë mosqenien. Poezia është një ankim i poetit në emër të tij e të shokëve të tij, ashtu na thotë qartë nëntitulli i poezisë Rekuiem për veten dhe shokët e mi. Aluzionet që përdor poeti për të dëshmuar gjendjen e tij ndjenjore janë mbresëlënëse.

 

E sa e sa të tjerë. Artistë, poetë.

Ikën më të rinj se unë e shokët e mi.

Plaku i Makit, De Rada ynë, po.

Ndërroi jetë me një cironkë në xhep në prag të të nëntëdhjetave

Ai që këndoi: “Ardhi ditë e Arbërit!”

A thua erdhi vërtet kjo ditë?

(Kambanë në qafë)

 

Poezia është ndërtuar mbi fakte e paradokse të kohëve të shkuara, që përballen me ato të tashme, me simbole të vendlindjes dhe të kujtesës sonë kulturore, duke i njësuar ato mrekullisht e duke u dhënë fuqishëm kuptim të brendshëm e të pasur simbolik. Vargjet janë plot ndjesi ku ndihet thellë mërzia, pakënaqësia e revolta.

 

Tani jam plotësisht i lirë!

Mund të kthehem andej nga kam ardhë

Të zë peshkun e artë në ujërat e liqenit,

të shtrihem gjerë e gjatë buzë lumit tim,

të kapem në rrjetë a ta gëlltis karremin vetë …

Mund të iki nga sytë këmbët, të shkoj ku të dua,

në Europë, Amerikë e më larg akoma.

Mund të blej litar të ri fringo si Klosi

E lakun në fyt në papafingon sterrë

në Tiranën përplot tiranë të vegjël e të mëdhenj.

(Kambanë në qafë)

 

Trajtimi i përditshmërisë së subjektit lirik përthe­llohet me kërkimin e sfidave te mëdha përballë gjendjes së tij sociale e qytetëruese. Së këndejmi hapësira e poezisë së tij nis e zhvillohet prej fragmenteve të vogla lirike e deri te esejizimi i botës i ndërthurur me pragmatizëm ekonomik e social. Poezitë si kjo dhe disa të tjera në këtë përmbledhje dëshmojnë për një poetikë të realizmit urban.

Përgjatë gjithë poezisë shquhet motivi i përkohësisë, pashmangshëm shquhet edhe ndjesia që krijohet kur të go­dasin ashpër jo vetëm mosha e fati po, sidomos, kur të godet njëmendësia, që nuk lidhet kurrkund as me natyrën e ligjë­sitë e saj e as me fatin a parathënien. Poeti e ndien the­llë ashpërsinë e kësaj goditjeje, prandaj poezia përfu­ndon me një si “dorëzim” të poetit, që materializohet vetëm me një psherëtimë: “Ah”. Psherëtima e poetit nuk është kurrë pshe­rëtimë e zakonshme. Duket se ky “ah” i poetit zbulon më shumë të brendshmen e tij sesa të gjitha vargjet e frymë­zuara të kësaj poezie me kuptime të shtresëzuara e me ho­llësi biografiko-poetike.

Poetin e udhëheq gjuha dhe rendi i asociacioneve: poezia është plot episode të lidhura jodrejtpërdrejt me një­ra tjetrën, ku përngjashmimi shoqërohet me një si mo­no­log të gjallë e ku natyrshmëria e gjuhës ndihet thellësisht. Ndikimi i gjuhës dhe përpunimi i lëndës së saj në këtë monologim krijojnë çastet më të bukura të kësaj poezie theksueshëm realiste pikërisht përmes shprehjeve të natyr­shme të një ligjërimi bisedor spontan: Mund të bëj ç’të dua. Po për besë!; Ç’nuk mund të bëj! Ç’nuk!; Pse jo?; Ji i lumtur më thonë. Dhe jam. Pse të mos jem! Etj.

Në këtë poezi poetika e paqetësisë, e zhgënjimit, e melankolisë dhe zëri i revoltës bashkojnë kulturën, dijen dhe përvojën e drejtpërdrejtë të autorit. Me një fjalë poeti Agim Vinca, me poezitë e tij sprovon mundësitë botë­krijuese të gjuhës, sepse kjo i mundëson të hetojë jo vetëm raportin e saj, pra të gjuhës, me njëmendësinë, por të sprovojë edhe kufijtë e lirisë së tij gjuhësore e për t’i vënë në sprovë këto mundësi të gjuhës

Poezitë e kësaj përmbledhjeje paraqesin vijën ngjitë­se qartësuese të një poetike që ka ruajtur fizionominë e fuqinë e saj që prej poezisë së tij të parë të para 45 vjetëve e deri te kjo që po e trajtojmë në këtë trajtesë, në të cilën në mënyrë simbolike me gjuhë të përzgjedhur dhe të saktë u jepet epërsi gjërave të vogla, kurse përditësia bëhet skenë e madhe në të cilën ngjizen e nxiten dashuritë e mëdha e pakënaqësitë e poetit.

Parimisht i përcaktuar për poezinë lirike, me këtë përmbledhje, poeti sikur po “rrëshqet” kah poetika e së rëndomtës, të së jashtmes dhe e të së zbulueshmes. Temat që i shkojnë kësaj poetike janë pikërisht ato që i gjejmë të trajtuara në këtë përmbledhje poezish – jeta e qytetarit shqi­p­tar në rrethanat e reja shoqërore, politike, ekonomike, kultu­rore dhe ndikimi i fuqishëm i saj në botën e tij të brendshme. Krahas eseizimit të mjedisit, që e rrethon, poeti kujdeset fort edhe për përçimin e mesazheve që lidhen me pakënaqësitë e tij të shtresëzuara nëpër vitet e jetës së tij deri sot.

Dhe për ta përmbyllur shkrimin po shtojmë:

Libri më i ri i Agim Vincës i titulluar Nostalgji për kohërat e rrezikshme trajton tema të rëndësishme të shqip­tarëve dhe të hapësirës shqiptare – ky libër është në të vër­tetë një shesh bisedimi për njëmendësinë e sotme të tyre. Ligjërimi i tij poetik, për arsye të natyrës së temave që trajton, që në të shumtën e herës nuk duron dykup­timësi, ka veçoritë e një ligjërimi të hapur poetik, për aq sa lejon poezia lirike që të shprehë probleme e drama të një realiteti të jetuar çdo ditë. Për ta realizuar synimin dhe për t’u bërë dëshmitar dhe zë i kohës, poeti mbush poezinë e tij me fakte historike dhe asociacione të larmishme mbi këtë bazë. Metaforizimi karakteristik, veçoritë formale e stilistike, se­ma­ntika dhe, sidomos, gjuha e bëjnë këtë për­mbledhje të poezisë të veçantë dhe joshëse për lexim, në të vërtetë e bëjnë poezi të mendimit, poezi të ndjenjës, poezi bukur­tingëlluese.

Poezitë e këtij libri, sikundër edhe ato të përmble­dhjeve të mëhershme, e dëshmojnë autorin njohës të mirë të gjuhës, krijues me prirje e me ndjenjë të shquar gjuhë­sore e estetike, ruajtës e zelltar këmbëngulës të gjuhës dhe të shpre­hjes gjuhësore shqipe.

* Studiuese në Institutin Albanologjik, Prishtinë

[1] Agim Vinca ka botuar deri sot këto përmbledhje poezish: Feniksi 1972, Bregu i mallit 1975, Në vend të biografisë 1977, Buzëdrinas 1981, Arna dhe ëndrra 1986, Kohë e keqe për lirikën 1997, Psalmet e rrënjës 2007, Muza e mëmëdheut 2012, Nostalgji për kohërat e rrezikshme 2017 dhe vëllime me poezi të përzgjedhura, të botuara e të pabotuara më parë: Dri’ 1999, Sonet i vetmuar 2001, Letër Zotit 2008 etj. Në gjermanisht i është botuar libri Zogj të plagosur më 2004, në rumanisht Urnë e gjallë më 2010, në anglisht Bota sillet rreth jugut më 2011, në greqisht Mashat më 2015 dhe në frëngjisht, më 2016, libri ekskluziv Kambanë në qafë (Une cloche à ton cou).

[2] Agim Vinca është autor i disa librave teorikë e kritikë mbi letërsinë, përkatësisht mbi poezinë: Aspekte të kritikës sonë 1977, Qasje 1980, Struktura e zhvillimit të poezisë shqipe (1945-1980) 1985, Orët e poezisë 1990, Alternativa letrare shqiptare 1995, Kurs i teorive letrare. Prej anti­kës deri te postmodernizmi 2002, Fije të pakëputura 2004, (Po)etika e fjalës 2010, Teori letrare 2012, Metodat letrare 2016, e të tjera.

[3] Agim Vinca, Intervistë e botuar në revistën Universi shqiptar i librit, “Toena”, Tiranë, 2007.

 

December 6, 2017 11:38
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*