Poezia universale dhe britma e fluturës

August 24, 2018 11:37

Poezia universale dhe britma e fluturës

Moikom Zeqo

Tu es la feuille hypnotisée dans lespace,

A l’approche de l’Invisible Serpent.

René Char

 

Ti je për gjethen e hipnotizuar në hapësirë,

Sapo afrohet Gjarpëri i Padukshëm.

Rene Shar

 

A është realiteti, vetëm ai, që ne shohim?

Kush i hap dyert misterioze të të Pamundurës?

A e perceptojmë dot Infinitin?

Koncepti i Zeros është konvencional, i infinitit jo!

A jemi rimishërime dhe zgjatime të paraardhësve tanë?

Apo, të pasardhësve, në sens të kundërt?

Shikimi i sipërfaqshëm i realitetit është një dogmë.

***

Homeri, Edgar Allen Po, Whitmani, De Rada, Arthur Rimbaud, Migjeni, ekzistonin në të vërtetë, – tani ekzistojnë – vetëm metafizikisht.

Çdo emër, apo folje është si një makinë e Imagjinatës.

Ç’realitet i shumëfishtë!

Dhe i Pafund!

***

A mund të flitet për anën e trilluar të Kohës?

 Po ç’është ajo e patrilluara?

Koha është shumë më tepër se sa Kohë!

Po kush e kupton këtë?

***

Në poezi (në art) Koha krijohet në përjetësi, si një Amëshim i Dytë.

Metaforat semaforike janë si sinjale hekurudhore stili.

Por poezia përsëri s’kufizohet, as nga fuqia tautologjike e analogjive, as nga dinakëria e programuar e alegorive.

Poezia është sa një “mundus subterraneus”, aq edhe një ABC e së parregulltës dhe strukturim i kaotikes.

Poezia krijon qytetërimin në pikëpamje algjebrike shpirtërore!

E shkatërron kultin e verbalizmit, krijon një gjuhë të re, vetiake, brenda gjuhës kolektive.

Guxim i intelektit dhe sinkretizëm i shqisave, sui generis!

***

Dikur, Mallarmé, ëndërronte për Librin Universal, si një krijim orfeik.

Libri („i të gjithë librave“) i Mallarme-së nuk përfundoi asnjëherë. Ky „prince des poètes“, që desh të virtualizohej si „Hamlet i Ri“ s’e çoi gjer në fund luftën kolosale kundër „rastësisë“ së frymëzimit spontan për të krijuar një sistem „më të epërm“ lirik të universit.

***

Sipas Gustav Rene Hocke-s, ky kryelibër onirik, me „alphabetum divinum“, gati si “Dhjata sekrete e engjëjve” qe më tepër një dështim madhështor.

Duke lexuar, këto kohët e fundit, librat e Viktor Hlebnikovit (1885-1922), poet rus i hatashëm dhe futurist, (i harruar), kupton përpjekjen e tij për „gjuhën transcendentale“ paradigmë, që nënkupton „kombinimet e lira si lojë e zërit, përtej vetë fjalëve“.

Hlebnikov hulumton semantikat e nivelit të magjepsjes kuptimore dhe Solomonisë, duke zbuluar „mençuri të çuditëshme“ edhe tek fonemat.

Këtu nis Koha ciklike, labirintike dhe laboratorike, si dhe lindja e personazhit të shumëfishtë, ripërtëritës. „What is it that can tell me who?“ („Kush është ai, që më thotë, se kush jam unë?“) – ka thënë Shakespeare!

***

Në paraqitjen poetike të botës gnosa mbështetet tek idea se ka një pamjaftueshmëri të një shkence elementare të germave.

Të kërkosh lirinë në sferën e estetikës, pa njohur strukturat e parregullta, do të thotë t’i nënshtrohesh proceseve thjeshtëzuese të një shoqërie të teknicizuar.

Pra të bëhesh viktimë e një “mode”, ashtu si shtresat e gjëra bijen viktimë e ideologjive totalitare.

Çdo krijim kërkon origjinalitet të patjetërsueshëm. Metafizika e poezisë, kërkon viset, ku s’ka shkelur askush të intelektit, ose vështirë të arritshme.

***

E ashtuquajtura poezi e epigoneve, është si tregtia e rrobave të përdorura, trille të retorikave boshe.

                                                            ***

  Odisea Eliti shkruan:

Είπαν άλλοι: γιατί; χι αύτός νά χατοιχήοει

τό σπίτι μέ τίς γλάστρες χαί τή λευχή μνηστή.

“Αλογα τά πυρρά χαί τά μαύρα μού άναψαν

γινάτι γι’ άλλες, πιό λευχές ‘Ελένες!

Γι’ άλλη, πιό μυστιχήν άντρεία λαχτρησα

χι άπό χεί πού μέ μπόδισαν, ό άόρατος, χάλπασα

στούς άγρούς τίς βροχές νά γυρίσω

χαί τό αίμα πίσω νά πάρω τών νεχρών μου τών άϑαϕτων!

Είπαν άλλοι: γιατί; χι έχείνος νά γνωρίσει

χι έχείνος τή ζωή μέσα στά μάτια τού άλλου.

“Αλλου μάτια δέν είδα, δέν άντίχρισα

παρά δάχρυα μέσα στό Κενό πού άγχάλιαζα

παρά μπόρες μέσα στή γαλήνη πού άντεχα.

Τίς ήμέρες μου άϑροισα χαί δέ σέ βρήχα

χαί τά όπλα ζώστηχα χαί μόνος βγήχα

στή βοή τών γχρεμών χαί στών άστρων τόν χυχεώνα μου!

në shqipërim të lirë:

Të tjerët pyeten: “Përse? Le të banojë,

ai, në shtëpinë me saksi dhe me të dashurën”,

Kuajt e purpurt de të zinj më ndezën

zemërim për të tjerët, për më të bardhat Helena,

Për një trimëri tjetër, të fshehtë u përpoqa n

nga andej ku s’më lenin, i padukshëm, renda

me galop, që arrave t’u riktheja shirat

dhe gjakun sërish t’u marr të vrarëve të pakallur.

Të tjerët thanë: “Përse?”, – Le ta njohë,

ai, jetën, brenda syve të tjetrit!”

Po sy të tjerësh, s’pashë, nuk më dolën përballë,

përveç lotëve, brenda boshësisë që e përqafova

përveç shtrëngatave, brenda baticave.

Ditët e mia i përmblodha dhe s’gjeta tjetër,

armët i ngjesha dhe i vetëm dola

në gjëmimin e humnerave në labirintin e yjeve.

Ah, Odisea Eliti!

Patjetër, që trillon, por poezia ime është tjetër gjë.

Në kronologjinë inerte 1999-2004 sinopset e mia poetike formojnë bashkësi metaforike, sipas parimit pindarik, (që e mrekullonte edhe De Radën).

Në shekullin XII poeti Leonitus shkroi poezi në latinisht – me vargje që u njohën si “Vargje leoniane”.

Vargjet leoniane, përbëhen nga hekzametria, ose hekzametra dhe pentametra, në të cilat rrokje e fundit rimon me rrokjen, që gjendet para cezurës në mes të vargut.

***

Po në shekullin XII, kalorësi princ, Robert Monteforti, nëndukë i normanëve, vdes në lulen e rinisë, në Ballsh të Mallakastrës.

Dhe në lapidarin mbivarror të tij shkruhet në latinisht një epigramë me vargje leoniane, si një mbartje e një shpikje stilistike, që me brigjet e Albionit britanik në shkëmbejtë e Arbërisë.

Unë e kam përkthyer në shqip këtë poezi “unicum”.

Ky fakt është gati epifanik.

Libri im, përpara lexuesve, (sidomos, të atyre, që do të vijnë) shpresoj, se është gjithashtu një shpikje, që do të doja ta shpërndaja në hartat letrare të botës.

Por e di, se të gjithëve na torturon, na mund Absolutja!

Të ngulmosh për poezinë e pangjashme është të galvanizosh një vetëdije.

Përtej të tëra disfatave, vetëdija, të paktën, s’të braktis. Estetikat dekorative thyhen e bëhen pluhur.

Kriptogramet me porta të mbyllura janë burgje mendore.

Dhe jam i bindur, krejt i përkorë ; se poeti s’është kamerier i fshehtë i Zotit.

Është më tepër : një ikonoklast, shpesh i pabesueshëm, akoma më keq, edhe i pakuptueshëm, për të cilin pakuptimësia është urrejtje dhe jo dashuri.

Poeti mbijeton, duke u intimizuar me Vdekjen.

***

Ah, Jimi Morrison :

Before I sink into dhe Big Sleep

I want to hear, I want to hear

The scream of the butterfly!

 Këto vargje epitafikë, por kuptohet, para Vdekjes, thonë në shqip:

Përpara se të zhytem në Gjumin e Madh

Dua të dëgjoj, dua të dëgjoj

Britmën e fluturës!

 Tiranë, XIX.I.MMXVIII

August 24, 2018 11:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*