Poezia vdiq! Rrofshin…poetët!

Sokrat Habilaj October 30, 2014 10:00

Poezia vdiq! Rrofshin…poetët!

Nuk është se poezia shqipe ka pasur ndonjë periudhë shkëlqimi të dukshme, por sidoqoftë, pas bejtexhinjve me frymë otomane e deri në fillim të viteve nëntëdhjetë ajo, edhe ashtu modeste siç ishte, e ka ruajtur një lloj vetëpërmbajtjeje, e ndoshta edhe dinjiteti. Në një kohë të largët, turma pafund bejtexhinjsh eunukë, krijuan një tallava vjershërimi, e cila u quajt me zhargonin,”bejte”. Ky model me origjinë nga bokërimat aziatike, edhe pse nuk kishte asgjë të përbashkët me temperamentin dhe botën shpirtërore të një populli mesdhetar, pak nga pak, për fatin e keq, u bë sundues, ashtu si feja apo kultura otomane.

Kjo ndodhi, veç tjerash edhe për faktin se poezia shqipe, nuk kishte traditë të spikatur, dhe me vërshimin e “hordhive” të bejtexhinjve, ajo u gjend në diktatin e një vjershërimi që nuk rrezatonte vlera, por një mënyrë të të kuptuarit të botës krejt të gabuar, e cila deformonte shijet estetike ndaj artit poetik. Pas kaq shumë kohësh, kjo traditë e kaluar do kishte vetëm vlera historike, por në fakt nuk është tamam kështu. Mund të duket paradoksale, por ajo që po ndodh me poezinë shqipe të pas viteve nëntëdhjetë, të kujton po atë kohë. Poezia shqipe në Shqipëri, Kosovë Maqedoni, Mal të Zi e kudo në diasporë, nëpër rrjetet sociale, apo dhe botimeve, është duke përjetuar një “zhvillim” të çartur, jo thjesht me vlera të dyshimta, por absolutisht pa asnjë vlerë.

Duke anashkaluar lirshmërinë dhe shpejtësinë që mundësojnë rrjetet sociale, mund të themi se nëse do të duhej që turmës së pafund të bejtexhinjve të shekullit XXI, t’u kërkohej që vargjet e tyre t’i shkruanin, le të themi me laps dhe letër, pa asnjë dyshim ne do kishim shpëtuar nga gjysma e tyre. Duke anashkaluar koston zero të rrjeteve virtuale, nëse do të duhej të mendonim një çast se për të shkruar vargëzimet e tyre, do të duhej, le të themi një kitarë, piano apo violinë, ne do të kishim shpëtuar nga 99 përqind e kësaj turme.

Absolutisht askush nuk mund të qortohet, nëse e kap dalldia që të bëjë “art”, tek faqja e tij virtuale, por mëkati është se tej një forme të shkruari absolutisht jo poetike, ajo nuk është as e shkruar shqip. Këta zhgarravitës të gjuhës shqipe, nuk dinë të shkruajnë asnjë fjalë saktë, madje nuk dinë as sa gërma ka gjuha ku vargëzojnë. Sidoqoftë, nëse kjo dukuri do të mbetej brenda kuadrit virtual, do të ishte e keqja më e vogël.

Do ishte e keqja më e vogël, nëse dikush do ju thoshte, vazhdoni e llomotisni aty, duke krijuar një barrierë të pakalueshme që ky produkt të mos gjente shtigje të tjera për të shkuar më tej. Ne jetojmë në një shoqëri të lirë, ku gjithkush ka të drejtë të nxjerrë në treg gjithçka, po askund nuk ndodhë që dikush të kapë një cep për të shitur domate, qepë, a kunguj të kalbur, siç bëjnë sot e gjithë ditën turma e bejtexhinjve të poezisë shqipe. Më tej, duke mos pasur asnjë pengesë, asnjë lloj kërkese, jo ndaj cilësisë, se ky është një luks po ta kërkosh, por edhe ndaj normave më elementare, bejtexhinjtë e ardhur nga bota virtuale, e cila nuk ka asnjë ndryshim nga bokërimat e perandorisë osmane, vërshojnë nëpër shtëpitë botuese, dhe këtu ndodh vrasja përfundimtare, e dokumentuar dhe zyrtare e poezisë.

Ndërsa ke ndjekur lloj-lloj lajthitjesh të vargëzuara në rrjetet virtuale, të cilat natyrisht që nuk i ke marrë seriozisht, tani e në vijim do të duhet që nëpër stenda të shikosh ata pra, vargëzuesit e rrjeteve sociale që kanë dalë në treg me librin e parë poetik, të dytë a të tretë. Nga ky moment, poezia jo thjesht ka vdekur, por ajo është kthyer në versionin e vet më qesharak. Ndërsa në hapin e reklamimit të vargëzimit mes rrjeteve sociale, të gjithë janë të lirë të masturbojnë pafundësisht me “artin” e tyre, në hapin e dytë, kur ata hidhen në treg mes “vëllimeve poetike”, ata përdhunësisht masturbojnë dhe me shijet e të tjerëve.

Ndërsa në hapin e parë, ata janë të vetëm në ndërmarrjen e tyre, pra janë dhe të vetmit fajtorë, në hapin e mëvonshëm, nuk janë më fajtorët e vetëm. Dalldinë e tyre për t’u bërë poetë, shtëpitë botuese e kthejnë në letër e libër, thjesht për arsye financiare. Po nëse hapi i parë, pra hedhja në rrjetet sociale, mund të anashkalohet, botimi i vargëzimit virtual pa asnjë vlerë është e patolerueshme në një shoqëri që kërkon të ecë drejt vlerave të vërteta. Askush nuk e di se ku gjendet kjo kurajë botimi prej tyre, por ajo që dihet me saktësi është se lexuesi në stenda librash mund të zgjedhë mes Nerudës apo Migjenit, mes Gëtes apo Lasgushit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, turmës së pafundme “të poetëve”, dalë nga zgëqet shterpe të rrjeteve sociale. Po e keqja nuk mbaron këtu.

Pas dy etapave, vjen faza e tretë, ku kjo turmë vargëzuesish bëhen agresivë, trimërohen nga librat që botojnë. Si në asnjë stinë më shterpe për poezinë e vërtetë se kjo stinë, sot janë krijuar sa e sa shoqata me ca emra të çuditshëm, të cilat organizojnë pafundësisht takime me “poetë nga e gjithë bota”, pra edhe nga katundet tona, ku jepen ca çmime po kaq qesharake, për ca vargëzues që nuk i ka lexuar askush. Në pamje të parë, duket se ky është triumfi i këtyre vargëzuesve, por e vërteta është se takimet poetike, janë dhe kurthi ku ata bien padashur. Dhe kjo jo thjesht se në këto “takime poetike”, absolutisht nuk marrin pjesë poetë, jo vetëm se aty nuk flitet për vlera, jo vetëm aty gjithçka i ngjan ritit të një konkursi bostani që zhvillohet diku në një katund të Shqipërisë së Mesme, por në këto takime absolutisht jo poetike, ata e kuptojnë se gjithçka e krijuar prej tyre, rikthehet komikisht tek vetë ata. Ata e kuptojnë se askush nuk mund t’i lexojë ata. Ata e kuptojnë se gjithçka që kanë vargëzuar, nuk ka asnjë vlerë për askënd. Në kushtet e një ndrydhjeje të artit poetik, do të ndodhte që të paktën poezinë ta lexonin vetë poetët. Po nuk ndodh as kjo, por ndodh më e keqja.

Poezinë nuk e lexojnë as vetë vargëzuesit, ata pra që mbushin sallat e tubimeve në takime “ndërkombëtare poetësh”, sepse sapo kthejnë krahët, tufat me vëllime vargëzimesh flaken tej. Ky është çasti që kjo mënyrë e të bërit poezi, hakmerret pa mëshirë ndaj autorëve të këtij tipi, duke u treguar atyre se ajo që kanë shkruar deri tani, jo vetëm që nuk vlen për të tjerët, jo vetëm që nuk vlen as për vetë ata, por duket se ajo i bën edhe me turp. Si përfundim mund të themi se, pasi kanë vargëzuar pa fund vargje në rrjetet sociale, pasi kanë përdhunuar shijen e lexuesit për poezinë me botimet e tyre, pasi kanë tubuar nëpër takime poetike pa poetë, e pra pasi i kanë bërë të gjitha këto, është koha ta kuptojnë se ajo që kanë shkruar, në fund të fundit gjithçka mund të ishte, por jo poezi.

Vërtet që askush nuk ka të drejtë t’i thotë dikujt tjetër nëse ai duhet ose jo, të mendojë e të flasë poetikisht, madje dhe në rrjetin e tij social ku gjithkush mund të bëjë çfarë të dojë. Por kur është fjala për të marrë guximin e të ofrosh broçkulla mes botimeve, është koha që të thuhet ndal. Llomotisni çfarë të doni nëpër rrjetet tuaja sociale, por mos dhunoni shijet e të tjerëve me librat tuaj që nxirrni nëpër tezga, sepse kështu ju e vrisni poezinë e vërtetë!

Sokrat Habilaj October 30, 2014 10:00
Komento

6 Komente

  1. Sallakja October 30, 11:25

    Ah,
    More Sokrat Habilaj ! Ky shkim duhej bere 40 vjet
    me pare. Atehere mund te ishte aktual.
    Poezi e vertete ?
    Ka kohe qe ka mbaruar. Prandaj mos ki frike se diletantizmi
    po e shkateron

    Reply to this comment
  2. Cibuku October 30, 11:46

    Shkrim mjaft serjoz qe e nderon autorin. E vetmja qe s’eshte thene, eshte se poezine shqipe po e perdhunojne se pari vet poetet shqiptare, te cilet shkruajne nga 10 vellime poetik ne vit. Qe te dhjeta i shpallin kryevepra, madje guxojne e ngulin kembe per t’u shperblyer me cmimin NOBEL. Se dyti shteti i cili duke e marre serjozisht kete cmenduri, u ve ne dispoziocion fonde per takime e diskutime cmendurore brenda e jashte atdheut, kur akoma s’e merr guximin te beje gjene me te thjeshte: Ballafaqimin e vlerave krijuese, jo vetem ne poezi. Eshte kjo arsya qe sot ne bote po na perfaqesojne mediokrit, pjestare te kesaj skote te cmendurish, por gjithashtu edhe politikane karagjoz te cileve nuk u intereson ballafaqimi i vlerave ne atdhe, e pastaj me gjere. Eshte teme e gjate kjo, por ti rrofsh o Sokrat qe more guximin dhe e hape vetem per poezine e cila aktualisht ndodhet ne reaminacion. Pershendetje.

    Reply to this comment
  3. gjermani i fundit October 30, 11:48

    “Il Papa è morto, viva il Papa!”-eshte shprehja e famshme,qe ne substance thote se kur vdes nje Pape domosdo do zgjidhet nje Pape tjeter,qe do jete me i mire apo me i keq,kjo i lihet kohes.Shkrimi eshte pjeserisht nje klithme SOS-i dhe pjeserisht sulm ndaj tallavase se tregut.,por tregu ka vendosur gjithnje.Tregu ka dekretuar suksesin e nje libri, s’ke çfare t’i besh!Me aq sa di une kombi yne ka qene pjellor ne poetike,Naimi,Mjeda,Cajupi,Migjeni,Lazgushi e plot te tjere nuk kane qene bejtexhinj.Ndofta kane ndjekur shembujt e poezise gjermanofone si Gete,Shiler,Heine,apo poezise britanike dhe franceze; pra ne gjykimin tim poezia shqiptare eshte influencuar shume nga majat e poezise boterore,fut ketu edhe ndikimin e forte te poezise ruse dhe shkollen e saj, ku studjuan Driteroi,Kadareja etj.Si komb i vogel me 3 milione mund te thuhet se jemi dashamires te kultures dhe letersise,ndofta me pak keto dekadat e fundit,por kjo eshte nje problematike boterore.Me veshtiresi sot mund te gjesh ndonje vellim poetik ne Evropen Perendimore,ne France psh,apo ne Gjermani apo Britani,Itali etj.Ne Greqi kam shume vite pa shkuar,por s’besoj as atje.Dmth poezia eshte ne krize dhe kjo s’do shume mend ta evidentosh.Kam lexuar diku nje artikull mbi rikthimin e shpirterave,riardhjen serish ne kete bote.Nje femije i vogel kujtonte se kish qene pilot amerikan ne L2B dhe kish rene me avion ne det andej nga Paqesori.Disa studjues iu vune kerkimeve dhe zbuluan se vertet nje pilot me kete emer kish rene dhe nga e dinte ky femija qe as kishte lidhje fare? Sipas nje eksperti qe merrej me situatat paranormale,shpirti mbijeton kur kalon situata ekstreme.Kam idene se e njejta gje ndodh edhe me poezine,ajo mbijeton ose lulezon ne situata ekstreme.Nuk do kishim Migjen nqs nuk do ekzistonte ajo varferi biblike,nuk do kishim Naim nqs nuk ishte nevoja e rilindjes dhe mbijeteses se kombit tone,nuk do kishim Lazgush pa liqenin piktoresk te Pogradecit dhe dramat qe ai perjetoi,nuk do kishim as Dritero pa ate taban popullor qe ai trashegoi.Siç duket ne Shqiperi kush perjeton situata ekstreme nuk ka mjete financiare te botoje diçka,mbase nuk ka edhe Facebook.Kritiket ndofta e kane liruar njeçike doren,ose nuk ekzistojne edhe ata,se veshtire te mbash familjen sot me kritike letrare.Nje shkrim te bukur kam lexuar te Xhorxh Oruell mbi kritiket dhe kriticizmin ku thote se kritiket bejne sikur kritikojne,por ne fund nxisin lexuesin ta lexoje kedo liber,se ata paguhen per te reklamuar; mund ta perktheja kete shkrim shume gjenial,por edhe t’ia çosh nje gazete pa i kerkuar fare shperblim kush degjon komentuesit,ata te denigrojne fare,se e kane marre zakon.Personalisht nuk me shqetesojne keto takimet dhe inagurimet,i shoh ne Facebook se jam mik virtual me ndonje apo disa nga keta veprimtaret,por mendoj se kane kohe dhe ndonje lek dhe tek e fundit diçka pozitive leviz.Pse mbushen raftet me leter te shtypur shqetesohet Sokrati?Bah,une nje liberth te vogel pagova dhe e botova dhe s’arrita dot t’a le ne ndonje librari,se ishin perplot,biles edhe falas nuk e pranonin.Tek QTU iu afrova ca lstendave,kishte vetem librat e Kadarese,jo nga keta “bejtexhinjte” e panjohur,pra neper stenda nuk ka deme kolaterale…Tani s’e di se çfare eshte bere me vjershat e librit tim,botimi per mua ishte sakrifica e 10 diteve ne Detin e Kuq,nuk vajta atje por shtypa nje liber,ndofta edhe kot,por hajde! Ahaaa,po qe per here te dyte nuk ndryshoj mendje,me mire 10 dite kripe ne Detin e Kuq sesa te shtyp nje liber qe me vjen vertet keq t’a shoh hedhur ne nje cep; tashme poezia askujt s’po i hyn ne pune.Biles,sa me e rafinuar te jete aq e pakuptueshme behet.Suksese Sokrat,dua te pershendes me nje poezi qe do ta flak ne Detin e Kuq per nje nga keta qe i shesin vete librat e tyre ne trotuare:

    . Librashitësi

    Librashitësi nxirrte nga çanta
    libra me poezi,
    të të njëjtit autor.
    Sikur hapte faqet e jetës së tij,
    shfletuar një nga një me dorë.

    Librashitësi ishte vetë autori
    pa famë të dëgjuar
    dhe sqimë kështjellari.
    Sa thjesht i kish hije ai mund vjershëtori
    tek shiste librin e tij trotuarit!

    maj 2012

    Reply to this comment
  4. dhori October 30, 11:52

    Nuk jam as njohes i thelle dhe as adhurues i marre i poezise, por fjala poetike me pelqen. Pelqimi me shtyne te lexoj. Ndonese lexoj me perzgjedhje (sipas emrit te autorit), me shprese se do ndesh ne talente te reja, lexoj me raste edhe autore te panjohur me pare. Fatkeqesisht me ndodh ajo qe thekson autori i ketij shkrikmi z. Habilaj. Zhgenjehem keq.
    Tregu i mjere i librit dhe mungesa e plote e kritikes jane shkaku kryesor i bejteve qe nuk i thone kurrgje lexuesi.

    Reply to this comment
  5. PalokCuca October 30, 14:26

    Autori i shkrimit trajton nje problem me te vertete per te ardhur keq. Poezia po humb realisht. Kam keqardhje per kete shterpesi te fjales me te bukur. Por si i gjendet dermani kesaj pune? Nuk e di…. Lutem dhe uroj te na dale ndonje poet i vertete. Po ta zeme se na doli (cfaq) mesia. Sa do jene ato qe do i lexojne vargjet e tia? Mbase me gishta. Shkolla jone (flas per cikline e formimit baze) e ka hequr si “te teprt” fomimin letrar (pa le ma ate poetik). Une jam mesues dhe per test para fillimit te mesimit (matematikes) shkruaj 2-3 vargje te poeteve tane te dikurshem dhe pyes kushi i ka shkrojtur? Rralle po shume rralle here, marr pergjigje te sakte prej studenteve te mi (qe jane ne universitet). Pra si kuptohet kjo ?? Me vjen keq tmerresisht per humbjen e poezise kesaj perle te fjales se bukur. KEQARDHJE!!!

    Reply to this comment
  6. Blog November 1, 15:13

    Shkrimi ka te verteta por mendojme se nuk jane thene te gjitha
    shkaqet se pse poezia eshte kjo qe nuk eshte poezi:

    Dëmtuesit e artit poetik nuk janë vetëm autorët mediokër
    ne kete BLOG LINK:
    http://traboinipoezi.blogspot.com/2014/10/demtuesit-e-artit-poetik-nuk-jane-vetem.html

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*