Policia la tre ditë me radhë 200 kg drogë në kufi për kurth, por trafikantët nuk kthehen

April 27, 2014 08:12 Updated

Policia la tre ditë me radhë 200 kg drogë në kufi  për kurth, por trafikantët nuk kthehen

Një ngarkesë prej 200 kilogramë hashash u sekuestrua mbrëmjen e djeshme në kufi me Greqinë nga policia shqiptare. Në fakt, droga është bllokuar prej mbrëmjes së 23 prillit në afërsi të Konispolit, ku trafikantët që po e transportonin në 6 çanta të mbushura dhe të ngarkuara në tre mushka, e braktisën sapo hasën policinë. Por Antidroga dhe Policia Kufitare i ngritën një kurth autorëve duke mos i prekur të gjashta çantat në zonën e kufirit dhe i mbajtën nën vëzhgim për tre ditë me radhë. Por trafikantët nuk u kujtuan të ktheheshin më në vendin e krimit dhe mbrëmë policia bëri sekuestrimin e narkotikut. Burime zyrtare të policisë bënë me dije se ngarkesa e drogës u braktisën në vendin e quajtur Katajet, pranë Konispolit dhe transportohej nga 3 mushka. Dyshohet se autorët kanë pasur informacion për survejimin nga policia të zonës dhe nuk i janë afruar më ngarkesës.

Droga u dërgua mbrëmë në Komisariatin e Sarandës për veprime hetimore nga agjentët, ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda do hetojë për akuzën “trafik ndërkombëtar narkotikësh në bashkëpunim”. Sipas hetimeve të kryera deri tani, rezulton se lënda narkotike është blerë në Lazarat dhe prej andej po transportohej në rrugë malore me kafshë, duke u nxjerrë në kufi. Aty pritej të afroheshin edhe blerësit e vërtetë të mallit për ta dërguar me destinacion Greqinë. Zona e Konispolit është e njohur si e frekuentueshme nga trafikantët e drogës në hapësirën kufitare mes dy vendeve. Lënda narkotike ka qenë e sistemuar në pako të mëdha deri në 10 kilogramë secila, ku çdo çantë mbante mbi 30 kilogramë hashash. Policia ka nisur hetimet për autorët e trafikut dhe rrjetin kriminal, ndërsa po mbledh informacione për të zbardhur të gjithë itinerarin dhe personat e përfshirë.

April 27, 2014 08:12 Updated
Komento

1 Koment

  1. Mark uk April 27, 16:43

    Gje e lehte per tu kuptuar jan ne bashkpunim me policin, kot kan pritur tre dite.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*