Politika e Fuqive Aleate ndaj Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore

November 5, 2019 13:34

Politika e Fuqive Aleate ndaj Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore

Nga Marenglen Kasmi

 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore qeveria britanike nuk arriti të kristalizonte një koncept të qartë për politikën që duhej të ndiqej ndaj Shqipërisë. Në tetor 1939, qeveria britanike në një deklaratë të Dhomës së Ulët bëri në pikëpamje formale publike njohjen e “situatës së re në Shqipëri“, pra ajo kishte njohur kështu pushtimin italian të Shqipërisë. Nëpërmjet kësaj deklarate, qeveria britanike synonte të ndalte hyrjen në luftë të Italisë përkrah Gjermanisë. Pas sulmit të ushtrisë italiane ndaj Francës Jugore më datën 10 qershor 1940, qeveria britanike e tërhoqi mbrapsht deklaratën e saj. Duhet theksuar, se Britania e Madhe, gjatë gjithë periudhës së luftës nuk mbajti ndonjë qëndrim për statusin e Shqipërisë dhe të drejtat e saj ndërkombëtare si brenda ashtu edhe jashtë kufijve të saj. Në rastin më të mirë, një politikë ndaj Shqipërisë artikulohej vetëm në lidhje me konceptet politike të gjithë rajonit të Ballkanit ku, qendra e rëndesës e politikës britanike qëndronte ishte Greqia dhe Jugosllavia.

“Shqipëria luante, në të gjitha pikëpamjet, një rol dytësor”, shkruan ish-oficeri britanik dhe diplomati i mëvonshëm Reginald Hibbert. Nëse mbahet parasysh që Britania e Madhe ishte në luftë me Italinë, ajo nuk mund të mos shfrytëzonte çdo rast të mundshëm për të dobësuar kundërshtarin e saj. Për këtë arsye, mbështetja e një kryengritje në koloninë shqiptare sillte vetëm avantazhe dhe për këtë arsye oficerët ndërlidhës britanikë, që ndodheshin në Beograd, morën detyrën që të mbështesnin çdo revoltë të mundshme në Shqipëri.

Përgatitja e kësaj revolte përbënte një sfidë tepër të madhe për shërbimin e fshehtë britanik, sepse çdo mbështetje që mund të ofronte Britania e Madhe ndaj Shqipërisë do të shkaktonte protesta të mëdha nga qeveria greke. Kjo ishte arsyeja që qeveria britanike nuk e miratoi një propozim të Mbretit Zog, i cili ndodhej në azil në Londër, por nuk gëzonte status diplomatik. Zogu mendonte që, i mbështetur nga britanikët, të shkonte në Shqipërinë e Veriut dhe të organizonte një kryengritje të armatosur ndaj pushtuesve italianë.

Nga pikëpamja ushtarake ky aksion u prit mirë, por nga ana tjetër mbarte me vete një potencial të madh konflikti politik. Si pasojë qeveria greke do të detyrohej të njihte Mbretin Zog dhe rrjedhimisht edhe kufirin jugor të Shqipërisë. Për të anashkaluar këtë problem, Foreign Office vendosi të mos lidhej me Zogun. Në Foreign Office u diskutua gjatë deri sa u mor ky vendim. Sipas kësaj analize, ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë e mbështesnin dy faktorë: a)Humbja e “identitetit kombëtar” do të ishte “imorale” dhe b)Një deklaratë e hartuar me këtë përmbajtje do të kishte impakt pozitiv në kryengritjen dhe qëndresën ndaj pushtuesve italianë dhe do të tregonte që Britania e Madhe ishte kundër Fashizmit. Por, arsyet të cilat pas lufte flisnin kundër një pavarësie të Shqipërisë, ishin më të forta, sepse Shqipëria “cannot stand alone” (nuk mund të qëndrojë vetëm) dhe do të ishte përgjithmonë e varur nga ndihmat dhe financat e një fuqie tjetër. Greqia do të ishte kundër një vendimi të tillë dhe ose do të mundohej të vendoste një qeveri progreke në Tiranë ose do të kërkonte aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Prandaj britanikët nuk dëshironin të merrnin përsipër një përgjegjësi kaq të madhe duke mbështetur Mbretin Zog.

Duke ndjekur mendimet e dhëna nga Foreign Office, Ministria britanike e Luftës gjeti një zgjidhje, e cila mundësonte në Shqipëri ngritjen e një kryengritjeje të organizuar ndaj italianëve pa pjesëmarrjen e Zogut. Agjentët britanikë të SO2, më vonë SOE (Special Operations Executive) propozuan armatosjen dhe furnizimin e Gani Kryeziut, i cili gëzonte një reputacion të madh në Shqipërinë e Veriut. Ky vendim përbënte përsëri një lëvizje mjeshtërore të politikës britanike. Greqia nuk mund të protestonte ndaj këtij vendimi, pa “i nxjerrë bojën vetes” më parë, duke artikuluar hapur kërkesat e saj të ekzagjeruara për aneksimin e territoreve shqiptare. Në fund të fundit, ky aksion do të fillonte nga territori jugosllav dhe do të kryhej përkohësisht i kufizuar vetëm në Shqipërinë e Veriut. Ky plan dështoi kur në fund të vitit 1940, Ministri i jashtëm Halifax u zëvendësua prej Antony Eden dhe SO2 hasi, në lidhje me çështjen shqiptare, në një konflikt kompetencash. Një arsye tjetër e dështimit të këtij plani ishte edhe sulmi i Wehrmacht-it ndaj Jugosllavisë ku, si pasojë drejtuesi britanik i seksionit të Shqipërisë, nënkoloneli Okley-Hill, ra rob te gjermanët.

Planet ushtarake të anglezëve gjatë luftës

Nëse Italia do të tërhiqej nga lufta, çka në fund të vitit 1942 po dukej gjithmonë e më qartë, aleatët planëzonin një ndërhyrje të menjëhershme në Itali dhe në vendet e pushtuara prej saj. Sipas parimeve të hartimit të një operacioni, u morën disa mundësi në konsideratë. Qëllimi i këtij operacioni ishte pengimi i një lëvizje të mundshme të trupave gjermane nga veriu. Si pasojë u hartuan planet për pushtimin e Italisë së Jugut, marrjen e aerodromeve në rajonin e Napolit dhe Romës si dhe përgatitjen e kushteve për kryerjen e kapjes dhe vendosjes në Italinë Qendrore. Pikërisht në këtë kuadër, fitoi peshë edhe mendimi për ngritjen e një kryeure në rajonin e Durrësit, për t’i ardhur në ndihmë qëndresës së armatosur të vendeve të Ballkanit.

Por, Gjeneralët aleatë gabuan kur menduan se, Wehrmacht-i gjerman nuk do të ishte në gjendje të mbante ushtarakisht Italinë e Veriut si dhe vendet e Ballkanit, madje pa rrezikuar raportin e trupave në Frontin e Lindjes.

Siç shkruam më sipër, politika britanike ndaj Shqipërisë mund të skicohet vetëm në kuadër të një koncepti politik të përgjithshëm të Ballkanit. Në lidhje me Shqipërinë, politika britanike nuk do të bënte asnjë përjashtim: do të mbështetej dhe ndihmohej cilido që i shkaktonte dëmtime Wehrmacht-it gjerman. Si rezultat i kësaj politike, prej prillit të vitit 1943 ishin atashuar pranë forcave kryengritëse në Shqipërinë e Jugut oficerë ndërlidhës britanikë (British Liaison Officers, shkurt BLO). Pak kohë pas mbërritjes së tyre, oficerë ndërlidhës britanikë u stacionuan si pranë forcave partizane të UNÇ-së dhe përkohësisht edhe pranë ndonjë çete të Ballit Kombëtar. Më vonë, edhe pranë Legalitetit. Ndërkohë, u kryen bisedimet e para edhe me bajraktarët e Veriut.

Detyrat e misioneve britanike, pa u ndalur në mënyrë të detajuar në secilin prej tyre, përbëheshin nga i njëjti lajtmotiv, organizimi pa dallim i aktivitetit dhe luftës kryengritëse kundër trupave gjermane, me pjesëmarrjen e gjithë grupimeve politike shqiptare. Shumë shpejt do të vihej re se, klima konfliktuale politike në Shqipëri do të pengonte krijimin e një fronti të përbashkët ndaj Wehrmacht-it gjerman. Po ashtu, problematik në realizimin e kësaj detyre, paraqitej edhe orientimi drejt gjermanëve i Ballit Kombëtar dhe i përkrahësve të Zogut. Kjo gjë e kufizonte shumë hapësirën e veprimit të britanikëve. Afrimi i këtyre grupimeve politike dhe ushtarake me pushtuesit gjermanë nuk ishte vetëm rezultat i konflikteve të brendshme politike por, njëherazi edhe rrjedhim i një politike të pa orientuar britanike:

“Politika e pa orientuar britanike ndaj Ballkanit i kishte rrënjët e saj para së gjithash në faktin që, vendimet në Londër merreshin në tre Ministri të ndryshme – përkatësisht në Foreign Office, në Ministrinë e Luftës dhe në Ministrinë e Ekonomisë së Luftës – puna e së cilave jo vetëm që nuk koordinohej mjaftueshëm, por shpesh përkeqësohej edhe nga rivaliteti ndërmjet tyre. Po kaq e pakuptimtë ishte që oficerët britanikë në Ballkan, vareshin pikërisht nga Ministria e Ekonomisë së Luftës, e cila nuk ishte kompetente si për politikën e jashtme ashtu edhe për drejtimin e luftës. (TÖNNES: Sonderfall Albanien, f. 460).

Për këtë arsye, shpeshherë vendimet që merrnin BLO-të ishin të bazuara mbi përvojën dhe përgatitjen e tyre profesionale ku, sigurisht që nuk përjashtoheshin edhe preferencat dhe bindjet politike. “When will you do something to help us? […] What ist our policy?“ (Kur do të bëni diçka për të na ndihmuar? Kush është politika jonë?) i ankohej një oficer britanik qeverisë së tij. (FISCHER: Albania at War, f. 202). Për të kaluar këto luhatje dhe për të përcaktuar politikën që duhej të ndiqej ndaj Shqipërisë u dërgua në Shqipëri gjenerali Davies. Davies mori kontakt me gjithë forcat politike shqiptare dhe arriti në përfundimin që, Fronti Nacionalçlirimtar ishte forca e vetme ushtarake që luftonte aktivisht kundër Wehrmacht-it gjerman. Ai raportonte te eprorët e tij:„ Unë (Davies – M.K.) jam i mendimit, që duhet të bëhet menjëherë publik qëndrimi i aleatëve, ku duhet theksuar që, kuislingët, tradhtarët dhe gjithë të tjerët, të cilët nuk kryejnë qëndresë ndaj Wehrmacht-it, në kohën e caktuar do të marrin nga aleatët dënimin e merituar. Shqiptarët e kanë kryer me sukses këtë lojë kuislinge me turqit, me italianët dhe tani edhe me gjermanët. Ata besojnë, që edhe me aleatët mund të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Prandaj, unë këshilloj, të jepet një deklaratë e hapur në favor të Frontit Nacionalçlirimtar”.“( PUTO: In den Analen der englischen Diplomatie geblättert, f. 165)

Por në një mbledhje të veçantë të Komitetit të SOE në Kajro u vendos që të mos ndiqej këshilla e Davies-it. Nuk duhej të njihej as Fronti Nacionalçlirimtar ashtu edhe Balli Kombëtar dhe Legaliteti.

Një pozicionim britanik i politikës që duhej të ndiqej ndaj Shqipërisë u mundësua, së pari, në fund të vitit 1943. Ky vendim ishte rrjedhim i një raporti (Maclean-Report) i majorëve Bill Mclean dhe David Smiley. Në këtë raport thuhej, ashtu si edhe te raporti i Davies-it, se FNÇ ishte e vetmja “forcë ushtarake” vendimtare në Shqipërinë e Mesme dhe Shqipërinë e Jugut. Nacionalistët e tjerë në Veri, të cilët nuk bënin pjesë në Frontin Nacionalçlirimtar, nuk ishin mjaftueshëm të fuqishëm për të luftuar kundër gjermanëve dhe as bëhej fjalë që ata mund të luftonin kundër tyre. Si pasojë e presionit të ushtruar ndaj tyre nga FNÇ ata u detyruan të bashkëpunonin me gjermanët. Ndërkohë sipas tyre, lufta civile absorbonte kohën dhe energjinë e partizanëve të drejtuar nga komunistët. Mclean-i propozonte, ndër të tjera, që të përfundonte lufta civile, duke tentuar për të bindur partizanët, se ishte më mirë që nacionalistët të neutralizoheshin sesa të sulmoheshin. Më tej partizanët duhej të gëzonin ndihma ushtarake. Në të njëjtën kohë oficerët ndërlidhës britanikë duhej të mbanin kontakt me nacionalistët dhe të mundoheshin ti bindnin ata për të luftuar kundër gjermanëve.

Në fillim të qershorit 1944, FNÇ ishte shndërruar në një forcë ushtarake që duhej të merrej seriozisht dhe do të mbështetej me ndihma ushtarake nga aleatët. Ndihmat angleze dhe amerikane gjatë luftës, për qëndresën shqiptare në përgjithësi, kapën shifrën e 1.200 ton (bruto).  Në total u kryen 9.211 fluturime të suksesshme nga 12.500 të tilla që u ndërmorën në tërësi.

Mbështetja që britanikët i dhanë FNÇ ushtarakisht u konsiderua tepër e suksesshme, por politikisht pati një impakt negativ. Së pari, me armët angleze, së bashku me ushtarët gjermanë u luftuan edhe nacionalistët shqiptarë, çfarë e tensiononte situatën në vend, duke i dhënë asaj ngjyrimet e një lufte civile; së dyti, në horizont të politikës po shfaqej imazhi i drejtimit komunist të vendit, fill pas luftës. Është e mirë vërtetuar nga një numër i madh dokumentesh, se aleatët perëndimorë, prej korrikut 1944, kishin një interes të madh për të zbarkuar në Shqipëri, në mënyrë që ti pritej rruga “sovjetizimit” (në fakt “jugosllavizimit” – M.K) të Shqipërisë. Lidhur me këtë dukuri, në një raport amerikan të fundmuajit gusht 1944, ndër të tjera shkruhej se duhen nisur menjëherë rreth 5.000 forca amerikane në Tiranë dhe Durrës, “për ti dalë para një ndërhyrje të mundshme të forcave ruse”.Tepër intriguese është një ofertë e britanikëve drejtuar Wehrmacht-it gjerman në Shqipëri ku shkruhej ndër të tjera: „[…] të kryhen bisedime me ne (gjermanët – M.K.) në lidhje me largimin nga Ballkani, që trupat gjermane, sepse Gjermania e kish humbur prej kohësh luftën, të qëndronin në Shqipëri, të mbanin akoma të pushtuara pikat e tyre të mbështetjes dhe të mos i jepnin armët e tyre popullsisë, deri në momentin që ata do të transportoheshin me të gjitha nderet” drejt Gjermanisë si robër lufte.“ (NEUBACHER: Sonderauftrag Südost, S. 118).

Kjo ofertë e britanikëve tregon edhe njëherë frikën e tyre për shndërrimin e Shqipërisë në një vend komunist. Por, duhet theksuar se, në takimin e Moskës ndërmjet Stalinit dhe Churchill-it në tetor 1944, Shqipëria nuk do të përfshihej në të mirënjohurën “half-sheet of paper“, ku u propozua se çfarë drejtimi dhe varësie ideologjike duhej të merrte Ballkani!

Në këtë kohë BLO ndodheshin vetëm pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së. Kur u pa qartë se, Abaz Kupi dhe përkrahësit e tij nuk do të luftonin kundër gjermanëve, BLO u urdhëruan të largoheshin prej tij. Ky fakt nuk do të thotë se, qeverisë britanike i pëlqente rritja e ndikimit komunist në Shqipëri, por ajo nuk mund ta ndalte  dot më rritjen e kësaj force politike.

Pas dështimit të idesë së një zbarkimi aleat në Shqipëri dhe pasi FNÇ kishte kundërshtuar me vendosmëri përzierjen e aleatëve në politikën e brendshme të Shqipërisë, aleatët u munduan nëpërmjet ndihmës tepër të nevojshme që kishte popullsia shqiptare të ndikonin në rritjen  e frymës pro britanike në Shqipëri. Ndërkohë, paralelisht u mbështet në Veri të Shqipërisë pikërisht gjatë mesit të muajit nëntor 1944, një reaksion i armatosur i opozitës shqiptare, i cila rezultoi i pasuksesshëm.

Përfundimisht mund të theksohet se, Shqipëria ishte i vetmi vend europian që nuk do të kapej dhe çlirohej drejtpërdrejtë nga aleatët, por as nuk do të përdorej si rrugë kalimi prej tyre. Si pasojë, fati i vendit mbeti në dorë të tyre, të cilët qenë në gjendje të organizonin një qëndresë dhe forcë të armatosur e të organizuar më mirë dhe të madhe në numër ndaj pushtuesve. Për rrjedhojë është logjike të vlerësohet se, mendimi i disa BLO-ve që, komunistët shqiptarë e siguruan ardhjen e tyre në pushtet ne armët britanike nuk mund të konsiderohet tërësisht i drejtë dhe i gjetur. Siç ka shkruar vetë R. Hibbert, ish-misionari i njohur anglez në Shqipëri gjatë LANÇ-it,  ndihmat britanike ishin tepër të nevojshme në situatën e vështirë që kalonin partizanët por, këto furnizime, duke u bazuar në numrin e vogël të tyre, nuk mund të konsiderohen si faktori vendimtar i marrjes së pushtetit nga komunistët.

November 5, 2019 13:34
Komento

4 Komente

  1. Lili November 5, 20:28

    Mire se paski germuar pak ma shume ! Getmoni edhe pak qe te kuptoni planin e anglezit qe meChurchill vendoste ndarjen e Shqiperise ndermjet Grekise eSerbise! Germoni edhe pak qe te kuptoni qe ate qe nuk mujte me ba ne vitet 40 jane te ba tash , me nje menyre tjeter po planet e politika e tyre eshte prape ajo!
    Germoni edhe pak, edhe mos i merrni shkrimet e hibbertit per tjetergje se cka jane: shkrim nga sherbimet per sherbimin e tyre!
    Te tjeret te tregojshin te vertete kur i takojshe vete , nder ta macclean qe i kerkoj falje babes tim duke i thane : ishim ushtarake , zbatuam urdherat.
    Si per mosdergimin e armeve nationalisteve si per dergimin e armeve komunisteve: vellavrasja u inkurajuar nga ta qe ndarja e shqiperise te behet ma kollaj.
    Si sot

    Reply to this comment
    • Moisi Golemi November 6, 08:41

      Ja dhe një tjetër pordhë Radovanësh.

      Reply to this comment
    • Bravo Marenglen - Shkrim i bazuar ne dokumente historike November 9, 02:52

      Bravo Marienglen! Duket qe kemi lexuar te njetin liber me dokumenta te inteligjences anglo-amerikane dhe oficereve qe kane vizituar Shqiperine duke filluar qe nga 1912 e deri ne 1944. Te vjen keq qe nje liber i botuar qe ne 1986 zbulohet kohet e fundit. Pyetja eshte ku ishin dhe ku jane historianet shqiptare. Britania dhe Amerika kane deklasifikuar shume dokumente te inteligjences se tyre qe tregojne nje politike pro-nacionalisteve dhe kunder komunisteve. Per fat te keq, nacionalistet shqiptare ishin nje tufe me bandite dhe bazhibozuke te hurit e te litarit. Nese keni mall per ta shikoni Berishen dhe Lulin apo Meten. I keni te gjalle: kopuke, hajdute, shesin vendin dhe nenen e tyre per para, te vrasin pas shpine dhe te genjejne sy per sy. Esat Pasha ju shiti Shkodren malazezeve dhe serbeve vetem e vetem qe te behej ai ne 1912 kryetari i qeverise duke krijuarc nj eqeveri paralele me kryeqytet ne Durres. Zogu ju premtojn cifuteve 150 mije hektare toke ku te vendosnin 200 mije cifute vetem e vetem te ktheje ne Shqiperi pas pushtimit italian dhe gjerman. Kur u largua nga Shqiperia, pas pushtimit italian, mori me vete ne Londer arkatv e floririt dhe 2 milion dollare te depozituar ne National Chase Bank. Tradhetaret kane nje gjak, gjak qeni! Meta perlau arin ne tunelet e Krrabes; Berisha dhe Luli shiten detin pervec vjedhjes permes skemave piramidave te parave te shqiptareve dhe shitjen e te gjithe pasurise se ushtrise dhe te Shqiperise.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*