Politika e Nolit, me pushkë apo me flaut!?…

Zylyftar Hoxha May 28, 2016 18:27

Politika e Nolit, me pushkë apo me flaut!?…

 Në Shqipërinë shtet i mëvetësuar janë kryer masivisht llojet e revolucionit me provokim trazire. Nuk ka qenë qëllim kryesor aq shumë ndryshimi përparues i rendit shoqëror se sa marrja me forcë e pushtetit. Ylli Polovina, nëpërmjet librit “Mig 19-97”, të botuar në 1999, ka përshkruar trazirën politike të vitit 1997. Rrëmujën pasardhëse, të motit 1998, e paraqiti në vitin 2003 nëpërmjet librit “Kur u vra Azem Hajdari”. Këto ditë, me “Krisma në parlament”, Polovina ka përshkruar nëpërmjet dokumenteve,  kronikën e atij që ndodhi në qershor 1924, një libër interesant me ngjarje të para nga një tjetër këndvështrim dhe që duket sikur bie ndesh me ato që njohim nga historia zyrtare e Shqipërisë. Ja ç‘thotë ai në bisedën që bëmë bashkë lidhur me këtë libër:

– Çdo libër ka historinë e vet të krijimit. Si është ajo e “Krisma në parlament”?

-Pasi në 2013 botova librin “Zog pse ike”, ku e vëzhgoj në provën e tij më të madhe para historisë dhe kombit, agresionin fashist italian të prillit 1939, i lejova vetes të shoh nga afër edhe rivalin e tij më të spikatur, Fan Nolin. Ky, jo si Ahmet Zogu, që ka vetëm një profil, atë të politikanit, zotëron edhe një dhunti të intelektuale të përmasave të jashtëzakonshme. Gjithsesi në “Krisma në parlament” Nolin e vëzhgoj vetëm si politikan. Jam përqendruar tek pika e tij më shprehëse dhe po ashtu përgjithësuese: tek i quajturi Revolucion Demokratik Borgjez i Qershorit 1924.

– Përse e emërtoni këtë revolucion ndryshe nga ai që  kemi mësuar…?

– Po të ndërpres, se prisja këtë pyetje, sepse nuk është as revolucion, as demokratik dhe as borgjez.

Avni-Rustemi-duke-folur-në-gjyq-në-Paris-si-ekzekutues-i-Esat-Pashë-Toptanit– Por ndërsa mendoni kështu dhe kjo është e drejta juaj, përse nuk i thatë “i ashtuquajturi revolucion…”?

– Sepse ky i fundit është emërtim qëllimisht përbuzës dhe është lëshuar të mbështesë pikëpamjen e disa mjediseve ekstremisht të politizuara djathtas, sipas të cilës ajo ngjarje qe një grusht shteti. Nuk është aspak e tillë. Përbën një ngjarje shoqërore shumë të rëndësishme të jetës dhe të zhvillimit të shqiptarëve. Rivlerësimi i saj, duke i hequr edhe cipën ideologjike staliniste me xhupin e të cilës u vesh dhe u ngjesh si revolucion demokratiko-borgjez gjatë gjysmëshekullit të para nëntëdhjetës, më dha mundësinë ta paraqes atë më të plotë në madhështinë e vet historike.

– Ju mendoni se çdokush që ka besuar deri tani se ajo ngjarje ishte revolucion, duhet të heqë dorë prej këtij termi?

– Aspak. Secili ka mendimin e vet. Libri “Krisma në parlament” sjell një shumësi dokumentare që provon se ajo që ndodhi prej fillimit të qershorit deri në dhjetor 1924 nuk qe revolucion.

– Por a keni ju një term të përshtatshëm për këtë ngjarje?

– Në libër figurativisht e quaj “yrysh-revolucion”, pra një veprim politik të ngutur, jo të kryer në kohën e duhur dhe me mjetet e duhura. Për këtë emërtim metaforik kam përdorur parullën e tij kryesore, e cila qe një thirrje e vetë Fan Nolit: “Yrysh mbi feudalizmin!”

Në terminologjinë e drejtpërdrejtë, atë reale, e konsideroj si “trazirë politike”.

– Mund t’ia shpjegoni më mirë lexuesit?

– Historia e Shqipërisë nuk ka asnjë revolucion të mirëfilltë, ndërkohë që është e tejmbushur me luftë të dhunshme për pushtet. Në marrjen dhe moslënien e tij në mënyrë demokratike është konsumuar, ku më shumë dhe ku më pak, shkaktimi i trazirave, çfarë jo rrallë bëhet e lehtë nga keqqeverisje të brendshme si edhe prej ndërhyrjeve të palodhura të shteteve apo qarqeve që duan shqiptarë të përçarë dhe të dobët në Ballkan.

Kështu këto trazira të provokuara prej shtytësve të tyre janë maskuar dhe tregtuar në opinion si revolucione. Ndërkohë duhet theksuar se elementë revolucionarë të dukshëm ka Rilindja, periudha e pluralizmit të parë që nis me Kongresin e Lushnjës dhe lartohet në fund të vitit 1923 me zgjedhjet relativisht të lira, duke u shfaqur më e fortë deri në qershor 1924, kur shumëpartitizmi pëson goditje, sepse demokracia në gjashtë muajt pasardhës kufizohet për t’i çelur më pas, si bumerang, udhën goditjes më të rëndë: vendosjes së diktaturës dinake të Ahmet Zogut. Siç e dini, në këtë shteg të hapur nga brenda, por edhe të imponuar nga jashtë, diktatura tek ne fitoi revansh edhe më të madh pas vitit 1944. Ndërsa Lufta Nacionalçlirimtare, e prirë nga PKSH, shkroi faqe të lavdishme, ajo që u krye, i fshehur prej saj, si “revolucion socialist”, nuk qe tjetër veç një trazirë e paketuar dhe e disiplinuar me disa dogma marksiste-leniniste.

Një tipike trazirë e shkaktuar nga lufta e brendshme për pushtet ishin ngjarjet e vitit 1997, të cilat ndonjëherë edhe i kanë quajtur si “revolucion demokratik i vonuar”. Në vitin 1998 u provokua një trazirë tjetër, e cila mund të konsiderohet një nga më banalet e historisë sonë.

Dua të them se as 1924, as 1944, as 1997 dhe 1998, as të tjera më të imta para dhe pas këtyre datave, edhe pse bashkohen tek termi “trazira politike”, nuk janë të njëllojta, për rrjedhojë të përsëritshme në formë. Mbeten të afërta në frymë. Janë mënyra të forta për të rrëzuar rivalët nga pushteti. Ndërkohë këto trazira që nuk u bënë dot evolucione normale, kanë elementë pozitivë. Më të dukshëm i ka 1924-ta.

– Po Lëvizja Studentore?

-Nisi si një revolucion shoqëror modern që të krenon, më vonë, pas fitores së plotë në mars 1992, u vu nën kontroll dhe u shndërrua në inerci pushteti të tipit të trazirës, çfarë do të thotë kur sundon metoda e përdorimit të forcës për ta mbajtur pushtetin politik.

– Ndoshta kjo është arsyeja që duke lexuar librin tuaj shumë ngjarje të ndodhura në 1924-ën më kujtuan vitet 1997 dhe 1998.

-Libri për këtë punë edhe shkrua e u botua: nëpërmjet ngjashmërisë tronditëse të këtyre tre viteve, 1924, 1997 dhe 1998, ta bëjë lexuesin të shqetësohet për vazhdimësinë kokëforte të përdorimit të metodave të ushtrimit të forcës dhunuese në politikë. Këtë libër e publikova, falë edhe kontributit e kujdesit të shtëpisë botuese “Botart”, sepse mendoj se që prej më shumë se dy vitesh, ndërrimi qeveritar po përgatitet një “yryshrevolucion” tjetër, ai i radhës, pra një trazirë e re. Por për historinë ajo do të përfundojë në lëndë estrade.

Të lutem, Zylyftar, le të kthehemi tek vetë çfarë përmban libri!

policet-vieneze-ne-vendin-e-krimit-c1200x600– Patjetër. Biseda është e hapur…

– Në libër fillohet me 23 shkurtin 1924, kur u krye nga Beqir Valteri atentati kundër Ahmet Zogut tek shkallët e parlamentit, vijohet me vrasjen në 6 prill të dy turistëve amerikanë, Robert Coleman dhe George de Long, ngjarjet shkojnë hovshëm me tej me atentatin ndaj Avni Rustemit në 20 prill. Të tre këto shpërthime për rendin publik të vendit më të fortë, ndodhën në më pak se dy muaj. Gati si të vëna prej një dore organizative. Opozita politike e revoltuar nga vrasja e eksponentit të saj të shquar fillimisht protestoi paqësisht, por shumë shpejt e shndërroi veprimin politik në kryengritje të armatosur. Me forcën e pushkëve dhe topave u morën njëri pas tjetrit disa qytete, duke e mbyllur më në fund marrjen e dhunshme të pushtetit me hyrjen në Tiranë. Me rrëfimin e kësaj periudhe përfundon edhe “Krisma në parlament”, ndërkohë që jam duke shkruar pjesën e dytë, atë të quajtur përkohshëm “Qeverisje me flaut”. Kjo ka gjashtë muajt e qeverisjes Noli.

 

Krisma në Parlament

Fragment nga libri

“Ndërsa Avni Rustemi dhe Omer Nishani u ulën në vendet e tyre, G. gjeti një karrige të lirë në lozhën pranë derës dhe u rehatua atje. Kur pas pak hodhi sytë në sallë vuri re se Fan Noli, si përherë i veshur me rrobën e peshkopit, dhe Luigj Gurakuqi gjendeshin ngjitur me njëri-tjetrin, në rreshtin e parë. Pranë tyre ishte ulur edhe Eqerem Bej Vlora. Grupet parlamentare qenë pas tyre, në të majtë Liberalët dhe konservatorët Popullorë në të djathtë.

Pa se si dy herë rresht Eqeremi ktheu kokën pas dhe e hodhi vështrimin ngultas tek grumbulli i deputetëve opozitarë. Ndoshta i kishte bërë përshtypje një lloj heshtje e tyre, mosbëzatje e çuditshme, kur zakonisht qenë të potershëm.

Mes zhurmërimës së përgjithshme e në pritje të vinin anëtarët e qeverisë dhe vetë kryeministri, e pas kësaj seanca parlamentare të niste, u dëgjuan tre krisma.

Qenë të shurdhëta, si të dala nga nëntoka.

Salla mbajti frymën dhe një çast çdo lëvizje ngriu. Pas mekjes së parë shumica e deputetëve u ndje në panik, pastaj i përfshiu rrëmuja. Plumbat kishin klithur fare afër. Disa nga asambleistët nxorën koburet. Në hutim e sipër qenë në mëdyshje t’i mbanin në dorë apo t’i linin, të gatshme për t’i përdorur, mbi syprinat e bangave. Ndërkohë kishin vrapuar pranë më të shumtëve të tyre, për t’i marrë në mbrojtje, truprojat personale.

Dy minuta më vonë kanatat e derës së sallës u hapën vrulltazi dhe në të u shfaq trupi shtatlartë i Ahmet Zogut. Qe shumë i zbehtë në fytyrë dhe mbi njërin krah e kofshë i dukeshin njolla gjaku. Përpiqej të ecte sikur nuk kishte marrë plagë, por këmbët nuk e mbanin mirë. Një çast u kthye nga salloni i jashtëm i parlamentit, nxori revolverin dhe me të shpejtë e zbrazi dy herë.

U duk qartë se nuk shënjoi kërkënd. Pastaj u kthye nga salla dhe mes një heshtjeje që ra si plumb, mundi të shkojë deri në presidium. U ul në vendin ku rrinin sekretarët.

Prej plagës së kofshës në dysheme filluan t’i binin pika gjaku.

U kuptua menjëherë çfarë kishte ngjarë. Pati ndodhur e shumëpërfolura: atentati kundër tij.

Ahmet Zogut menjëherë iu mblodhën përreth disa prej mbështetësve. Ishin ata më të tronditur se i godituri me plumb. Që prej atij çasti çdo gjë mund të ndodhte, edhe vetë ndeshja me armë mes deputetëve e truprojave të tyre të vendosur në anësallë apo në holl, tek qëndronin të gatshëm me pushkë të gjata.

Po të niste aty, në parlament, lufta civile do të përhapej si flakë baroti në të tërë vendin.

Nga salloni i jashtëm nisën të vinin krisma të tjera, shumë të shpeshta, me një tingëllim nervoz. Nga mënyra se si këmbeheshin ngjanin me një dyluftim.

I përfshirë nga ankthi G. pa se si Eqerem Bej Vlora u ngrit nga vendi dhe iu afrua me ngut lozhës. Thirri aty doktor Simonidhin, i cili qe nga Vunoi i Himarës dhe e ndihmoi të kapërcente parmakët. Pastaj shkuan menjëherë tek Zogu. Ky në fillim e refuzoi. Nuk kishte asnjë dëshirë t’ja shihte një i panjohur plagët, por Eqeremi e siguroi se doktori qe jo vetëm mjek i mirë, por edhe i besuar i partisë së tyre. Atëherë tjetri e lejoi.

Ky vuri re se plumbat patën hyrë shumë thellë në mish, por sidoqoftë nuk paraqitnin ndonjë rrezik për jetën. Që nga llozha e dëgjuesve G. dalloi se si, ndërsa doktor Simonidhi po i lidhte plagët, Ahmet Zogu Vetëtimthi ia nguli vështrimin Avni Rustemit dhe se si shumë shpejt e hoqi që andej.

Shefi i “Bashkimit” rrinte krejtësisht i ftohtë, me painteresim të dukshëm për të.

Pas kësaj G. pa si po ndiheshin nga ajo që sapo kishte ndodhur, Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi. Çuditërisht, në vend që gjithsesi të kishin ndonjë emocion, që të dy qëndronin në pamje të patrazuar. Sikur gjithçka deri në ato çaste të ishte zhvilluar në një planet tjetër.

…Ndërkohë jashtë ndërtesës së Parlamentit dhe njëherësh Kryeministrisë, një batalion i ushtrisë vuri në rrethim të shpejtë godinën. Asnjë nuk duhet të hynte dhe njëkohësisht të dilte prej saj. Komandant i njësisë ushtarake që erdhi, ishte Osman Gazepi. Mbështetësi i njohur i Ahmet Zogut hyri në sallë furtunshëm dhe ia nguli sytë shefit të tij. Si nuk mori asnjë sinjal nga ato që i kishin shkuar gjer në ato çaste ndër mend, nisi, me dorën mbi kobure, të thërriste me zë të lartë ”A e doni me ligj apo pa ligj”?

Asamblistët iu përgjigjën pothuajse me një gojë: ”Me ligj, me ligj”!

Osmani doli po aq vrullshëm sa kishte hyrë. Atentatori i Ahmet Zogut qe mbyllur në banjë dhe prej andej, duke shtënë rrallë, por vendosmërisht, kishte nisur të këndonte. Vargjet e melodizuara të saj thoshin: “Pushka e parë bani bam, Nana e Halitit duel në xham…”

Qe motiv popullor trimërie.

Më në fund u mësua emri i  të mbyllurit në banjat e Parlamentit. Quhej Beqir Valteri, një djalë vetëm tetëmbëdhjetë vjeç, thatim e belbacuk.

Libri më i ri i Ylli Polovinës

Libri më i fundit i publicistit të njohur dhe autor të disa librave, Ylli Polovina, përbëhet nga tri linja, të cilat ecin paralel deri në faqen 200 ku ai mbyllet: ajo e protestës së opozitës dhe e kundërveprimit qeveritar, vrasja e dy amerikanëve dhe mobilizimi popullor për kapjen e kriminelëve, po ashtu çfarë ndërkohë, sipas raportimeve shumë interesante nga Beogradi të diplomatit tonë Ali Riza Kolonja, ndodh në kryeqytetin jugosllav, vatrën me agresive të ndikimit në trazirat në Shqipëri.

Libri është shumë dendur i dokumentuar dhe mjaft intensiv në paraqitjen e të dhënave, ai ka 56 kapituj, çfarë do të thotë mesatarisht më pak se katër faqe për secilin prej tyre. Risi, mendoj, është edhe portreti që kam krijuar, falë burimeve të reja informative, i Avni Rustemit, spikatja e një profili të tij intelektual dhe liberal.

Me pak fjalë edhe pse jam këmbëngulës që i quajturi Revolucion Demokratik Borgjez i Qershorit 1924 nuk është as revolucion tipik, as mirëfilli demokratik apo borgjez, jam përpjekur të zbuloj dhe paraqes me ngjyra dhe vlera më të ndritshme një ngjarje të rrallë dhe të vyer të historisë tonë.

Nesër do të lexoni:

“Dy plumba mbi Avni Rustemin”

  • Cili ishte njeriu që i shtiu me pushkë në mes të Tiranës
  • Pse Avni Rustemi u varros në Vlorë pranë Ismail Qemalit dhe jo në vendlindje, në Libohovë?!…
  • Gjithkund revolta për vdekjen e tij, sidomos në Vlorë, në Berat, në Shkodër, tek studentët e Normales së Elbasanit…

  

 

Zylyftar Hoxha May 28, 2016 18:27
Komento

5 Komente

  1. Shushica May 28, 19:13

    Revolucionet , të çdo tipi, nuk janë asnjëherë të , pastra, zoti Polovina .Në një moment krize një pakicë e organizuar , me dy tre ide të qarta tërheq pas vehtes shumicën .Dhe merr pushtetin , me shumë apo pak dhunë gjithnjë gjakderdhje ka.Kështu ndodhi me rvolucionet në Angli, Francë vëndet e ulëta, USA, Rusi, Kinë,..Në Shqipëri , për vetë stadin e zhvillimit , nuk mund të kishte ndonjë revolucion klasik , por lëvizje popullore përparimtare nga idetë, por konfuze , pa organizim, pa forcë.Ndërsa lufta N C .është luftë antifashiste.Shndrrimet e mëvonëshme janë një analizë shumë e komplikuar , për tu analizuar nga një amator si ju , zoti Polovina

    Reply to this comment
  2. Arben May 29, 06:28

    https://www.facebook.com/theosmanlit/

    Si u be Fan Noli kryeminister.

    NJIHUNI ME HISTORINE TUAJ, MORE MILET.

    Reply to this comment
  3. Arber May 30, 06:44

    Me vjen keq, por duhet t’i them Zylyftarit se romani i Ylli Polovines eshte i mbeshtetur ne thashetheme dhe jo ne dokumente. Ku jaen dokumetet?!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*