Cilët janë filozofët që ndikojnë liderët e sotëm të botës?

December 31, 2017 20:43

Cilët janë filozofët që ndikojnë liderët e sotëm të botës?

Skeptikët ndaj filozofisë kanë një tendencë ta përçmojnë këtë fushë, si të padobishme. “Ç’kuptim ka?”, pyesin ata, duke mbledhur supet për idetë më të mëdha në historinë e njerëzimit.

Por udhëheqës globalë dhe ideologë të masave vazhdojnë t’u referohen filozofëve, si frymëzim prapa ideve të tyre politike.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron kaloi vite të tërë duke punuar me një filozof, ndërkohë që edhe lëvizja nacionaliste amerikane AltRight ka heronjtë e vet filozofikë. Për ata që shpresojnë t’i japin kuptim politikës në vitin 2018, ja disa prej filozofëve që ia vlen të njihni.

Francë: Paul Ricœur

Përdorimi i shpeshtë i shprehjes “et en même temps” (“dhe në të njëjtën kohë”) nga ana e Macronit është një pasqyrim i ndikimit të Paul Ricœur. Filozofi, i njohur si një nga mendimtarët më të mëdhenj francezë të shekullit të 20-të, ishte i njohur për mendimin e tij dialektik. Në vend që të parashtronte një mendim të zjarrtë, Ricœur (i cili vdiq në vitin 2005), prirej të pranonte dy pikëpamje kontradiktore dhe të përpiqej t’i pajtonte ato.

Para se Macron të bëhej politikan, ai kaloi dy vjet duke punuar me Ricœur, dhe mendimi i filozofit është i dukshëm, në mënyrën se si Macron bën politikë. Presidenti francez është jashtëzakonisht pragmatist dhe nuk qëndron fort prapa asnjë ideologjie politike. Macron duket krejtësisht i lumtur që të marrë parasysh idetë nga e djathta dhe nga e majta, gjë që e bën të vështirë të parashikohet se si do të reagojë ndaj ngjarjeve që shpalosen.

Kinë: Konfuci

Xi Jinping, udhëheqësi i Kinës, është një fans i zjarrtë i filozofit të lashtë, Konfucit. Ndërsa fuqia politike dhe globale e Kinës rritet, ata që shpresojnë të kuptojnë politikat e Xi-së, do të bënin mirë që të hidhnin një sy në shkollën filozofike 2500 vjeçare konfuciane.

Pjesa më e madhe e interesit të Xi për konfucianizmin është oportunist, argumenton Bryan Van Norden, profesor i filozofisë në Kolegjin Yale-NUS. “Ai ndonjëherë i citon klasikët konfucianë, në po atë mënyrë, si disa politikanë cinikë amerikanë citojnë Biblën”, shkruan Van Norden. “Për shkak se konfucianizmi është paternalist, Xi e promovon atë në mënyrë që t’i japë popullit të Kinës një sërë vlerash për të besuar, që ai shpreson se do të inkurajojnë bindjen e tyre”.

Shumica e njerëzve në Kinë nuk janë më besnikë ndaj vlerave komuniste, thotë Van Norden, dhe Xi përdor konfucianizmin për të inkurajuar nderimin e autoritetit. Ky është një keqkuptim, vëren ai, pasi “Konfuci vë theksin tek qeverisja përmes bindjes”, dhe gjithmonë ka “lumturinë e njerëzve të thjeshtë” si qëllimin final.

Thënë kjo, Xi duket se ndan vërtetë disa ide konfuciane. Siç shkruan Van Norden në librin e tij, “Rimarrja e filozofisë: Një Manifest shumëkulturor”, Konfuci besonte fuqishëm në rëndësinë e integritetit të zyrtarëve publikë. Xi, nga ana tjetër, ka udhëhequr një fushatë anti-korrupsion.

Megjithatë, Van Norden sugjeron që mbështetja e fuqishme e Konfucit nga Xi nuk mund të çojë në nënshtrimin që ai dëshiron: “Klasikët janë klasikë për një arsye dhe nëse sundimtarët inkurajojnë njerëzit që t’i lexojnë ata, nuk mund të jenë të kënaqur me idealet heroike që klasikët frymëzojnë”, shkruan ai. Në të vërtetë historikisht, studiuesit e Konfucit kanë kundërshtuar shpesh ortodoksitë e qeverisë.

Rusi: Aleksandr Dugin

Ai mund të mos jetë filozof i mirë, por njeriu i njohur si “Truri i Putinit” sigurisht e konsideron veten filozof. Dugin bën një interpretim të dyshimtë të Martin Heideggerit, për të argumentuar fort kundër pranimit dhe përdorimit të teknologjisë.

Një fans i madh i presidentit amerikan Donald Trump, të cilin ai e quan “Putini amerikan”, Dugin gjithashtu beson se duhet të ketë disa fuqi botërore dhe se Rusia duhet të udhëheqë bllokun që dikur mbulonte Bashkimi Sovjetik. Ky territor rus do të mbronte hierarkinë, traditën dhe strukturën e rreptë ligjore në të gjithë rajonin e saj, ndërsa Amerika e Veriut dhe Evropa mund të vazhdonin me liberalizmin, të drejtat individuale dhe tregjet e lira. Dugin beson se politikat nacionaliste të Trump janë të përshtatshme për zhvillime të tilla dhe e konsideron atë një kundërshtar pozitiv ndaj elitës liberale globale.

Shkrimet e Duginit janë jokoherente, deri në pikën e kalimit në ligësi, dhe shkalla e ndikimit të tij është e pasigurt. Por pavarësisht nëse presidenti rus Vladimir Putin lexon me kujdes veprën e Duginit, filozofi sigurisht që ka një profil të lartë brenda Rusisë.

Bashkimi Evropian: Jürgen Habermas

Udhëheqësit e Bashkimit Europian nuk duhet të lexojnë midis linjave filozofike: Një nga mendimtarët e mëdhenj të shekullit të 20-të është ende gjallë, tashmë 88 vjeç dhe shkruan për Bashkimin Evropian (ndër tema të tjera).

Jürgen Habermas është anëtar i Shkollës së Frankfurtit, një grup mendimtarësh me ndikim, anëtarët e të cilës përfshijnë Herbert Marcuse (guru intelektual i hipive amerikane, kohët e fundit i pranishëm në Hail Caesar-in e Vëllezërve Coen), Valter Benjamin (një nga teoricienët më me ndikim kulturor të të gjithë kohërave), dhe Theodor Adorno dhe Max Horkheimer (vepra e përbashkët e të cilëve “Dialektika e Iluminizmit” është teksti kryesor i Shkollës së Frankfurtit).

Habermas beson se një BE që funksionon siç duhet do të ishte një formë e fuqishme e demokracisë në të mirë të saj. Ai është i zemëruar me elitat politike dhe institucionet (siç është Këshilli Evropian), që ai beson se po përdorin pushtetin e pakontrolluar. Habermas është një kritik i kujdesshëm, i cili merakoset fort për idealet e Bashkimit Europian. Vepra e tij tregon se sa do të humbnim, nëse BE do të dështonte.

Alt Right: Nick Land

Grupi i bardhë nacionalist nganjëherë i njohur si Alt Right nuk është një lëvizje politike e iluminuar, por gjithsesi ndikohet nga filozofia. Fije të ndryshme të ideologjisë së alt right marrin nga një filozofi neo-fashiste e viteve 1990, krijuar nga akademiku britanik Nick Land dhe i njohur si Dark Illumination.

Filozofia, gjithashtu e njohur në mesin e disa udhëheqësve të Silicon Valley, është përshkruar si “një përshpejtim i kapitalizmit deri në një pikë fashiste” dhe idetë e saj përqendrohen në teknologji, luftë, feudalizëm, fuqi korporative dhe racizëm. Gjatë gjithë historisë, fashistët kanë shtrembëruar idetë në veprat filozofike për t’i shërbyer qëllimit të tyre, dhe Iluminizmi i Errët është shembulli më i fundit i një fenomeni të tillë.

Filozofia ka një reputacion se qëndron brenda kullës së fildishtë, por idetë e saj informojnë dhe formësojnë pikëpamjet e atyre që kanë pushtet.

Filozofët, si Konfuci, Riseu dhe Habermasi, ia vlen të lexohen thjesht sepse janë interesantë. Sot, është gjithashtu e vlefshme t’i lexoni përmes lenteve të filozofive politike që kanë frymëzuar. (Quartz – Bota.al)

December 31, 2017 20:43
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*