Politikanët dhe media, një antidot ndaj naivitetit

November 5, 2019 12:19

Politikanët dhe media, një antidot ndaj naivitetit

Prof. Fatos Tarifa

 

Njerëz naivë, ata trushpëlarë dhe ndjekësit fanatikë të partive politike ose tifozët personalë të drejtuesve të tyre (të Berishës e të Nanos dikur, të Metës më vonë apo të Ramës sot), mund të besojnë gjithçka që këta thonë, ose gjithçka që shkruhet ose thuhet në mediat tona. Këto të fundit, në një pjesë të madhe, kanë punësuar gazetarë mediokër dhe jo rrallëherë ftojnë të shkruajnë ose të flasin në to komentatorë, opinionistë dhe analistë jo më pak mediokër.

Mediokriteti është jo vetëm i kudogjendur, por është bërë sundues në studiot e shumë televizionëve, në gazeta dhe në titrat që shoqërojnë lajmet në kanalet televizivë informativë. Ky mediokritet informativ ushqen mendjet e atyre njerëzve, të cilët, çdo gjë që shkruhet ose thuhet në shtyp, në televizion apo nëpër kafene e besojnë si të vërtetë dhe me këmbëngulje e mbrojnë si të vërtetë. Pa e vënë kurrë në dyshim, pa kërkuar të dinë burimin e informacionit, pa bërë pyetje, pa e vrarë mendjen, pra pa e vënë në përdorim sa e si duhet atë kualitet që na dallon ne, qënieve njerëzore, nga të gjitha krijesat e tjera të gjalla, mendimin racional kritik.

“Shqipëria ka lobuar kundër Maqedonisë së Veriut”

“Ta dish ti se sa ka paguar qeveria jonë për të lobuar që Këshilli Europian të mos i niste negociatat për anëtarësim as me Maqedoninë e Veriut”, më tha një ditë një i njohuri im. E kundërshtova vendosmërisht për këtë marrëzi që tha, por ishte e kotë të përpiqesha t’i mbushja mendjen, sepse ai e kishte mendjen “të mbushur” dhe në të s’kishte vend për pyetje ose për argumente të tjerë.

“Ti nuk e di dhe s’ke si ta dish”, vijoi ai me një siguri të habitshme, “se që të mos e veçonin Maqedoninë e Veriut nga ne dhe të mos i çelnin negociatat vetëm me të, qeveria shqiptare ka lobuar shumë”.

Fliste me një bindje absolute, sikur ai vetë të kishte qenë pjesë e asaj “përpjekjeje lobuese” konspirative të qeverisë shqiptare, edhe pse nuk tha se nga cili burim e kishte mësuar ai vetë këtë “fakt” dhe nuk qe në gjendje të sillte asnjë provë që të argumentuar pretendimin e vet. Por ç’rëndësi kanë faktet nëse fakteve nuk u japim rëndësi?

I formuar në frymën e racionalizmit të Bacon-it, të Dekartit e të Russell-it, jam mësuar të dyshoj në çdo gjë dhe të mos marr për të vërtetë asgjë për të cilën nuk di burimin e saktë dhe nuk ka prova të mjaftueshme e të besueshme. Por personi në fjalë, nga ana e tij, ishte tërësisht i bindur se, përballë mundësisë që Shqipëria të veçohej prej Maqedonisë së Veriut, pra që negociatat për anëtarësim në BE të mos nisnin vetëm me Shkupin, duke lënë jashtë Tiranën, qeveria shqiptare kishte lobuar, madje “rëndshëm”, siç u shpreh ai, dhe ia arriti me sukses!

“Por, nëse kjo qeveri e jona paskish pasur kaq shumë talent e mundësi dhe, ndoshta, edhe para, që të lobonte kundër Maqedonisë së Veriut”, e pyeta unë, “përse nuk i përdori këtë talent, këto mundësi dhe këto para që të mundësonte çeljen e negociatave me Shqipërinë si dhe me Maqedoninë e Veriut?”.

Një pyetje e tillë nuk mund të merrte përgjigje nga dikush që beson verbërisht në atë që dëgjon dhe e merr atë për të vërtetën e fundit. Madje, ai as që e mori mundimin të arsyetonte rreth saj. Ajo çka ai kishte dëgjuar nga të tjerë (kush e di ku dhe nga kush) dhe që mua ma përcolli si bindjen e tij të palëkundur ishte E VËRTETA rreth kësaj çështjeje. God help him!

Rama, Vučić dhe Thaçi—të tre së bashku “të pasur” sa Donald Trump

Në një prej emisioneve televizivë më të ndjekur në TV Klan, kohët e fundit dëgjova se kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, është akuzuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, për një marrëveshje konspirative mes tij dhe presidentëve të Serbisë e të Kosovës, Aleksandar Vučić dhe Hashim Thaçi, përmes së cilës, këta tre të fundit do të ndanin mes tyre një shumë prej 10 miliardë eurosh.

E pabesueshme! 10 miliardë euro, jo 10 milionë! Kjo vlerë është e barabartë me pasurinë e George Soros-it, njërit prej miliarderëve më të mëdhenj në Amerikë, ose 3 herë më e madhe sesa vlera e të gjitha aseteve të presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Ku do i gjenin Rama, Vučić dhe Thaçi 10 miliardë euro për t’i ndarë mes tyre?! Kush do ua jepte dhe pse? U interesova të mësoj se çfarë konkretisht kishte thënë kryeministri i Kosovës, z. Haradinaj dhe nga e kishte zbuluar ai këtë “fakt”.

Në një intervistë për gazetarin Artur Zheji, transmetuar në Ora News, Haradinaj paskish thënë se Rama, Vučić dhe Thaçi planifikonin të grabisnin 10 miliardë euro, praktikisht të gjitha fitimet e industrive të Trepçes. Argumenti i Haradinajt, në formën e një skenari fantazmagorik, ishte ky: Trepça realizon një fitim vjetor prej 500 milionë euro; në 20 vite, ky fitim llogaritet të jetë 10 miliardë euro. Nëse Trepça i jepej Serbisë, këtë fitim do e merrte Serbia dhe Vučić do e ndante atë me Ramën dhe Thaçin, të cilët ishin shprehur për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duke ia lënë Trepçen kësaj të fundit.

Ky skenar konspirativ antishqiptar ogurzi, sipas Haradinajt, u zbulua prej tij dhe dështoi, duke mos u dhënë mundësi Ramës, Vučić-it dhe Thaçit që të grabisnin e të ndanin mes tyre 10 miliardë euro, çka do e bënte çdonjërin prej tyre një miliarder po aq të pasur sa Donald Trump. Sikur 10 miliardë eurot fitim të Trepçes në 20 vitet e ardhshëm do të shkonin që sot në xhepat e këtyre tre politikanëve ballkanas, që s’mund të jenë të përjetshëm, dhe jo pas 20 vitesh, kur ky fitim të realizohej, por sot!

Ja me ç’përralla na ushqejnë politikanë si Ramush Haradinaj?! Dhe bëj pyetjen: çfarë i di ai shqiptarët këtej dhe andej kufirit?! Naivë në atë masë sa t’u besojnë përrallave të tilla? Ja se ç’politikanë antishqiptarë e paskan drejtuar Shqipërinë (Rama) dhe Kosovën (Thaçi) deri më sot dhe ne nuk e kemi ditur, por u kemi dhënë qorrazi votat tona?! Rama dhe Thaçi mund të kenë dhe kanë shumë kusure; ata mund të kritikohen për shumë gjëra që nuk i kanë bërë, ose që nuk i kanë bërë mirë, por kurrsesi nuk mund të akzuohen për tradhëti ndaj interesave kombëtare.

Si qytetarë të këtij vendi ne bombardohemi çdo ditë me “histori” të tilla. Konspiracioni është bërë një nënshtresë e narrativës politike dhe mediat e ushqejnë, në vend që ta çmitizojnë atë.

Angela Merkel, një politikane “antisemite”!

Më 28 tetor të këtij viti, ndërsa pija një kafe me një mikun tim, më tërhoqën vëmendjen dhe më habitën pa masë titrat e një lajmi që transmetohej nëTop Channel: “Kancelarja Merkel nderohet nga komuniteti hebraik me një çmim të lartë për antisemitizëm”. Angela Merkel antisemite!! Mendova për një çast se mund ta kisha lexuar gabim atë lajm, ngaqë titrat u hoqën shpejt dhe prita të shfaqeshin në ekran sërish, por sërish lexova të njëjtën gjë. Merkel nderuar “për antisemitizëm”! Ky lajm u përsërit në Top Channel të nesërmen dhe dëshmitar këtë herë kisha Moikom Zeqon.

Për ndonjë që mund të mos e dijë, antisemitizëm do të thotë një qëndrim paragjykues, diskriminues dhe armiqësor ndaj hebrejve, një formë racizmi. Top Channel, përmes gazetarit të vet që e kishte formuluar atë lajm, informonte publikun shqiptar atë mbrëmje (dhe përsëri të nesërmen) se komuniteti hebraik e kishte nderuar Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel për “racizmin” e saj ndaj hebrejve!! “Një lapsus, që nuk duhet vënë re”, më tha një miku im. Ndoshta, por unë prirem të besoj se është niveli i ulët kulturor i një numri jo të vogël gazetarësh që e shpjegon një dukuri të tillë, të përsëritur nga dita në ditë në shumë prej mediave tona.

Një lajm shumë i (pa)rëndësishëm për publikun

Disa ditë më parë, një tjetër televizion shqiptar i përcillte publikut si një lajm të rëndësishëm një takim të kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, znj. Kryemadhi, me z. Robert Benjamin. Ky i fundit është drejtor për Europën Qendrore e Lindore ne NDI (National Democratic Institution), me qendër në Uashington.

Për ndonjërin që nuk e di, NDI është një organizatë joqeveritare, që ka për synim mbështetjen dhe forcimin e institucioneve demokratike përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën politike, si dhe përmes transparencës dhe llogaridhënies nga ana e qeverive të zgjedhura me votat e qytetarëve. Një drejtor departamenti i kësaj organizatë joqeveritare nuk është një personalitet i rëndësishëm, vizita e të cilit në Tiranë dhe takimi i të cilit me znj. Kryemadhi  të përbënin një lajm për publikun shqiptar. Por sa njerëz e dinë  këtë? A e dinë këtë të rinjtë dhe studentët shqiptarë, përfshirë edhe ata që mund të aderojnë në LSI? A e dinë këtë mijërat e fermerëve e të punëtorëve që e mbajnë gjallë ekonominë e këtij vendi? Një publiku të tillë mjafton t’i thuhet se znj. Kryemadhi priti në takim z. Benjamin, pra një amerikan, për t’i dhënë të kuptohet se “amerikanët”, pavarësisht se kush, i dëgjuan shqetësimet e saj dhe i përkrahin qëndrimet e saj dhe të partisë që ajo drejton, edhe pse kjo parti e ka braktisur parlamentin e vendit. Përmend çdo emër amerikan dhe thuaj se vjen nga Uashingtoni. It works! Duhet të jetë mesiguri një personalitet i rëndësishëm.

Realizmi politik dhe sharmi diplomatik

Përsëri, pak ditë më parë, dëgjova dhe pashë në televizion se Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, u nderua nga homologia e tij, Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitarović, me Urdhërin e lartë të Mbretit Tomislav, dhe se, me këtë rast, kreu i shtetit tonë deklaroi se Shqipëria dhe Kroacia janë “partnerë strategjikë”. Sado miqësore që janë marrëdhëniet tona me Kroacinë, ky vend, me sa di unë, nuk është cilësuar si një “partner strategjik” për Shqipërinë në asnjë dokument zyrtar të Republikës së Shqipërisë që flet për strategjinë e politikës së jashtme të shtetit tonë. Më tërhoqën vëmendjen, gjithashtu, fjalët e zotit President, se urdhëri i lartë i Republikës së Kroacisë, me të cilën ai u nderua, do ta motivojë atë personalisht që “të punojnë edhe më shumë për Shqipërinë”! Kjo mund të jetë e vërtetë, por kësaj deklarate të kreut të shtetit tonë, i cili, për hir të së vërtetës, është një politikan dhe një diplomat me shumë eksperiencë, i mungojnë sensi realist politik dhe finesa apo sharmi diplomatik.

“Shembulli i ndritshëm” shqiptar

Një a dy ditë më vonë, kryeministri Edi Rama u takua në Athinë me z. Kyriakos Mitsotakis, kryeministër i Republikës Helenike. Në atë takim, ndonëse kryeministri Rama mbrojti me dinjitet qëndrimin e drejtë të shtetit shqiptar në trajtimin e minoritetit grek në vendit tonë, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare, të Këshillit të Europës dhe të OSBE-së, ai, në mënyrë krejt të panevojshme dhe aspak kryeministrore, deklaroi se “Shqipëria është një shembull i ndritshëm për respektimin e minoriteve”. Një shembull pozitiv, pa dyshim. Unë do të habitesha nëse kryeministri i Hollandës, Mark Rutte, vend i cili, sipas Freedom House, renditet i pari në botë për respektimin e të drejtave të njeriut, do të deklaronte se Hollanda është një “shembull i ndritshëm” për respektimin e të drejtave të njeriut. Vetëpërmbajtja dhe modestia, të cilat politikanëve shqiptarë u mungojnë, janë vlera dhe tipare të një diplomacie efektive, sidomos kur bëhet fjalë për ligjërimin politik të drejtuesve të lartë të shtetit.

Diplomacia parlamentare—ky “zhanër” i dashur për shqiptarët!

Së fundmi, lexova disa ditë më parë në titrat e një televizioni lajmin për vizitën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në Tokio dhe për takimin e tij me homologun e vet japonez, kryetarin e parlamentit të atij vendi.

“Diplomaci parlamentare”! Sa është folur dhe abuzuar këta 20 vitet e fundit me këtë “zhanër” të ri të veprimtarisë diplomatike. Jozefina Topalli, në tetë vitet e saj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe çdo kryetar tjetër i Kuvendit pas saj e kanë bërë “telef” këtë lloj diplomacie, duke mos lënë vend të globit pa shkelur e duke shpenzuar dhjetëramijëra ose qindramijëra dollarë nga të taksapaguesve shqiptarë.

Kur shërbeja si ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Hollandës (1998-2001) dhe, në atë cilësi, ftova kryetaren e Dhomës së Dytë të parlamentit të atij vendi, znj. Jeltje van Nieuwenhoven, që të vizitonte Shqipërinë, përgjigjja e saj, e shoqëruar me një mirësjellje mbresëlënëse, ishte sa lakonike, aq dhe “shokuese”: “Unë jam kryetare e Dhomës së Dytë të parlamentit”, tha ajo, “dhe detyra ime është të qëndroj në Hagë dhe të drejtoj punën e parlamentit këtu, jo të udhëtoj në vende të tjerë. Unë nuk jam diplomate. Diplomacia është një prerogativë dhe një përgjegjësi e Ministrisë së Punëve e Jashtme”. Dhe përfundoi duke thënë: “Unë, sigurisht, kam dëshirë ta vizitoj Shqipërinë, por nëse vij, do të vij privatisht, për pushime, me bashkëshortin tim”.

Kryetarët e Kuvendit të Shqipërisë ndoshta nuk e kanë ditur dhe nuk e dinë se ata nuk janë zgjedhur në atë funksion për të bërë diplomaci, por për të drejtuar punët e Kuvendit. Por edhe nëse kanë bërë “diplomaci parlamentare”, ata kanë pasur dhe kanë përgjegjësinë t’i thonë publikut shqiptar të vërtetën mbi rezultatet e vizitave të tyre “diplomatike” jashtë shtetit. Sepse, mirë unë dhe disa të tjerë, që kemi pasur fatin të ishim pjesë e shërbimit diplomatik shqiptar dhe e njohim shumë mirë se si funksionon ky shërbim kudo në botë, por qytetarët e këtij vendi, që nuk e kanë këtë përvojë, mundet të besojnë vërtet se, fjala vjen, pas takimit të kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë në Tokio me kryetarin e parlamentit japonez, “bashkëpunimi me Shqipërinë do të jetë një prioritet i agjendës parlamentare” të këtij të fundit, siç u përcoll ky lajm në mediat tona.

Shqipëria, një prioritet i kryeparlamentarit të fuqisë së tretë më të madhe të globit!  Kjo po, është vërtet një arritje e madhe!

Mos u habisni! Lajmet për vizita dhe takime të tilla i formulojnë dhe ua përcjellin mediave tona ndihmësit dhe këshilltarët e personaliteteve tona shtetërore, të cilët, sigurisht, bëjnë  “punën e tyre”. Kur shërbeja si ambasador në Uashington (2001-2005) dhe i transmetova Kryeministrit Fatos Nano në atë kohë një mesazh personal miqësor të Presidentit amerikan George W. Bush, një ndër këshilltarët e z. Nano, emrin e të cilit sot gjithkush e ka harruar, më sugjeroi që përmbajtjes së atij mesazhi t’i shtoheshin edhe një ose dy fjali përgëzonjëse për punën e mirë të qeverisë dhe të kryeministrit Nano personalisht lidhur me luftën kundër korrupsionit. E kundërshtova atë sugjerim, edhe pse “këshilltari” i kryeministrit nguli këmbë, duke thënë se “askush veç teje nuk e di se ç’kishte thënë në të vërtetë Presidenti Bush” dhe, prandaj, ai lajm, mund të “zgjerohej”. Gjë që, sigurisht, nuk ndodhi.

*****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë.

November 5, 2019 12:19
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*