Politikanët do të hetohen nga SPAK, Prokurorët dhe gjyqtarët, “nën përgjim”

May 13, 2016 19:06

Politikanët do të hetohen nga SPAK, Prokurorët dhe gjyqtarët,  “nën përgjim”

Prokurorët dhe gjyqtarët që do të hetojnë zyrtarët e lartë, do të jenë të detyruar të heqin dorë nga privatësia. Kriteret e pranimit të tyre në strukturat e posaçme antikorrupsion  janë strikte.

Ata dhe familjarët e tyre do të përgjohen  dhe do të jenë në vëzhgim të vazhdueshëm. Do të kenë  nga një telefon celular, një numër telefoni të dhënë nga strukturat ku punojnë, një adresë poste elektronike dhe duhet të bien dakord të mos përdorin asnjë formë tjetër komunikimi elektronik, raporton Ballkanweb.

Ekspertët të cilët kanë bërë gati ligjin si do të funksionojë prokuroria e posaçme dhe byroja kombëtare e hetimit pranojnë se pika më delikate e draftit është ajo e përgjimeve të familjarëve.

Zyrtarët e lartë që do të hetohen nga prokuroria e posaçme dhe byroja janë presidentë, ish-presidentë, anëtarë të këshillit të ministrave dhe ish-ministra, deputetë, kryetarë bashkish si dhe funksionarë të tjerë publikë.

Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme janë të pavarur nga çdo prokuror tjetër. Ata kanë të drejtë të ndjekin penalisht njëri-tjetrin. Byroja Kombëtare e Hetimit konsiderohet  një seksion i specializuar i policisë gjyqësore, e cila vepron vetëm nën drejtimin e prokurorëve specialë të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas ligjit, garda e Republikës siguron mbrojtje personale për gjyqtarët e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Përfaqësues të Misioneve të Bashkimit Evropian dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, do të japin këshilla për funksionimin e  Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Gjykatat e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda dhe Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda do të shndërrohen në gjykata kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Çështjet që do të jenë në gjykim para gjykatave për krimet e rënda mbeten nën kompetencën e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

May 13, 2016 19:06
Komento

1 Koment

  1. sapa May 14, 06:14

    Ky vend eshte i pashprese prandaj cdo gje qe shpikni eshte ZERO.Ikja e shqiptareve nga vendi i tyre verteton mosberjen e ketij shteti!Nuk eshte aspak e veshtire ta kuptosh se si funksjonon ky popull!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*