Politikat bashkiake dhe komunitare në globalizmin neoliberal*

Ylli Përmeti May 23, 2015 20:15

Politikat bashkiake dhe komunitare në globalizmin neoliberal*

Në këtë studim tregohet se zhvillimi tërësor i bashkive dhe komunave varet vendimtarisht nga taksimi rigorozisht progresiv, nga fondet e qeverive qendrore dhe nga orientimi tërësor i vendit.

 

Në kuadrin modern institucional të “demokracisë” përfaqësuese dhe tregut e marketingut —tashmë të ndërkombëtarizuar, paralel me të cilin qendron një elitë mbikombëtare, bashkitë dhe komunat i përshtaten kuadrit përkatës si thoi mishit. Ato jo vetëm që janë pasive politikisht dhe kanë krijuar një kaos urbanistik por krijojnë edhe oligarkitë përkatëse: sepse përqendrojnë pushtetin politik dhe ekonomik në nivel vendor njëlloj siç e përqendron shteti modern në nivel qendror dhe korporatat dhe bankat ndërkombëtare në nivel botëror. Dhe me reformën territoriale që është miratuar ato e përqendrojnë edhe më shumë atë.

 

Transporti publik: nga administrimi publik në privat

 

Durrësi gjatë dy dekadave të fundit ka përqendruar popullatën periferike ndërkohë që mbulon tokat e bukës me beton. Numri i banorëve të Qarkut të Durrësit, për shembull, me rënien e socializmit, është më shumë se trefishuar, në rreth 262, 785.[1] Dendësia është 343 banorë për km², një dendësi që vjen pas Tiranës (454 banorë për km²).[2] Durrësi, për më tepër, ka katër linja urbane: Qendër – Plepa: 15 km; Qendër- Nishtullë: 9 km; Qendër – Currila: 9 km; dhe Qendër – Unazë: 22 km. Totali është 55 km. Nëse i shumëzojmë për 16 itinerare, që kryhen gjatë dy turneve —paradite dhe pasdite— atëherë urbanët bëjnë rreth 880 km në ditë. Çdo urban digjte mesatarisht 44 lirta naftë për çdo 100 km. Si pasojë, urbanët digjnin rreth 396 litra naftë në ditë. Në lekë, sipas Drejtorisë së transportit në Durrës, sektori digjte rreth 90 milionë lekë naftë në vit (çmimet 2014) në kohën kur mbulon rreth 6 milionë udhëtarë në vit, prej tyre, 2.8 milionë pajisen me abone dhe pjesa tjetër pa abone. Të ardhurat vjetore për sektorin janë rreth 110 milionë lekë, ndërsa shpenzimet janë rreth 148 milionë. Nga këto, 90 milionë janë naftë. Pjesa tjetër fonde (paga, shërbime etj.). Diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve mbulohësh nga bashkia. Tërësia e punëtorëve që aktivizohësh në këtë sektor ishte 140 punëtorë, duke përfshirë shoferët, fatorinot, punëtorët e ofiçinës dhe administratën. Për çdo urban punësoheshin dy punëtorë: një shofer dhe një fatorino. Paga që merrnin ishte rreth 200 mijë lekë në muaj. Fatorinot punonin sipas një norme të paracaktuar nga sektori prej 133.500 lekë për çdo turn. Punëtorët ishin të patrajinuar nëse gjykojmë nga veprimet: ata shpesh ishin abuzivë në detyrë (përdornin cigare etj.). Cilësia e urbanëve, në anën tjetër, mungonte: ata ishin më shumë se 20 vjeç dhe ishin ‘mbetje’ italiane nëse gjykojmë nga gjuha e tabelave të brendshme.

 

Shkurt, si pasojë e politikave të ndjekura dy dekadat e fundit —përqendrimit në sektorin privat dhe braktisjen e sektorin publik— sektori ishte në krizë të përhershme. Braktisja e sektorit çoi në privatizimin tërësor të tij në vitin 2014. Por urbanët e rinj –nën administrimin privat- janë si sera bujqësore ku mund të mbillen vetëm domate e tranguj: sepse ata janë sërish ‘mbetje’ – të Francës Veriore. Klima atje dihet si është: shumë më e freskët se në Durrës. Urbanët, rrjedhimisht, janë hartuar për kushte specifike klimatike dhe nuk mund të përdoren në kushtet mesdhetare. Si pasojë, punëtorët dhe udhëtarët gjatë verës shkrijnë si akulli në vapë. Sepse ndërsa dritaret janë tejet të vogla – kondicionerët nuk i ndezin! Temperaturat e larta kanë shkaktuar humbje ndjenjash në disa raste. Nëse e krahasojmë administratën e transportit publik me aktualen (privaten) mund të vërehet vetëm një ndryshim: se privati respekton ndalimin në stacione. Gjithçka tjetër ka mbetur thuajse e njëjtë.

 

Nga kaosi i ndërtimeve në kaosin e administrimit publik

 

Ndërsa kjo është gjendja e përgjithshme e trasportit urban – atje është krijuar një tjetër, më e keqe se para: kaosi i ndërtimeve. Plazhi është keqndërtuar dhe është shumë i pistë. Atje vazhdojnë të shkarkohen në periferi të tij ujërat e zeza dhe të hidhen mbetje urbane. Për këtë, qeveria “Rama” u mjaftua duke kaluar administrimin e bregdetit te bashkia e Durrësit![3] Shpenzimet buxhetore, sipas parashikimit, megjithëse më të larta se vitet e kaluar, për vitin 2014, u përqendruan kryesisht në infrastrukturë (parqe, rrugë etj.).[4] Për të arritur këtë objektiv Bashkia ka rritur taksat.[5]

Këto investime ndjekin strategjinë e përgjithshme të qeverisë Rama: ri-konceptimin e qyteteve. Në këtë strategji ndikon vendimtarisht Komisioni Europian: sepse Shqipëria (falë klasës politike dhe topitjes së popullit) shkëmben humbjen e sovrantitetit tonë politik dhe ekonomik, burimet tona strategjike dhe pasuritë publike me ‘fondet’ që tërheq nga BE-ja dhe ‘borxhet’ që merr nga institucionet ndërkombëtare (BB etj.). Për periudhën shtatë-vjeçare (2014-2020), për shembull, ajo ka marrë 649.4 milion euro (IPA II).[6] Nuk do të ishte e çuditshme që procesi i tenderave është akaparuar. Për shembull, disa tendera janë diktuar “nga lartë” se sa nga oferta më e ulët![7] Dhe në Durrës është zhvilluar edhe një sintezë tjetër midis publikes dhe privates: në arsim, jo vetëm në ciklin e mesmë por edhe në ciklin e lartë. Nëse vazhdon kjo sintezë, me siguri që shumë shpejt shërbimet private do të dominojë shërbimet publike, meqënse oligarkia ekonomike është krijuar dhe shtresat e varfërva janë skajuar, ndërkohë që klasa e mesme, e cila u krijua përgjatë dekadës së fundit, është në tkurrje.

Më në fund, dhe më e rëndësishmja, Durrësi, ndryshe nga qytetet e tjerë, rrezikon të përmbytet nga ngritja e nivelit të detit, si pasojë e ndryshimit të klimës (efektit të serës, CO² etj.) dhe shkrirjes së akujve në Greolandë![8] Lidhur me këtë problematikë nuk është marrë asnjë masë konkrete. Kështu, ndërsa sektori i transportit është privatizuar, politika bashkiake përqendrohet në seksione strategjike — realizimi i të cilëve varet vendimtarisht nga ngritja e taksave dhe fondet e BE-së. Taksat ngrihen për dy arsye kryesore: sepse klasa e lartë nuk paguan taksa, siç nuk paguan klasa politike dhe korporatat e huaja (“Bankers” etj.) në nivel kombëtar dhe prodhimi vendor nuk është organizuar ende. Për të njëjtën arsye taksat gjithnjë do të ngrihen për shtresën e mesme dhe të ulët ndërkohë që të ardhurat për bashkitë, do të bien. Taksat do të uleshin dhe të ardhurat do të rriteshin vetëm nëse do të paguanin oligarkët e të gjithë niveleve dhe do të zhvillohësh tërësia e ekonomisë.

Përgjithësisht mund të thuhet se politika bashkiake dhe komunitare, jo vetëm që është pasive politikisht, por, pikërisht sepse dominohet nga botëkuptimi modern —përfitimi— gjithashtu dhe nga procesi zgjedhor (ata propozohen “nga lartë” dhe votohen “nga poshtë”!) dhe diktohet nga pushteti qendror, humbet vullnetin lidhur me miradministrimin e qytetit: sepse është vullneti, i cili varet nga dashuria për të zhvilluar mirëqënien, vlerat më të larta të një shoqërie (solidaritet etj.) dhe estetikën e një qyteti, që shtyn një njeri të zhvillojë njohurinë lidhur me çdo aspekt të jetës sociale.[9] Miradministrimi, rrjedhimisht, nuk mund të reduktohet vetëm te “vullneti” siç propagandojnë shumë në hapësirën e “ekspertëve” mediatik. Sepse vullneti është vetëm një komponent dhe ai varet vendimtarisht nga dashuria për të eksploruar dukuri sociale dhe josociale. Problemi, rrjedhimisht, nuk mund shtrohet vetëm në kuadër të transportit urban, se nëse, për shembull, do të dalë me fitime sektori i transportit, nën adminstrimin publik apo privat, por se nëse sektori i transportit, paralelisht me zhvillimin tërësor të qytetit, është, dhe mund të bëhet vërtetë cilësor dhe i sigurtë në të gjithë aspektet.

 

Çfarë mund të bëhet?

 

Siç jam munduar të tregoj në vend tjetër,[10] Shqipëria, si çdo vend tjetër i Jugut Europian i integruar plotësisht apo pjesërisht në Rendin e Ri Botëror të Globlizmit Neoliberal, do të përkeqësohet ekonomikisht dhe ekologjikisht dhe s’ka asnjë mundësi të përmirësojë gjendjen e përgjithshme të vendit. Sepse nëse qeveritë qendrore (qofshin ato që zbatojnë “taksën e sheshtë” apo “taksën progresive”) do të vuajnë nga deficitet buxhetore — njëlloj do të vuajnë edhe qeverisjet bashkiake dhe komunitare. Parakusht, rrjedhimisht, për zhvillimin e qyteteve dhe periferive (komunave), është tërheqja ‘diplomatike’ nga orientimi i përgjithshëm politiko-ekonomik i vendit për t’u integruar në Globalizmin Neoliberal. Nëse kjo ‘tërheqje’ nuk realizohet nga qeveria jonë – bashkitë dhe komunat duhet:

 

  • ose të pakësojnë abuzimet me taksat (të rrisin mbledhjen dhe t’i mirë-administrojnë ato) dhe fondet, me qëllim që të kontribuojnë në zhvillimin e rajonit ku operojnë dhe t’i përshtaten dinamikës tërësore të sistemit, siç i janë përshtatur — një përshtatje që nënkupton se gjendja e përgjithshme socio-ekonomike do të përkeqësohet, sepse nuk përputhen principet sistemike me principet demokratike dhe shkencore;
  • ose të përgatiten për një kuadër tjetër institucional, i cili, kalon përmes procesit që vijon: nga vlerësimi i gjendjes së përgjithshme të bashkive (burimet kryesore ekonomike, papunësia etj.) në aktivizimin e qytetarëve në politikë-bërje – ku do të barasndahet pushteti, do të zhvillohen principe demokratike dhe shkencore dhe, do të zhvillohet koncepti i autonomisë administrative. Sepse administratat vuajnë edhe nga moszhvillimi i autonomisë operitive në administrata. Kjo për shkak të karakterit heteronomik të shtetit. Ky proces nënkupton se qeveria qendrore në fazën fillestare duhet të adoptojë vërtetë politikat e social-demokracisë (Keinsiane) — përmes të cilave do të fillojë zhvillimi i strukturave ekonomike rajonale me bazë autonominë, solidaritetin dhe shkencën.

 

Procesi i dytë përbën parakushtin për të kaluar në transport publik, cilësor dhe të lirë. Ri-organizimi i sektorit, në fazën e parë do të bëhet me bazë energjinë e disponueshme motorrike: naftën. Në fazën e dytë, me bazë energjinë e rinovueshme dhe me trolej dhe trena elektrikë. Ri-organizimi i këtij sektori nënkupton se janë rigjallëruar paralelisht sektorët e tjerë të ekonomisë. Sepse pa zhvillimin e sektorëve të tjerë të ekonomisë nuk mund të importohet (me eksportet tona) teknologjia përkatëse nga vendet e origjinës. Për shembull, nga Kina, meqënse është promotore e trenave elektrikë. Ose nga Rusia, meqënse është cilësore në hekurudha. Rithemelimi i principeve racionalë (d.m.th. solidaritet, shkencë, bashkëpunim, gjithëpërfshirje etj.) në sektorët publikë dhe në sektorët e ekonomisë do të bëjë të mundur mbarëvajtjen e tij. Dhe, meqënse personeli do të përgjysmohet, për shkak të automatizimit të sektorit, sektorë të tjerë ekonomik duhet të zhvillohen. Për shembull, në Durrës mund të zhvillohen paralelisht me industrinë e turizmit, prodhimet bujqësore dhe blektorale dhe industria e përpunimit. Sepse Durrësi, pavarësisht “përmbytjes” me ndërtime dhe mbulimin e shumë tokave të bukës me beton dhe dendësisë së lartë me banorë, ka ende mundësi të shfrytëzojë tokat që kanë mbetur për prodhim bujqësor e blektoral. Dhe bujqësia dhe blektoria, njëlloj si gjithë sektorët e tjerë me interes publik, nuk mund të zhvillohet përmes principeve që janë imponuar dy dekadat e fundit (konkurrencë dhe përfitim), siç na sugjerojnë “ekspertë” të fushës![11] Kjo mund të vërtetohet qoftë empirikisht qoftë teorikisht. ‘Empirikisht’ nëse konsiderojmë, për shembull, përvojën e Rumanisë.[12] Teorikisht, nëse konsiderojmë dinamikat sistemike dhe praktikat në bujqësi dhe blektori. Por përmes solidaritetit, bashkëpunimit dhe shkencës.

 

 

*Ky është një studim i shkëputur nga një studim më i gjerë, me titull, “Drejt orientimit ekologjik të shoqërisë” i librit me titull, “Kundër-revolucionet në Rendin e Ri Botëror të Globalizmit Neoliberal: nga ekofashizmi i organizuar në luftë të përhershme”, i cili do të publikohet së shpejti.

[1] Deri në vitin 1990, numri i banorëve të regjistruar ishte 87, 559. Programi Matra, Rast studimor, Bashkia Durrës.

[2] Censusi i popullsisë dhe banesave, 2011, f, 133, varjanti, pdf.

[3] Çuçi: Bashkia e Durrësit, do të administrojë gjithë bregdetin, Shqip, 26 Mars 2014.

[4] Durrësi 2014 – Buxheti me vitin elektoral në mendje, Gazeta e Durrësit, 12 Shkurt, 2014.

[5] Bashkia e Durrësit pranon administrimin e Ujësjellësit, Gazeta e Durrësit, 11 Shkurt, 2014.

[6] Albania – financial assistance under IPA II, European Commission.

[7] Hije skandali me tenderat në Bashkinë e Durrësit, Dita, 10 Korrik, 2014.

[8] Shih për më shumë, Kriza shumë-dimensionale, Kriza ekologjike.

[9] Gjenealogjia dhe forca e dashurisë.

[10] Shpërthimi i krizës sistemike në Rajon dhe Shqipëri. Gjithashtu, Ekonomia ekstroverte kapitulloi Greqinë: Shqipëria drejt të njëjtës “greminë”.

[11] Këshilla për kryetarin e pritshëm të 1.100 km2…Dita, 22 Maj, 2015.

[12] Rumania dhe politikat subvencioniste të BE-së në bujqësi: një tjetër dështim.

Ylli Përmeti May 23, 2015 20:15
Komento

1 Koment

  1. minush May 24, 08:28

    Nje shkrim nga nje njohes shume mire i ceshtjeve te ekonomise. Ne aktualitetin shqiptare, besoj se me shume se per shkrime-studime nga fusha e ekonomise, nuk ka asgje me teper nevoje. Sikur dihet, te terat lidhen me dhe per ekonomine dhe po u kartandise ajo, mer me vete te tjerat.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*