Opozita “shkuma-party”

October 21, 2017 12:14

Opozita “shkuma-party”

Artan Xh. Duka

Për askënd nuk vihet dora në zjarr por ama kauza më e fundit opozitare “Tahiri” është shfaqja e radhës së mjerimit të standardit të saj demokratik. Ishte shansi i saj për të dëshmuar se i bën gjërat ndryshe. Në emër të informimit të publikut, ajo ka meritë për publikimin e denoncimin e gjithçkaje që aludohet abuzive por me aksionin e saj në vijim ajo thjesht po zhvlerëson vetveten duke provokuar hetimin objektiv dhe vetë drejtësinë.

Në një shtet që pretendojmë ligjor, opozita nuk dalldiset e turbullon skenën politike me skenarë konspiracionesh dhe frontesh anti-shtet. Nuk jemi në vitet 90 kur monizmi nuk i hapte krahun zhvillimit demokratik, kur vidheshin me miliarda dollarë nëpër piramida, kur goditeshin mes sheshit opozitarët për votën e lirë, nuk ndodhi as 21 janari e Gërdeci sërish etj ngjarje që provokojnë pasione e emocione shesheve pafund … thjesht aludohet se një ish-ministër ka abuzuar dikur.

Për ta nisur me këmbën e mbarë, do të ishte në dinjitetin e opozitës të dëshmonte burimin e informacionit fillestar të saj. Opozita nuk është klandestine në këtë vend që të operojë me kanale të fshehta komunikimi. Nuk është as “media” që të garantojë anonimatin me arsyen e etikës profesionale. Shteti brenda shtetit nuk njihet në demokraci dhe nëse ndonjë agjenci apo i tretë anashkalon rrugën zyrtare duke klientelizuar e favorizuar me informacione opozitën, kjo dëshmon politizim që në fillim.

Politizim me pahir!
Demokracia gjithnjë do ketë punë me abuzimin por fajin nuk e vulos politika. Dikush tjetër paguhet për këtë punë dhe opozita ka rastin të dëshmojë se ka besim tek sistemi i drejtësisë që e ndërtoi vetë dje kur ishte në pushtet duke pranuar se faktet e provuara jashtë të gjitha dyshimeve janë rruga e vetme për të vënë drejtësi.
Me qasjen e saj, opozita po e transferon debatin publik nga pandehmat tek faji apo jo i një qytetari ish-pushtetar, tek politizimi i ngjarjes në fjalë. Ajo nuk është naive dhe nëse kjo bëhet për të rritur tensionet politike dhe përligjur bojkotin institucional me objektiv hallin e vjetër të frikës nga vettingu, për të provokuar anarki që merr peng integrimin që favorizon gjeopolitikat greko-serbe në rajon (me “rastësi” të tilla jemi mësuar gjatë; nga hapja ambasadave dhe deri tek “azil-mania” si me urdhër të peshkut kur PD del në opozitë etj), atëherë jo një, por dy, janë dosjet që prokuroria duhet të hapë me këtë rast.

Debati po ekspozon sërish amoralitetin monumental politik të politikanëve në vend. Veçanërisht atyre që “predikojnë” sot në opozitë. Kështu, nëse opozita është e sinqertë në frontin anti-mafia dhe anti-abuzim, le të dëshmojë integritet dhe objektivitet duke futur në rendin e ditës edhe kauza madhore si abuzimi nga Piramidat, grushtet e shtetit, Lazarati, vrasjet politike të 21 janarit, dhënien e detit, grabitjen e buxhetit me rrugën e Kombit etj. Që kanë ndodhur rëndom në “dezhurnin” e PD por dhe LSI. Ta fillojë nga vetja që të mos dyshojë kush se e kanë personale me Ramën dhe thjesht për pushtet. Ndryshe “anti-mafia” selektive degradon në anti-shtet.

Amoraliteti i frontit të sapokrijuar ekspozohet më tej kur sheh se mes protagonistëve që bërtasin për dorëheqje të Ramës, ka nga ata që jo njëherë por disa herë u kapën gafil në abuzim dhe jo vetëm nuk e shkuan nëpër mënd të jepnin dorëheqje por tentuan t’ia linin “kopilin” opozitës së atëhershme në derë. Dorëheqja nuk kërkohet por jepet dhe Rama, sado probleme me qeverisjen, nuk mund të akuzohet se ka degraduar sa ata që abuzuan me një buxhet autostrade, rrinin brenda godinës nga derdheshin plumbat në bulevard më 21 janar, pengonin prokurorinë të arrestonte persona në flagrance etj (a ka vallë analogji dyshimi opozitar se Rama po fiton kohë të shuajë faktet kompromentuese në servera!) etj. Rama nuk është katandisur ende si ata por dhe nëse abuzimi fiton terren në qeverinë e tij, Rama me siguri nuk do sillet si ata.

Opozita lyp moral
Opozita e ka për detyrë ta ketë korrupsionin e abuzimin qeveritar si kauzë të saj. Janë krime me pasoja për të gjithë. Por opozita lyp moral dhe nëse nuk rigjenerohet nga brenda me protagonistë të rinj, të paktën të kërkojë ndjesë publike dhe të zotohet për nxjerrjen e “skeleteve” të vjetra prej dollapëve të saj. Atëherë, ndoshta, publiku mund ta dëgjojë. Deri atëherë, e artikuluar nga goja e saj, akuza, edhe nëse reale, del jashtë boje, humbet vlerën, politizohet, martirizon të përfolurin dhe dëmton vetë drejtësinë dhe degradon institucionin e opozitës si jetik në demokraci.

Lufta e klasave dhe denoncimi i grupeve armiqësore vate me 1990. Edhe nëse një qeveritar apo ish-qeveritar del i zhytur në abuzim, përgjegjësia presupozohet individuale dhe pa prova dhe pa vendim drejtësie askush nuk mund të etiketohet fajtor. Se me përgjegjësi grupi, PD e dramave të tranzicionit duhej të kishte rilindur disa herë deri më sot.

Monizmi nuk ka brirë por për ironi, nuk është më pushteti por opozita që me gjyq “popullor” denoncon, gjykon e fajëson në harkun e 24 orëve një qytetar, kërkon “internimin” e ish-kolegëve të tij dhe ushtron presion duke krijuar “pritshmëri” tek prokuroria që komentohet se e ka nisur nga bishti duke akuzuar aforfe dhe tani kuturiset të mbledhë prova për të. Nuk është rastësi. Është i njëjti protagonizëm që dje pushtetin e shndërroi në gjykatë dhe sot modelin e ka çuar në opozitë duke e marrë peng atë. Ndaj vetingu është jetik. Shqipëria do bëhet, me apo pa Ramën, me apo Tahirin por ama fati saj do mbahet gjatë peng nëse “shpresa”në këtë vend identifikohet me të lakuarit deri dje. Që edhe nëse kanë kauza, nuk kanë fytyrë.

October 21, 2017 12:14
Komento

5 Komente

  1. Andrea October 21, 14:16

    Kjo eshte filozofie e re e prokurorise te areston pastaj kerkon te gjeje prova,

    Reply to this comment
  2. vasili October 21, 16:11

    Fytyra te liga,injorantesh ordinere,qe prazantojne vrases profesionist,apo frikacak dhjerak si luli,qe shtie kur kembezen ja shkrep Saliu.
    Surrati i metes,megjithse i munguar,ndihet prezent,ne mes te tyre.
    Vazhdojme te funksionojme si nje shtet absurd deri ne neveri:
    Sa here,qe ndragheta e kulles se erret( familje lokesh dhe katundaresh mafioze,qe vazhdojne te jene te ligjeruar),ben akuza,shumica shpifje cmendurake,institucionet e drejtesise se kulles,sic don ti quaje kryeministri,veprojne me nje zell verberie,qe ta bejne te pa beren te bere.
    Kushdo shqiptar e di dhe po pret pafund,qe secili nga katundaret,apo rajat e saj,me bemat e tyre,duhej prej kohesh,te izoloheshin mbas hekurave.
    E kam pelqyer ndonjehere durimin dhe qetesine e Rames,sic ishte rasti i fundit,qe tartabiqin toksik Lsi e ngordhi me diplomaci dhe e rrezoi me fund nga trupi i shtetit,megjithse koka vazhdon ti ngule thumbin helmatises karriges se presidentit.
    Por ne shume raste,duke e ditur dhe ndjere mire,se nuk kemi isntitucione gjyqesore,por vec nje institucion kriminal antidrejtesie,gjithmone ne sherbim te ndraghetes sali-meta,
    Rama ka bere vec sehir,kur dora e kesaj ndraghete ka denuar njesoj te inkriminuarit apo te painkriminuarit e ps.Ja u la Rama dhe bashkine e Kavajes.
    Nga rradhet e ndraghetes vazhdon asnje i denuar(!!!!) dhe vazhdon si me pare ajo te bej kerdine me Ramen kryeministrin spektatore.
    Rama,si Ponc Pillati,duke mos e atakuar doren juridike,me te cilen ndragheta realizon krimet,por duke vazhduar te kete respekt si organ jurisprudence,ka bere qe ata katundare te eger dhe djallezor, ta zgjerojne ne sasi dhe cilesi goditjen,vecanerisht,karshi pozicioneve shteterore.
    Ky qendrim mefshesie integral i Rames,beri qe banda e dirigjuar e prokurorise,ti adresoje prangat ish ministrit te brendshem.
    Atij ministri,qe e ngriti rendin,nga nje aparat banditesh,qe benin krime dhe mbronin krime te ndraghetes,qe ish ne krye te shtetit,ne nje aparat te vertete funksional,ne mbrojtje te jetes qytetarit,si dhe ne nje lufte pa kompromis me gama korrupsionin e trasheguar aty.
    Luftoi dhembe per dhembe,ne meken e hashashit,nje burim i madh prej miliarda eurosh te ndraghetes,qe sundonte ne kete vend.Dhe kryeministri mbas kesaj,kur ne prisnim lidhjet e ekspozuara te miliardave Sali-lazarat,ai vazhdon te hesht,duke lare si gjithmone duart:
    Qe une nuk nderhyje tek ´´drejtesia´´.
    Por cfare drejtesie mor lume dhe perrua?Ne nuk prisnim,qe ti te beje ate qe bente i shperfytyruari i kulles,qe me dhune duke shkelur kopetencat,te hiqje kryeprokurore,kryeshikas dhe president,por tu kundervihesh atyre,qe jane me kriminel se kriminelet,per tja u bere punen sketerre,per ti demaskuar dhe minimizuar efektin kriminal, ashtu sic ata e meritonin.
    Dhe ja keshtu po ndodh dhe me Tahirin,i cili me punen e vet,si asnje minister tjeter,beri qe nje nga komponentet kryesor te funksionit te shtetit,ai i rendit,te funksionoje ne menyre demokratike.Kjo beri,qe dhe kryeministri,te ndihet vertete kryeminister,persa i takon kesaj sfere jetike per shtetin.
    Prandaj ky i fundit,te mos vazhdoje te laje duart duke ja lene ´´drejtesise´´,por te nxjerre duart dhe te godasi, sic ja jep ligji dhe morali,per tju kundervene,me ne fund dores ekzekutive te ndraghetes se kulles se erret.
    Theksoj ketu qe nje e mete cilesore e pushtetit te Rames,qe informacionin e ka te fjetur dhe jo cilesor.
    Kur sundonte Saliu,ai investonte shume nga parat e shqiptareve,(dhe vazhdon te investoje gjithashtu nga parat e oligarkeve,qe ai krijoi vecanerisht ata krahinore),neper ambasada shqiptare te europes,per te paraqitur nje surrat krejt ndryshe nga ate qe kishin,korruptoi dhe vazhdon te korruptoj ne menyra nga me te ndryshmet,poltikane dhe personalitete te huaja,qe ata te flisnin me gjuhen e tij.
    .

    Reply to this comment
  3. Beli October 22, 08:13

    Të ndiqen penalisht ata prokurorë që vejnë drejtësinë në shërbim të politikës.

    Reply to this comment
  4. Iliri October 22, 10:10

    Le te shohim pak si jene ne aspektin moral Opozita dhe Pozita sot para kerkeses se Prokurorise per te hequr Imunitetin deputetit.
    Lulzim Bashes dhe Ilir Metes ju hoq Imuniteti kur kete e kerkoi Prokuroria, pikerisht me vota te ketyre qe sot voten e perdorin per te mbrojtur permes nje Imuniteti qesharak nje Saimir Tahir te kapur MAT nga Antimafia italiane me fakte qe kane dale dhe do dalin.
    Ku eshte Imoraliteti ketu, te Opozita apo te Pozita, kjo vetem nga militante nuk ka sy te dallohet.

    Reply to this comment
  5. Epo kjo pune! October 22, 11:01

    Politizimi me p(t)ahir

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*