Polonia nën kërcënim

July 30, 2016 09:41

Polonia nën kërcënim

Edhe tre muaj kohë i janë venë në dispozicion qeverisë polake për korrigjimin e situatës, që ka cenuar Shtetin e së Drejtës. Ndryshe, Polonia do të përballet me sanksione në nivel evropian. Sanksione, që sipas Komisionit Evropian, parashikojnë aktivizimin e Nenit 7 të Traktatit të BE, që nënkupton heqjen e të drejtës së votës në Këshillin Evropian. Por, ç’po ndodh në Poloni ?

Që prej ardhjes në pushtet në tetor të vitit 2015, të partisë ultra-konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS), Polonia është vendosur gradualisht nën vëzhgimin evropian, për arsye të cenimit të Sundimit të Ligjit dhe Shtetit të së Drejtës. Një sërë reformash të kryera nga qeveria e re, kanë venë nën kontroll sistemin mediatik, nëpërmjet hartimit të ligjeve, që mundësojnë emërimet në bordet administruese dhe mbikëqyrëse të medias. Kontroll qeveritar, që është shtrirë dhe ndaj sistemit gjyqësor, kryesisht ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke ndryshuar jo vetëm përbërjen, por edhe rolin e saj, nëpërmjet komplikimit apo shfuqizimit të disa kompetencave.

Përgjatë këtij viti, Komisioni Evropian ka nisur procedurën e vlerësimit, që parashikon tre faza. Në fazën e parë, Komisioni mbledh dhe shqyrton informacionet përkatëse dhe më pas vlerëson nëse ka shenja të qarta kërcënimi të vazhdueshëm ndaj Sundimit të Ligjit. Nëse ka, atëherë Komisioni nis dialogun me shtetin anëtar, duke i dërguar atij një Opinion mbi Sundimin e Ligjit, ku shpreh edhe shqetësimet përkatëse. Në fazën e dytë, nëse çështja nuk është zgjidhur në mënyrë të kënaqshme, Komisioni harton rekomandime mbi Sundimin e Ligjit, duke i rekomanduar shtetit anëtar, zgjidhjen e problemeve të identifikuara, brenda një afati të caktuar kohor, si edhe të informojë Komisionin më pas mbi hapat që ka ndërmarrë në këtë drejtim. Faza e tretë, përfshin monitorimin nga Komisioni të zbatimit të rekomandimeve nga shteti anëtar. Nëse nuk ka rezultate pozitive, përgjatë afatit të caktuar, atëherë aplikohet neni 7 i Traktatit të BE, pezullimi i të drejtës së votës në Këshill.

Aktualisht, situata me qeverinë polake, është në fazën e dytë. Pra, Komisioni nuk është i kënaqur me mënyrën se, si janë përpjekur ta zgjidhin këtë situatë, autoritetet polake, duke i rekomanduar Polonisë zgjidhjen e problemeve të cenimit të Shtetit të së Drejtës, brenda një afati tre mujor.

“Komisioni, i rekomandon autoriteteve polake të marrin në urgjencë masat, që imponohen për eliminimin e kërcënimit të vazhdueshëm, që rëndon mbi Shtetin e së Drejtës dhe i kërkon qeverisë polake, t’i komunikojë brenda tre muajve dispozitat e vena në jetë, në këtë kuadër.

Komisioni, është gati të ndjekë rrugën e dialogut konstruktiv me qeverinë polake. Nëse, asnjë rezultat i kënaqshëm, nuk i rezervohet çështjes brenda afatit të caktuar, është i mundur përdorimi i “procedurës së nenit 7”.” (Komunikim për shtyp, KE 27.07.2016)

Ç’po ndodh në Poloni ? 

Partia ultra-konservatore Ligj dhe Drejtësi, PiS, ka hyrë në skenën politike relativisht vonë, në vitin 2001. E krijuar nga vëllezërit binjakë, Jaroslav dhe Lef Kaçjinski (Jaraslaw -Lech Kaczynski), bastionet e saj partiake shtrihen kryesisht në pjesën lindore të vendit, një zonë më pak e urbanizuar, më pak e zhvilluar dhe më shumë fetare. Zonë, që gjeografikisht ka njohur influencën ruse, me një kontrast të konsiderueshëm me zonat nën influencën gjermane, tejet të zhvilluara ekonomikisht dhe bastione të partisë rivale Platforma Qytetare (PO).

Për herë të parë PiS, do të arrijë të fitojë zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2005, me 155 deputetë nga 450, që ka Parlamenti. Por, brenda dy vitesh (2007) qeveria do të japë dorëheqjen. Një sërë analizash mbi arsyet e kësaj dorëheqje të parakohshme, do ta vendosnin theksin tek dy elementë të rëndësishëm: sjellja armiqësore e medieve ndaj qeverisë dhe bllokimi, që shkaktonte Gjykata Kushtetuese me kthimin mbrapsht të një sërë ligjesh, duke i gjykuar ato në shkelje të të drejtave, që garanton Kushtetuta.

Pikërisht, tek këto dy arsye, që sollën dorëheqjen e PiS në vitin 2007, vlerësohet se bazohet edhe platforma devijuese ndaj respektimit të Shtetit të së Drejtës, mbi kontrollin e lartë qeveritar ndaj medies dhe gjyqësorit.

Me të ardhur në pushtet, nëpërmjet fitimit të zgjedhjeve presidenciale (24 maj 2015) dhe zgjedhjeve të përgjithshme (tetor 2015), PiS, fillon të përqendrohet në kontrollin e dy pushteteve, që e kishin detyruar të lërë pushtetin në vitin 2007, medien dhe gjyqësorin. Por, ky dominim do të jetë pikërisht edhe shkaku i alarmit, që ka shfaqur Evropa, mbi situatën në Poloni. Duhet theksuar se, PiS arriti t’i fitojë në shumicë absolute (235/460) zgjedhjet e përgjithshme, për shkak të skandaleve, që e kishin pushtuar qeverinë paraardhëse, ndër to edhe çështja e përgjimeve. Kjo ikje e votave në shumicë absolute drejt ultra-konservatorëve, vlerësohet të jetë e para në historinë post-komuniste të Polonisë, duke shënuar gjithashtu edhe një fenomen të ri, lënien jashtë parlamentit për herë të parë, të së majtës polake. Me formimin e qeverisë së re, u përcaktuan edhe orientimet kryesore në shumë prej fushave strategjike të Polonisë, ku një vëmendje të veçantë tërhiqte dhe orientimi ndaj “Ndjesisë Patriotike të Polonisë”.

Peshë dhe rëndësi  

Polonia, ndryshe nga vendet e tjera të ish kampit komunist, që i përkasin Evropës së Lindjes dhe të Qendrës, mbart një rol shumë të rëndësishëm, që tërheq maksimalisht vëmendjen e Unionit.

Së pari, Polonia është një prej 6 vendeve të mëdha të BE, me një peshë demografike të konsiderueshme (38 milionë). Por, Polonia është edhe vendi më i madh, që ka BE në krahun lindor të saj, duke qene e privilegjuar me këtë pozicion gjeografik, që luhatet mes Lindjes dhe Qendrës.

Së dyti, kjo peshë demografike, e kombinuar me një rol aktiv në proceset vendimmarrëse të BE, e ka shndërruar Poloninë në një aktor shumë të rëndësishëm dhe vend me peshën më të lartë nga të gjithë vendet e ish kampit komunist. Aktualisht Polonia kryeson tre presidenca komisionesh nga më të rëndësishmet në Parlamentin Evropian: Komisionin e Industrisë, Kërkimit dhe Energjisë, (Buzek) Komisionin e Agrikulturës dhe Zhvillimit Rural (Siekierski), Komisionin e Çështjeve Kushtetuese (Hubner), si edhe Nën/Komisionin e Sigurisë dhe të Mbrojtjes (Fotyga). Funksionarët polakë i gjejmë gjithashtu, në kohë, në poste strategjike në Union, Tusk (Këshill), Buzek (ish president i Parlamentit Evropian 2009-2012 dhe aktualisht kryeson Komisionin e Industrisë, Kërkimit dhe Energjisë), Bienkowska (Komisioner i Tregut të Brendshëm dhe të Industrisë).

Së treti, duke qenë pjesë e Bllokut të Vishegradit, anëtarë të së cilës janë Sllovakia, Republika Çeke, dhe Hungaria, pesha e saj përforcohet, pasi V4 tashmë e ka të konfirmuar suksesin e saj të influencave në BE. Duke funksionuar si një mekanizëm i përbashkët ekonomik, por mbi të gjitha me nuanca të qarta ideologjike V4, ka arritur të funksionojë si mjet presioni dhe bllokimi, në nivel evropian, duke vepruar me platforma konkrete në çdo fushë. Tashmë mbledhjet e saj sistematike, para çdo organizimi të Samiteve të krerëve të shteteve të BE, janë të njohura për publikun si edhe komunikatat për shtyp që V4 publikon me pozicionime të përbashkëta. Këtë frymë të lartë bashkëpunimi, Polonia e shfaq edhe me vendet e tjera ish-Republika të Bashkimit Sovjetik, si Ukraina, Gjeorgjia, apo Bjellorusia.

Së katërti, Polonia është pjesë e trekëndëshit të Vejmarit, së bashku me Francën dhe Gjermaninë. Nga ku kemi një bashkëpunim të ngushtë me motorin evropian, që rezulton i frytshëm, sidomos në çështje të ndjeshme, si ato të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Së pesti, vlerësimet ekonomike për Poloninë, flasin për një vend që nuk u prek nga kriza ekonomike  që përfshiu Unionin dhe nuk e njohu rënien ekonomike, duke shënuar vetëm përqindje në rritje.

Rëndësia demografike, stabiliteti ekonomik, influenca politike, që ushtrohet nga pjesëmarrja në platforma bashkëpunimi të thelluara me vendet kyçe në Union, por edhe me vendet e Evropës Qendrore, vendet fqinje dhe rajonin, i krijojnë Polonisë, profilin e një vendi shumë të veçantë dhe të rëndësishëm për Unionin. Për këto arsye, Polonia dhe cenimi i Shtetit të së Drejtës nga ultra-konservatorët në pushtet, e shqetëson Unionin, duke monitoruar dhe imponuar korrigjim sa më të shpejtë të situatës.

Por, nga ana tjetër, edhe BE është shumë e rëndësishme për Poloninë. Jo vetëm në kuptimin strategjik-politik, por edhe në një kuptim përfitimi të pastër financiar. Nuk duhet nënvlerësuar fakti se, Polonia ngelet një prej vendeve të ish kampit komunist, që përfiton volumet më të mëdha të fondeve evropiane, duke qene edhe një prej vendeve të vetëm, që i shikon në rritje këto volume financimesh.

Qeveria e ardhur në pushtet që prej vitit 2015, ka ndërmarrë veprime në cenim të Shtetit të së Drejtës, duke angazhuar monitorimin e Komisionit Evropian, për arsye që shikohen më shumë si pragmatizëm politik, me synim kontrollin dhe mbajtjen gjatë të pushtetit, duke dobësuar mekanizmat e tjerë kontrollues. Euroskepticizmi i shfaqur me deklarata apo veprime konkrete, shtrihet më shumë tek pika e ndjeshme, që lidhet me sovranitetin kombëtar. Në kuptimin që zëri politik i Polonisë duhet të ketë prioritet ndaj politikave, që imponon Evropa. I tillë është edhe reagimi ndaj çështjes së pranimit të kuotave të shpërndarjes së refugjatëve në nivel evropian. Në fakt, përtej refuzimit që Polonia i bën herë pas herë, por jo në mënyrë sistematike çështjes së pranimit të refugjatëve, lidhet edhe me një rezistencë të opinionit publik, që po haset me një fenomen të ri, migrim nga vendet myslimane, ndërkohë që Polonia ka njohur vetëm migrim nga vende të krishtera dhe ka një lloj mbyllje të shoqërisë ndaj vlerave të identifikimit fetar, duke mos qenë shumë tolerante ndaj këtij aspekti.

Sjellja në tërësi e PiS në pushtet, ka marrë trajta vlerësimi, në një optikë historie, që favorizon zhvillimin e komplekseve. Kompleksi i parë, lidhet me faktorët që çuan në dorëheqjen e qeverisë në vitin 2007, pra roli i medies dhe i Gjykatës Kushtetuese. Kompleksi i dytë, i një dëshire të vazhdueshme për “sovranitet”, detyrimisht të çon në filtrin historik të një Polonie që në shumicën e shekullit të 19, ka qenë e mohuar si entitet kombëtar, e ndarë mes Rusisë, Prusisë dhe Austro-Hungarisë, rivendoset më tej nën sundimin e Rajhut të Tretë, për të kaluar më pas, në dominimin e influencës sovjetike. Kompleksi i tretë, që imponon gjithashtu dëshirë për glorifikim nacionalist, nuk mund të mos shikohet nën optikën historike, të ish Polonisë së Madhe, në Unionin e përbashkët me Lituaninë, që prej vitit 1386, duke vazhduar këtë dominim edhe përgjatë Republikës së Parë (1569-1795), me një rol ekonomik dhe politik të fuqishëm, dhe me territore që shtriheshin në pjesë të rëndësishme të Evropës Qendrore, në pjesë të caktuara të Ukrainës, në Bjellorusi, në Moldavi, në Vendet Baltike, si edhe në skajet perëndimore të Rusisë aktuale.

Partia për Ligj dhe Drejtësi, është një parti e krijuar relativisht vonë (2001) në krahasim me partitë e tjera, dhe ka një eksperiencë shumë të vogël qeverisëse (vetëm dy vite 2005-2007), çka shpjegon përtej kornizës konservatore që ajo përfaqëson, edhe mungesën e një eksperience dhe të një vizioni, që i nevojitet një vendi të rëndësishëm strategjik si Polonia. Profili dhe sjellja e një vendi të madh, me një peshë shumë të rëndësishme politike, nuk mund të kufizohet dhe të reduktohet në sjellje të ngushta egoiste, individuale, në përplasje të palogjikshme dhe me vizion të përkohshëm. Sepse, minimalisht nuk ka ndërgjegjësim politik, mbi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka Polonia, në krahasim me të gjithë vendet e tjera të ish kampit komunist, dhe maksimalisht po ndërmerren gafa politike, shenja të një amatorizmi të kombinuar me egoizëm partiak, për qëndrim afatgjatë në pushtet, duke i shërbyer (ndryshe nga ç’propagandohet) Partisë dhe jo Kombit, Nacionalizmit dhe jo Patriotizmit, shkatërrimit të vlerave dhe jo ndërtimit të tyre./im.ta/DITA

July 30, 2016 09:41