Stinë raportesh: Lu me DASH dhe Vllahutin me Dele…
Nga Arkiva
Me taktin dhe sensin e masës që i karakterizon, duket se ndërkombëtarët i japin sinjale qeverisë dhe biznesit shqiptar të fokusohen më shumë te blegtoria.
Gojët e liga mësojnë se historia e orientimit të ri ka nisur pasi të pranishmit u gajasën me shakanë e kripur të ambasadorit amerikan Donald Lu këtu e dy muaj më parë, kur tha se sa herë shikon një tufë delesh, vë buzën në gaz.
Burime serioze thanë për Gojët e liga, se gjasat janë që Lu t’i shohë me qesëndi delet shqiptare, sepse ai e flet shqipen më mirë se ato. Por jo. E vërteta është se krenaria ndaj deleve, zotit Lu i buron nga fakti se ai vetë e merr rrogën nga DASH-i.
Një stimul të veçantë merr z.Lu nga ardhja e pranverës në Shqipëri dhe hapja e sezonit të shtegtimeve masive të bagëtive për gjetjen e kullotave të reja me bar të njomë, thonë Gojët e liga. Duke qenë se shqiptarët kohët e fundit, ecin me moton “Ne edhe parimet do t’i hamë, por barin nuk e shkelim”, Lu është i bindur se ka për të tërë, edhe për delet, edhe për DASH-in.
Në këtë frymë, raporti i fundit i DASH-it bën thirrje për shfrytëzimin me efikasitet të kullotave të reja, qofshin këto me jonxhë apo me naftë safi, ballë kazani nga ajo që lëshon rruaza kur tund shishen.
Por Gojët e Liga mësojnë se në këtë fushatë, nuk ka ngelur pas as dele-gacioni i BE-së në Tiranë dhe kryetarja e këtij dele-gacioni, zonja Vllahutin.
E entuziazmuar se shqiptarët gjithnjë kanë pasur bashkëjetesë të shkëlqyer me vllahët, Vllahutin erdhi me ngut me trenin e parë Podgoricë-Tiranë dhe e vuri theksin te nevoja për miratimin e kullotës së re në drejtësi, duke e ilustruar këtë me vargjet e famshme të Naim Çajup Fishtës:
Kur dëgjon zëthin e Lu-së,
Qysh e le Romana stanin
Del nga vatha e BEEE-së
Rrëmben lugët dhe sahanin…
*******
SHËN.RED. / Gojët e Liga është një rubrikë satirike. Çdo përputhje me ngjarje apo rrethana reale është krejt rastësi
Hahahaaa
Ahahahaaa 🙂
I madh kush i shkruan kto
Lu mban targen e Lushnjes qe prodhon shume presh te nevojshem per reformen ne drejtesi meqe preshi rritet i drejte.