Portierët më të mirë në botë, ç’thotë Etrit Berisha për Thomas Strakoshën

January 12, 2019 18:17

Portierët më të mirë në botë, ç’thotë Etrit Berisha për Thomas Strakoshën

Etrit Berisha ka dhënë një intervistë për “Gazetta Dello Sport” në Itali, ku ka folur për aventurën e tij te skuadra e Atalantës.

“Gardiani” i kombëtares shqiptare nuk e ka fshehur aspak dëshirën për të luajtur në Champions League dhe gjithashtu ka zbuluar ëndrrën e tij: Të hapë një shkollë futbolli në Kosovë. Është i bindur për cilësitë e ekipit të tij dhe tregon pa druajtje që synimi i vetëm i Atalantës është zona europiane.

– Si erdhi transferimi te Lazio?

Pas 5 vitesh si profesionist te Kalmari, kisha oferta të shumta, por vendimtare ishte këmbëngulja e Igli Tares, ndaj edhe zgjodha Lazion.

– Tre sezone në kryeqytet dhe më pas Atalanta…

Pas 3 vitesh si zëvendësues i Marchettit, doja të luaja titullar dhe kur erdhi mundësia për t’u transferuar te Atalanta, nuk u mendova gjatë. Tani po luaj rregullisht dhe jam i lumtur me momentin.

– Cili është niveli aktual i juaji?

Eksperienca të ndihmon shumë për t’u rritur, por edhe gabimet. Pas ndeshjes me Borussian e Dortmundit, të gjithë vuajtëm shumë, por tani kam fituar më shumë siguri dhe ndihem më i fortë. Jam i lumtur dhe e imagjinoj të ardhmen time këtu te Atalanta. Klubi është i fortë dhe nuk luan më për mbijetesë, por shikon shumë më lart, ndaj nuk kam çfarë të kërkoj më tepër.

– Jeni plotësisht në garë për një vend në Europë…

Varet plotësisht nga ne dhe nga maturia që duhet të tregojmë në momente të caktuara. Kemi 28 pikë dhe na mungojnë 45 të tjera, pasi kemi pësuar gola të evitueshëm, por jemi brenda objektivave dhe shpresojmë t’ia dalim.

– Cagliari-Atalanta vlen çerekfinalet e Kupës së Italisë…

Edhe mundësinë për t’u përballur me Juven, nëse të dy skuadrat do t’ia dalin të kualifikohen. Duam të shkojmë sa më larg të mundemi në çdo kompeticion.

– Jeni dakord me “portierin organizator”?

Futbolli ka ndryshuar shumë dhe këmbët vlejnë tashmë. Unë vetë mundohem të jem sa më brenda lojës dhe Gasperini në të njëjtën kohë, kërkon organizim të lojës nga mbrapa. Sa herë që është mundësia përfshihem dhe nuk tërhiqem pas.

– Në fillim të sezonit, titullar dukej Gollini…

Një djalë dhe portier i shkëlqyer, me të cilin kam një rivalitet të këndshëm. Kam punuar gjithmonë fort, për të pasur një tjetër mundësi dhe tani dua që t’u ofroj sa më shumë siguri shokëve të skuadrës.

– Cilët janë portierët më të mirë në botë për momentin?

Lloris, Handanoviç, Pickford dhe Obkal.

– Po në Itali?

Përveç Samirit, do të veçoja edhe Donnarummën, që ka shumë të ardhme, Pastaj Cragno, që ka një reagim fantastik. Nuk dua të harroj as mikun tim, Thomas Strakoshën.

– Cilat janë ëndrrat që dëshironi të realizoni?

Të luaj në Ligën e Kampionëve dhe të fitoj një trofe. Janë maksimumi që mund të kërkoj me Atalantën.

– Si e shikon Berishën pas 10 vitesh?

Me çantën në shpinë dhe duke kërkuar për të zbuluar talente. Shpresoj të kem hapur një shkollë futbolli në Kosovë.

 

v.l/ Dita

January 12, 2019 18:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*