Porto Romano nuk po mbyllet, banorët dyshues ndaj premtimeve
Nga Arkiva
Banorët e Durrësit janë shprehur dyshues për premtimin e bërë nga kryeministri Rama, sa i takon vendgrumbullimit të mbetjeve urbane në Porto Romano.
“Ka qenë po këtu, është vendi më i ndotur në botë. Një katastrofë njerëzore për jetën e fëmijëve dhe banorëve këtu. Jo vetëm për Porto Romanon, po dhe për Spitallën e të gjithë Durrësin mbarë”, tha një banor për Top Channel.
Një tjetër banor u shpreh se i është bërë kërkesë kryetarit të Bashkisë që të ndërmarrë masa, por ai nuk ka ofruar asnjë përgjigje. Ai vijoi të thoshte se ndotja në Porto Romano përbën rrezik për shëndetin e banorëve.
“Mbi 4-5 veta kanë vdekur e të tjerë janë të paralizuar për shkak të ndotjeve që kemi këtu. Në ’97 kur u hapën depot e lindanit dhe qeveria Nano u shpreh e pafuqishme për gjendjen, ne i shkruajtëm OKB-së…Ne kërkojmë që të shuhet flaka këtu.”
Sa i takon ndërmarrjes komunale në varësi të Bashkisë Durrës, drejtuesit thonë se do të merren masa në ditët e ardhshme, ndërsa puna përgatitore ka nisur më herët.
“Kemi nisur punën dhe më herët se ardhja e kryeministrit nën drejtimin e Ministrisë së Mjedisit, për të evidentuar problematikën e 4 vendgrumbullimeve të mbetjeve urbane, ku ai i Durrësit është më problematiku. Blerja e bazës materiale për rrethimin, shtimi i punonjësve në zonë, marrjen e masave të zjarrit. Do ta bëjmë rrethimin brenda javës, po është e kotë. Duhet mbyllur kjo fushë, siç tha kryeministri”, është shprehur Syri Gjergji, kryeinxhinier i ndërmarrjes së pastrim-gjelbërimit.
s.a/dita
Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.
Komento