Praga së shpejti me “vagonat e dashurisë”

June 10, 2013 13:22

Praga së shpejti me “vagonat e dashurisë”

Frenezia e kohëve moderne nuk ofron shumë mundësi për njohje të reja dhe kur njerëzit përdorin mjetet e transportit publik mbyllen në vetëvete. Por në kryeqytetin e Çekisë është vendosur t’i thuhet mjaft vetmisë nëpërmjet “Trenave të Dashurisë”, të cilët kanë vagona specifikë për beqarët që duan të krijojnë kontakte me persona që zgjojnë interesin e tyre gjatë një rrugëtimi

Për pjesën më të madhe është vetëm një mjet transporti për të mbërritur sa më shpejt në destinacion, por metroja është vendi ku ndodhin një përzierje kulturash e gjuhësh, shkëmbime vështrimesh kurioze, buzëqeshjesh e prekjesh dhe në ndonjë rast edhe një prezantim i shpejtë midis dy personave. Megjithatë njohja ngelet në kornizën e një flirti të shpejtë sepse minutave në dispozicion u vjen fundi, ai ose ajo duhet të zbresë në stacion. Portat mbyllen (siç i ndodh Gwyneth Paltrow-t në filmin “Sliding Doors”). E nëse dashuria me shikim të parë është një episod klasik në kinema, në jetën reale nuk ndodh pothuajse kurrë që të të jepet një rast i dytë me personin që të tërhoqi aq shumë në në një rrugëtim që zgjati vetëm disa çaste.

Por tani, një mundësi të dytë njerëzit mund ta gjejnë në metrotë e Pragës, sepse në të kanë mbërritur “vagonat e dashurisë” të rezervuara për të vetmuarit. E për këtë qëllim është menduar posaçërisht edhe për strukturimin e brendshëm të tyre: të lyer me ngjyrë rozë për të krijuar atmosferën e duhur për “zemrat që janë në kërkim”.

Dashuri në shina

Të hodhi një vështrim, të buzëqeshi por pastaj zbriti. Takimet në tren janë sekuanca të shkëputura, por në kryeqytetin çek autoritetet duan të angazhohen që t’iu ofrojnë pasegjerëve një mundësi të dytë. Zemrat e vetmuara që ndeshen në galeritë e nëntokës, në fakt mund të ngjiten në bordin e “Trenit të Dashurisë”. Projekti është prezantuar nga “Ropid”, një agjenci e transportit urban në këtë qytet si pjesë e një fushate e cila synon rritjen e interesit të pasagjerëve në përdorimin e mjeteve publike.

Nisma do të vihet në zbatim nga fundi i vitit, por nuk dihet nëse do të ketë sukses apo se si do të arrihet të vërtetohet që pasegjerët janë vërtetë beqarë. Megjithatë Filip Drapal, një ndër titullarët e kompanisë që menaxhon transportin e integurar thotë: “Sot njerëzve u mungojnë mundësitë për t’u njohur. Këtu do ta kenë një të tillë. Në metro njerëzit lexojnë dhe studiojnë, por përse të mos përfitojnë për të gjetur një partner?”.

Metropolitana e Pragës, një qytet me 1.25 milionë banorë, ka tre linja. E para u hap në vitin 1974, ndërsa sot transporton çdo ditë rreth 1.5 milionë persona. Kjo përpjekje është vetëm një aventurë e shkurtër, që ka mbledhur opinione nga më të ndryshmet. Nisma të tilla janë lëshuar në të kaluarën edhe në kryeqytete të tjera evropiane. Dhe para se të fillojë kërkimi i shpirtrave binjakë në metrotë e Pragës, revista “Tyden” ka publikuar një sondazh ku rreth 55% e të intervistuarve e aprovojnë “Trenin e Dashurisë”, ndërsa 42% e konsiderojnë “një budallallëk”. “Nuk do dëshiroja të bëhesha shënjestër e thashethemeve. Çfarë do të ndodhte nëse dikush më sheh në ato vagona dhe shkon e ia tregon të dashurit tim”, thotë Karolina Vranova, pasagjere./Përgatiti: Dorina Gjuzi

June 10, 2013 13:22
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*