Pranimet e reja dhe cilësia universitare

Prof.Asoc.Dr. Hysen Binjaku September 10, 2013 23:56

Pranimet e reja dhe cilësia universitare

Arsimi i Lartë, masivizimi dhe sfida e tij drejt integrimit evropian, është një temë që ngacmon jo vetëm ata që, në njërën apo tjetrën formë, janë të lidhur me arsimin, por, në një farë mase, edhe gjithë shoqërinë. Reformat e ndërmarra herë pas here në: fushën e legjislacionit;  zhvillimin cilësor të kurrikulave dhe programeve të studimit; pranimet e reja në Shkollën e Lartë etj, janë tregues i këtij shqetësimi.

Cilësia e studimeve universitare (jo masivizimi) është e lidhur ngushtësisht me cilësinë e pranimeve. Sa do kurrikula dhe programe të mira të kemi, sa do staf akademik të mirëkualifikuar dhe të përkushtuar të kemi, nuk do të arrijmë kushedi se çfarë në produktin final që do të nxjerrim nëse që në hyrje kemi nxënës (kandidatë për student) me mangësi në formimin e përgjithshëm e sidomos me mangësi të theksuara në ato lëndë që do të përbëjnë bazën në drejtimin e studimit që ata do të zgjedhin.

Në vite, janë bërë përpjekje për të gjetur një zgjidhje sa më të pranueshme për pranimet e reja në Shkollat e Larta Shtetërore të vendit. E theksojme për Shkollat e Larta Shtetërore pasi në ato private (sot për sot) pranimet janë të lira, në kuptimin që nuk ka kuota dhe kufizime të tjera veç faktit që kandidati të ketë mbaruar një shkollë të mesme.

Në vitin akademik 1992-1993 është bërë prova e parë për t’i dhënë fund pranimeve në Shkollat e Larta Shtetërore (në këtë kohë ishin të gjitha shtetërore) me listatat e bëra nga ish Komitetet Ekzekutive të kohës. Në këtë vit akademik u aplikua pranimi me konkurs brënda disa kuotave të përcaktuara nga Qeveria. Konkurset organizoheshin dhe drejtoheshin nga Fakultetet apo Degët e Shkollave të Larta dhe po këto bënin shpalljen e fituesëvë. Ishte një risi që dalngadalë filloi të marrë rrugë dhe , pse jo, edhe të japë frute të mira. Në mjaft profile dhe programe studimi, sigurisht ato më të kërkuarat në tregun e punës, si: Mjeksia, Inxhinieria e Ndërtimit, Inxhinieria Elektronike, Ekonomiku etj. niveli i kandidatëve për konkurim, për pasojë edhe i fituesëve, u rrit ndjeshëm. Ndërsa në mjaft programe studimi, të ashtuquajtura jo të preferuara, si: Inxhinieri Mekanike, Gjeologji Miniera, Gjeodezi, Matematikë, Fizikë etj. konkurimi ishte formal, pasi numri i konkurentëve ishte pothuajse ose më i vogël se kuotat e pranimit. Megjithatë, vit pas viti deri në vitin akademik 2004-2005, me përdorimin edhe të disa stimujve ekonomik, u arrit që edhe në këto degë filluanë të shtoheshin kërkesat, pra edhe konkurimi mori kuptim.

Në vitin akademik 2005-2006 u braktis kjo mënyrë e pranimeve të reja në Shkollat e Larta Shtetërore (jemi në fillimet e Arsimit të Lartë Privat) dhe mori udhë reforma që mori emërtimin “Matura Shtetërore”. Pjesë e kësaj reforme është edhe rruga për pranimet e reja në Skollat e Larta Shtetërore. Tashmë pranimet bëhen sipas parimit “Meritë dhe Preferencë”, që do të thotë: Nxënsit (kandidatë për studentë) përzgjedhin drejtimin e studimit dhe shkollën përkatëse (preferenca) ndërsa rregjistrimi në njërën apo tjetrën shkollë të lartë bëhet sipas renditjes me pikët e fituara nga “Matura Shtetërore” (merita).

Në pamje të parë duket se dy rrugët janë krejt të ndryshme nga njëra tjetra, ose të paktën kështu propagandohet nga ata që zgjodhën të dytën. Të kuptohemi, nuk po flasim për reformën “Maturë Shtetërore” në përgjithësi, por vetëm për një aspekt të saj , për pranimet e reja në Arsimin e Lartë.

Në fakt, të dy rrugët e përdorura kanë në themel konkurimin. Në rrugën e përdorur deri në vitin 2005, pra ai që quhej konkurs, nxënsit paraprakisht rregjistroheshin në disa programe studimi (pra, preferenca) ku mendonin se nëpërmjet konkurimit mund të ishin fitues. Më pas (në periudhën 1-15 Shtator)  i nënshtroheshin disa provimeve (dy apo tre të tilla) për të cilat vlerësoheshin me pikë, këtyre pikëve u shtoheshin edhe ato të fituara nga mesatarja e shkollës së mesme (pra, merita) dhe bëhej renditja, e cila  i  shpallte ose jo fitues në programin përkatës të studimit.

Në rrugën e përdorur së fundmi, ajo që quhet “Meritë dhe Preferencë”, nxënsit maturantë (kandidatë për studentë) në fillim japin disa provime me zgjedhje (dy të tilla) me anën e të cilave grumbullojnë një sasi pikësh, të cilave u shtohen edhe pikët e mesatares dhe provimeve të detyrueshme (krijohet kështu ajo që quhet meritë) dhe, mbi bazën e pikëve të grumbulluara, bëhet renditja, e cila  i shpall fitues në njërin nga programet e studimit dhe shkollën e lartë që kanë kërkuar (preferenca).

Pra, formalisht, të dy rrugët janë konkurim, ndryshon vetëm renditja e veprimeve: nga preferencë-meritë në meritë-preferencë.

Meqënëse themi që të dy rrugët janë konkurim, po përpiqemi të tregojmë ku ngjasojnë dhe  ku dallojnë nga njëra tjetra dhe, në fund të fundit, a ka vlejtur ndryshimi i bërë?

Si rregull, kur zëvendësohet diçka me diçka më të re, e para që të shkon në mendje është pyetja: A ka lindur nevoja për ndryshim?

Para vitit akademik 1992-1993, viti kur për herë të parë u aplikua konkursi për pranimet e reja në Shkollat e Larta Shtetërore, pranimet bëheshin me vendim të ish Komiteteve Ekzekutive. A mund të bëheshin pranimet në vitin akademik 1992-1993 dhe në vijim me po atë rrugë? Kurrësesi jo!

Kjo rrugë nuk mund të funksiononte mëtej pasi kishte ndryshuar baza ekonomike në të cilën ajo mbështetej. Para vitit 1992 ekonomia dhe gjithçka tjetër që lidhej me atë ishte e planifikuar, për pasojë edhe kuadrot e larta (kështu quheshin në atë kohë ata që ndiqnin dhe përfundonin arsimin e lartë) duhej të planifikoheshin si në profile edhe në vendet e punës ku do të shkonin. I vetmi organizëm që mund ta bënte këtë ishte Komisioni i Panit të Shtetit dhe Komitetet Ekzekutive të Rretheve.

Në vitin 1993 ishim ekonomi e tregut të lirë. Atere, në kushtet kur ende ishte e pamundur që gjithësejcili mund të ndiqte studimet e larta në programin e studimit dhe shkollën e lartë që dëshironte pasi nuk ishin mundësitë e shtetit për ta siguruarë këtë (si edhe sot e kësaj dite), u gjet si zgjidhje konkursi. Pra, ndryshimi ishte domozdoshmëri.

Në vitin akademik 2005-2006, viti  kur për herë të parë u aplikua “Meritë- preferenca” për pranimet e reja në Shkollat e Larta Shtetërore, nuk ndrroi sistemi ekonomik, kishte ndrruarë vetëm forca politike që qeveriste vendin, kishte ardhur në pushtet ajo forcë politike që vuri në funksionim konkursin për pranimet e reja në vitin akademik 1992-1993. Arsye objektive që ta bënin të pa aplikueshëm konkursin, aq më shumë që qeverisnin ata që e kishin aplikuarë këtë formë, nuk kishte. Megjithatë, ndryshimi ndodhi! Pse?

Ndër argumentet e sjella për të përligjur ndryshimin, ai që u bë  më përcaktuesi, ishte se: “Konkursi për pranimet e reja ishte shndërruar  në një mjet për të bërë korrupsion”. A kishte mundësi korrupsioni dikur dhe a ka mundësi të tilla sot?

Në fakt, në kohën e “Konkursit” u kap një rast (ai në Fakultetin Juridik) kur testi i kontrollit kishte dalë dhe qarkullonte para se të fillonte konkursi. Por edhe tani në kohën e “Meritë-Preferencës” është folur për shumë maturantë që janë kapur me kopje të gatshme, më flagrant rasti i Kamzës një vit më parë. Pra, mundësia e zbulimit të fshehtësisë së testit nga hartuesit e testit, në të dy rrugët e pranimeve të reja, ekziston dhe nuk mund të themi se njëra është më e mbrojtur se tjetra.

Ndryshe ndodh me mundësinë e kopimit nga vetë maturantët. Në rastin e konkursit në një sallë ku zhvillohej konkursi konkurentët ishin nga shkolla të ndryshme dhe vende të ndryshme, pra, mundësia e njohjes me njëri tjetrin ishte pothuajse e pamundur dhe për pasojë edhe obligimi për të ndihmuar mungonte. Kandidatët e shihnin njëri-tjetrin si konkurrent dhe jo si shokë. Ndërsa sot, provimet e maturës shtetërore zhvillohen në bazë shkolle, në të njëjtën sallë janë kandidatë që kanë të paktën tre-katër vite bashkë, kanë “obligimin” për të ndihmuar njëri tjetrin madje kanë bërë edhe prova si të kopjojnë. Pjestarët e një salle provimi nuk e shohin njëri-tjetrin si konkurentë, konkurentët i mendojnë diku në një shkollë apo rreth tjetër të vendit.

Në kohën e “Konkursit” morën shtrirje të gjerë ato që quheshin  “Kurse përgatitore”. Të tilla kurse zhvillonin mjaft nga pedagogët e shkollave të larta por edhe mësuesit më të mirë të shkollave të mesme në rrethe të ndryshme të vendit. Shumëkush në atë kohë, por sidomos kur u desh të hidhej poshtë “Konkursi” si mënyrë rekrutimi  në shkollat e larta, këto kurse i kanë anatemuar, i kanë quajtur korruptivë, gati-gati si “mëkat”. Po sot, në kohën e “Meritë-Preferencës” a bëhen të tilla kurse? Sa të duash, veçse tashmë  quhen “Kurse individuale” dhe nuk  i zhvillojnë këto kurse pedagogë të shkollave të larta por pothuajse të gjithë mësuesit që japin mësim në shkollat e mesme në çdo lëndë dhe në të gjithë vendin.

Nga pikëpamja sasiore kurset janë shtuar ndërsa janë bërë më pak efektivë, më pak dobiprurës. Në kohën e “Konkursit” në shkollë të mesme punohej me nxënsit në mënyrë të diferencuar, në kuptimin që investohej punë dhe kohë më shumë nga vetë nxënsit, por dhe nga prindërit dhe mësuesit, në ato lëndë apo grup lëndësh ku: nxënsi kishte njohuri të mira; shihej më e mundur të fitohej konkursi; të ishte më e lehtë për të vijuar me sukses studimet e larta. Në funksion të kësaj, pra të investimit më tepër punë dhe kohë për të fituar konkursin në profilin që dëshirohej, zhvilloheshin “Kurse përgatitore” në një ose dy lëndë të përafërta. Ndërsa sot, në kohën e “Meritë-Preferencës”, maturantëve u duhet “të luftojnë në të gjitha frontet” pasi duhen pikët, për pasojë, “Kurse” pothuajse në çdo lëndë.

Pra, argumentat që u sollën dikur për të rrëzuar “Konkursin” dhe zëvendësimin e tuj me “Meritë-Preferencë”, për mua, nuk qëndrojnë. Për më tepër:

Pranimet e reja sipas parimit “Meritë-Preferencës” parakuptojnë se më të mirët sipas “Meritës” do të vijojnë studimet e larta në programet e studimit sipas “Preferencës”. Po të ishte kështu, të paktën në disa programe studimi dhe shkolla të larta, të ashtuquajtura të preferuara, si: Mjeksi e Përgjithshme në Universitetin e Tiranës, Financë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, Inxhinieri Ndërtimi dhe Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës, Juridik në Universitetin e Tiranës, Informatikë në Universitetin e Tiranës etj. rezultatet e provimeve në vitin e parë duhet të ishin të mira. Në fakt, shpesh dëgjojmë drejtuesit e këtyre institucioneve që të ankohen për cilësinë e studentëve të viteve të para. Pra, pranimet e reja sipas parimit “Meritë-Preferencës” me sa duket, veçse krijojnë përshtypjen se më të mirët sipas “Meritës” vijojnë studimet në programet e studimit dhe shkollën e lartë sipas “Preferencës”.

Gjithashtu, në vite, statistikat për rregjistrimet në shkollat e larta shtetërore të vendit tregojnë se janë shumë programe studimi që nuk plotësohen me kontigjentin e parashikuar, pra parimi “Meritë-Preferencës” nuk mund të aplikohet ose aplikohet formalisht për këtë kategori programe studimi.

Mendoj se, në drejtim të forcimit të cilësisë në arsimin parauniversitar dhe universitar, do të kishte ndikim për mirë rishikimi i pranimeve të reja në Shkollat e Larta Shtetërore dhe jo vetëm. Ajo që propozoj mund të jetë: kombinim i “Preferencës” me “Konkurimin”, dhe konkretisht:

1.  Në Programet e Studimit, Degët, Fakultetet apo Universitetet Shtetërore që përvoja e këtyre viteve ka treguar se nuk ka patur kërkesa të mëdha për rregjistrim (nuk janë plotësuar kuotat e parashikuara) pranimet e reja të jenë sipas preferencës nga maturantët, të lira dhe pa kufizim në numër, por me kushtin e vetëm që kandidati, në lëndën apo gruplëndët e shkollës së mesme dhe që është bazë në profilin që kërkon të rregjistrohet për të ndjekur studimet e larta, të ketë në vitet e shkollës dhe në provimin e maturës (kur lënda jepet  provim  mature) notën mbi gjashtë (jo pesë!).

2. Në Programet e Studimit, Degët, Fakultetet apo Universitetet Shtetërore që përvoja e këtyre viteve ka treguar se ka patur kërkesa të shumta për rregjistrim , janë shumë të kërkuara, pranimet e reja të jenë sipas preferencës nga maturantët por përzgjedhja të bëhet duke i’u nënshtruarë një konkursi të organizuar dhe drejtuar nga vetë shkolla e lartë. Nënkuptohet që për rregjistrim në konkurs kandidati, në lëndën apo gruplëndët e shkollës së mesme dhe që është bazë në profilin që kërkon të rregjistrohet për të ndjekur studimet e larta, të ketë në vitet e shkollës dhe në provimin e maturës (kur lënda jepet  provim  mature) notën mbi gjashtë (jo pesë!).

3. Në Shkollat e Larta Private pranimet e reja të jenë sipas preferencës nga maturantët, të lira, por me kushtin e vetëm që kandidati, në lëndën apo gruplëndët e shkollës së mesme dhe që është bazë në profilin që kërkon të rregjistrohet për të ndjekur studimet e larta, të ketë në vitet e shkollës dhe në provimin e maturës (kur lënda jepet  provim  mature) notën mbi gjashtë (jo pesë!).

 

Çfarë fitojmë, gjithmonë në drejtim të cilësisë, nga kjo skemë e propozuar?

 

Së pari, por më pak e rëndësishme, nuk ka nevojë të harxhohet aq shumë kohë për provime me zgjedhje dhe të bëhen e ribëhen llogaritje e përllogaritje koefiçentësh, pikësh e plotësime formularësh.

Së dyti, por e rëndësishme, gjat viteve të studimit në sistemin parauniversitar nxënsit (por edhe prindërit e tyre) nuk do të “rraskapiten” për të nxjerrë në të gjitha lëndët nota përfundimtare sa më të larta që të mund të përkthehen me sa më shumë pikë. Jo, ata do të punojnë më shumë, por dhe me qejf, në ato drejtime ku kanë prirje dhe njëkohësisht dëshirë për të studiuar në të ardhmen. Duke qënë se e kanë me dëshirë lëndën dhe ndërkohë do të kenë kohë më shumë për të punuar, ata do të kene jo vetëm notën e dëshiruar (sa më të lartë) por do të kenë edhe njohuri më të mira, njohuri të cilat do të bëjnë të mundur që në shkollën e lartë  të jenë më cilësorë.

Së treti, edhe kjo e rëndësishme, në shkollat e larta, në shumicën e programeve të studimit, nuk do të kemi studentë që janë rregjistruar nga halli  por kontingjente me të cilët mund të punosh dhe kërkosh më shumë, pra, në fund të fundit, edhe nivel më të lartë cilësor, aq shumë i dëshiruar.

Pedagog: Universiteti Europian i Tiranës

 

Prof.Asoc.Dr. Hysen Binjaku September 10, 2013 23:56
Komento

1 Koment

  1. albania eagle September 11, 16:17

    Studim dhe konkluzione interesante te cilat ndihmojne arsimin shqiptar qe te orientohet ne tregun e lire.Profesor Binjaku pershendetje nga nje ish-studenti juaj I viteve 88-93

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*