Universitetet/ Do garojnë vetëm maturantët me mesatare mbi notën 6

April 21, 2018 10:17

Universitetet/ Do garojnë vetëm maturantët me mesatare mbi notën 6

Pranvera Kola

Nota mesatare që kërkohet për të hyrë në garë për vijimin e studimeve të larta në një nga universitetet publike, apo private të vendit, përgjatë vitit të ri akademik 2018-2019 nuk pëson ndryshime. Qeveria ka vendosur ditën e djeshme që edhe për garën e këtij viti, të mund të garojnë për universitetin vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme nga nota 6 e lart.

I njëjti kriter do të zbatohet edhe për rastet kur kandidatët kërkojnë të vijojnë studimet e ciklit të dyte, apo në rastet kur aplikojnë për të transferuar studimet në vitet e ndërmjetme. “Për të gjithë kandidatët, të cilët kanë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë, nota mesatare për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, ose për të transferuar studimet në vitet e ndërmjetme të këtyre programeve në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2018-2019 do të jetë nota 6”, përcaktohet në vendimin e miratuar dje nga Këshilli i Ministrave.

Mesatarja për degët e mësuesisë

Nga ky rregull do të përjashtohen vetëm maturantët, apo kandidatët e viteve të shkuara që duan të garojnë për të fituar studimet e larta në një nga programet e mësuesisë. Për këta të fundit është vendosur si kriter minimal i hyrjes në garë për universitetin nota 7.

Çka do të thotë se në programet e mësuesisë do të garojnë vetëm maturantët që kanë mesatare të shkollës së mesme mbi notën 7. Ky vendim është marrë me qëllim afrimin e maturantëve më të mirë drejt këtyre degëve. Nëpërmjet këtij vendimi qeveria ka aprovuar edhe programet që do të ofrohen në degët e mësuesisë ku dhe do të aplikohet ky kriter.

Kriteret për llogaritjen e mesatares së gjimnazit

Sa i takon hapave që do ndiqen për llogaritjen e mesatares, saktësohet se: “Nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë do përllogaritet si mesatare e thjeshtë e  dy treguesve, që janë: mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve  për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë, si dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore 2018”.

E njëjta formulë do të përdoret edhe për llogaritjen e mesatares që kërkohet për degët e mësuesisë. Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe dërgimin e këtyre të dhënave në Qendrën e Shërbimeve Arsimore

Ku do shkojnë maturantët me mesatare nën notën 6?

Maturantët që nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar nuk rrezikojnë të mbeten pa studime të larta. Për këtë kategori qeveria ka vendosur që mund të aplikojnë për të ndjekur programet e studimeve të larta me karakter profesional (shkollat e larta 2-vjeçare). “Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare”.

Procedurat për maturantët e diplomuar jashtë vendit

Gjithashtu qeveria ka vendosur që të gjitha procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë do të kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore sipas kushteve të përcaktuara.

Në rastet kur nuk do të jetë e nevojshme dhënia e provimeve të Maturës Shtetërore nga këta kandidatë, komisioni përkatëse përcaktojnë mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Më pas, komisioni dërgon të dhënat e secilit kandidat tek njësia arsimore përkatëse. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Qendra e Shërbimeve Arsimore, institucionet e arsimit të mesëm të lartë, njësitë arsimore vendore dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi. Aktualisht ka përfunduar faza e regjistrimit online për plotësimin e formularëve A1 dhe A1Z, duke i hapur udhë kështu zyrtarisht provimeve të Maturës Shtetërore.

Hartimi i testeve

Testet do të hartohen në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit nga ekspertët e përzgjedhur. Anëtarët e grupeve lëndore, me kusht ruajtjen e sekretit dhe mungesën e konfliktit të interesit, trajnohen dhe angazhohen për hartimin e fondit të pyetjeve jo më të vogël se sa njëzetfishti i pyetjeve që do të përmbajë testi përkatës.

Përzgjedhja e testeve përfundimtare të provimeve të Maturës do të bëhet përmes teknologjisë digjitale. Ndërsa shpërndarja e tyre në ambientet e provimit do të bëhet nëpërmjet Postës Shqiptare, nën mbikëqyrjen e rreptë të policisë.

Datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2018 janë:

  • Testi i gjuhës së huaj (D3) do të zhvillohet me 4 qershor.
  • Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë (D1) do të zhvillohet me 8 qershor.
  • Testi i matematikës (D2) do të zhvillohet në datën 13 qershor.
  • Testet e dy provimeve me zgjedhje do të zhvillohen më 20 qershor.

 

Struktura e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje

  • Provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2018 do të fillojnë në orën 10:00.
  • Provimet e detyruara do të zgjasin 2 orë e 30 minuta.
  • Provimet me zgjedhje do të zgjasin 3 orë.
  • Testet e provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve të arsimit.
  • Testi për secilin nga 3 lëndët që jepen si provime të detyruara do të ketë në përmbajtje 25 pyetje, nga të cilat 13 kërkesa janë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen secila me nga një pikë, ndërsa 12 pyetjet e tjera do të jenë me shtjellim, të cilat vlerësohen në total me 37 pikë. Për të marrë vlerësimin maksimal nga provimet e detyruara, maturantët duhet të sigurojnë 50 pikët finale të testit.
  • Teza e provimit “gjuhë dhe letërsi greke”, për shkollën e mesme pedagogjike të pakicës kombëtare greke do të përgatitet nga Drejtoria Rajonale e Arsimit të Gjirokastrës.
  • Teza e provimit “gjuhë dhe letërsi italiane” për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-italiane do të përgatitet nga Ministria e Arsimit të Republikës së Italisë, provimi do të zhvillohet në datën 24 maj 2018 në secilën shkollë përkatëse.
  • Teza e provimit “Gjuhë frënge”, (DELF B2 scoilare) për seksionet dygjuhëshe shqiptaro-franceze do të përgatitet nga Ambasada Franceze dhe provimi do të zhvillohet në datën 24 maj në secilën prej shkollave përkatëse.
  • Testet e dy lëndëve me zgjedhje do të kenë në përmbajtje 20 pyetje, 10 prej të cilave do jenë me përgjigje me alternativa, që vlerësohen me nga një pikë secila, ndërsa 10 pyetjet e tjera do jenë me shtjellim dhe vlerësohen me 30 pikë në total. Për të marrë vlerësimin maksimal në secilin provim me zgjedhje, maturantët duhet të sigurojnë në total 40 pikë.
  • Maturantët që do të japin vetëm një lëndë si provim me zgjedhje, pasi tjetrën e kanë kaluar gjatë sezoneve të shkuara do ta fillojnë provimin në orën 11:30 dhe do ta përfundojnë atë në orën 13:00.
  • Në rregulloren e miratuar nga Ministria e Arsimit,Sportit dhe Rinisë bëhet e ditur se për të qenë kalues në këto provime, çdo maturant duhet të marrë detyrimisht 20 për qind të totalit të pikëve me të cilat vlerësohet testi i secilës lëndë.

Dita

April 21, 2018 10:17
Komento

1 Koment

  1. mirel April 22, 02:48

    Me 6 ne kohen tone veje vetem ne ullishte

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*