Pranimet në universitete/ Fatura që duhet shlyer për zgjedhjen e 10 degëve

July 13, 2017 10:23

Pranimet në universitete/ Fatura që duhet shlyer për zgjedhjen e 10 degëve

 

Pranvera Kola – DITA

Para se të aplikojnë online për renditjen e degëve ku duan të vijojnë studimet e larta, maturantët duhet të shlyejnë tarifën prej 2,000 lekësh, kosto kjo e miratuar për plotësimin e formularit të preferencave për garën e studimeve të larta.

Në prag të nisjes zyrtarisht të garës për zgjedhjen e 10 preferencave (sistemi online hapet me 20 korrik), Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka publikuar faturën që maturantët duhet të shlyejnë gjatë këtyre ditëve pranë bankave të nivelit të dytë, ose pikave të postës.

Vetëm pasi të kenë kryer këtë procedurë do mund të vijojnë më tej me aplikimin për regjistrimin e dhjetë programeve të studimit ku duan të konkurojnë për të vijuar studimet e larta gjatë vitit të ri akademik 2017-2018.

Burimet zyrtare të kësaj qendre bëjnë me dije se mandati i pagesës duhet të dorëzohet në shkollën përkatëse, ku kandidatët kanë kryer plotësimin e formularit A1 dhe A1Z.

Pasi të kenë marrë në dorëzim mandatin e pagesës, sekretaritë e shkollave hedhin në sistem notën mesatare të gjimnazit llogaritur sipas kushteve të kërkuara nga qeveria. Mesatarja e gjimnazit është një ndër kriteret bazë  që do të përdoret në selektimin e fituesve të rinj që do të pranojnë institucionet e arsimit të lartë.

Regjistrimi i preferencave në formularin përkatës do të plotësohet njëherësh në datat e përcaktuara për secilin rreth, si për garën e pranimeve në universitetet publike, ashtu edhe në ato private. Çka do të thotë se kërkesat e maturantit do të regjistrohen brenda të njëjtit formular dhe afat aplikimi.

Zgjedhja e degëve online do të lejohet vetëm për kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe janë pajisur me diplomën përkatëse, kur nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program tjetër studimi të universiteteve publike, apo private, teksa duhet të plotësojnë edhe kriterin e mesatares së gjimnazit që duhet të jetë nga nota 6 e lart.

Krahas këtyre kritereve të përgjithshme për të qenë pjesë e garës, për të qenë fitues maturantët duhet të përmbushin edhe kushtet e përzgjedhjes të përcaktuara tashmë nga vetë universitetet për garën e pranimeve të reja të këtij viti.

Për maturantët dhe kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë pranë Universitetit të Mjekësisë Tiranë, nota mesatare për programet e studimit të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike duhet të jetë më e madhe, ose e barabartë me 8, në rastin kur aplikohet për studimet e ciklit të parë “Bachelor”, ndërsa për programet e nivelit të dytë duhet të jetë mbi 8.5. Çka do të thotë se maturantët dhe kandidatët që nuk plotësojnë këtë kusht të mesatares së gjimnazit, të kërkuar nga vetë fakultetet mjekësore nuk do mund të fitojnë të drejtën për të studiuar në degët e këtyre profileve.

Aplikimi nëpërmjet formularit të aplikimit në Portalin e Maturës Shtetërore në programet e ciklit të parë të studimeve, në programet e studimeve me karakter profesional dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, në institucionet e arsimit të lartë do të kryhet në çdo mjedis që ka akses interneti. Kandidatët lidhen në portal me kredencialet e tyre: ID e kandidatit, emrin, atësinë, mbiemri, kartën e identitetit, emalin, duke zgjedhur deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të shpallura si të licencuara në të gjitha universitetet publike dhe private të vendit. Portali i Maturës Shtetërore nuk do të pranojë aplikime nga kandidatët që nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare të gjimnazit më të ulët se sa nota 6”, bëjnë me dije ekspertët e Qendrës së Shërbimeve të arsimit.

 Mundësitë për mbetësit në provimet e maturës

Sikundër ka ndodhur gjatë vitit të shkuar, edhe për garën e 2017-ës do të ketë një raund të dytë të përzgjedhjes së fituesve në universitete, për të cilin do të aplikohet në mesin e muajit shtator. Sipas udhëzimit zyrtar të MAS, ky raund do të jetë për të gjithë maturantët që do arrijnë të marrin notat kaluese të sezonit të vjeshtës për të gjitha provimet e mbetura.

Universitetet duhet që deri në përfundim të javës së dytë të muajit shtator të zbardhin kuotat e paplotësuara nga regjistrimi i fituesve të raundit të parë, kuota për të cilat do të aplikojnë më pas maturantët e vjeshtës, kandidatët që nuk janë shpallur fitues gjatë fazës së parë, si dhe nga maturantët që duan të ndërrojë degën e studimeve të fituara gjatë fazës së parë.

Në këtë raund mund të aplikojnë edhe të gjithë kandidatët, që kanë plotësuar formularin A1 dhe atë A1Z dhe rezultojnë kalues në provimet e Maturës Shtetërore, por nuk kanë arritur të aplikojnë në raundin e parë për arsye të ndryshme, po ashtu mund të konkurrojnë edhe kandidatët që kanë kryer procesin e aplikimit të raundit të parë e nuk janë shpallur fitues, si dhe ata që nuk janë regjistruar as në raundin e parë e që duan të përfitojnë nga kuotat e parealizuara, teksa do të kenë mundësi të aplikojnë edhe fituesit e raundit të parë që preferuan të ndërrojnë degën e studimit me kuotat e raundit të dytë”, detajohet në udhëzimin e MAS.

Edhe në këtë rast do të konkurrohet online me 10 preferenca. Këto përzgjedhje do të bëhen sipas një kalendari të miratuar për çdo drejtori arsimore, të cilën gjithashtu e gjeni të detajuar në tabelën bashkangjitur shkrimit. Kjo procedurë do të zhvillohet në datat 15 shtator-22 shtator.

Shpallja e fituesve të raundit të dytë do të bëhet në mbyllje të muajit shtator, për të nisur më pas direkt me procesin e regjistrimeve.

4 hapat se si duhet të aplikoni për regjistrimin e 10 preferencave

  • Plotësimi i formularit tw preferencave lidhet me përzgjedhjen e jo më shumë se 10 dhjetë programeve të studimit preferenciale midis atyre të ofruara nga universitetet publike dhe ato private për pranimet e vitit të ri akademik 2016-2017. Sipas QSHA-së, katër veprimet që duhet të bëjë maturanti për hedhjen e saktë të notës mesatare në sistem janë:
  • Së pari duhet të shkarkojë nga faqja online e QSHA-së, faturën për arkëtim tek linku përkatës, të cilën më pas duhet ta printojë.
  • Së dyti, me këtë faturë të printuar duhet të paraqitet pranë zyrave të Postës Shqiptare, apo secilit filial të bankave të nivelit të dytë për të kryer pagesën e tarifës përkatëse prej 2,000 lekësh.
  • Së treti duhet të paraqitet në drejtorinë e shkollës, në të cilën kanë bërë aplikimin e formularit A1, apo A1Z dhe të dorëzojë mandat pagesën.
  • Hapi i fundit ka të bëjë me dorëzimin e mandat pagesës , punonjësi i autorizuar nga drejtoria e shkollës hedh në sistemin informatik notën mesatare të maturantit, sipas formulës zyrtare të përcaktuar me vendim të këshillit të ministrave, e cila i hap udhë regjistrimit të 10 degëve më të preferuara, për të cilat maturanti do të konkurrojë.

Afatet për të mos u penalizuar

  • Maturantët që nuk ndjekin procedurën e mësipërme nuk kanë mundësi të aplikojnë me formularin e zgjedhjes së preferencave, për shkak të mungesës në sistem të notës mesatare.
  • Afati i plotësimit të notave mesatare në sistem nis nga data 20 korrik dhe do të vijojë deri në datën 29 korrik, kohë në të cilën përfundon edhe regjistrimi online i preferencave ku maturanti kërkon të fitojë studimet e larta. Ndërkohë që secili maturantët e secilit rreth kanë tashmë të përcaktuara datat konkrete të aplikimit.
  • Sa i takon afateve të hedhjes së mesatares në sistem, maturantët duhet të kenë parasysh edhe kalendarin e aplikimeve sipas drejtorive të arsimit. Për shembull maturantët dhe kandidatët e drejtorisë së Tiranës kanë si afat plotësimi të mesatares periudhën 20 korrik deri në 22 korrik, kohë gjatë të cilës duhet të regjistrojnë online edhe 10 preferencat e konkurimit për studimet e larta. Kjo është edhe data e fundit e aplikimit për kandidatët e kësaj drejtorie arsimore. Po në të njëjtën mënyrë do të veprohet edhe për drejtoritë e tjera arsimore.

Si llogaritet mesatarja e gjimnazit

  • Nota mesatare për pranimet e reja që do të zhvillojnë universitetet publike dhe private të vendit për garën e 2017-ës, do përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e dy treguesve të mëposhtëm:  Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit  në arsimin e mesëm të lartë, dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës/Maturës Shtetërore.
  • Kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dy vjeçare me karakter profesional nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare të parashikuar në këtë vendim.
  • Institucionet arsimore të arsimit të mesëm të lartë dhe njësitë arsimore vendore janë përgjegjëse për përllogaritjen e notës mesatare dhe përcjelljen e të dhënave pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve.

 

July 13, 2017 10:23
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*