PREKËSE / Ja sesi shokët e ngushtë rendin drejt 10 vjeçarit që u rrëzua me biçikletë

June 27, 2018 00:19

PREKËSE / Ja sesi shokët e ngushtë rendin drejt 10 vjeçarit që u rrëzua me biçikletë

PARKU I LIQENIT – Një ilustrim kuptimplotë se çfarë brezi të ri dinjitoz dhe altruist po rrisin shqiptarët, është rasti i kësaj fundjave në kryeqytet.

Duke zbatuar atë që mësuan në shkollë, një grup kalamajsh me biçikletë rendën me nxitim, duke kaluar vrikthi nëpër monopate dhe duke çarë shkurret mespërmes.

Dhe kjo vetëm për të parë nga afër situatën pasi shoku i tyre Jurgen Kaçamaku u rrëzua dhe u përplas me gjithë bicikletë pas një peme kryeneçe.

 Pasi verifikuan se kyçi i këmbës së djathtë të Jurgenit kishte dalë nga vendi, shokët e ngushtë bërtitën duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve:

“Mos e prekni, lëreni ashtu siç është se nuk bën ta lëvizim!”

Në sekondë djemtë nxorrën celularët dhe thirrën shokë të tjerë:

“Vasil, Zaçe, Muharrem, shpejtoni këtu se Jurgeni ka nxjerrë kyçin e këmbës!”, dhe nisën t’i bëjnë fotografi gjymtyrës së shtrembëruar dhe Jurgenit që ende nuk e kishte pushuar ulërimën.

“Uee plako, ça fotografish do dalin në instagram, e papame kjo poza!”, thoshin shokët e ngushtë.

“Geno, mos lëviz sa të bëj dhe një video,” tha një prej 10 vjeçarëve, “të garantoj një milion klikime në youtube!”

Pas ngjarjes, teksa ambulanca po e çonte Jurgen-ziun në spital, shoku i tij i ngushtë Frenki Skuthaj u prononcua për mediat:

“Ne na kanë mësuar në shkollë që t’u gjendemi pranë shokëve në raste të tilla. Dhe më pranë se kaq nuk bëhej,” dhe Skuthaj shtoi: “Plako, si ishte bo koma e Jurgenit, si firzamonikë! Sa gjynah si nuk e filmova kur u përplas!”        

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike pro ndihmës së parë në vendgjarje

June 27, 2018 00:19
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*