“Premtoj të gaboj”

August 10, 2018 12:12

“Premtoj të gaboj”

 

Ky qe premtimi i vetëm që i bëra, e gjithë filozofia ime në tri fjalë. Nuk besonte te mundësia e përsosmërisë, nuk bënte asgjë për ta arritur sepse, nëse nuk ekziston, pse duhet ta kërkosh?

Dhe jetonte për gjithçka që shtrihej përpara, për të gjitha mundësitë, të gjitha portat. Gjithnjë qe ora ideale për lumturinë dhe gjithnjë ishte tani. Dashuria mbërrin vetëm kur heqim dorë nga përsosmëria.

“Do të doja shumë, po lëre fare.”

Frika e llahtarshme e njerëzve, aftësia e llahtarshme për t’u ngopur me gjysmën e asaj që mund ta kenë të plotë. Ajo kishte frikë, shumë frikë, frikë se mos gabonte, se mos nuk ia dilte mbanë, frikë se mos nuk hidhte hapin e duhur në drejtimin e duhur, aq më pak, në çastin e duhur, dhe, kur ndodhi përqafimi, ishin dy trupa që u bashkuan, vërtet, por edhe shumë më tepër se aq: dy botë aq të ndryshme që nuk dinin si të bashkoheshin. Dashuria ekziston vetëm kur dy botë bashkohen pa ia pasur as idenë më të vogël se si mund të bashkohen.

“Gabimi është të kërkosh atë që nuk ekziston.”

Dhe ai këmbëngulte, e përqafonte pasi bënin dashuri dhe i shpjegonte domethënien e jetës, urgjencën e trupit, harresën e mundësisë së një çifti të përsosur për të shijuar në përsosmëri çiftin e mundshëm, ata të dy, të papërkryer si vetëm ata të dy, ai me rrudha në gjithë fytyrën, ajo e lodhur nga lufta, e lodhur nga frika, fëmijët, jeta, nga një histori e pashlyeshme pas krahëve. Dashuria ekziston vetëm kur dy njerëz takohen në mes të dy udhëve të ndryshme.

“Premtoj të gaboj.”

Premtoj të të dua deri në skaj, të të puth deri në skajin e fundit, të vrapoj kur do të mjaftonte vetëm ecja, të kërcej kur do të mjaftonte vetëm vrapimi, të fluturoj kur do të mjaftonte vetëm kërcimi. Premtoj të të përqafoj me të gjitha eshtrat, të të përshkoj mishin me urinë absolute dhe të dal në kërkim të orgazmës në të gjitha ditët, ta gjej lumturinë te ëmbëlsia absurde te e cila do të mësojmë të drejtohemi. Premtoj të dështoj. Pa ngurruar. Premtoj të jem njeri, i palogjikshëm, të them fjalën e gabuar, fjalinë e gabuar, gjithë tekstin e gabuar, të veproj pa u menduar, pse dreqin u dashka menduar kur të dua në mënyrë kaq të keqe? Premtoj të kuptoj, premtoj të dua, premtoj të besoj. Premtoj të këmbëngul, premtoj të luftoj, të zbuloj, të marr mësime e të jap mësime. Të gjitha këto, për të të thënë se premtoj të gaboj. Dhe Zoti të çliroftë nga detyrimi që të mos më premtosh të njëjtën gjë.

“Ke qenë mënyra më e bukur për të gabuar.”

Dhe ajo ndjeu që i mungonte frymëmarrja, ngurroi siç nuk kishte ngurruar kurrë, donte t’i mendonte të gjitha, t’i vendoste në pjatën e peshores të gjitha mundësitë, por kur u mbush me frymë, nuk tha: “Do të doja shumë, po lëre fare”. Kur u mbush me frymë, po mendonte si t’ia bënte që të mos mendonte për veten ato dy apo tri sekonda. Dashuria ekziston vetëm kur na ofron të paktën dy apo tri sekonda për veten. “Po gabove përsëri, betohem që do të të dua përgjithmonë.” Dhe ajo gaboi.

Shkëputur nga romani “Premtoj të gaboj” e Pedro Chagas Freitas

s.a/dita

August 10, 2018 12:12
Komento

5 Komente

  1. "Gabo e lerm te ndjej " amore ! August 10, 12:57

    Bukur ,,,
    Filozoofike ,
    ironike deri ne gjunj ,
    zbuluar deri ne majat e qershive ,
    qe zbukurojne ate gjoks
    dhredhuese si nji MISTER qe gjarperon
    DUKE TENTUAR TI JAPI JET
    nji statuje simbol i feminilitetit ,
    qe gjen gjithmon kenaqsi mes asaj anarshie ndjenje e kapricove pafund te asaj ndjenje arrogante ,
    e ndnjenjes me te komplikuar per mua Njeriun ,
    qe rritem mbas cdo Gabimi ne Jete …!

    —————————————————————-
    #Por ja ,
    perse duhet te komentosh ktu ,ne kte dhome Fantazmash,
    boshe , qe per njeriun duket te Jet e pabanushme !
    Frikacaket , kane frike te perballen me mendimin e tyre
    me Boten dhe pergjojne diku fshehur ,mbas ktij muri ,duke nxjer cepin e kokes , ku i dallohet ai sy ,
    te rrembejne dicka nga tjetri, nji die ,nji mendim ,nji x shprehje formulim . Bote surrogato !!!
    Tinzare ,qe s’u ambjentuan dot kurr me njerezimin ,me kte Bote .
    Prandaj shpesh her edhe provokojme dicka ndryshe ktu , per te ngacmuar nervin e asaj Bote ,zgjuar ate, qe per fat te keq dihet komode ne pozitionin qe ka zgjedhur te mbje vs Botes .
    Asnji diskutim .
    Prandaj edhe shpesh her ngacmojme dicka ndryshe
    ne X teme ,duke menduar ,ne kte Bote parazitesh ,te pajete ,
    perse – duhet te them un gjithmon ate qe mendoj per X teme ?
    Perse duhet te fal dicka Tinzarve qe presin si qen te uritur ti hedhesh kocken e radhes e lepihen fshehur Botes .
    Por ja ,
    nganjiher ja lejome vehetes te Gabojme ,
    qe kjo Bote te afrohet pa frike e thoje dicka
    pa u frikuar se po humb dicka nga “statusi” qe ka ne boten e tij fallso .

    Reply to this comment
  2. Te Premtova ... August 10, 14:11

    (Trishtuar)

    Oh…Zot si dita zvarriten ,
    pa ate mall.. aq Shum zgjat,
    e gjthcka ne boten time zbehet / venitet ,
    rreth meje behet Nat !

    ( Trembem )

    …n’se un Ty t’kem humbur,
    e mjergulla syt m’pengon Ty t’kerkoj ,
    fundosur ne dhimbje te nxjer shpresen e mbytur ,
    ne ate drit si dikur ,Ty perseri te shikoj …
    (Shpres)
    Te lutem ;
    Gabo perseri … 😉

    Reply to this comment
  3. Eri August 11, 01:54

    U kenaqa…shpirterisht shume….nga pjesa e shkeputur e librit por dhe komentet..mu kujtua koha e gjimnazit kur na duhej te zberthenim e ti benim analize..nje romani te caktuar…ahhhh sa te bukura ato vite…..se di a aplikohet me kjo neper gjimnaze?

    Reply to this comment
    • ´´ August 11, 09:35

      Pershednetje Eri…
      shume bukur e ke thene .

      kta sot nuk dijne se ku e perse shkojne ne shkolle ,
      i mungon cdo pasion per te studjuar ,
      si kishin ne brezi jione dikur ,
      e lere pastaj per Letersi ,qe nuk exzistojne kurr
      ato metoda si zberthehej/analizohej brendia ,fabula e X Romani ne Gjimnaze tona .

      Shkolla shqiptare sot , si cdo fushe tjeter ka humbur
      kuptimin e dikurshem ,ka humbur shpirtin e saj

      nxenesit sot nuk dashurojne shkollen si ne dikur
      plot pasion por thjeshte jane te pranishem ne te ,formalishte .

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*