Presidenti i Skënderbeut: Ja e vërteta e dosjes së UEFA-s

September 10, 2016 15:21

Presidenti i Skënderbeut: Ja e vërteta e dosjes së UEFA-s

Emri i presidentit të Skënderbeut, Ardjan Takaj, përmendet plot 25 herë në raportin e zbardhur të UEFA-s në lidhje me hetimin 6-vjeçar që i është bërë klubit korçar. Lidhje me kompani bastesh dhe dijeni për trukimin e ndeshjeve të Skënderbeut. Në adresë të kreut të klubit korçar ka akuza të forta dhe të rënda ku përfshihen edhe familjarë të tij.

Raporti i UEFA-s bën të ditur se gjithçka është bërë me synim përfitimin financiar nga bastet. Por, Takaj është dukur i qetë, edhe pse mediat dhe rrjetet sociale zienin gjatë pasdites së djeshme nga raporti i organizmit më të madh të futbollit europian.

Reagimi

“I kam parë zhvillimet e fundit dhe jam në korrent të ngjarjeve, veçse këtu bëhet fjalë për diçka tjetër nga ajo që flitet nëpër media dhe rrjete sociale. Si fillim, kam qenë unë i pari që i kam vënë të gjithë në dijeni të dosjes së UEFA-s dhe, më pas, ajo është bërë publike kur UEFA e ka parë të arsyeshme.

Në lidhje me keqinterpretimet që shkruhen, mund të them se nuk ka asnjë dosje që flet për trukim të 51 ndeshjeve apo ku ta di unë se çfarë. Në atë listë të takimeve të zhvilluara nga Skënderbeu, kanë qenë të hetuara nga UEFA dhe jo se janë të trukuara. Por, kanë qenë pjesë e hetimit dhe një gjë e tillë theksohet qartësisht në dokumentacionin përkatës.

Ndërsa ajo që është më e rëndësishme në këtë pikë dhe vlen për t’u theksuar është fakti që kur ke të bësh me një organ kaq strikt dhe rigoroz si UEFA, nuk mund të marrësh një dënim të tillë nëse ke trukuar 50 ndeshje sikundër po bëhet bujë.

Ne e kemi marrë dënimin nga UEFA në momentin kur u shpallëm të papërshtatshëm për të luajtur në sezonin 2016-2017 në Ligën e Kampioneve dhe ky është fakt që tregon se procesi është mbyllur. Me një listë prej 50 takimesh që ju i quani të trukuara, mendoni se mund të jepet ky vendim nga UEFA?!

E përsëris, ato ndeshje kanë qenë pjesë e hetimit që ka bërë UEFA dhe jo se ky organ i quan të trukuara”, përfundoi reagimin e tij presidenti i Skënderbeu, Ardjan Takaj, duke bërë me dije se klubi i tij do të dalë me një deklaratë zyrtare përmes zyrës së shtypit ku do të shpjegojë gjithçka më hollësisht.

Bardhekuqtë u dënuan nga UEFA në fillim të qershorit për të mos marrë pjesë në Ligën e Kampioneve për një vit. Në vend të Skënderbeut, në Champions mori pjesë skuadra e Partizanit.

September 10, 2016 15:21
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*