“Presidenti konsensual, një ftesë për korrupsion politik”

April 20, 2017 14:42

“Presidenti konsensual, një ftesë për korrupsion politik”

Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, e para gjë që dëgjon është se ai duhet të jetë një president konsensual. Kjo nuk është një kërkesë kushtetuese. Nëse do të duhej të zgjidhej me konsensusin e të gjitha palëve, kreu i shtetit do të duhej të merrte 140 vota. Por Kushtetuta sanksionon se për zgjedhjen e tij mjafton një votë më shumë se gjysma e votave të anëtarëve të Parlamentit.

Pra, presidenti nuk ka pse të jetë konsensual. Konsensusi, si kërkesë për zgjedhjen e kreut të shtetit,është një ftesë për korrupsion politik – thotë në këtë intervistë për DITA, profesor Fatos Tarifa.

Intervistoi Xhevdet Shehu

– Prof. Tarifa, ju keni qenë përherë një vëzhgues i vëmendshëm dhe një analist kritik i zhvillimeve politike në vendin tonë, por kam vënë re se, kohët e fundit, keni preferuar më shumë të heshtni, sesa të shpreheni për çfarë po ndodh në Shqipëri. Si duhet ta kuptojmë këtë qëndrim tuajin?

– I dashur Xhevdet, më lejoni t’ju kundërshtoj në këtë pikë, para se të vijojmë me intervistën tonë. Ju vetë më keni marrë, pak javë më parë, një intervistë për gazetën tuaj të respektuar, që u botua nën titullin “Cenimi i së drejtës së shumicës nga pakica”. Ajo intervistë bënte fjalë pikërisht për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri. Po kështu, vetëm disa javë më parë, kam botuar po në këtë gazetë dy analiza politike mbi gjendjen aktuale, njëra titulluar “Llallaizmi si sharlatanizëm juridik dhe politik (dhe si një e keqe e madhe që duhet shkulur nga rrënjët)”, dhe tjetra “Ku venë energjitë intelektuale të shqiptarëve?”.

Po kështu, disa herë jam shprehur publikisht për çështje të ditës në disa televizione. Pra, nuk kam heshtur. Aspak. Nëse nuk kam shkruar më shumë dhe më shpesh për shtypin shqiptar dhe nuk jam shfaqur më shpesh në ekranet televizive, kjo ka ndodhur sepse unë nuk jam një “analist” i llojit të atyre që shkruajnë ose flasin në studiot televizive përditë e për çdo gjë, të cilët i kam quajtur “brahmanë metafizikë të medias shqiptare”. Gazetaria dhe telestudiomania nuk janë profesioni im, as një hobby për mua. Unë jam një studiues dhe një profesor. Publiku im janë studentët e mi dhe lexuesit. Ata edhe më gjykojnë.

Ndërkohë, unë drejtoj një institucion të rëndësishëm të arsimit të lartë dhe, në këtë detyrë, si dhe në misionin tim si mësues, udhëhiqem nga parimi Weberian për ta ndarë mësimin nga politika. Për Weber-in, politika nuk ka vend në auditor, ajo është irrituese për studentët. Kjo s’do të thotë se unë nuk kam bindjet dhe simpatitë e mia politike, veçse këto nuk i shpreh në auditor, por ia komunikoj publikut të gjerë, siç edhe dëshmojnë, ndër të tjera, bashkëpunimi i ngushtë me këtë gazetë dhe kjo intervistë sot me ju.

– Është e vërtetë. Por vendi ka hyrë në një krizë politike të thellë. Opozita ka kohë që e ka braktisur Parlamentin dhe është ngujuar në një çadër, në bulevardin kryesor të Tiranës. Kryetari i Partisë Demokratike dhe disa prej eksponentëve të kësaj partie kanë deklaruar se nuk do të dalin nga ajo çadër dhe nuk do të kthehen në Parlament pa e fituar kauzën e tyre. A mund të ketë fitore në rrugë?

– I përgjigjem më parë pyetjes së fundit. Fitore në rrugë mund të ketë, por jo në një demokraci. Rruga nuk është një institucion demokratik. Rruga shndërrohet në një “institucion politik” në ato shoqëri ku mungojnë institucionet përfaqësuese demokratike. Jakobinët fituan në rrugë e në sheshe, por kundër një sistemi despotik. Forcat demokratike në Europën Qendrore e Lindore, përfshirë edhe Shqipërinë, gjithashtu fituan në rrugë e në sheshe, por kundër regjimeve komuniste, që i përjashtonin ato nga pjesëmarrja në jetën politike.

Po bëhen dy muaj nga dita që ajo çadër u ngrit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një kohë shumë e gjatë. Unë nuk di ndonjë precedent të ngjashëm. Askund. Ngritja e saj është thënë se simbolizon krizën politike në të cilën ka hyrë vendi, ndërkohë që ka edhe njerëz që shprehen se taktika apo strategjia e çadrës është e vetmja që mund ta nxjerrë vendin nga kriza!

Pak ditë më parë, në një bisedë televizive në TVSH, një “eksponente” e lartë e PD-së e quajti ngritjen e asaj çadre në bulevard dhe pengimin për dy muaj me radhë të trafikut urban thjesht një inkoveniencë për qytetarët e Tiranës, në emër të një “kauze shumë të madhe”. Ajo, madje, u shpreh se taktika e çadrës është thuajse një “perfeksion”! Nuk jam habitur ndonjëherë më shumë sesa nga këto fjalë.

Unë nuk mendoj se dy muaj më parë vendi ynë kishte hyrë në një krizë politike. Pra, nuk ishte një krizë politike reale ajo që prodhoi çadrën, por ishin braktisja e parlamentit nga partitë opozitare dhe ngujimi i tyre në atë çadër që prodhuan një krizë politike.

– Kryeministri Rama tha këto ditë se sot, në Shqipëri “nuk jemi në krizë politike, por kemi një krizë nervore të PD-së”. Si e vlerësoni ju këtë deklaratë të tij?

– Në fakt, një krizë deri dje e imagjinuar, tashmë është shndërruar në një krizë reale. Unë mendoj se kriza e sotme politike nuk është produkt i mosfunksionimit të koalicionit qeverisës dhe as i qeverisjes së keqe të kabinetit aktual. Përkundrazi, mendoj se qeverisë aktuale, pavarësisht disa dështimeve, i duhet njohur merita se ajo nisi dhe vuri në rrugë të mbarë disa prej reformave të munguara deri më sot dhe shumë të rëndësishme për fatet e vendit dhe për integrimin e tij në Bashkimin Europian.

Më të rëndësishmet ndër to janë reforma administrative, reforma në fushën e arsimit të lartë dhe, sidomos, reforma në fushën e  drejtësisë. Dy të parat u kontestuan nga partitë opozitare, por vendi nuk hyri në krizë. Debati dhe lufta politike për ato reforma u bënë në Parlament. Votat e shumicës u hapën rrugë ndryshimeve ligjore, siç ndodh e duhet të ndodhë në çdo vend demokratik.

Reforma në sistemin e drejtësisë polli krizë, sepse ky është sistemi dhe sektori më i korruptuar i shoqërisë shqiptare dhe këtu, pikërisht, varen fatet jo vetëm të gjyqtarëve e të prokurorëve të korruptuar, por edhe fatet e politikës e të politikanëve tanë të korruptuar e të lidhur ngushtësisht me padrejtësinë dhe krimin. Pikërisht këta nuk e duan reformimin e sistemit dhe po e pengojnë atë me çdo mënyrë e në çdo formë.

– Pra, ju ndani të njëjtin mendim me kryeministrin Rama se “të ngujuarit në çadër janë aty nga frika prej drejtësisë”?

– Shumë herë nuk kam qenë dakord me idetë e kryeministrit. Por, nëse z. Rama dhe Partia Socialiste që ai drejton kërkojnë reformimin e sistemit të drejtësisë, ndërsa ata që e pengojnë këtë proces me njëmijë alibira ndodhen sot në çadër e jo në parlament, ku të debatojnë e të përpiqen me forcën e argumenteve për t’u dhënë zgjidhje çështjeve më të ngutshme që kanë të bëjnë me këtë reformë, atëherë nuk kërkon ndonjë aftësi deduktive të veçantë për të kuptuar se, po, vetëm ata që i tremben reformës në drejtësi, pra edhe vetë drejtësisë, janë në atë çadër e jo në parlament.

– Cili do të jetë fati i saj, i çadrës?

– Fati i saj s’mund të jetë tjetër veçse ai i çdo çadre. Çdo çadër që hapet, mbyllet. Edhe beduinët e shkretëtirave arabe e të Afrikës Veriore i mbyllin çadrat e tyre kur, si nomadë që janë, shtegtojnë nga një vend në tjetrin. “Çadra e Bulevardit” mund të jetë një taktikë politike, por jam i bindur se, herët ose vonë, do provohet e dështuar, ndërsa si një strategji politike, në kushtet e një demokracie sado hibride, ajo është nga fillimi një dështim. PS-ja, në opozitë, e ngriti dhe e hoqi çadrën e saj si një dështim.

Nuk ka arsye që çadra e opozitës së sotme të qëndrojë e patundur, si një piramidë në shkretëtirë, edhe për shumë kohë. Ajo mund të jetë bërë një strehë “komode” e përkohshme për disa qindra militantë dhe eksponentë ambiciozë e karrieristë të partisë më të madhe opozitare, por një strehë që nuk mban për shumë kohë, një strehë që s’ka themele, një strehë që e shëmton peizazhin politik të kryeqytetit dhe e pengon ecjen përpara.

Disa intelektualë  amerikanë (profesorë universitetesh në pension), që vizituan Tiranën këto ditë, kërkuan të dinin se ç’është ajo çadër e madhe që kishin parë në bulevard. Shpjegimin tim duket se nuk e kuptuan. Njëri prej tyre tha:“Është, si të thuash, që anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit amerikan ta lënë Kongresin e të ngujohen për dy muaj me radhë në një çadër si kjo në Constitution Avenue, në Lafaytte Square, ose në Pennsylvania Avenue, përballë Shtëpisë së Bardhë, thjesht sepse nuk e duan presidentin republikan të vendit të tyre!”.

– Gjithsesi, “Çadra e Bulevardit” ka pasur brenda saj edhe ndonjë vizitor të huaj, që është shprehur se e mbështet kauzën e pozitës…

Po, ndonjë politikan në pension, ose pa kurrfarë rëndësie dhe krejt anonim në vendin e vet. Të tillë ka plot: në Itali, në SHBA, në Francë e kudo. Ata nuk është e vështirë t’i gjesh e t’i sjellësh si turistë, duke u mbuluar shpenzimet e udhëtimit e të qëndrimit. Por sa para bën? Ç’ndikim kanë individë të tillë në qarqet politike të vendeve të tyre dhe në komunitetin ndërkombëtar? Vizitat e tyre nuk mund të shërbejnë si një “alibi” për t’i thënë popullit shqiptar se protesta “e përjetshme” e opozitës në çadër gëzon mbështetje ndërkombëtare.

Qytetarët shqiptarë janë mësuar tashmë me vizitorë të tillë, madje ndjejnë alergji për disa prej tyre, edhe kur këta kanë ardhur e vijnë me mision zyrtar. A ju kujtohet, për shembull, Doris Pack, një ish-mësuese filloreje në vendin e saj, në Gjermani (por e dekoruar me urdhrin e lartë “Gjergj Kastriot Skënderbeu” nga presidenti i Shqipërisë), e cila, për më shumë se dy dekada, iu qep vendit tonë si një raportuese për Shqipërinë në Parlamentin Europian?

Nga ana tjetër, të gjithë ata personalitete politike europiane që vërtet përfaqësojnë BE-në, ose kancelaritë diplomatike të vendeve anëtare kryesore të saj, si komisionerët Federica Mogerini dhe Johanes Hahn, zëvendës kancelari dhe ministri i jashtëm i Gjermanisë Sigmar Gabriel, ministri i jashtëm i Hollandës Bert Koenders etj., janë shprehur vendosmërisht kundër “strategjisë së çadrës” që ndjek opozita shqiptare, duke kërkuar respektimin e rregullave të lojës demokratike, dialog e bashkëpunim mes palëve.

– Partia Demokratike duket se gjendet në një udhëkryq historik. Ç’rrugë duhet të marrë dhe cili është fati i saj?

– Të vjen keq kur sheh se në ç’gjendje ka rënë Partia Demokratike, kjo GOP (Grand Old Party) e Shqipërisë demokratike. Dikur, në fillimet e viteve 1990, ajo ishte një parti serioze, me intelektualë të shquar në radhët dhe në lidershipin e saj, shumë prej të cilëve (mjekë, artistë, inxhinierë, profesorë) janë larguar prej saj. Ajo parti kishte një vizion, një frymë dhe një program që i shpallte hapur dhe i mbronte në parlamentin e vendit.

Në emisionin që pashë pak ditë më parë në TVSH, PD-në e sotme e përfaqësonin dy individë që s’kanë asgjë nga vizioni, nga fryma dhe nga programi i dikurshëm i PD-së, madje që s’përfaqësojnë asgjë edhe si individë. PD e sotme ka humbur shumë nga ethosi dhe kredibilitati i saj, ashtu siç ka humbur mbështetjen e një pjese të elektoratit të saj.

Politika destruktive dhe “strategjia e çadrës” nuk të japin më shumë mbështetjeje, as brenda, as jashtë vendit. Këto janë vetëvrasëse për një parti politike moderne. Nuk më përket mua të them se ç’duhet të bëjë PD-ja në këto kushte por, meqenëse më pyetët, them se e vetmja alternativë e mençur e kësaj partie është të kthehet në parlament, t’i bëjë opozitë të vendosur qeverisë dhe të përgatitet për të marrë drejtimin e vendit në zgjedhje të rregullta, pra në rrugë legale, kur të ketë fituar simpatinë dhe besimin e shumicës së qytetarëve.

– Si e shihni LSI? Përfiton politikisht nga një situatë e tillë? Ç’duhet të bëjë kjo parti në rrethanat e sotme?

– Nuk mendoj se rrethanat e krijuara nga bojktoi i Parlamentit dhe shtyrja e zgjedhjeve janë në interesin e LSI-së. Zhvillimet e kohëve të fundit në Shqipëri po e vonojnë dhe pengojnë çeljen e negociatave për integrimin e vendit tonë në BE, ç’ka përfaqëson jo thjesht emrin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe filozofinë e saj.

LSI mund të fitojë një ose dy vota më shumë në parlamentin e nesërm shqiptar, por rrezikon të humbasë një moment historik për zhvillimin e saj nëse nuk shprehet hapur sot kundër bojktotit të rregullave demokratike të lojës.

– Një qeveri teknike që do të përgatiste zgjedhjet e ardhshme. A ka bazë dhe a është legjitime një kërkesë e tillë?

– Nëse koalicioni qeverisës do të shpërbëhej, ose nëse kryeministri aktual dhe qeveria e tij do të humbisnin një votë mosbesimi në parlament, atëherë po, një qeveri teknike do të duhet të drejtonte vendin deri në zgjedhjet e ardhshme. Por ne shohim se parlamenti po miraton projektligje me 80 e kusur vota. Pra, ai funksionon, e po kështu edhe qeveria.

Qeveria aktuale, e dalë nga zgjedhjet e katër viteve më parë, duhet lënë të punojë deri në zgjedhjet e reja. Të krijosh një qeveri teknike dy muaj para zgjedhjeve, do të thotë të krijosh një terren për më shumë amulli, për më shumë vjedhje, për rrumpallë.

– Zgjedhja e presidentit të ri është bërë objekt debatesh të shumta politike dhe ka hyrë tashmë në intervalin kohor brenda të cilit kreu i shtetit duhet të zgjidhet kushtetutshmërisht. Si duhet të zgjidhet dhe ç’duhet të përfaqësojë kreu i ri i shtetit?

Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, e para gjë që dëgjon është se ai duhet të jetë një president konsensual. Kjo nuk është një kërkesë kushtetuese. Nëse do të duhej të zgjidhej me konsensusin e të gjitha palëve, kreu i shtetit do të duhej të merrte 140 vota.

Por Kushtetuta sanksionon se për zgjedhjen e tij mjafton një votë më shumë se gjysma e votave të anëtarëve të Parlamentit. Pra, presidenti nuk ka pse të jetë konsensual. Konsensusi, si kërkesë për zgjedhjen e kreut të shtetit,është një ftesë për korrupsion politik.

Presidentin e çdo vendi demokratik e zgjedhin ose shumica e qytetarëve, kur ky zgjidhet nga populli, ose shumica a përfaqësuesve të tyre në organin më të lartë legjislativ. Mendoni, për një çast, sikur për zgjedhjen e presidentit të Shteteve të Bashkuara, të Francës, të Italisë apo të kujtdo vendi tjetër të kërkohej konsensusi i popullsive të këtyre vendeve ose i përfaqësuesve të tyre në parlament. Në një sistem demokratik, është shumica ajo që vendos.

Po kështu, edhe zgjedhjen e presidentit të ri shqiptar duhet ta zgjedhë shumica në parlamentin e këtij vendi, siç edhe ndodhi me zgjedhjen e presidentit aktual. Për mua, i rëndësishëm nuk është konsensusi (në fund të fundit konsensus të plotë në politikë as nuk ka pasur dhe as mund të ketë); e rëndësishme është që individi që do të zgjidhet në krye të shtetit të ketë integritet, të jetë i aftë dhe të qëndrojë tërësisht mbi palët.

– Një ndër kritikat më të shpeshta që i bëhen kryeministrit Rama është se ai nuk ka ditur të zgjedhë (dhe nuk ka) këshilltarë të urtë që ta ndihmojnë në punën e tij. A ndani edhe ju të njëjtin mendim?

– Këtë kritikë e bëj edhe unë. Kryeministri Rama duket se nuk i ka shpëtuar dot “Sindromit Nano”. Kur ishte kryeministër, Nano shprehej se ai vetë i zgjidhte këshilltarët e tij jo për të marrë këshilla prej tyre, por për t’i këshilluar ata.

 -Mes tërë këtyre ngjarjeve, madje mbi to, si një Zeus në majën e Olimpit, duket se qëndron Sali Berisha. Shumë njerëz mendojnë se ai është truri dhe dora e të gjitha veprimeve të opozitës së sotme. A mendon Fatos Tarifa se kjo është e vërtetë?

– Krahasimi me Zeusin, “mbretin e zotave”, është jo fort i gjetur, për një njeri, i cili, edhe pse ka bërë të fortin në politikën shqiptare, nuk ka qenë dhe nuk është një mbret i saj. Përveç fjalimeve të tij të gjata në sallën e Parlamentit, të cilat unë s’kam kuptuar asnjëherë pse i lejojnë të jenë pa limit, si një “filibaster” në Senatin amerikan, zoti Berisha duket se i është larguar disi politikës aktive.

Pas një çerekshekulli të gjatë në politikë dhe pas 13 vitesh në drejtimin e vendit, si president dhe si kryeministër, është koha që ai të tërhiqet tërësisht nga jeta politike. Shqipëria dhe shqiptarët janë lodhur me të, edhe nëse ai vetë nuk është lodhur nga pushteti.

– Një pyetje e fundit: Këto ditë vizitoi Tiranën një delegacion kinez i nivelit të lartë, i kryesuar nga zv.kryeministri i parë, dhe i përbërë nga disa ministra dhe nga rreth 100 biznesmenë. Vëmendja ndaj kësaj vizite nuk ishte ajo që do të duhej, ndoshta për shkak të krizës politike në vend, ndoshta për shkak të vizitës së ministrit të Jashtëm gjerman, ose ndoshta për shkak të një kompleksi apo paragjykimi politik. Si do ta konsideronit ju këtë vizitë dhe qëndrimin ndaj saj?

– Me sa di unë, kjo ishte e para vizitë e një delegacioni kinez të një niveli kaq të lartë në Shqipëri pas shumë dekadash, më saktë qysh nga koha marrëdhënieve “vëllazërore” kino-shqiptare. Edhe vetëm ky fakt do të mjaftonte që kjo vizitë të vlerësohej si shumë e rëndësishme për ne. Unë nuk kam mundur ta ndjek nga afër vizitën e atij delegacioni, por do të kisha dëshiruar që zyrtarët e lartë kinezë dhe biznesmenët që i shoqëronin ata, të cilët përfaqësojnë fuqinë e dytë ekonomike më të madhe të globit, pas Amerikës, të ishin pritur siç meritojnë. Kina është një vend që duhet marrë seriozisht.

Një vit më parë, në Hong Kong, m’u dha rasti të marr pjesë e të flas në një konferencë të madhe që i kushtohej projektit të madh të qeverisë kineze “One Belt, One Road”. Ky projekt do ta lidhë Kinën ekonomikisht (por jo vetëm ekonomikisht) me Europën, me Azinë dhe me Afrikën përmes ndërtimit të rrugëve tokësore (hekurudha e autostrada) deri në Detin Balltik dhe në Detin e Veriut, dhe përmes rrugëve detare. Shumë vende europiane janë pjesë e këtij projekti gjigand shumëmiliardësh, përfshirë edhe Turqinë, Greqinë, Rumaninë, Poloninë dhe Serbinë. Shqipëria duhet të synojë rritjen e investimeve kapitale kineze në projektet tona zhvillimore në infrastrukturë.

Edhe pse ende një vend komunist, Kina ka një ekonomi tregu të zhvilluar, siç ka dhe mundësi të shumta dhe një prirje të natyrshme për t’u shtrirë ekonomikisht në çdo rajon të botës, përfshirë edhe vendet më të zhvilluara, madje edhe vetë Shtetet e Bashkuara. Nuk besoj se ne, shqiptarët, duhet të jemi më paragjykues se amerikanët ndaj potencialit dhe synimeve të kapitalit kinez. Barrierat ideologjike kanë rënë dhe në një botë kaq të globalizuar, si kjo e sotmja, ideologjinë e kanë zëvendësuar politikat ekonomike e tregtare pragmatiste. Shqipëria ka nevojë për më shumë inteligjencë e pragmatizëm në politikat e saj, përfshirë edhe ato ekonomike e tregtare.

Botuar sot në DITA

April 20, 2017 14:42
Komento

7 Komente

  1. Roza April 20, 15:46

    Oh sa bukur, sa mire qe intervistoni dhe merrni mendime nga profesor te tille qe ben analiza te nje niveli shume te larte, me gjuhe shume te zgjedhur dhe tere etikete qytetare.
    Faleminderit Gazeta Dita! Shpresojme te lexojme me shume si keto shkrime.

    Reply to this comment
  2. Agroni April 20, 16:37

    Ne qoftese edhe presidenti i ardhshem, do te jete po i kesaj mostre, si ky palaco, Nishani, qe kemi tani, do ishte, me mire, te mos zgjidhnim, asnje president!
    Sa per kete soj demokracine qe kemi ne, po me mbushet mendja se mbreterite ane me te fituar, ne kete pike! Mjafton te shohesh mbretereshen Elizabeth! Keta presidentet duan pensionen te majme, per 4 vjet pune!

    Reply to this comment
  3. Aliu nga Selenic April 20, 17:19

    Jo thjeshte nje analize, pore edhe nje udherrefime per ti paraprire dhe per te zgjidhur ne rrugen e duhur problemet qe preukupojne vendin .
    Shqiperise nuk i mungojn intelektuar me mendje te ndritur, pore keto mendje te ndrituar edhe duhet te degjohen edhe duhet te rrespektohen edhe duhet te inkurajohen qe shqiperise ti paraprijen mendjet e ndritura.!
    Populli thotr.” Nje mendje hiq mendje, dy mendje nje gjysme dhe ter mendje eshte nje mendje e shendoshe.” qe do te thote thithja e mendimit te intelektualve te shquare eshte nje domosdoshmeri e madhe. Nje njeri sado i zoti te jet , nuk ka mundesi te njohe te gjith problemetikat qe ka.
    Keshtu te thithim kete pak tru te kombit qe ka mbetur ne shqiperi.!

    Reply to this comment
  4. Preng Pjetri Lezhe April 20, 17:56

    I nderuar z.Tarifa
    I nderuar z.Thano
    Data e zgjedhjeve dotë bie më gjithë firmetarin e dekretit.
    Edhe presidenti dotë deshtojë. edhe zgjedhjet dotë shtyhen.
    Ky është fryti që prodhoj çadra e opozitës sigurisht më ndihmen e
    aleatëve (sekret)që aktualisht janë pjese e koalicionit qeverises.
    Asnjë versjon tjetër nuk mund te hamendet
    asnjë azhonin politik nuk qendron nê kembë.
    Duan apo s’duanë shqiptaret partia e Berishes e merrë gjithemonë ate
    qe don nga politika sigurisht!
    Kryeministri Rama sote ështê mes dy zjarresh perveluese.
    LSI nga brenda dhe çadra e opozite në bulevardin perball kryeministrise.
    Dhe sikur të mos mjaftonte gjithë ky mish-mash tamam ne ditet më te
    tensionuara vjen per dreq edhe nyja e presidentit.
    Pra sot çdo kush e ka nuhatur se zgjedhjet dote shtyhen ose ndofta
    dote pershpejtohen.
    Ligji shprehet se mos zgjedhja e presidentit shperndahet parlamenti
    dhe behen zgjedhje te parakoheshme.
    Matematikisht i bie qe data 18 qershor rrezohet.
    Madje edhe KQZ thuajse po lajmeron per deshtimin e kesajë date.
    Kanë perfunduar te gjitha afetet kohore per tu rregjistruar qofshin
    partit politike apo koalicjonet para zgjedhore.
    Asnje shanc dhe mundesi nuk qendron per të zbatuar daten qe presidenti
    ne largim dekretoj per keto zgjedhje parlamentare.
    Kryministri Rama mendoj se duhet dorehiqet nje ore e me pare. Jo per i
    plotesuar tekat Lulzim Bashes dhe skenaristit destabelizues Sali
    Berishes.
    Por per të ruajtur paqen dhe stabilitetin e Shqiperise.
    Nese partia socjaliste ështê partia me e madhe e majtë ne vend edhe
    partia demokratike eshte po aq e madhe ne kahun tjeter.
    Ndaj pa partine demokratike nuk mund te ketë kurre zgjedhje sepaku per
    ktë ligjestature.
    Me pare duhet gjetur zgjidhja pastaj tê behen zgjedhjet.
    Te gjithe e kuptojme se kerkesat e opozites jane anti kushtetuese.
    Mirpo de fakto ne Shqiperi sot as gjë s’po behet ne pajtim me ligjet
    dhe kushtetuten kete e dime te gjithe.
    Ndaj zoti Rama është i vetmi zot qe mund ta zgjithe ketë nyje.
    Ndryshe dotë i kushtoje shume shtrejt qytetareve dhe Shqiperise.
    Nese zoti Rama dote marre kete inicjative emancipuese duke u larguar
    nga detyra qe shqiptaret ja besuan me njemiljone vota.
    E nesmja dote jete akoma me trimfiuese per partine socjaliste dhe vete
    zotin Rama.
    S’ke çbën kur te bie djalli ne sahan!
    Nga Preng Pjetri Lezhe

    Reply to this comment
  5. Vasil Puci April 20, 17:57

    Kemi pritur per burrat e shtetit.

    Me qiri i ka kerkuar populli shqiptar burrat e shtetit.Ata dukeshin e zhdukeshin. Dolen vete ne rilindje kombetare e ne pamvarsi.Eshte zor te behesh burre shteti.
    Ambasadori i ikur Amerikan Arvizu nga padija apo shpejtesia na e permendi se Sali Berisha eshte burre shteti.
    U cudit populli,u cudit diplomacia u cudit politika.Berishes i pelqeu termi ” burre shteti” dhe eci neper monopate ku demokracia thyen qafen. Shkoi ne diktature me regjimin si term Berisha i I-e, Berisha i II-te. Ashtu si Amet Zogu.
    Ky “burre shteti” u rrezua me vote dhe Arvizu nuk foli me per “burrin”
    Doli me nje burre shteti tjeter qe u quajt yll ne rritje ylli Lulzim Basha.
    Ky “yll” ju fshe gjyqit per rrugen e kombit e vrau me 21 Janar me radio ne dore. Ky”yll” ndejti 4 vjet me zor ne zyrat e bashkise per 10 vota gabim.
    Ky “yll” tani i thote ” burre i shtetit” te ngrene nje cader.Ja pse duhet cadra?
    Lulezim Basha nuk flet dot ne parlament se nuk eshte “burre shteti” por eshte “yll”.
    Qe te cfaqet “ylli” ai duhet te shikohet nje here paradite me kamera nje here mbasdite.
    Kete mundesi ja jep televizioni.Ai batutat i shpjegon me gisht dhe kercenon se do beje hatane.
    Dhe njerzit qeshin ku eshte katandisur Partia Demokratike.
    “Ylli”,Basha permend termin se ne po luftojme ne rrethim s’pyesim per B.Europian.
    Lodrat e Sali Berishes me cader ne radhe te pare duhet t’i shkaterroi Kavoja asaj i ra radha.
    Pastaj zgjedhjet e qershorit vulosin “burrat e shtetit” te partise demokratike..
    “Burrat e shtetit” e provuan veten me delegacionin gjerman.
    Me shkelm i nxori nga zyra gjermani keta fare burra shteti si Mediu e Dule.
    Dhe pse eshte nga bota e artit Edi Rames i jepet rasti te behet burre shteti.
    Nje rruge e dy pune.
    Te beje shtet me vetingun dhe te shpetoje cfare mundet nga plaga me qelb qe ka zene Partia Demokratike.
    Ky fat atij i ra.

    Reply to this comment
  6. shpresa April 20, 22:07

    Megjithate , ne nje pike , une s’jam dakort me zotin Tarifa; Presidenti nuk eshte korrupsion politik ne qoftese zgjidhet me konsensus, eshte hane hane moj kushtetute ne kete menyre. Ne kushtet egzistuese dhe gjendjen e prodhuar nga opozita me kerkesat absurde, te tjeret nuk duhet te shkojne pas nje te çmenduri si Basha ne kete rast. Kur hypen nje njeri ne katin e 15 dhe thote do hidhem po nuk i plotesojne ndonje kerkese, perse policia nuk i thote: hidhu se s’kemi kohe te merremi me ty?. E, pra, zoti Tarifa, duhet kuptuar drejte se kushtetuta ka ligje qe duhen zbatuar nje per nje, por kur ajo s’e ndalon zgjedhjen e presidentit me konsensus, perse mos ta bejne? Ne fund , kjo eshte politika dhe sidomos per te çmendur si ata te pd-se ne çader.

    Reply to this comment
  7. shushica April 21, 00:33

    I nderuar profesor ,duke qene dakord me shumicen e mendimeve ,dua te theksoj qe Kina ,pavaresisht te emrit komunidte qe ka partia drejtuese ,nuk eshte nje vend komunist ….Kina eshte nje vend hibrid ,nje zhvillim i ri ne historine e njerezimit .Zhvillimi ekonomik ,teknik ,shkencor ,kulturor i Kines ne afro 30 vite eshte nje ngjarje epokale ne historine e njerezimit.Kina ka resurse financiare ,teknike shkencore dhe ekonomike qe praktikisht po investohen ne cdo kend te globit .Eshte fatkeqesi qe politika jone servile ,provinciale ,frikacake nuk perfiton nga gatishmeria e Kines per investime ne Shqiperi,veyem sepse dikush mund te beje nje artikull apo deklarate mbi rritjen e influences kineze ne Shqiperi.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*