Presioni politik për nxjerrjen e Greqisë nga Shengeni

December 3, 2015 18:38

Presioni politik për nxjerrjen e Greqisë nga Shengeni

Pa u shuar ende efektet, që shkaktoi kërcënimi evropian për daljen e Greqisë nga Eurozona, Athina zyrtare po përballet me një tjetër presion ekstrem, dalje nga zona Shengen. Ndonëse autoritetet greke i kanë mohuar zëra të tillë, presionet janë reale. Por, çfarë po ndodh me Greqinë dhe pse Unioni po rishfaq sërish një lloj ezaurimi, lodhje apo nervozizëm përballë politikës greke ?

Përballja me krizën e refugjatëve ka zhvendosur javët e fundit një vëmendje të lartë ndaj Greqisë, sa për hir të pozicionit gjeografik dhe të qenurit një portë hyrëse për në Union, por edhe për shkak të angazhimit dhe detyrimeve të larta, që rrjedhin për administrimin dhe menaxhimin e kësaj krize. Ky administrim dhe menaxhim, ka një efekt zinxhir, pasi vendimmarrjet e fundit politike në nivel evropian, kanë imponuar ngritjen e qendrave pritëse (hot spots), në pikat hyrëse nga kufijtë e jashtëm të Unionit, ndër të tjera Greqia, ku do të mundësohet jo vetëm regjistrimi i të gjithë migrantëve dhe kategorizimi i tyre (azilantë/imigrantë ekonomikë), por më pas edhe rishpërndarja në vende të ndryshme të Unionit. Kjo vendimmarrje politike është shoqëruar edhe me një nivel të konsiderueshëm mbështetje financiare për realizimin sa më shpejt të tyre në terren. Ngritja e këtyre pikave pritëse, vlerësohet se do të krijojë një menaxhim të mirë të situatës, nëpërmjet kontrollit, identifikimit, regjistrimit, rikthimit, si edhe shpërndarjes së ekuilibruar, duke evituar drejtimet e larta të flukseve, vetëm ndaj disa vendeve të caktuara të Unionit.

Por, çfarë po ndodh aktualisht ? Situata gjen pasqyrim real në një letër që Komisioneri Evropian për Shëndetësinë, Andriukaitis i ka dërguar kreut të KE-së Junker, pas vizitës së tij të fundit, në ishullin grek të Lesbos. Pjesë të kësaj letre, të zbardhura pjesërisht nga shtypi belg shfaqin një situatë tejet të rënduar, me karakter të fortë tragjik:

(…)

“ Isha në breg, një anije e vogël mbërriti, kishte brenda fëmijë të vegjël, gra, bebe, disa të sëmurë, disa të plagosur, të tjerët thjesht të lodhur, të ngrirë nga i ftohti dhe të dehidratuar. Nuk kishte vend ku të ekzaminoheshin, apo të trajtoheshin, nuk kishte as pajisje, as staf mjekësor..(…) as ambulancë, as kujdes urgjence, as batanije. Më thanë se, tre fëmijë të vegjël, që kishin mbërritur në të njëjtin plazh, vdiqën nga hipotermia….(…) Në një qendër pritje, vetëm pak larg nga plazhi, pashë një mjek të vetëm, që trajtonte shumë pacientë, ndër to një bebe të sapolindur, në një çadër të vogël, pa elektricitet, pa pajisje, pa kushte. Kam parë familje, që zhvendoseshin (…) fëmijë vetëm dy a tre vjeç, që ecnin në të ftohtë, të ngrirë, të uritur, të sëmurë. Në mbrëmje, atëherë kur po ngrija nga i ftohti, u tmerrova tek shikoja njerëzit, që po përgatiteshin të flinin jashtë.

(…)

President, nuk isha në Afrikë javën e kaluar, as në ndonjë vend të largët në zhvillim. Isha dëshmitar i kësaj situate, në Bashkimin Evropian, në ishullin e Lesbos, në Greqi, në plazhin e Skala Sykamias, ku mbërrijnë anijet, në qendrën pritëse të Morinës…

Kjo është e papranueshme. Nuk kishte gjurmë të Bashkimit Evropian dhe njerëzit më pyesnin: Kur do të vijë BE ? Kur do të vijë, që të na ndihmojë ?

(…)

Është e papranueshme që fëmijët të vdesin pasi nuk ka në plazh spitale të vegjël të lëvizshëm, të pajisur, me staf dhe disa ambulanca. Është e papranueshme që njerëzit të vdesin nga pneumonia vetëm se, nuk ka mjaftueshëm tenda, batanije apo ngrohëse.”

Duket se ky pasqyrim i situatës pas vëzhgimit në terren të Komisionerit ka tronditur Unionin.

Po, përse kjo tronditje ? Në fakt, ka disa aspekte të rëndësishëm, që të ndërthurur e bëjnë thuajse të pashmangshëm krijimin e këtij nervozizmi të lartë në Union.

Së pari, ato lidhen me pandjeshmërinë e lartë humane, që autoritetet greke po demonstrojnë ndaj kësaj krize. Kjo pandjeshmëri, që reflektohet në terren nga mungesa e kushteve bazike, duke shkaktuar tragjedi të vazhdueshme njerëzore, nuk lidhet aspak me aspektin ekonomik dhe mungesën e fondeve për përballimin e saj. Fondet në nivel evropian janë jo vetëm të mirë akorduara por, ajo çka duket ende më e rëndë është se, radikalët e majtë në qeveri, nuk kanë as vullnetin më të vogël qeveritar të angazhojnë mekanizmin e ndihmës dhe të asistencës në nivel evropian, që do të mundësojë në kohë reale, pajisjen me materialet e duhura bazike për menaxhimin e kësaj situate. Nuk kërkohet asgjë e komplikuar, me ndonjë filozofi të stërholluar, thjesht dërgimi i një shkrese në Union, për aktivizimin e këtij mekanizmi.*

Së dyti, është po kjo mungesë e theksuar e vullnetit politik të qeverisë së Tsiprasit, që zvarrit dhe frenon ngritjen e pikave pritëse, aktivizimin e mekanizmit të ndihmës materiale në kuadrin civil, por edhe instrumente të rëndësishëm si marrja e ndihmës së shpejtë nga ekipet e ruajtjes kufitare në kuadrin e Frontex. Kjo e fundit, po zvarritet nën pretendimin se Greqia është një vend i pavarur dhe se duke qenë një shtet sovran, kjo bie tërësisht ndesh me sovranitetin e tyre.

Kërcënimet për përjashtim

Në fakt, që me ardhjen e tyre në pushtet, radikalët e majtë të Greqisë kanë arritur të shkaktojnë  jo pak nervozizëm në Union. Nervozizëm, që lidhej sa me retorikën e tyre të fortë mohuese dhe përjashtuese ndaj çdo akti, që prekte detyrimin e Athinës për shlyerjen e borxhit kreditorëve ndërkombëtarë, por më pas edhe me mënyrën se si, radikali Tsipras luante me tërheqjet nga negocimi, blofet dhe referendumet. Tjetër situatë inkuadrohej në bisedimet në Union, dhe krejtësisht tjetër panoramë i ofrohej publikut grek, nga e njëjta platformë oratorie.

Ishte ky nervozizëm, i kombinuar edhe me faktorë të tjerë realë mbi rrënimin e ekonomisë greke, pamundësinë për rimëkëmbje të gërshetuar me mungesën e vullnetit politik për angazhim konkret, që shfaqën hapur kërcënimin evropian për dalje të Greqisë nga Eurozona. Kërcënim, që detyroi Tsiprasin të firmoste një marrëveshje edhe më të rënduar nga çka ofronte tavolina e negocimit, përpara kryerjes së referendumit popullor.

E njëjta situatë duket se po përsëritet edhe me krizën e refugjatëve. Mos menaxhimi i duhur i saj nga autoritetet greke, mungesa e hapur e vullnetit për të bashkëpunuar, për të kërkuar ndihmë nga Unioni dhe për të aktivizuar mekanizmat e asistencës urgjente, në mënyrë që të ndalen tragjeditë e mëtejshme njerëzore në terren duket se, përbëjnë shkakun kryesor të rishfaqjes së nervozizmit evropian. Nervozizëm, që theksohet edhe më tej, tek has në paradokse të paimagjinueshme, kur ftohtësisë helenike në përballje me tragjeditë njerëzore, i shtohen pretendime dhe presione të vazhdueshme nga radikalët në pushtet, për rritje të shifrave financiare, apo për më shumë “elasticitet” nga BE ndaj Athinës për kryerjen e reformave, që kërkohen në vend.

Radikalët e majtë ia kanë dalë të hyjnë në histori, në marrëdhëniet e Greqisë me Unionin, si e vetmja forcë politike, që e ka shtyrë vendin drejt linjave të kuqe të përjashtimit. Rrezikuan me Eurozonën, po rrezikojnë sërish edhe me Shengen. Lëvizje dhe manovra politike, që nuk demonstrojnë aspak maturi politike, apo shenja të një vizioni largpamës. Por, ngushtojnë skemën e ndërveprimit, duke e detyruar palën tjetër të orientohet drejt skenarëve ekstremë. Me shpresën, se vetëm përballja me limitin dhe ekstremin, do ta detyrojë qeverinë radikale t’i rikthehet reflektimit dhe detyrimit për bashkëpunim. /im.ta/

 

* Sot më datë 4.12.2015, konfirmohet se Greqia është dorëzuar përpara presioneve për pezullim nga zona Shengen, përgjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së, duke pranuar ndihmën e ofruar nga BE, nëpërmjet aktivizimit të mekanizmit të ndihmës materiale në kuadrin civil, për patrullimin e vijave të saj kufitare nga përforcime të ekipeve të Frontex, si edhe për ardhjen e ekspertëve, që do të mundësojnë regjistrimin e migrantëve në kufirin me Maqedoninë.

 

December 3, 2015 18:38