Pretenca e gjyqit të 77-s: Bashkëpunimi i Këllezit me Lipe Nashin dhe fatura e sabotimit në naftë

Kujtim Boriçi October 22, 2013 11:38

Pretenca e gjyqit të 77-s: Bashkëpunimi i Këllezit me Lipe Nashin dhe fatura e sabotimit në naftë

Bashkëpunimi me Filip Nashin e Piro Gushon i armiqve Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil kati, nisur nga pikëpamjet e njëjta armiqësore, sollën një aktivitet intensiv e me dëm të konsiderueshëm ekonomik në fushën e naftës! Kështu akuzon Kryeprokurori Rrapi Mino në pretencën për katër të pandehurit, të cilësuar si “Grupi armiqësor në fushën e ekonomisë”. Sipas tij, ky bashkëpunim armiqësor në grup, u përqendrua në shpim-kërkimin e naftës e gazit, ku periudha më aktive e me pasoja të rënda për vendin, është ajo e viteve 1969-1974….

*          *        *

 (Leximi i pretencës nga Prokurori Rrapi Mino)

Prokurori Rrapi Mino: Shokë Gjyqtarë! Provat e mbledhura vërtetuan se në këtë punë sabotuese , krahas veprimeve armiqësore të renditura, një vend të rëndësishëm zë gjithashtu goditja e karakterit shkencor të ndërtimit të planeve. Me qëllim që  të krijonin shpërpjesëtime në degët e rëndësishme të ekonomisë dhe ta vinin këtë në vështirësi, i pandehuri Abdyl Këllezi, në marrëveshje paraprake me armiqtë Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati, bënë përpjekje që në planet e shtetit të fusnin të dhëna ireale , zëra dhe shifra që nuk i përgjigjeshin realitetit, të fryra dhe të pa realizueshme. Kështu u veprua nga këta armiq në drejtim të planeve të hartuara për luftën, në planet e importit, bujqësisë, etj…, ku për ti shpëtuar vigjilencës dhe kërkesës së llogarisë si dhe për të realizuar punën e tyre armiqësore kanë manipuluar në hartimin e planeve metodat e mashtrimit, gënjeshtrës dhe falsifikimit të të dhënave, të paraqitjes në ‘to të gjërave që nuk i përgjigjeshin aspak të vërtetës, realitetit objektiv. Lidhur me këtë, deponuan dhe vetë të pandehurit:

I pandehuri Abdyl Këllezi deponoi:”Kam goditur karakterin shkencor të planifikimit, duke vepruar në mënyrë të ndërgjegjshme  për hartimin e  planeve të fryra e të pa realizueshme. Një vijë armiqësore të përbashkët për hartimin e planeve, duke vënë shifra të parealizuara, kemi ndjekur me Koço Theodhosin e Filip Nashin në hartimin e planeve të naftës, si për shfrytëzimin, ashtu edhe për realizimin e vendburimeve të reja”.

Koço Theodhosi, bashkëpunëtori në krim deklaroi:”Në planet vjetore dhe ato perspektive, që nga viti 1970 e këtej, fusnim shifra të fryra për bujë dhe jo për tu realizuar”.

Në këtë drejtim, për vitin 1974, sikurse u vërtetua nga tërësia e provave, këta armiq vunë në planin e  prodhimit 270.000 ton naftë për t’u marrë nga vendburimet e Sarandës, në një kohë që ishin në dijeni të plotë se në zonën e këtij rrethi nuk kishte naftë, duke mashtrua kështu Komitetin Qendror të Partisë dhe Këshillin e Ministrave.

Si përfundim, grupi i sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe në ekonomi i kryesuar nga Abdyl Këllezi, me bashkëpunëtorë kryesorë Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil kati, të ndërgjegjshëm se mbi bazën e planifikimit të ekonomisë popullore vihet në zbatim vija dhe programi i Partisë në ndërtimin socialist të vendit, për të goditur dhe sabotuar këtë vijë dhe program, kanë bërë çdo përpjekje për ta bërë këtë parim pa veprim, për ta shtrembëruar dhe zhveshur atë nga përmbajtja e saj socialiste, me objektiv për ta futur ekonominë në rrugën e vetë administrimit revizionist.

Shokë gjyqtarë! Veprimtaria armiqësore e grupit antiparti të sabotatorëve në organizimin shtetëror dhe në ekonomi të kryesuar nga i pandehuri Abdyl Këllezi, me bashkëpunëtorë kryesorë të pandehurit Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil kati, ka synuar gjithashtu edhe në sabotimin e industrisë së naftës dhe të gazit, synim ky që ka qenë një nga objektivat kryesore  të armiqve të jashtëm e të brendshëm që në ditët e para të çlirimit e në vazhdim, të përfaqësuar nga titistët jugosllavë, revizionistët sovjetikë dhe tradhtarët Tuk Jakova, Panajot Plaku etj. Sikurse u vërtetua kjo veprimtari u zhvillua nga armiqtë Pirro Gusho e Filip Nashi në këtë degë të industrisë.

Veprimtari armiqësore e këtij grupi sabotatorësh në këtë fushë të industrisë sonë ka ndjekur si qëllim lënien e vendit pa naftë e gaz dhe për pasojë luftën kundër pushtetit popullor. Ky ishte pikësynimi i tyre, të cilin, megjithëse u munduan ta vinin në jetë me të gjitha forcat dhe metodat e tyre armiqësore, nuk mundën t’ia arrinin dhe nuk kishte si tia arrinin qëllimit , sepse në këtë vend punon, jeton dhe vigjilon një popull revolucionar, që nën udhëheqjen e Partisë, di të bëjë shkrumb e hi çdo orvatje armiqësore sado e stërholluar që të jetë ajo dhe të verë në bangon e të akuzuarve cilindo që vepron si i tillë, ashtu siç vuri dhe këta të pandehur.

 

Si u zhvillua kjo veprimtari, mbi ç’ baza u ndërtua dhe u organizua tërë kjo punë armiqësore? Faktet vërtetuan se kjo veprimtari e gjerë armiqësore e sabotuese në fushën e industrisë së naftës dhe të gazit u organizua nga këta të pandehur sipas një plani të përgjithshëm të studiuar dhe përpunuar mirë dhe me hollësi, i cili e ka bazën e vet në armiqësinë e hapur të këtyre armiqve të pushtetit popullor ndaj ideologjisë sonë marksiste-leniniste, ndaj vijës së drejtë të Partisë dhe të shtetit, që kurdoherë ka orientuar “naftë-bukë-mbrojtje”.

Shokë gjyqtarë! Kjo veprimtari armiqësore e sabotuese në industrinë e naftës është pjesë e planit të përgjithshëm të veprimtarisë komplotuese, tashmë të zbuluar dhe goditur, e unifikimit të qëndrimeve armiqësore të këtyre të pandehurve, të cilët si armiq, i ka bashkuar me njeri-tjetrin në kohë dhe situata të caktuara, pozita e përbashkët kundër revolucionare, qëndrimi i njëjtë armiqësor ideologjiko-politik dhe komplotues kundër interesave të popullit, Atdheut dhe socializmit. Le të ndalemi mbi zhvillimin e saj dhe veprimet konkrete armiqësore të realizuara.

 

I pandehuri Abdyl Këllezi, duke shpjeguar këtë veprimtari, sqaroi:”… Puna ime armiqësore në sektorin e naftës është pjellë e vënies në zbatim të ideologjisë antimarksiste. Unë nuk kam qenë në tezën e Partisë së Nafta nuk duhet për sot, por për nesër dhe për të ardhmen. Kisha pikëpamjen e mohimit të perspektivës së naftës”.

Armiku tjetër Koço Theodhosi, lidhur me këtë problem konfirmon:”Unë kam qenë kundër vijës së Partisë për shpim-kërkime dhe shfrytëzimin e naftës”. Provat e mbledhura në këtë çështje vërtetuan se këto qëndrime të të pandehurve nuk kanë qenë të shkëputura dhe pa marrëveshje midis tyre, por të biseduara, përpunuara dhe me mendim të njëjtë kriminal për të gjetur zbatim.

I pandehuri Abdyl Këllezi, në këtë çështje deklaroi: Kur mora drejtimin e Komisionit të Planit gjeta se nafta trajtohej sipas pikëpamjes sime armiqësore  nga Koço Theodhosi dhe Filip Nashi. Në biseda me njeri-tjetrin, për problemet e naftës dhe hartimit të projekt planeve, haptazi e kemi trajtuar këtë problem në kundërshtim me orientimet e Partisë dhe të Qeverisë, duke unifikuar pikëpamjet e përbashkëta të goditjes së perspektivës së naftës.

Po kështu, Koço Theodhosi, i pandehuri tjetër, pohoi:”Duke pasur pikëpamje të kundërta me orientimet e Partisë dhe të Qeverisë për naftën, në raste të nderyshme kam biseduar me Abdyl Këllezin, Filip Nashin dhe Beqir Alinë”.

Shokë gjyqtarë! Këto mendime dhe veprime të njëjta armiqësore gjetën zbatim mbi bazën e përdorimit të formave dhe metodave nga më të ndryshmet. Në këtë drejtim, gjithë kompleksi i provave vërtetoi se të pandehurit që gjykojmë, duke gjetur tek grupi i sabotatorëve të kryesuar direkt nga Pirro Gusho e Filip Nashi, qëndrime dhe qëllime të njëjta për sabotimin kudo të ekonomisë sonë të naftës dhe të gazit, u lidhën me këtë grup armiqësor dhe mbi bazën e unifikimit të qëllimeve armiqësore përpunuan dhe zbatuan metodat më barbare të shkatërrimit dhe të sabotimit të kësaj dege të rëndësishme të industrisë. Sipas veprimtarisë kriminale të ushtruar, puna sabotuese e realizuar nga këta të pandehur, përqendrohet në këto drejtime kryesore:

1)- Në mënyrë sistematike realizuan një veprimtari të thellë dhe të gjerë sabotuese lidhur me krimet dhe zbulimin e rezervave të reja nafte e gaze mbajtëse. Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH me vendimin e saj Nr 154 datë 10/11/1967 dhe Këshilli i Ministrave me Vendimin Nr 38 datë 5-6/3/1970 si dhe Konkluzionet e Byrosë Politike të KQ të PPSH të vitit 1970, orientonin që kërkimet për naftë dhe gaz të intensifikoheshin  mbi bazën e studimeve të plota gjeologo-gjeofizike, duke kaluar nga e njohura tek e panjohura, pa braktisur strukturat ranore, në mënyrë që çdo shpim të binte në strukturë. Gjithashtu orientohej që drejtimi i kërkimeve për gaze të bëhej në zona bregdetare, duke i dhënë rëndësi përgatitjes me shpejtësi dhe cilësi të strukturave perspektive për shpimin, përmirësimit të punës gjeologjike, faktike fillestare, përmirësimit të teknologjisë si dhe luftës kundër prirjeve për të rendur pas metrazheve të shpimeve. Si u realizuan këto mësime të Partisë dhe vendimeve të Qeverisë nga këta të pandehur? Provat e mbledhura vërtetuan në mënyrë të plotë dhe bindëse se këta armiq dhe sabotatorë, në kundërshtim me orientimet dhe direktivat e Partisë mbi rëndësinë e madhe që paraqet nafta për ndërtimin socialist të vendit dhe mbrojtjen e atdheut, vunë të gjitha forcat për ta lënë vendin pa naftë.

Shokë gjyqtarë! Më këtë veprimtari kriminale, ata i sollën dëme të pa llogaritshme ekonomisë  sonë popullore në fushën e kërkimeve dhe zbulimit të vendburimeve të reja nafte e gaz mbajtëse. Por si në çdo problem tjetër, ashtu dhe në këtë fushë, ata nuk mundën të realizonin plotësisht qëllimet e tyre kriminale, sepse, veprimtaria e tyre, sado e fshehtë dhe e maskuar që ishte, do të zbulohej, ashtu siç ndeshi në barrikadën e fortë të klasës punëtore, të Partisë dhe të gjithë popullit tonë.

Në sabotimin e Vendimeve të Byrosë Politike dhe Këshillit të Ministrave mbi kërkimin e naftës, grupi armik i kryesuar nga Pirro Gusha e Filip Nashi, në bashkërendim të veprimtarisë me armiqtë Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, bënë çdo përpjekje që të mos zbulonin vend burime të reja nafte dhe gazi. Për këtë qëllim, si armiq, gjithë kërkimet në fushën e naftës dhe të gazit i orientuan jo sipas drejtimeve të vendimeve të Partisë e Qeverisë, por në mënyrë të hallakatur në një sërë strukturash, pa përgatitjen e nevojshme dhe pa studime komplekse gjeologo-sizmike. Sipas aktit të ekspertimit datë 15/I/1976 rezulton se si pasojë e kësaj pune armiqësore, nga 45 struktura të supozuara që janë atakuar gjatë 5 vjeçarit të kaluar, 39 struktura nuk u vërtetuan, 3 u vërtetuan me ndryshime të mëdha nga projekti dhe vetëm struktura e Finiqit kishte gaz industrial.

Në zbatim të planeve armiqësore për sabotimin e vendimeve të Partisë dhe qeverisë që orientonin vazhdimin e kërkimeve të naftës dhe të gazit në objektet e ranoreve, të pandehurit Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, në bashkërendim të veprimeve me sabotatorët Pirro Gushe, Filip Nashi etj, i braktisën kërkimet në këto zona.

Shokë gjyqtarë! Kjo veprimtari armiqësore, duke ndjekur si qëllim mos dhënien e sasive të pritura të naftës për Atdheun, bëri që në vitin 1969, në strukturat e ranoreve të shpoheshin dy puse, në vitin 1971 të mos shpohet asnjë pus, në vitin 1972- pesë puse, në vitin 1973 vetëm një dhe në vitin 1974, kur këta armiq diktuan se po zbulohej veprimtaria e tyre kriminale, për të fshehur punën armiqësore të kryer dhanë disa puse kërkimi në objektet e ranoreve  në zonat Arëz, Kallëm-Vërri dhe Kozare.

 

I pandehuri Koço Theodhosi, mbi punën sabotuese të kryer në këtë drejtim, deklaroi:”Kam biseduar me Abdyl Këllezin , Fili Nashin e Beqir Alinë dhe të gjithë kemi qenë të mendimit që të mos bënim kërkime në zonat ranore”. Ky qëndrim është vënë në dukje dhe nga i pandehuri Abdyl Këllezi dhe Filip Nashi.

 

NESËR DO TË LEXONI:

-Pretenca e Prokurorit të Përgjithshëm Rrapi Mino për të pandehurit Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela e Vasil Kati lidhur me bashkëpunimin armiqësor me Lipe Nashin e Pirro Gushon në fushën e naftës dhe dëmi konkret i shkaktuar në periudhën 1969-1974.

-Sabotimi ekonomik i katër të akuzuarve duke kryer shpime në zonat jo naftë mbajtëse të Prishtës, Vurgut, Nënshkodrës, Osmanzezës dhe Bistricës, duke anashkaluar zonat e miratuara nga Qeveria.

-Dëshmitë e Këllezit, Theodhosit e Nggjelës në hetuesi lidhur me veprimtarinë konkrete armiqësore të tyre në industrinë e naftës.

 

 

 

Kujtim Boriçi October 22, 2013 11:38
Komento

4 Komente

  1. Horri i Bulevardit October 22, 12:45

    Ndoshta ndonje specialist qe e njeh fushen e naftes, mund te na sqaroje, A eshte gjetur nafte ne ato vende, qe dikur thuhej se nuk ekziston?, gje te cilen jane denuar edhe shume specialiste ne kohen e komunizmit.
    Kjo ndoshta sot mund te na sqaroje, se a jane denuar kot apo plot, gjithmone denim normal, jo denimin qe ka dhene diktatura deri edhe me vdekje.

    Reply to this comment
  2. Marin October 22, 16:40

    Para do kohesh kam lexuar n[ shtyp nje shkrim te nje specialisti te Naftes me emrin Dhimiter Gjenerali. Tezat e tij shkencore perputhen me orientimin e KQ te PPSH per kerkime e shpime ne shtratin e lumenjve Shkumbin, Devoll e Osum dhe ne ranoret e shtuforet ne drejtim te bregdetit. Pavaresisht nag terminiologjia politke qe perdor prokurori, te gjithe te pandehurit e kane patur hak denimin qe kane marre.

    Reply to this comment
  3. ALTI October 22, 22:02

    viktima te sistemit…….per te mbajtur pushtetin,cti besh kurbanit.te rradhes….rrezik e kishin

    Reply to this comment
  4. jon October 23, 02:24

    shpimet në zonat e Prishtës, Vurgut, Nënshkodrës, Osmanzezës dhe Bistricës, jane bere por asnje pike nafte nuk ka dale, as ka per te dale ndonjehere, kot jane shpuar puset atje

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*