Prilli i zi 1939, kush e shiti Shqipërinë

April 9, 2018 10:58

Prilli i zi 1939, kush e shiti Shqipërinë

Prof. Dr. Lutfi ALIA

Shqipëria ishte ndёr vendet e para europiane, tё pushtuara nga Italia Fashiste, e cila ndërhyri me një fushatë të shpejtë ushtarake, që filloi nё mёngjesin e 7 prillit dhe përfundoi më 12 prill 1939.

Shqipёria ishte vend me rëndësi të veçantë strategjike, kishte pasuri të mëdha natyrore, sidomos minerale, që mungonin në Itali, por pasi u pushtua iu dha italianëve kontrollin e plotë në detin Adriatik, si u shpreh Musolini nё Mbledhjen e Kёshillit tё Lartë tё Fashizmit mё 13 gusht 1939: “Shqipёria ёshtё Bohemia e Ballkanit, kush e ka nё dorë Shqipёrinё, ka nё dorё gjithё Ballkanin. Shqipёria ёshtё njё nga brigjet gjeografike të Italisё. Kush siguron kontrollin nё Adriatik, atёhere nё Adriatik nuk hyn askush, kёshtu, me marrjen e Shqipërisё, ne e zgjeruam vathën tonё tё Mesdheut”.

Nё veçanti nё fillim tё vitit 1939, marrëdhëniet politike të Italisë me Shqipërinë ishin të tensionuara. Nё kёtё periudhё u rrit influenca italiane, madje disa politikanë shqiptarё, tё frymёzuar nga fashisti Giro (Xhiro), formuan dhe e fuqizuan lobin filofashist në vendin tonë.

Kjo atmosferë konfuze nё Shqipëri, nuk i shpёtoi vёzhgimeve të politikanëve europianë, kështu, në marsin e vitit 1939 Henri Wallon, deputet i të majtës francez, theksoi: ”Sot, qarqet fashiste veprojnë të zgjerojnë kufijtë e shteteve të veta, ndërsa politikanët filofashista shqiptarë, po veprojnë ta përfshirë Shqipërinë nën zgjedhën e Italisë fashiste”.

Më 25 mars, Jakomoni, ambasadori i qeverise italiane në Tiranë, parashtroi kërkesën e Musolinit, që Shqipëria të bëhej protektorat italian, por Mbreti Zog dhe qeveria e kundërshtuan.

Më 30 mars 1939, Mbreti Zog me shpresë për t’i normalizuar marrëdhëniet me Italinё, dërgoi Ambasador në Romë adjutantin e tij, Zef Sereqin, i cili kishte raporte miqësore me italianët, por Ai, nuk i mbrojti interesat e Shqipërisë, por u pozicionua kundёr mbretit, dhe përkrahu projektin italian, madje dhe firmosi pushtimin e Shqipërisë.

Më 4 prill, presioni i qeverisё të Musolinit mbi Mbretin Zog dhe qeverinë shqiptare u bë ultimativ, duke iu kërkuar me insistim të përgjigjeshin brenda 24 orëve, tё 17 kërkesave të qeverisë fashiste.

I zënë ngushtë, Zogu bëri disa riformulime të përgjigjeve, që do t’i dërgoheshin Musolinit. Këto Zogu i bëri me synim të zbuste tensionet dhe për të shmang shndërrimin e Shqipërisë në vasale të Italisë. Me një telegram të dërguar në mbrëmjen e 5 prillit, Musolini i kërkoi Zogut, një përgjigje “pozitive apo negative si do të ishte”, që duhej t’ia dërgonte ditën e nesërme, të enjten 6 prill, jo më vonë se në mesditë, pra i dha shumë pak kohë për të reflektuar.

Në agimin e 5 prillit, çifti mbretëror Zogu u bë me djalë, ngjarje që u përshëndet me 101 të shtëna me topa. Lajmi u përhap në të gjithë vendin dhe u ftua populli ta festonte lindjen e Leka Zogut, trashëgimtarit të fronit mbretëror, i cili të nesërmen me prindërit, do të ikte në mërgim dhe për shumë dekada nuk do ta shihte Shqipërinë.

Në mesnatën e 5 prillit 1939, Eqerem Libohova, Ministri i Jashtëm i Qeverisë të Mbretërisë Shqiptare, vizitoi legatën italiane dhe e informoi ambasadorin Jakomoni, se Zogu ishte i gatshëm të negocionte.

Jakomoni i telefonoi ministrit tё tij te jashtëm, Kontit Galeaco Çiano, nga i cili mori një telegram me përgjigje urdhëruese: “Nuk pranohej asnjë bisedim i mëtejshëm dhe në se mbreti Zog do të diskutojë, duhet t’i drejtohet vetëm gjeneralit Guzzoni”.

Më 5 prill 1939, diplomacia shqiptare i kërkoi ndihmë dhe Francёs, por përgjigja e Ministrit të Jashtëm Pierre Bonet ishte deluduese: “Franca s’është e detyruar ta mbrojë Shqipërinë me armë në dorë”.

Në Berlin, Ministri shqiptar Rauf Fico i kërkoi zyrtarisht Ministrisë sё Jashtme, ta informonte se cili do të ishte qëndrimi i Gjermanisë në rast se Italia pushtonte Shqipërinë. Përgjigja ishte: “Gjermania nuk ka asnjë interes në Adriatik dhe se nuk mund të pritej ndërhyrje e saj kundër Italisë”.

Nё kёto rrethana, Mbreti Zog, për të fituar kohë, pranoi disa nga kёrkesat e Musolinit, p.sh ishte i gatshëm të lejonte praninë e një divizioni italian në Shqipëri, por këmbënguli në disa rregullime të Traktatit të Bashkëpunimit Italo – Shqiptar.

Në fakt, Zogu ishte bërё gati të ikte e nuk do ta mbante premtimin, për tё organizuar rezistencё te armatosur, në se sulmonte Italia. Në agimin e 6 prillit 1939, mbreti Ahmet Zogu, rrethi i tij familjar dhe bashkëpunëtorët e tij, e braktisën atdheun dhe të ngarkuar me 181 kg ar, morën rrugёn e mërgimit, pёr tё mos u kthyer mё nё atdhe.

Pas Zogut, u largua ministri i jashtëm Libohova, kёshtu nuk mbeti askush të fliste me gjeneral Guxonin dhe me Jakomonin, për pasojë Italia fashiste u ndje e lirë të veprojë, të organizojë dhe të kryejë ndërhyrjen ushtarake për pushtimin e Shqipërisë.

Në ditёt e 5 dhe 6 prillit, nё Tiranë dhe në të gjitha qytetet e tjera u përhap lajmi se Italia fashiste do të pushtonte Shqipërinë. Ky lajm e nxiti popullin, sidomos rininë të organizojnë mitingje proteste para parlamentit, kryeministrisë dhe ministrive, ku folësit nga populli kritikuan nёnshtrimin e shtetit ndaj presionit të Italisë fashiste dhe me insistim kërkuan armë, pёr të mbrojtur pavarёsinë e atdheut.

Pa i ditur hollësitë e bisedimeve ndёrmjet qeverive shqiptare dhe asaj italiane, populli e kishte kuptuar se kjo situatё nuk mbyllej me kompromis, andaj kërkoi armë të luftonte kundër pushtuesve italianë, por qeveria ngurroi ta armatoste popullin dhe pse rreziku i një invazioni ishte imediat.

Manifestuesit në Tiranë, kur e panë se askush nuk iu pёrgjigjej kërkesave, atëherë zgjodhёn njё delegacion tё improvizuar, qё shkoi në takim me Kryeministrin Koço Kota, i cili i siguroi delegatët e popullit, se qeveria po bёnte detyrën, se gjendja nuk ishte e pashpresë dhe se nuk kishte rrezik sulmi dhe as pushtimi nga Italia.

Kryeministri Kota iu premtoi, se nё rast se Italia do tё sulmonte Shqipёrinё, atёhere krahas ushtrisë, do tё rekrutoheshin vullnetarё, madje sipas tij, ishin marrë masat e mobilizimit të përgjith-shëm për mbrojtjen e kryeqytetit me dy vija fronti me ushtrinë, me gardën dhe me forcat vullnetare.

E detyruar nga presioni i popullit, qeveria liroi patriotët e burgosur, ata qё ishin dënuar për veprimtari antizogiste, madje i hapi dyert e burgjeve dhe pёr tё dёnuarit ordinerё.

Lajmi se Mbreti Zog e braktisi vendin nё prag tё pushtimit nga Italia fashiste, u pёrhap shpejt nё tё gjitha qytetet, ku masat popullore u mblodhёn para bashkive, duke kёrkuar me insistim armё. Kёto lajme arritёn nё fshatrat e thella malore e ngado, prijёsit popullorё filluan organizimin pёr tё shkuar nё mbrojtje tё Durrёsit dhe tё qyteteve të tjera bregdetare.

Populli dhe shumë të rinj tiranas, u vetorganizuan dhe u nisën për në Durrës, mes tyre ishte vullnetare dhe infermierja Melpomeni Dilo e vetmja vajzë pjesëmarrëse në rezistencën e 7 prillit, e cila mjekoi patriotët shqiptarë, të plagosur në luftimet kundër pushtuesve italianë.

Gjatё muajit mars 1939, nё Rajonin e Puljas, Musolini  grumbulloi 10 divizione ushtarake dhe shumë anije luftarake, që ishin në gatishmëri për të zbarkuar në tokën shqiptare.

Më 6 prill, në orën 16.00, gjeneral Mariani, shefi i shtabit i ushtrisё italiane, urdhёroi fillimin e operacionit ushtarak të koduar OMT – Oltre Mare Tirana – Përtej detit është Tirana.

Flota italiane me 7 kryqёzorë, me shumë luftanie, me siluruesa e me 10 nëndetёse, që mbanin në borde 30 000 ushtarё këmbësorë, bersalier, alpinë, granatierë, karabinierë dhe marinarë, të ndarë në 4 grupe, lundruan drejt brigjeve shqiptare, për të pushtuar trojet tona.

Në orën 05. 25 të 7 prillit 1939, ditën e festës së Pashkëve, flota italiane u shfaq përballë Durrësit, Shëngjinit, Vlorës e Sarandës. Ndonëse flitej se Shqipëria do ta kundërshtonte pushtimin fashist, me 45 000 burra të armatosur, në fakt italianët ndeshën në rezistencën e disa grupe patriotësh, të cilët luftuan duke e bllokuar për shumë orë zbarkimin dhe avancimin e ushtrisë italiane në tokën tonë.

Në orën 05. 45 të mëngjesit të 7 prillit 1939, trupat italiane filluan zbarkimin në portin e Durrësit, ku u pritën me breshëri armësh nga ushtarёt, policёt, marinarёt dhe vullnetarё civila, qё u organizuan nga komandanti i Xhandarmёrisё tё Durrësit majori Abaz Kupi dhe kapteri i marinёs luftarake Mujo Ulqinaku.

Sapo ushtarët italianë shkelën në breg, forcat shqiptare hapën zjarr me mitraloza dhe pushkё, duke shkaktuar tё vrarё, shumë të plagosur dhe panik ndёr ushtarët italianë, qё u detyruan të marrin varkat e të rikthehen në luftanijet, që ishin ankoruar larg nga skela.

Forcat tona tё pozicionuara në kodrat e Durrësit, goditën me artileri mbi varkat dhe luftanijet, duke e dëmtuar rëndë njërën prej tyre.

Zbarkimi i forcave italiane u përsërit katër herë me radhë dhe pas çdo mësymje të mbështetur nga aviacioni, ata u detyruan tё tёrhiqen para qëndresës të patriotëve shqiptarë.

Nё kёto situata, pёr tё neutralizuar rezistencën para portit, komanda italiane intensifikoi goditjet me artileri të rëndë nga luftanijet dhe bombardoi Durrësin me aviona “Caproni”, madje vazhduan bombardimet deri në periferi të Tiranës.

Ditёn e 7 prillit, luftimet vazhduan tërë paraditen e në mesditë, italianët mundën të pushtojnë portin dhe i detyruan forcat tona mbrojtëse të tërhiqen, kësisoj lufta u zhvendos nga porti nëpër rrugët e qytetit, duke u kthyer në përleshje urbane. Grupet e patriotëve shqiptarë në mbrojtje, kishin zënë pozicione në rrugët, prapa mureve të rrugicave, mbi muret e kështjellës dhe nё shtëpitë e Durrësit, duke e bllokuar avancimin e forcave italiane.

Në këto luftime të pabarabarta, ranë heroikisht Mujo Ulqinaku me 12 patriotë shqiptarë, që përballuan me heroizëm sulmet masive të këmbësorisë, të artilerisë dhe të aviacionit luftarak italian. Në këto luftime të pabarabarta, u plagosën me dhjetra luftëtarë shqiptarë, si dhe mbetën të vrarë dhe të plagosur disa banorë të qytetit të Durrësit.

Në qytetin e Vlorës, grupi i patriotëve shqiptarë, pas një rezistence të shkurtër, në çastet e fundit, u detyruan të tërhiqen dhe të zënë pozicione në kodrat e Bestrovës, përbri detit në dalje të qytetit. Ushtarёt italianё, me qё nuk ndeshёn qëndresë të fortë në qytet, e vazhduan mёsymjen në drejtim të kodrave dhe sapo hynë në rrezen e zjarrit, u pritën me breshëritë e pushkëve dhe të mitralozave të vlonjatëve. Pёrparimi i fanterisё italiane, u mbështet me artileri nga luftanijet, që bombardonin kodrat, ku ishin vendosur patriotët vlonjatë me armatime të lehta dhe me pak municione.

Luftime u zhvilluan në Shëngjin dhe në Lezhë, para urës së Drinit, ku patriotët lezhianë e bllokuan tërë paraditen avancimin e trupave italiane, madje pati disa të vrarë në radhët e ushtrisë italiane, midis tyre dhe nje komandant kompanie.

Në Sarandë, forcat tona ishin të pakët në numër dhe me armatime të pamjaftueshme, por për disa orë e përballuan ushtrinë italiane, e cila pasi zbarkoi në molon e vogël, hyri në qytet.

Propaganda italiane i minimizoi luftimet dhe humbjet në qytetet tona bregdetare, kёshtu foli për një duzinë ushtarësh të vrarë dhe të plagosur, por në fakt, si shkruan historiani Bernd Fisher: “Ushtria e madhe italiane, ndeshi një rezistencë të respektueshme të shqiptarëve, që i shkaktuan rreth 300 – 400 të vrarë dhe me qindra italianë të plagosur”.

Pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, e përjetoi dhe gazetari francez Hubert Bouchet, i cili e përshkruan në një kronikë me titull “J’ai vu mourire l’Albanie”, e botuar në revistën franceze “Voila” më 14 prill 1939, që po e prezantoj shkurtimisht në vazhdim:

“7 prilli ishte e Premtja e Shenjtë, por për shqiptarët do mbetet e premtja e zezë e pushtimit fashist të vendit dhe njëkohësisht dita e krismës së parë shqiptare, në agim të qëndresës së popujve europianë kundër nazifashizmit.

Durrësi u zgjua në mëngjesin e të premtes së shenjtë si zakonisht dhe panë se nga deti, po afroheshin me pamje kërcënuese anijet italiane. Skuadrilja e avionëve, fluturonte ulët me zhurmë, duke e shurdhuar qytetin e Durrësit. Kryqëzorët dhe siluruesit u shfaqën në horizont me grykat e topave 380 mm të marinës dhe me mitralozët, që qëllonin mbi qytet.

Shtëpitë me qerpiç e me gurë, filluan të shkatërroheshin përballë atij shiu plumbash të çeliktë. Popullsia, që në shumicën e saj merret me peshkim, e shqetësuar pyeti: Në këtë të premte të shenjtë përse qielli po zëmërohet dhe po u dërgon zjarrin e skëterrës? Të jetë vallë fundi i botës? Aspak, është thjeshtë ambicia e Musolinit, që kërkon të pushtoi Shqipërinë, se sipas tij, na qenka vend mesjetar, me zakone barbare e me mbret tradhtar (Duce dixit!)”. Ndonёse tё befasuar nga sulmi, shumë burra, shqiptarë trima, që nuk i tremben barutit, shpejt e mblodhën veten. Ata rrëmbyen dyfekët dhe martinat e tyre të vjetra, të cilat vetëm në duart e tyre funksiononin. Ky grup burrash vullnetarë të vendosur, vrapuan për nga porti, ku disa mole, të prekur nga predhat me qitje të shkurtër, ishin në rrënim të plotë.

Ushtarët e Musolinit dhe të mbretit Viktor Emuanueli III filluan zbarkimin. Barka të mëdha të mbushura dëng me ushtarë dhe armë moderne kërkojnë të arrijnë bregun. Plumbat e shqiptareve fshikullojnë sipërfaqen e ujit për rreth barkave dhe zjarri breshërisё i bën të luhaten dhe tё tronditen nga mitralimi. Një barkë i afrohet ranishtes e menjëherë, pas strehimit në një breg ranor, ushtarët montojnë mitralozat e rëndë dhe tak-taku vdekjeprurës nisi këngën e tij të kobshme dhe një zjarr breshërie mushqetash të bersalierëve, ka per tabelë qitjeje shqiptarët, që fshihen si të mundin prapa barkave të përmbysura, apo prapa hekurave ku lidhen ballamarët.

Luftimet janë në kushte të pabarabarta, në raportin 100 italianë kundër një shqiptari. Topat e rëndë të marinës vijuan bombardimin tërë paraditen dhe nën goditjen e tyre, trupat vazhduan zbarkimin. Metalurgjia e fuqishme italiane e kthyer në predha, armë dhe mjete të blinduara, ngadhënjeu ndaj guximit të pak shqiptarëve me dyfekë të vjetruar.

Musolini mund të thotë sa të dojë, nëpërmjet agjencisë Stefani, se gjaku rrodhi rrëke e se trupat e tij e çliruan vendin nga zgjedha e një plutokrati dhe se i pushtuan të gjitha qytetet shqiptare, por në fakt italianët mbetën të bllokuar për shumë orë, madje pësuan shumё humbje nga një mbrojtje heroike e ushtarëve shqiptarë. Pas disa orë luftime, gjithçka mbaroi. Mbi rrënojat në tym dhe me forcën e armëve, në Durrës u ngrit flamuri italian.

Disa familjar dhe fëmijë qajnë mbi kufomat e të vrarëve, të tjerë syshqyer vështrojnë ata ushtarët me pupla gjithë ngjyra në majë të kapeleve, që ecnin në rrugët e Durrësit duke kënduar “Giovinezza” e duke përshendetur allafashistçe”.

Pasi përfunduan luftimet, në pasditën e 7 prillit, Ettore Muti, Konsulli i Përgjithshëm i Milicisë Fashiste Italiane, i dërguari i posaçëm i Musolinit, zbriti nga kryqëzori, hipi në një autoblindë dhe i shoqëruar me autokolonën e makinave, tankeve, motoçikletave dhe të ushtarëve me biçikleta, hyri në Durrës. Pasdite vonë, ushtria italiane vazhdoi marshimin drejt Tiranёs.

Të nesërmen më 8 prill 1939, ushtria italiane hyri në kryeqytet, pa ndeshur asnjë rezistencё, madje Garda e mbretit Zog, i dorëzoi armët, pa zbrazur asnjë fishek kundër pushtuesve italianë.

Gazetari dhe historiani Indro Montanelli, i pranishem ne ato dite te zeza, duke komentuar pushtimin e Shqipërisë shkruan: “Konti Çiano, delfini i Musolinit dhe promotori i pushtimit të Shqipërisë, u tregua naiv dhe amatoresk në veprimet e tij, pasi planin e pushtimit e kishte përpiluar me shumë nxitim e me gabime e në se do të haste në një rezistencë të organizuar nga ushtria shqiptare, me siguri do të kishte dështuar. Në mëngjesin e 8 prillit, Konti Galeazzo Çiano u ul në aeroportin e Tiranës. Jakomoni kishte organizuar pritjen, por mbetën rreth një orë në fushë, duke pritur masat e sigurisë, për udhëtimin për 2 km,  që na ndanin nga aeroporti, për në sheshin Skënderbej.  Në Tiranë, gjetëm një formacion nderi të përbërë nga fshatarë shqiptarë me kostumet e tyre piktoreske dhe motoçiklistët, çiklistët e tanket e vogla të divizionit “Centaur”, të komanduar nga gjenerali Messe. Më pas, Çiano doli në ballkonin e Pallatit të Skënderbeut dhe përshëndeti popullin.  Operacioni ushtarak ishte një shëtitje dhe një paradë, sepse 45 mijë burrat e armatosur, që flitej se ishin të vendosur për të bërë betejë kundër italianëve, nuk u bënë të gjallë”.

Një pjesë e vogël e banorëve dhe ato pak nxënës të shkollave, që i mblodhёn me forcё nё sheshin Skënderbe, i detyruan tё brohorisnin për Duçen, kontin Çiano dhe Ettore Mutti.

Nxënësit e shkollave dhe populli brohorisnin me zë të lartë: Duçe – Muti dhe Çiano – Muti, që në gjuhën shqipe kishin kuptimin fyes, ndryshe nga ajo që mendonin fashistët.

Protesta popullore në USA, kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

Montanelli rrëfen, se Pushtimi i Shqipërisë, u konsiderua ngjarje e vogël në kuadrin ndërkom-bëtar, ndërsa vizita në Romё e delegacionit pёr dorëzimin e kurorës mbretёrore Viktor Emanuelit III, shkaktoi jehonë mediatike në Europë.

Diplomacia europiane heshti para aktit agresiv tё Italisё fashiste, që cënoi sovranitetin dhe integritetin e Mbretërisë së Shqipërisë, por nuk munguan protestat popullore, sidomos të diasporës shqiptare në Francë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Çuditёrisht qeveria e Britanisё sё Madhe, e njohu zyrtarisht pushtimin e Shqipёrisё nga Italia fashiste, ndërsa qeveria amerikane, e kundёrshtoi dhe Sekretari i Shtetit i USA, mё 8 prill 1939 u shpreh: “Pushtimi me forcё dhe me dhunё i Shqipërisё, ёshtё padyshim njё kёrcёnim tjetёr i paqes nё botё”.

Montaneli thekson se, vëmendja e opinionit ndërkombëtarë atë kohë ishte pёrqëndruar tjetër-kund e kjo situatë i erdhi më së miri në ndihmë Italisë, që nuk hasi shumë protesta ndërkombëtare.

Menjëhere pasi e pushtoi Shqipërinë, Musolini dërgoi dhe 12.000 ushtarë, 60 topa dhe 200 tanke, që i shpёrndanë nё të gjitha qytetet, si dhe filluan ekspeditat për ngritjen e stacioneve të karabinerisё, deri në fshatrat e thella të vendit.

Harta e Shqiperise me 1939. Prefektura e Kosoves në territorin me ngjyre te verdhe.

Pushtimi fashist, nuk i shkaktoi Shqipërisë vetëm humbjen e pavarësisë kombëtare, por i krijoi asaj edhe rrezikun e zhdukjes së shqiptarëve si komb, sepse Musolinit kishte bërë plane për ta italianizuar Shqipërinë nëpërmjet kolonizimit të saj me banorë italianë.

Deri në fund të vitit 1939, pra brenda tetë muajve të para të pushtimit, në Shqipëri erdhën 52 mijë banorë italianë. Në vitin 1939, në Shqipëri ishin të pranishëm 100 000 italianë ushtarakë dhe civila. Nëse kolonializimi me italianё do tё kish vazhduar me këto ritme dhe sipas planit tё Musolinit, i cili kish parashikuar, që brënda 10 viteve tё para të dergonte 4 miljon italianё, atëhere Shqipëria me më pak se 1 miljon banore, do ta kishte humbur fytyrën e saj etnike.

Pasi u pushtuan të gjitha prefekturat, Çiano dhe Jakomoni shpejtuan tё krijojnё qeverinё kolaboracioniste. Detyra e krijimit të qeverisё “tё mbrojtur”, iu besua latifondistit Shefqet Vërlaci, i cili pranoi bashkëpunim me Jakomonin dhe me gjeneral Guzzonin (Guxoni).

Dihej se Vërlaci ishte i pakënaqur me Ahmet Zogun, sepse pasi u proklamua Mbret, e prishi fejesёn me tё bijёn e tij. Këtë poshtërim, Vërlaci nuk ia fali kurrë Ahmet Zogut.

Me largimin e Zogut, Vërlaci gjeti rastin tё shfryjё inatet dhe mllefet me ish-mbretin dhe mёnyra mё e mirё e tij e hakmarrjes, ishte ngjitja nё pushtet, si sfidë për ish-mbretin, që e braktisi atdheun.

Për të manipuluar pushtimin e Shqipërisë para kancelarive perëndimore, Musolini “luajti” me disa formula juridike për statusin e ri politik të Shqipërisë, duke krijuar përshtypjen se bëri lëshime.

Në mbledhjen e 12 prillit 1939, Asambleja Konstitucionale e Shqipërisë vendosi me unanimitet:

  1. Rrëzimin e dinastisë të Ahmet Zogut dhe të regjimit të tij.
  2. Dhënia e kurorës mbretërore Viktor Emanuelit III, Mbret i Italisë Perandor i Etiopisë dhe Mbret

i Shqipërisë me te ashtuquajturin “bashkim personal”.

  1. Ruajtjen e flamurit, të independencës dhe të sovranitetit shqiptar.

Fillimisht, anëtarët e asamblesë menduan se kurora mbretёrore e Shqipërisë t’i ofrohej Dukёs së Aostёs, princi i Savojës, por mё pas e ndryshuan mendimin dhe vendosёn, që kurora t’i mbulonte kokën  mbretit të “vogël” Viktor Emanueli III.

Më 16 prill, një delegacion shqiptar, i kryesuar nga kryeministri Shefqet Vërlaci, zbarkoi në Romë dhe kurorën e Skënderbeut ia dorëzoi Viktor Emanuelit III, i cili me ligjin Nr. 580, 16 Prill 1939, u shpall edhe mbret i Shqipërisë.

Pas këtij nёnshtrimi, jeta shqiptare u modelua në stilin italian, me një parti fashiste dhe një administratë të drejtuar nga Roma. Ministri Jakomoni, u emërua Luogotenent – mëkëmbës i mbretit.

Në Ministrinë e Jashtme, nënsekretar u emërua Zenone Benini, person besnik i Çianit, ndёrsa fashisti Piero Pariani, u emërua ndihmës i Sekretarit të Partisë Fashiste Shqiptare.

Njё ndёr vendimet e qeverisё kolaboracioniste, ishte trajtimi i posaçëm i shumë oficerave rezervё tё ish-mbretit Zog, tё cilët nga maji i viti 1939 deri nё dhjetor tё vitit 1942, vazhduan tё marrin rrogёn nga qeveria fashiste, çka i detyroi tё vihen nё shёrbim tё pushtuesve italianë dhe tё mbështesnin qeverinё e Vërlacit.

Rrezikun e kolonizimit italian të Shqipërisë, kolaboracionistët nuk e zinin në gojë, por mburreshin se Roma dhe Berlini, do t’i ndihmonin shqiptarët për bashkimin e Shqipërisë së paraluftës me trojet e saj etnike, me Kosovën dhe Çamërinë.

Në kufijt administrativ të Mbretёrisё sё Shqipёrisё, regjimi fashist pёrfshiu Prefekturën e Kosovёs, Dibrёn e Madhe, Manastirin dhe një pjesё tё vogël të Çamёrisë. Me këto vendime, qeveria kolaboracioniste e Vërlacit e lidhi Shqipërinë e pushtuar, me bllokun agresiv nazifashist, duke e ligjёruar kёtё qëndrim me dekretin Nr. 194, tё nënshkruar më 09. 06. 1940 nga mbreti Viktor Emanueli III, për pasojë, në bazë të këtij dekreti, Shqi-përia iso facto ishte në gjendje lufte me çdo shtet, me të cilin Italia ishte në konflikt të armatosur. (28)

Regjimi kolaboracionist nuk u mjaftua me situatёn ipso facto, por më 15 qershor 1940, “Këshilli i Epërm Fashist Korporativ”, si quhej asokohe Parlamenti Fashist i Shqipërisë, e ratifikoi dekretin e sipërm të mbretit Viktor Emanueli III, duke e shndërruar në Ligj Shqiptar, të miratuar me datë 14 korrik 1940.

Nё zbatim të këtij ligji, qeveria e Shefqet Vërlacit, në solidaritet të detyruar me Italinë Fashiste dhe pa asnjë motiv, më 10 qershor 1940 i shpalli luftё Anglisë dhe Francës; më 28 tetor 1940 Greqisë; më 6 prill 1941 Jugosllavisë; më 22 qershor 1941 Bashkimit Sovjetik dhe më 7 dhjetor 1941, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shqipëria, pa vullnetin e saj, u përfshi në vorbullën e ngjarjeve të Luftës II Botërore, fillimisht e detyruar nё aleancё formale me boshtin nazifashist, por pas organizimit të lëvizjes Antifashiste dhe zhvillimit të Luftës Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve dhe aleatëve të tyre, u radhit denjësisht me koalicionin e madh antifashist.

 

 

April 9, 2018 10:58
Komento

8 Komente

  1. SHQIPTARI... April 9, 12:54

    …Edhe nje here…per te gjithe kara-historianet (kryesisht te llojit kara-mahmute),..L2B, i perket historise…Deshmoret, jane te pavdekshem ne panteonin e historise…Historia 5-vjeçare e pushtimit nazi-fashist, duhet transmetuar brezave ne kuadrin e historise dhe ne prizmin e shekullit te 21-te…Ajo periudhe ricikloi jashteqitjet kombetare turko-greko-sllave…Po keto jashteqitje u futen ne qarkullim nga i biri i kajmekanit te Gjirokastres…Perseri keto fekale u ricikluan nga SRB-ja,…dhe vazhdojne….Si konkluzion,…fashistet -5-vjeçare, nuk kane asnje pretendim TERRITORI, FEJE ,apo GJAKU…!!! E kunderta ndodh me koleren turko-greke-sllave,qe eshte ulur KEMBEKRYQ ne trojet tona, ..te cilet kane pretendime, GJAKU, FEJE dhe TERRITORI…Pra ,o qenef-milet, nuk mbulohet dielli me shoshe,…EKLIPSIN e plote te kombit shqiptar,qe me te drejte eshte quajtur,..APOKALIPS,.. e ka shkaktuar kjo KOLERE, ..dhe vazhdon…!!!

    Reply to this comment
    • Kthella April 10, 05:28

      Te sakta te gjitha sa shkruan Shqiptar.
      Ky muzhik-gjoja-historian ka shkruar per muzhike kooperativash sovjetike qe tani jane pensioniste dhe nuk kuptojne ndryshe.

      Reply to this comment
  2. SHQIPTARI... April 9, 12:57

    …Edhe nje here…per te gjithe kara-historianet (kryesisht te llojit kara-mahmute),..L2B, i perket historise…Deshmoret, jane te pavdekshem ne panteonin e historise…Historia 5-vjeçare e pushtimit nazi-fashist, duhet transmetuar brezave ne kuadrin e historise dhe ne prizmin e shekullit te 21-te…Ajo periudhe ricikloi jashteqitjet kombetare turko-greko-sllave…Po keto jashteqitje u futen ne qarkullim nga i biri i kajmekanit te Gjirokastres…Perseri keto fekale u ricikluan nga SRB-ja,…dhe vazhdojne….Si konkluzion,…fashistet -5-vjeçare, nuk kane asnje pretendim TERRITORI, FEJE ,apo GJAKU…!!! E kunderta ndodh me koleren turko-greke-sllave,qe eshte ulur KEMBEKRYQ ne trojet tona, ..te cilet kane pretendime, GJAKU, FEJE dhe TERRITORI…Pra ,o qenef-milet, nuk mbulohet dielli me shoshe,…EKLIPSIN e plote te kombit shqiptar,qe me te drejte eshte quajtur,..APOKALIPS,.. e ka shkaktuar kjo KOLERE, ..dhe vazhdon…!!!……..

    Reply to this comment
  3. intelektuali April 9, 14:09

    Mire qe tregon nje GJYSME te vertete o profesori dhe doktori famoz Lutfi Aliaj njesoj si te gjithe profesoret dhe doktoret e historise se Enverit:

    “…Shqipëria, pa vullnetin e saj, u përfshi në vorbullën e ngjarjeve të Luftës II Botërore, fillimisht e detyruar nё aleancё formale me boshtin nazifashist, por pas organizimit të lëvizjes Antifashiste dhe zhvillimit të Luftës Nacionalçlirimtare kundër pushtuesve dhe aleatëve të tyre, u radhit denjësisht me koalicionin e madh antifashist…”

    PO PSE I VRAU LANC-I I ENVERIT ALEATET ANGLEZE NE KANALIN E KORFUZIT?

    Kur u “…radhit denjësisht me koalicionin e madh antifashist…”

    Pse Enveri me LANC-in e tij kriminal dhe terrorist sic e cilesoi me pas Gjykata e Hages duke urdheruar edhe konfiskimin e floririt te ahmet Zogut qe u gjend i fshehur ne Malet e Bavarise, pra pse Enveri masakroi ushtaret dhe oficeret angleze ne Kanalin e Korfuzit duke “Hedhur minat jugosllave dhe duke fshehur doren e tradhetarit te pabese ndaj Aleatit anglez?

    Kete nuk e thote profesori dhe doktori i historise se Enverit, sepse nuk u vjen zeri dhe nuk i hapet goja si te gjithe kalemxhinjte qe dine te shkruajne vetem per largimin e ahmet Zogut, ne daten e ZEZE te pushtimit fashist te Shqypnise nga Ducja dhe me pas nga Hitleri, gjithsej 2 apo 3 vjet gjithsej dhe keta kalemxhinj fanatike me tituj famoze te Kohes se Qepes harrojne se pas kesaj date te ZEZE si 7 prilli 1939 qe detyroi Ahmet Zogun te largohej si te gjithe mbreterit e tjere te Evropes, keta karagjoza te historise sone kombetare harrojne me qellim date akoma me te ZEZE te historise sone kombetare qe eshte 29 nentori i viti 1944 kur Enver Hoxha implementoi MURTAJEN bolshevike ne trojet tona duke ja falur Kosoven Jugosllavise dhe duke vrare dhe masakruar kosovaret ne Tivar me nje pabesi te papare deri atehere dhe kjo MURTAJE bolshevike jo vetem qe vazhdoi per 50 vjet me radhe duke e transformuar Vatanin si nje Kamp Perqendrimi stalinit te rrethuar me tela me gjemba anembane dhe duke i transformuar shqyptaret si dele pa tru dhe skllever me pune te detyruar ne vendin e vet, por vazhdon edhe deri me sot me Mafien e Kuqe me pushtet qe la pas Enveri me Nexhmijen qe vazhdon kauzen e Partise se Punes, me thoni kush i respekton sot shqyptaret ne Bote qe te mos genjejme njeri-tjetrin me patriotizem fals? Nderkohe qe ne Kohen e Mbreterise se Pare shqyptare shqyptaret respektoheshin te gjithe nga Bota, ushetonin me pasaporten e Mbretnise shqyptare ku t’i donte kokrra e qefit dhe biznesi shqyptare qe sapo kishte filluar te hidhte hapat e tij te para me produkte te pastra kombetare respektohej nga firma prestigjoze ne Evropen Perendimore. Kete e tregon nje pinjoll i nje familje intelektualesh dhe biznesmenesh shqyptare qe ka eksportuar ne Evrope me shume produkte kombetare sesa i gjithe shteti komunist shqptar sot qe nuk di te prodhoje kurrgje sagllam qe mund te shitet ndershmerisht ne tregjet e Botes se Cvivilizuar.

    PO PSE ME HISTORITE E DUCES DO TE HYJE SHQYPNIA SOT NE BE?

    kur:

    Dihet qe sot ne Itali kane shpetuar koken nga enverizmi albanez mbi 500 mije shqyptare qe kane gjetur pune te ndershme ne kete SHTET qe kalemxhinjte e Enverit me tituj profesoresh dhe doktoresh duan ta bejne SYNET me historite e tyre anadollake.

    Reply to this comment
  4. ELIOT April 9, 14:34

    SHOKU LUTFI ALIA …. E PASHE FOTON E ABAZ KUPIT ..POR NUK E THATE QE LUFTOI ME CUNAT E TIJE ME KOMPANINE QE DREJTONTE SI LUAN …. POR NDOSHTA E HARROVE ..DHE SA PER SULMIN E MUSOLINIT KUNDER SHQIPERISE GREQISE …ET …..KUR HITLERI SULMOI CEKINE POLONJEN DHE PO BENTE PLANE PER ME TEJ …. MUSOLIN PER TI TREGUAR MIKUT TE VET HITLER ..SE EDHE AI KISHTE FORCA PER SULM … E SULMOI SHQIPERINE DHE PASTAJ GREQINE ….POR
    ME GREKET I RA THIKA NE GOZHDE …SE ATO U MBROJTN MIRE TE ORGANIZUR DHE RRUGET TONA QE DONTE TE SULMONTE MUSSOLINI NUK ISHIN TE MIRA PER TE MARSHUAR USHTRIA ITALIANE …ME TOPAT DHE ARMET E BLINDUARA NE RRUGE TE SHEKULLIT TE 13 QE I LA TURKU IBRET …. S ISHTE KOLLAJ ..DHE PRANDAJ PATEN SHUME VESHTIRESI .. DHE FILLUAN TE RREGULLONI DISA RRUGE NE KUFIJ ME GREKUN .PER TE QARKULLUAR ME TOPAT DHE ARMET E TJERA .. DHE HITLERI E QORTOI SULMIN E MUSOLINIT …SE I PRISHI PALNET PER SULMIN E RUSISE … SE HITLERI KUR E PA QE ITALIANET NGECEN …. U DETURUA TE CONTE AVIONAT ME MIJERA PARASHUTISTA PER E VENE NE GJUNJE GREKUN.. DHE KESHTU HUMBI NJE MUAJ PER SULMIN NDAJ RUSEVE … E KISHTE PARASHIKUAR NE MARS PRILL MAKSI POR GREQIA E VONOI …DHE E SULMUAN RUSI NE MAJ .. .QE I KUSHTOI EDHE HUMBJEN ..SIPAS HISTORIANVE …SEPSE I ZURI DIMRI TEMPERATURAT E FTOHTA.. MINUS 25 G 30 .. KUR E SULMUAN RUSINE USHTARET RUSE KISHIN UNIFORMA TE VERES S E BENTE NGROHTE POR VJESHTA DIMRI ERDHEN SHPEJTE .DHE BORA I PENGOI TE MARSHONIN DREJT STALINGRADIT …MEGJITHSE SHKUAN DERI 20 K M NE DYERT E STALINIT …PO TE KISHIN NISUR SULMIN ME SHPEJT .ME PLANET E HITLERIT NE SHTATOR TETOR DO TE KISHTE MARRE EDHE STALINGRADIN .DO ME THENE …DHE HITLERI E DINTE SE EDHE NAPOLEONI E HUMBI LUFTEN ME CARIN SEPSE ZURI DIMRI I RREPTE DHE BORA ?UK E LEJOI USHTARET E NAPOLEONIT TE ECNIN ME TEJ …. NGRINE NGA TE FTOHTIT DH SI PERFUNDIM ..RUSET ME KUAJT CHERCHEN KOZAK QE ISHIN MESUAR ME KLIMEN BOREN I VUNE PERPARA …. POR KETE GJE E THONE SHUME HISTORIANE NGA BOTA JO SHQIPARE SE ..

    Reply to this comment
  5. Simotra e "Nene Pashakos"me dhimbiet April 11, 08:22

    7 PRILL ti mos adhe kurre,qe na rrezove Falmure
    Rrofshin qofshin PARTIZANET me Komunistet
    /Qe na shpetuarn nga Fashisto-Nazitet.
    Harram emrin shqiptar,ata qe sot i MOHOINE.
    Flamur kuq e Zi me Shqiponjen dy krenare;
    Ne jete te jeteve; do VALOJE.
    Nene PASHAKO.D.

    Reply to this comment
    • ELIOT April 16, 19:20

      nene pashko ;;;;;; rumania bullgaria as bene lufte ;;as kishte nje cete partizane por e fituan lirine ;;;;pradnaj mos ja fut kot nuk e di ku e ke mesuar historine ;;por ;;;;; nazista e humben luften ne bote ne europe se aleatet kishin shume forca dhe armatime qe hitleri si beri dot ;dhe enveri e krijoi l n c per te luftuar abaz kupin dhe rivalet en shqiperi per te marre vendin e presidentit ;;; dhe kamunistat na bene popullin me te varfer ne europe ;;;; per ket gje i falenderon ;;;;,,,,, qenke analfabete ose nje plake qe e paske marre rrogen qyl pa punuar nje dite ;;; se nena ime u conte ne 5 te mengjezit per nje shishe qumeshti ;;;kur Europa i mbushnin frigot ;;per nje muaj te tere;;;;merci

      Reply to this comment
  6. Dh. M.Xhoga (Guri Naimit D) April 13, 06:54

    Nje ME MORIAL qe flet shume per MASAKRA serbe ne SHQiPERI;Qershor !915te!
    Faleminderit penes se MESUESIT pensionist, Islam Mema, sjelle permes gazetes lokale “ShENMERIA” me botues Lulzim Koci me kryeredaktor Osman Hysa.
    **
    “Masakrat SERBE ne fshatin MURTH te Tiranes,ne Qershirine vitit 1915″-
    Ne fillim te qershorit 1915,forca te shumta serbe te nisura nga Dibra e Madhe e Struga,marshojne drejt shqiperise mesme.Qellimi i tyre ishte te dilnin ne Adriatik dhe te shtypnin kryengritien e fshatarsise qe kishte shperthyer ne shqiperine e mesmee te shpetonin aleatin e tyre Esat Toptaniqe ishte i rethuar ne Durres nga forcat ryengritese.
    Nje nga degezimet e ushterise Serbe ishte edhe ai,qe do te kalonte nga Biza neper Shengjergj per ne Qafen e Priskes e per te hyre ne Tirane.
    Gjate lufterave ne Ballkan,gjithnje kishte patur levizie kunder pushtuesve serbe,ne melesine e Tiranes. Keto i gjejme te shkruara nga Hafiz Ibraim Calliu ne librin e tij;”Patriotizma ne Tirane”.Forcat serbe,duke patur parasysh leviziet kunder tyre ne keto ane,moren masa te forta sigurie dhe arriten te zbulojne se ne Qafen e Priskes,ishte organizuar nje qendrese kunder tyre,
    Qafa e priskes ishte nje pike strategjike me rendesi per Qytetin e Tiranes ndaj ishin vendosur ne te dy anet e saj, 700-800 forca te fshatrave per rreth.Kjo per te zhbllokuar leviziet ushtria serbe,mesyu ne disa drejtime si ne :MURth,Shkalle,Qafmolle,duke patur mbeshtetien e artilerise qe e kishte vendosur ne malin e Deries.
    ..Isuf Culhai,nga Murthi qe mundi te shpetoje e jetoje ne Tote:-“Per te siguruar nje kalim te qete ne drejtim te Tiranes,permes grykes se Shkales, komanda serbe,dergoi me pare njerezzit e saj te cilet u kerkuan banoreve te dorezonin armet dhe ngritur flamurin e bardhe ne hyrie te fshatit tyre.Kete kerkese, fshataret e Murthit nuk e pranuan po si kunderpergjigje pati disa te shtena armesh qe i shqetesuae serbet qe u alarmuan dhe u strehuan ne pyll e vende te tjera mbrojtese.Nderkohe ushteria Serbe hyri ne Murth duke lidhur 11 burraqe munden ti zinin rrober dhe i cuan ne koder te derjaneve nga ku ndiqnin dhe luftimet qe zhvilloheshin ne Qafe Priske.Qe ketej ata qelluan me artileri Qaf prisken dhe zonen per rreth.Lufta midis forcave serbe me ato ato vulnetare.zhvillohej ashper.dhe sgjati deri ne perendim te diellit…
    Ne kete perleshie te pabarabarte nga forcat kryengrites pati 16 te vrare.,nga armiku pati me shume humbie, ne mes tyre,nje oficer me graden major i kesaj ushterie..
    Forcat serbe pasi u riorganizuan,filluan sulmin per tu hakmarre ngaj fshatreve Shkalle Murth me nje masakre te vertete.Pasi u vune zjarrin 45 shtepive ,moren 26 burrae rrinj e te moshuar te cilet i lidhe dy nga dy,dhe i derguan ne Krunjes,ku ishte komanda serbe dhe ashtu te lidhur nga maja me e lrte e shkembit i hodhen ne gremine,ku munden te shpetonin vetem dy cifte burrash.
    Fashtit Murth i vune zjarrin dhe vrane ate qe nuk munden te largoheshin;burra e gra.keta i cuan ne vendin e quajtur Zagaresh, ku i pushkatuan dhe mundi te shpetonte vetem Isuf Cullhai,Ne fshati Shkalle rreth 18 veta u pushkatuar. ndersa nag MURThi !8-te…
    .***na banoret e fshatit Murth me rastin e 100 vjetorit te kesaj masakre , me kontribitin eamilieve te viktimave,,te ndihmuar nga pushteti vendor,vendosem te ngrehim nje memorial,(Lapidar)ne shenje nderimi e rrespekti per gjyshwt e gjyshet tona,qe dhane jeten per liri e pavaresi dhe qe brezat qe do te pasojne,te mos harrojne asnjehere perpjekiet, luften e sakrificat re te pareve te tyre.
    Ne memorial jane shenuar 18 emrat e te reneve:
    1-Alush -Ali,Begtash ,Mehemt e Latif Cullhai
    .5-Bajam e Hatixhe Ahmetas,;e Islam,Deje e Ali Mema.
    me ta Liman Hysa e Ramazan e Sheqere Mema.sa Ramazan e Tahir Ahmetaj.
    Me 6 Korrik, me rastin e !00 vjetorit te te reneve,u zhvillua ceremonia e inagurimit te ketij MEMORIAlI,ku moren pjese perfaqesues te te reneve dhe banore te fshatit Murth nderuar nga Autoritete Si: Zv Ministri Mbrojties Petro Koci i cili dhe pershendeti te pranishmit sa vleresoi punen e qendresen e banoreve te ketij fshati dhe gjithe zones, se Shengjergjit ndaj hordhive serbe.
    Ne prag te 103 vjetorit te kesaj po e ribotojme kete shkrim, ne shenje rrespekti dhe falenderimi,per kete GAZETE PERIODIKE”SHENMERIA” aktive gjithnje.
    Shkruaj une Dhimiter Xhoga ne prag te 82 vjetorit lindies sa 55 vjetorit nisur MESUESINE ne ate fshat te nderuar e me tradita atdhetare.
    MIRENJOHIE te GJiTHEVE. ,
    Tirane 13-04-2018 “Pasuesi veteran”(mesues),
    Dhimiter Xhoga.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*