Prishja e dhëmbëve tek fëmijët, si parandalohet

October 13, 2017 10:40

Prishja e dhëmbëve tek fëmijët, si parandalohet

Pranvera Kola – DITA

Prishja e dhëmbëve fillon që në fëmijëri të hershme dhe faktorët që ndikojnë janë të shumtë, duke nisur nga koha e mbajtjes së biberonit, përdorimi i barnave, ushqimeve që konsumohen, si dhe kujdesi që ndiqet në larjen e tyre.

Ekspertët e shëndetit publik bëjnë me dije se një ndër problematikat më të shpeshta të dhëmbëve që shfaqet tek moshat nën 5 vjeç, është kariesi dentar, që ndodh për shkak të kujdesit dhe higjienës së ulët dentare që ndiqet nga këto grupmosha në shtëpi.

Në udhërrëfyesin e praktikës klinike për kujdesin që duhet treguar mbi shëndetin e të vegjëlve, ekspertët e dikasterit të shëndetësisë vënë në dukje se fëmijët që preken nga dëmtimet më të shpeshta të dhëmbëve janë:

“Ata që fillojnë vonë larjen e dhëmbëve, që nuk kanë shkuar për vizitë tek dentisti asnjëherë, të vegjlit që i kanë larë dhëmbët më rrallë se dy herë në ditë, fëmijët që i lajnë gjithnjë vetë dhëmbët pa u mbikëqyrur dhe ndihmuar nga një i rritur, si dhe në rastet kur kanë përdorur biberon për t’u ushqyer, apo për t’u qetësuar (biberoni fals)”. Gjithashtu, prishja e dhëmbëve është mjaft i lartë edhe tek fëmijët që konsumojnë shumë sheqer dhe ëmbëlsira, lëngje të ëmbëlsuara dhe të gazuara, si dhe që kanë pirë gjatë natës pije të tjera përveç qumështit”.

Rreziku i prishjes së dhëmbëve pohohet të jetë shumë i lartë veçanërisht në radhët e fëmijëve që vijnë nga familje të varfra social-ekonomike.

Si ndikon ushqimi tek dhëmbët e fëmijëve nën 5 vjeç

Sheqeri dhe acidet në ushqime shkaktojnë prishje dhe rënie të dhëmbëve, fazë e cila nis që në fëmijëri të hershme. Zhvillimi kariesit dentar varet nga ndërlidhja midis sipërfaqes së dhëmbit, karbohidrateve dhe sheqernave në ushqime dhe baktereve të veçanta orale.

Acidet organike që prodhohen nga fermentimi bakterial i karbohidrateve me ushqime pakësojnë pehashin e pllakës dentare. Shfaqjet fillestare të lezionit karioz duken si një njollë opake, ngjyrë qumështi në zmalt dhe me humbjen progresive të mineralit të dhëmbit shfaqet kaviteti. Një grup mikroorganizmash janë të shoqëruara më zhvillimin e kariesit dentar, ku më i shpeshti është “streptokoku mutans”. Këto baktere kanë aftësinë që ngjiten tek zmalti prodhojnë acid me shumicë dhe t’i mbijetojnë pehashit të ulët.

Ndërsa sipërfaqja e zmaltit krijon kavitete, baktere të tjera orale që kolonizojnë dhëmbin dhe më tej shtojnë demineralizimin. Kështu, demineralizimi nga prodhimi bakterial acid varet nga shpeshtësia e marrjes së karbohidrateve dhe lloji i karbohidratit. Mundësia për zhvillimin e kariesit dhe dëmtimin e dhëmbëve shtohet nga përdorimi i biberonëve, e cila nëse konsumohet në vazhdimësi për kohë të gjatë, ose kur fëmija pushon në shtrat.

Po ashtu, edhe karamelet ngjitëse që mbahen në gojë për periudha të gjata shtojnë rrezikun e zhvillimit të kariesit. Kariesi më i përhapur në foshnjat dhe fëmijët më të vegjël njihet si kariesi i fëmijërisë së hershme, ose nga shishja me biberon. Pakësimi, ose evitimi i ushqimeve dhe pijeve me këto përmbajtje, mbron dhëmbët e fëmijës nga prishja dhe rënia.

Nëse fëmija nuk e ndalon vetë, zakoni i përdorimit të biberonit duhet dekurajuar mbas moshës 3 vjeç sepse shkakton probleme me dhëmbët dhe zhvillimin e nofullës së fëmijës. Asnjëherë mos e lini një foshnje të pa kontrolluar me një biberon në gojë, ose mos e leni të flejë me biberon në gojë.

Ndikimi i barnave në prishjen e dhëmbëve

Fëmijët që duhet të marrin shpesh barna për probleme të ndryshme shëndetësore, rrezikojnë më shumë për prishje dhe rënie të dhëmbëve dhe duhet të jenë në kontroll të vazhdueshëm tek dentisti. Parandalimi efektiv i sëmundjeve të dhëmbëve duhet të jetë një prioritet që në moshë të vogël. Në rastet kur është e mundur duhet të nxitet përdorimi i barnave që janë pa përmbajtje të sheqerit.

Larja e dhëmbëve

Larja e rregullt e dhëmbëve ul mundësinë e veshjes së dhëmbëve me një pllakë që përmban baktere, të cilat shndërrojnë sheqernat ushqimore në acide gërryese për dhëmbët. Larja e dhëmbëve duhet të fillojë që në moshën 6 muajsh, kur fillohen ushqimet plotësuese, apo sapo të dalë dhëmbi i parë.

Larja e dhëmbëve, si gjëja e fundit që bën fëmija para gjumit, apo edhe në mëngjes, pas ngrënies, duhet të inkurajohet sa më herët dhe të mbikëqyret nga një i rritur deri në moshën shtatë vjeçare. Kur fëmija është dy vjeç mund të fillohet përdorimi i pastës së dhëmbëve me fluor, në sasinë e një kokrre bizeleje. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuar edhe këshillat se si duhet të veprohet me larjen e dhëmbëve tej fëmijët nën moshë tre vjeç.

Për parandalimin e kariesit, lëvizjet që duhen bërë me furçën e dhëmbëve janë që të spostohet ajo duke filluar nga gingiva drejt fundit të dhëmbit. Po kështu, fëmijët duhet të mësohen se nuk mjafton të kryhet kjo lëvizje vetëm nga pjesa e jashtme e dhëmbëve, por edhe nga e brendshmja. Një kohë prej 3 minutash është e mjaftueshme për t’i ndihmuar fëmijët të lajnë dhëmbët e tyre. Kur fëmijët janë të vegjël deri në moshën 6 vjeç, prindërit duhet t’i ndihmojnë në larjen e dhëmbëve.

Ato duhet të mësohen dhe të kontrollohen në këtë moshë. Fëmijët më të rritur duhen mësuar edhe si t’i shpëlajnë mirë dhëmbët, të rrotullojnë ujin nëpër gojë. Kjo ndihmon në shpëlarjen e pastës së dhëmbëve bashkë me grimcat e ushqimit. Në Shqipëri të gjithë fëmijët e moshës 0-18 vjeç përfitojnë kontrolle dhe kujdes dentar falas. Ky shërbim ofrohet falas nga dentistët që punojnë në shërbimin shëndetësor në shkolla. Kontrollet për dhëmbet duhet të jenë rutinë që në moshë të vogël.

Prindërve u këshillohet se fëmija nën 3-vjeç duhet të:

  • Përdorë një pastë dhëmbësh që përmban të paktën 1,000 ppm Fluor.
  • Hedhë një sasi paste dhëmbësh sa madhësia e thoit, apo sa tre të katërtat e furçës së tij.
  • Pasi të mbarojë fërkimin me furçë, duhet të fshijë gojën dhe dhëmbët me një peshqir të pastër, pasi kjo mund të shkaktojë prodhimi të pështymës.
  • Nuk është e nevojshme që fëmijët e vegjël ta shpëlajnë gojën me ujë.
  • Mos e lejoni fëmijët ta lëpijë, apo hajë pastën e dhëmbëve nga tubi i pastës.
  • Për një kontroll më të mirë të kariesit, zgjidhni një pastë dhëmbësh që të përmbajë 1,350-1,500 ppm fluor.

Për të shmangur prishjen e dhëmbëve tek të vegjlit, prindërit duhet që:

  • Të kufizojnë dhënien e ushqimeve dhe pijeve që përmbajnë sheqer, ose acide gjatë vaktit të ushqyerjes.
  • Ofrojnë ujë dhe qumësht si pijet e vetme të sigurta për dhëmbët e fëmijës që mund të jepen jashtë vakteve, dhe gjithnjë t’i japin ato në gotë, apo filxhan.
  • Të shmangin dhënien e ëmbëlsirave, apo pijeve acide para gjumit. Pështyma ka një efekt mbrojtës tek dhëmbët, por prodhimi i saj pakësohet gjatë gjumit, ndaj është e dëmshme dhe aq më tepër dëmtohen dhëmbët kur këto pije jepen me biberon. Nëse do i lejojnë fëmijës të hajë ndonjë karamele apo çokollatë, ajo duhet të ndodhë menjëherë pas buke dhe jo në kohën mes vakteve.
  • Të kujdesen për mënyrat e larjes dhe pastrimit të dhëmbëve tek fëmijë e vegjël, si dhe të kontrollojnë periodikisht dhëmbët e fëmijës së tyre tek dentisti i shkollës, dhe të krijojnë bashkë me të një kalendar të ndjekjes së rregullt të fëmijës.

Kur duhet të nisë larja e dhëmbëve

Larja e dhëmbëve duhet të fillojë menjëherë pas daljes së dhëmbit të parë të qumështit. Pastat e dhëmbëve kanë në përbërje disa substanca që kanë rolin e tyre specifik. Numri i baktereve në gojë mund të jetë më i madh se popullsia e botës. Era e keqe e gojës mund të jetë shenjë e disa sëmundjeve. Higjiena e gojës është shumë e rëndësishme sidomos gjatë shtatëzanisë. Një person i rritur ka 32 dhëmbë që do të thotë 160 sipërfaqe për t’u pastruar.

Sipas stomatologëve disa nga faktorët që ndikojnë në sëmundjet e dhëmbëve janë: mungesa e kujdesit, konsumimi i duhanit dhe ëmbëlsirave, kequshqyerja, etj.

Për të pasur dhëmbë sa më të shëndetshëm kujdes duhet bërë edhe me ato ushqimet të cilat përmbajnë një sasi të madhe sheqeri, duke favorizuar në këtë mënyrë prishjen e dhëmbëve. Ëmbëlsirat nuk janë të vetme ushqime që nxisin formimin e acideve dhe kaviteteve.

Shumë ushqime që njerëzit i konsiderojnë të shëndetshme, si: lëngjet e frutave, pijeve energjike, frutat të thata, dhe patatinat e llojeve të ndryshme përmbajnë sasi të lartë të sheqernave, që nxisin kariesin dentar. Gjithashtu edhe pijet freskuese mund të dëmtojnë dhëmbët tuaj.

Megjithëse, pijet dietike përmbajnë sheqerna artificiale, ato mund të jenë të dëmshme për dhëmbët. Këto pije përmbajnë acide, të cilat ndikojnë në tretjen e smaltit të dhëmbëve duke nxitur hiperndjeshmërinë dhe krijimin e kaviteteve.

Këshilla për kujdesin që duhet të ndjekin më të rriturit

  • Mbani një dietë të shëndetshme dhe zgjidhni ushqime nga grupet ushqimore si: bukë, drithëra, fruta, perime, mish, peshk, qumësht, djathë dhe kos.
  • Përdorni ujë pas ushqimit.
  • Mos konsumoni ushqime të thata dhe me shumë sheqer.
  • Lani dy herë në ditë dhëmbët me pastë me përmbajtje fluori.
  • Përdorni floss dentar (fije dentare) për heqjen e mbeturinave ushqimore mes dhëmbëve.
  • Reduktoni shpeshtësinë e marrjes së karbohidrateve (sheqernave)gjatë ditës.
  • Përdorni furçën e dhëmbëve 3 herë në ditë me pastë të fluorizuar.
  • Kontrolle periodike te dentisti.
  • Ndërroni furçën e dhëmbëve çdo 6 muaj.

 

October 13, 2017 10:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*