Prishtina i jep OK në Bruksel lidhjes së „rrugës së kombit“ me Serbinë

Genc Kondi November 9, 2012 14:57

Prishtina i jep OK në Bruksel lidhjes së „rrugës së kombit“ me Serbinë

Ëndrra e Berishës për rrugën Durrës-Nish, tani e realizueshme

 

Kosova e Serbia do të lidhen me autostradë. Lajmi i papritur ka dalur pas darkës së punës ndërmjet kryeministrit Thaçi dhe kryeministrit serb Daçiç, me ndërmjetësimin e shefes së politikës së jashtme e sigurinë të BE-së, Catherine Ashton. “Të dyja palët janë pajtuar për të krijuar një ekip të përbashkët teknikësh për të përgatitur një studim fizibiliteti mbi autostradën Nish-Prishtinë”, ka thënë Ashton pas takimit të dy palëve në Bruksel.

 

Në fakt, një gjë të tillë e ka paraprirë, shumë vjet më parë, kryeministri shqiptar Sali Berisha, kur i ka “shpëtuar” nga goja ideja se autostrada, për të cilën janë shpenzuar më se një miliard euro vetëm nga pala e Republikës së Shqipërisë, mund ta kishte ”bishtin” në qytetin serbojugor të Nishit.

 

Qeveria e Shqipërisë ka planifikuar kështu që në fillim që rruga Durrës-Kukës-Prishtinë të dalë në Serbi, përkatësisht në Nish, për të shërbyer si një arterie kryesore në ndihmë të Serbisë drejt Jugut të Evropës.

 

Kryeministri Sali Berisha e bëri një deklaratë të tillë në takimin e tretë vjetor të Observatorit të Transportit të Evropës Juglindore, i cili zhvilloi punimet në Tiranë, më 4 dhjetor 2007. Kreu i Ekzekutivit shqiptar deklaroi publikisht atëhere se qeveria po studion të gjitha mundësitë e zgjerimit të porteve aktuale apo ndërtimit të porteve të reja, në mënyrë që rajoni i Kosovës, Serbisë Jugore dhe Maqedonisë, por edhe një pjesë e Bullgarisë, të mund të përdornin për transport portet shqiptare. Për herë të parë, Berisha ka pranuar kështu se qëllimi final i ndërtimit të rrugës, tepër të shtrenjtë, nga Adriatiku në Kosovë është edhe krijimi i mundësisë për Serbinë që të ketë akses në pjesën jugore të Adriatikut.

 

Serbia aktualisht është partneri i gjashtë i Shqipërisë përsa i përket importit, ndërkohë që eksportet tona drejt saj janë të papërfillshme. Por, sipas ISAC – Qendra për Çështje Ndërkombëtare të Sigurisë e Beogradit, shteti serb parashikon të intensifikojë përpjekjet konkretisht për lidhjen e autostradës (Rruga e Kombit) nga Prishtina drejt kufirit me Serbinë, drejt Nishit, që do të siguronte një përdorim më të mirë të Portit të Durrësit nga biznesi serb, krahas modernizimit të segmentit rrugor nga Tivari i Malit të Zi drejt Shkodrës në Shqipëri dhe ndërtimit të autostradës nga Beogradi në Tivar.

 

Fjala këtu është për investime shumë më të zgjeruara se sa ato aktualet, që kanë të bëjnë kryesisht me shkëmbime mallrash. Por edhe në këtë të fundit, importet nga Serbia janë rritur me shpejtësi, duke u dyfishuar nga viti 2009 deri këtë vit. Sipas të dhënave doganore, që u referohen statistikave të muajve janar-gusht, në qoftë se në vitin 2009 kemi importuar nga Serbia 46 milionë euro mallra, këtë vit shifra ka kaluar në 104 milionë euro, duke bërë që Serbia të zerë 4.2 për qind të totalit në vlerë të importeve të Shqipërisë, ku Italia ze vendin e parë me 30 për qind të importeve.

 

Po kështu, në këtë dokument thuhet se Beogradi synon të modernizojë lidhjen aktuale hekurudhore midis Shkodrës dhe Podgoricës, që do të lëvizte më lehtësisht mallrat serbe drejt Shqipërisë, përmes lidhjes me segmentin Podgoricë-Beograd.

 

Duket se fjala është për një projekt të rakorduar mirë, që para se vinte Berisha në pushtet, për të krijuar lidhje më të ngushta ekonomike midis Serbisë dhe Shqipërisë, në një lojë ku ka hyrë së fundi edhe qeveria kosovare e Thaçit.

 

Tabela

 

Importet e mallrave nga Serbia në drejtim të Shqipërisë në vite (periudha janar-gusht)

Viti       Importi në euro      Pesha në % ndaj importit total

2009       46 milionë           2.3%

2010       70 milionë           3.2%

2011       99 milionë           3.9%

2012       104 milionë          4.2%

(Burimi: Drejtoria e Përgjithshme e Doganave)

Genc Kondi November 9, 2012 14:57
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*