Pritet tjetër valë arrestimesh mes ish-zyrtarëve të FIFA-s

June 3, 2015 12:49

Pritet tjetër valë arrestimesh mes ish-zyrtarëve të FIFA-s

Pas hetimeve të FBI-së dhe arrestimit të 7 zyrtarëve të lartë, ekzekutuar nga autoritetet zvicerane, shumë shpejt pritet edhe një valë e re arrestimesh. Të paktën kështu mësohet nga Zyra e Interpolit në Lion të Francës.

“Alarmi i kuq” i lëshuar këtë të mërkurë, siç konsiderohet njoftimi për urdhër-arreste ndërkombëtare me kërkesë të autoriteteve amerikane, u referohet dy ish-zyrtarëve të lartë të FIFA-s dhe 4 shefave të tjerë ekzekutivë, të cilët akuzohen gjithashtu për shantazh, konspiracion dhe korrupsion.

Në “listën e zezë” këtë herë kanë përfunduar Jack Warner, me shtetësi nga Trinidad dhe Tobago, ish-zëvendëspresident i FIFA-s dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv, ish-president i CONCACAF-it apo organizata më e lartë drejtuese e futbollit për Amerikën Veriore dhe Qendrore, si dhe këshilltar special i Federatës së Futbollit të Trinidad dhe Tobagos (TTFF); Alejandro Burzaco, me shtetësi argjentinase, i cili ka qenë ndër kontrollorët kryesorë të “Torneos & Competencias S.A.”, një organizatë biznesi për marketingun sportiv të Argjentinës; Hugo Jinkis dhe Mariano Jinkis, sërish shtetas argjentinas, ish-drejtues të “Full Play Group S.A.”, një tjetër organizatë biznesi e Argjentinës; si dhe ndaj Jose Margulies, i njohur gjithashtu si Jose Lazaro, shtetas brazilian dhe kontrollor i “Valente Corp. & Somerton Ltd”, organizatë biznesi për transmetimet televizive-raporton TCH.

“Alarmet e kuqe” janë thjesht një mënyrë njoftimi nga Interpoli për vendet e saj anëtare, që bën të ditur se është lëshuar një mandat arresti për një individ nga autoritetet e drejtësisë dhe synon të lokalizojë e të arrestojë personat në fjalë, me synimin për t’i ekstraduar e për t’u gjykuar.

Individët e sipërcituar janë të kërkuar nga organe drejtësie kombëtare, por roli i Interpolit është asistimi i forcave policore kombëtare në identifikimin dhe gjetjen e vendndodhjes së tyre, me synimin për t’i arrestuar dhe ekstraduar në SHBA.

Siç shpjegon Interpoli, këto alarme nuk nënkuptojnë mandat arresti ndërkombëtar, ndaj dhe Interpoli nuk mund të detyrojë ndonjë vend anëtar për arrestimin e tyre, as nuk mund të dërgojë oficerët e Sekretariatit të Përgjithshëm për ta. Vetëm autoritetet ligjzbatuese të vendeve anëtare të Interpolit, ku këta individë ndodhen, kanë autoritetin ligjor për t’i arrestuar ata.

June 3, 2015 12:49
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*