Privatizimet në udhëkryq, sytë e qeverisë mbi to

Genc Kondi November 6, 2012 11:56

Privatizimet në udhëkryq, sytë e qeverisë mbi to

Shtyrja e fillimit të negociatave të ministrisë së Ekonomisë me fituesin e tenderit për privatizimin e Albpetrolit ka ngacmuar menjëherë opinionin publik lidhur me problematikën e privatizimeve. Çështja ka tronditur jo pak edhe vete qeverinë, e cila mund të thuhet me plot gojën se sytë i ka pikërisht tek paratë që do të sjellin objektet e mëdha shtetërore që do të shiten, si për të mbushur vrimat aktuale të buxhetit, ashtu edhe në dritën e vitit elektoral, që, siç jemi mësuar ne shqiptarët, do të kërkojë pa tjetër dekorin e shiritave që priten, qoftë edhe disa herë për të njejtin objekt a segment rrugor.

 

Albpetroli

Konsorciumi që paraqiti një ofertë papritshmërish të lartë për blerjen e kompanisë shtetërore të naftës duhej të kishte bllokuar 10 për qind të shumës së ofruar para se të shpallej fitues. Që në fillim, gjatë procesit të hapjes së ofertave, u vu re një hezitim nga ana e Komisionit lidhur me atë në se ishte apo jo e vlefshme garancia bankare – e cila, në këtë rast, do të ishte 85 milionë euro. Komisioni deklaroi një herë se ka garanci, pastaj se nuk ka garanci dhe më pas edhe ka, edhe s’ka. Historia u vulos nga konsulenti Patton&Boggs, sipas të cilit paratë për këtë garanci ishin të vlefshme.

Por, me të filluar procesi i negociatave, lëmshi ngatërrohet sërish. Në momentin e fillimit, duhet të deklarohet ngrirja, tashmë, e 20 për qind të shumës, praj 170 milionë eurove, të cilat, me sa duket nga kërkesa për shtyrje, konsorciumi blerës nuk i zotëron, jo vetëm ai vetë, por as nuk i ka të siguruara nga bankat e mundshme financuese. Në fakt, rregullat e vendosura nga qeveria në lidhje me këtë privatizim  lejojnë një shtyrje të negociatave vetëm një herë, për 30 ditë maksimumi dhe operatori në fjalë ka shfrytëzuar këtë mundësi. Por, ç’do të ndodhte në rast se edhe ky afat kalon dhe kompania nuk përgjigjet me paratë?
Dalin dy mundësi: ose qeveria do të tolerojë, duke pranuar një pjesë të parave – një gjë e tillë ka ndodhur, të paktën në rastin e privatizimit të ARMO-s – duke shkelur ligjin, pra me logjikën e kësteve, ose do të skualifikojë konsorciumin fitues, për të nisur negociatat me operatorin që ka dhënë ofertën e dytë në vlerë, me qendër në Hong Kong.

 

Sa ka gjasa të ndodhë secili prej këtyre varianteve?

 

Sipas burimeve pranë qeverisë, Berisha nuk ka dashur që kompaninë e naftës t’ia shesë të njejtit biznesmen, që ka edhe ARMO-n, i cili në këtë mënyrë do të plotësonte ciklin e nxjerrjes e përpunimit të naftës, deri në shitjen me pakicë, të merrte licensë gazi natyror, të kishte të drejtën se kujt operatori tjetër në treg t’i hiqte a t’i jepte licensa nxjerrjeje nafte, me pak fjalë do të merrte një potencë të frikshme ekonomike, që Berisha nuk e ka qejf ta ketë askush veç njerëzve shumë pranë tij. Kohët e fundit, ai ka lëshuar disa mesazhe ndaj kreut të këtij konsorciumi, duke e kërcënuar me penalizime, në rast se nuk sjell paratë e premtuara.

 

Së dyti, që kur është bërë oferta e kinezëve, këta të fundit nuk kanë dalë asnjëherë në skenë, duke lënë të dyshohet se ndoshta oferta e tyre është bërë nga ofertuesi kryesor, për të justifikuar shifra afër 800 milionëshit. Në këtë rast, mbetet të shihet në se janë realë ofertuesit nga Hong Kongu, apo METE do të shtyhet në negociata me Bankers Petroleumin, që doli në vend të tretë. Në këtë rast të fundit, qeveria duket më e prirur për të përsëritur tenderin, sa të pranonte shifra shumë të ulta për shitjen.

 

Buxheti

Pagesa e të paktën 170 milionë eurove këtë vit nga blerësi i Albpetrolit ka rëndësi të jashtëzakonshme për qeverinë. Financat do të merrnin frymë lirisht, në një kohë kur realizimi i buxhetit të shtetit po dështon në mënyrë të duksh.e Vetë shifrat e këtij dikasteri tregojnë se në 9 muajt e këtij viti mosrealizimi është 16.1 miliardë lekë, pra 160 milionë dollarë ndaj parashikimit, duke qënë 6.2 për qind më i ulët se planifikimi për këtë periudhë. Ky ka qenë pak a shumë trendi për gjithë vitin 2012. Kështu, në janar realizimi ishte 5.6 për qind më i ulët, si tremujor deficiti ishte 5 për qind dhe si tetëmujor ishte 5.3 për qind.

Thellimi i mosrealizimit është i dukshëm dhe në muajt që vijnë duhet të shtohet më tej. Pavarësisht nga të gjitha përpjekjet e bëra nga qeveritarët lidhur me uljuen e borxhit publik, ata nuk kanë mundur të pakësojnë shpenzimet për paga, pensione, energji elektrike, etj, në dëm të investimeve direkte me fonde publike. Në këto kushte, thithja e një shifre të mirë nga privatizimet do të ishte një bombol e vërtetë oksigjeni, ndërkohë që do të krijonte bazën edhe për vitin e ardhshëm, për ta nisur buxhetin me një shifër pozitive.

 

Investimet

Sipas Direktoratit të Përgjithshëm të Komisionit Ekonomik për Ekonomi-Financën, investimet e huaja direkte në Shqipëri janë rrudhur në masën 14 për qind gjatë tremujorit të dytë të vitit. Kjo ka të bëjë me krizën globale, po aq sa ka të bëjë edhe me besueshmërinë e qeverisë shqiptare në marrëdhënie me investitorët e huaj. Pavarësisht se ç’thuhet zyrtarisht lidhur me miliardat e eurove që po vërshojnë në Shqipëri gjatë tetë viteve të fundit, ato janë kryesisht premtime në letër, ndërkohë që realizimet mbetem gjithnjë për t’u parë. Në këtë kuadër mund të përmenden se janë premtuar investime për të paktën tri linja interkonjeksioni nëndetar Shqipëri-Itali, një park gjigand energjetik në Seman të Fierit, një park po aq i madh me energji eolike në Karaburun e Llogara, objekte bixhozi e relaksi për të cilët janë dhënë edhe lejet përkatëse shtetërore, por këto miliarda prej vitesh shihen vetëm në VKM e nëpër ligje.

 

Ndërkohë, dhjetëra e dhjetëra hektarë troje po jepen për përdorim me çmimin simbolik një euro nga qeveria, por këto nuk sjellin gjë në buxhet, ndërkohë që janë qoka për miq të qeverisë.

 

Në këto kushte, prurja e privatizimeve masive do të ishte me rëndësi absolute për realizimin e linjave kryesore të buxhetit të shtetit.

 

Vetë ekonomia, sipas Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, ka shënuar një rënie ritmi në tremujorin e tretë prej 10 përqindësh, duke iu referuar shifrave paraprake, ndërkohë që qeveria vijon të ruajë një optimizëm – gjitnjë e mëpak të bazuar në realitet – përsa i përket ndryshimit të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.

 

Borxhet

Qeveria shqiptare ka edhe një hall tepër të madh për të zgjidhur. Ndërkohë që ajo nuk po rregullon dot deficitn buxhetor, në derëne  saj trokasin përditë shpresëhumburit-biznesmenë, që kërkojnë para për punimet e kryera, tashmë prej vitesh, në infrastrukturë.

 

Qeveria, sipas shifrave, ka akumuluar borxhe ndaj biznesit, si fatura të papaguara, rreth 200 milionë euro. I detajuar, sipas sektorëve, ky borxh në masën 120 milionë euro u takon ndërtuesve, të cilët nuk janë paguar për punimet e kryera kryesisht në infrastrukturën rrugore. Rreth 30 milionë euro të tjera janë detyrime ndaj kompanive të karburanteve dhe rreth 50 milionë euro ose rreth 8 miliardë lekë janë në formën e TVSH-së së parimbursuar ndaj bizneseve.

 

Shifrat janë pohuar nga zyrtarët e Financave, ndërkohë që opozita pretendon se vlerat janë edhe më të larta. Sipas ekspertëve të FMN dhe Bankës Botërore, që kanë vizituar Shqipërinë kohët e fundit, situata është krijuar për faktin se qeveria ka miratuar buxhete tepër optimiste në kohë krize.

 

Edhe këto borxhe, do të ishte shumë e lehtë të zhdukeshin në rast se vinin paratë e Albpetrolit. Madje, mund të mendohet se qeveria do të shlyente borxhet e vjetra dhe do të joshte bizneset – që kanë mbetur në ditë të hallit – të fillonin vepra të tjera të mbetura pezull, për të hyrë në borxhe të reja. Fjala është sërish për objekte me vlera të konsiderueshme, të tilla si Rruga e Arbrërit, segmenti Qukës-Pogradec, segmenti nga Ura e Kardhiqit drejt Delvinës, përfundimi i rrugëve të lëna përgjysëm, si nga Plepat e Durrësit drejt Rrogozhinës, dyfishimi i segmentit nga Fushë Kruja deri në Milot, apo nga Miloti deri në rrëshen, etj. Të gjitha këto kushtojnë miliardë euro, që Berisha e Bode nuk i kanë.

 

Shitjet

Berishës nuk po i ecën mirë puna edhe me objektet e tjera që ka nxjerrë në shitje. Kështu, janë katër HEC-e, me vlerë jo të pakonsoderueshme sëbashku, të cilët shiten, por nu po blihen. Dikasteri përkatës e ka kthyer dy-tri herë procedurën, por sërish ato po mbeten në derë të shtetit. Por, ndërkohë që është njoftuar ndryshim në rregullat e këtij tenderi, një gjë e tillë ka pesë javë që nuk po del publikisht në Fletoren Zyrtare, për të marrë fuqi ligjore. Mundësia më e madhe këtu është që këto objekte të jepen lirë për miqtë e qeverisë, por në këtë rast Berishës do t’i mbeste në dorë një buxhet problematik.

 

Ndërkohë, lidhur me pronat e ushtrisë, fenomeni është shumë i qartë: privatizimi i tyre, sidomos në zonat e lakmuara me interes turistik, do të bëhet në favor të qeveritarëve dhe oborrit të tyre. As që mund të mendohet një proces i hapur dhe i pastër tenderues, që do të sillte më shumë fonde në buxhet. Ashtu sikurse edhe fishekët e mbetur apo skrapet e çelikut apo tunxhit po u jepen personave të caktuar, edhe këto prona që tani kanë pronarin e tyre të ardhshëm, që do të paguanin shifra minimale.

Genc Kondi November 6, 2012 11:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*