Divorci, problemet dhe këshilla për të trajtuar fëmijët

Pranvera Kola April 2, 2013 08:20

Divorci, problemet dhe këshilla për të trajtuar fëmijët

Vështirësia që kanë shpeshherë prindërit në gjetjen e një gjuhe të përbashkët duke shfaqur si zgjidhje të vetme divorcin, lë pasoja dhe gjurmë të rënda në shëndetin emocional dhe fizik të fëmijëve. Rendja drejt veprimeve të tilla në të shumtën e rasteve nxit harresën e prindërve drejt përkujdesit të shtuar që duhet treguar ndaj fëmijëve, të cilët bien pre e shpërthimeve negative që çorientojnë tërësisht formimin e tyre emocional.

Duke marrë shkas nga shtimi i rasteve të divorcit në vendin tonë, si dhe problemet që shfaqen në shëndetin e fëmijëve, në një intervistë për gazetën “Dita”, psikologia klinike pranë Institutit të Shëndetit Publik, Orjola Pampuri, tregon se për fat të mirë ka gjëra që prindërit duhet të bëjnë për të ndihmuar fëmijën gjatë një divorci, duke minimizuar ekspozimin e fëmijëve ndaj stresit dhe ngarkesave të larta emocionale. Në këtë mënyrë prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët që ta kalojnë më lehtë këtë periudhë të vështirë të jetës së tyre.

 

Gjatë viteve të fundit numri i divorceve në shoqërinë shqiptare ka pësuar rritje të ndjeshme. Konkretisht si ndikon kjo gjë në rritjen e fëmijëve (kryesisht në aspektin psikologjik) dhe me çfarë pasojash shoqërohet?

Divorci është i vështirë si për prindërit, ashtu edhe për fëmijët. Megjithëse reagimet emocionale të fëmijëve zakonisht varen nga mosha e tyre në periudhën kur ndodh divorci. Shumë fëmijë  përjetojnë trishtim, zemërim dhe ankth, dhe kjo nuk është e pazakontë  të manifestohet me sjelljen e tyre. Gjatë divorcit, fëmijët mund të kenë shumë reagime emocionale. Zakonisht hidhërimi i tyre shfaqet: me mospranim dhe heshtje, me kthim mbrapa, me lodhje fizike, me ndjenjën e fajit dhe me veprime armiqësore, me gjendje paniku, alarmi dhe konfuzion.

 

Sa i vështirë është kapërcimi i pasojave të ndarjes së prindërve për fëmijët?

Fëmijët, pavarësisht nga mosha apo seksi, e përjetojnë keq ndarjen e prindërve. Kjo ndikon në sjelljen dhe gjendjen psikologjike të tyre, gjë që në një mënyrë ose në një tjetër lë gjurmë dhe ndikon në formimin e personalitetit të tyre. Ndarja e vë në pozita të pabarabarta njërin nga prindërit në lidhje me fëmijët. Prindi (nëna ose babai) që fiton të drejtën e kujdestarisë është në kontakt të vazhdueshëm me ta, kurse tjetri është më larg, për të mos thënë që edhe i shkëput fare kontaktet me fëmijët. Ndryshimet në marrëdhëniet me fëmijët mes dy prindërve, mund të varen nga ligji, kultura, morali, psikologjia etj. Sidoqoftë, ato lënë shenja tek fëmijët, prandaj mendimi shkencor sugjeron: përfshirjen afatgjatë të të dy prindërve në përkujdesjen ndaj fëmijëve.

 

Si mund të ndërhyhet në këtë rast?

Është e domosdoshme të përpiqeni, sidomos menjëherë pas divorcit, që fëmijët të mos tronditen rëndë (të traumatizohen). Me kalimin e kohës do të ishte mirë nëse prindërit do të takoheshin me njëri-tjetrin për të folur për rritjen dhe edukimin e fëmijëve. Kjo do t’i ndihmonte fëmijët të ndiheshin më mirë. Pothuajse shumica e fëmijëve të cilët janë nën kujdestarinë e nënës, kanë probleme për takimet me baballarët. Zakonisht baballarët pas divorcit i shohin fëmijët një herë në muaj, vetëm pak prej tyre i shohin fëmijët më shpesh dhe mbajnë lidhje të ngushta me ta. Lidhjet me baballarët janë shumë të rëndësishme për fëmijët dhe ndikojnë shumë në arritjet e tyre në shkollë, kopsht si dhe në lumturinë e tyre.

 

Cilat janë masat dhe sjelljet që duhet të bëjnë prindërit në mënyrë që fëmijët e tyre të mos vihen përballë shpërthimeve emocionale që mund të lënë gjurmë në rritjen e tyre?

Disa mënyra që lehtësojnë sadopak ndikimin negativ tek fëmijët kur prindërit kanë vendosur të ndahen: prindërit e ndarë nuk duhet të harrojnë se ata mund të jenë ndarë nga njëri-tjetri, por jo nga fëmijët. Fëmija gjithmonë ka nevojë për mbështetjen dhe dashurinë e prindit. Çifti i ndarë, edhe pse i tillë, nuk duhet të harrojë që t’i qëndrojë pranë fëmijës sa herë ka nevojë. Nuk duhet të shtyjë në asnjë mënyrë kohën e vendosur për të kaluar së bashku me fëmijën.

Prindërit e ndarë nuk duhet t’u flasin keq fëmijëve për njëri-tjetrin. Fëmija duhet të lajmërohet për çdo ndryshim që mund të ndodhë pas divorcit.

Duhet të mënjanohen ndikimet negative të menjëhershme mbi fëmijën si p.sh., ndryshim qyteti, shkolle, shoqërie etj. Duhet të përballohen të gjitha nevojat e fëmijës për edukim, mirëqenie etj.

Duhet të lejohet takimi i fëmijës me prindin tjetër me të cilin jetojnë të ndarë. Nuk duhet në asnjë mënyrë që veprime të nxituara të fëmijës t’i përngjasohen prindit tjetër (“je si yt atë” apo “jot ëmë”). Gjatë procesit të divorcit, prindërit duhet të jenë të sinqertë me fëmijën. Nuk duhet të gënjejnë asnjëherë.

Prindërit gjithashtu duhet të punojnë shumë për të ruajtur rolin e tyre si prindër. Mos kini turp të kërkoni ndihmë profesionale. Divorci është një krizë e madhe e jetës për një familje. Por në qoftë se ju dhe ish-bashkëshorti/ja juaj punoni për ta zgjidhur këtë, ju mund  të jeni ende prindër të mirë për fëmijën tuaj.

 

 

Reagimet emocionale të fëmijëve kur mësojnë se prindërit e tyre po ndahen

 

0-2 vjeç

Fëmijëve në këtë moshë u nevojitet një mbështetje dhe ngrohtësi e qëndrueshme, përgjatë gjithë ditës në këtë periudhë. Një i mitur në këtë moshë sinjalet e stresit i manifeston nëpërmjet çrregullimit të gjumit dhe të qarave pa shkak. Ndarja e prindërve në këtë periudhë mund të nxisë tek fëmijët e kësaj moshe mungesë interesi ndaj lojërave  të ndryshme, ndaj objekteve apo edhe mungesë afeksioni ndaj njerëzve të dashur që i qëndrojnë pranë, pra në një farë mënyre mund t’i shkaktojë një izolim social.

 

2 – 4 vjeç

Fëmijët në këtë periudhë kanë nevojë për një kujdes të qëndrueshëm. Ata në këtë moshë zhvillojnë kujtesë afatgjatë dhe aftësitë gjuhësore, bëhen më të pavarur dhe kanë nevojë për një kujdes më të qëndrueshëm. Fëmijët e kësaj moshe e manifestojnë ndarjen e prindërve  me shqetësime të vazhdueshme që shpeshherë identifikohen me stres, kufizojnë aktivitete e tyre sociale të mëparshme, çrregullime të gjumit, të qara pa shkak, mungesë vëmendje për fëmijët që janë në kopsht.

 

6 – 8 vjeç

Fëmijët e kësaj moshe, kanë nevojë për kohë individuale me secilin prind, që të ndjehen të sigurt që ata i duan. Madje shpeshherë ndjejnë nevojën e të dy prindërve së bashku të impenjohen me ta. Në këtë moshë fëmijët interesohen edhe në çështje të tilla duke marrë përsipër analizën, se kush është fajtori për një akt të tillë. Fëmija edhe pse është prezent i një fakti të tillë, pra ndarjes së prindërve, përsëri shpreson që të dy prindërit së bashku do të ribashkohen për tu impenjuar me të. Ajo që prindërit duhet të bëjnë, është të bindin fëmijën për prezencën e secilit prej tyre në aktivitetet dhe jetën e fëmijës edhe pse do qëndrojnë të ndarë me njëri tjetrin. Fëmija e manifeston stresin e divorcit të  prindërve me anë të zemërimit, agresionit apo trishtimit te thellë, probleme me shokët, rezultate jo të mira në shkollë. Stresi mund te paraqitet tek ata edhe me shqetësime somatike si dhembje stomaku apo koke.

 

9 -12 vjeç

Fëmijët e kësaj moshe përfshihen në aktivitete të ndryshme, duke qenë disi më të shkëputur nga prindërit e tyre. Shkolla, interesat sociale fillojnë të marrin përparësi në këtë grupmoshë. Fëmija në këtë moshë refuzon të ndajë kohën me prindërit në mënyrë të barabartë, dhe detyrimisht distancohet drejt njërit prej prindërve me të cilin edhe vendos të jetojë pas ndarjes së tyre. Këtë sjellje të prindërve nuk e marrin personale. Megjithatë stresin që përjetojnë nga divorci i prindërve e manifestojnë me izolim social, zemërim, depresion, probleme me të mësuarin si dhe me shqetësime somatike si dhimbje stomaku apo koke. Prindërit nuk duhet të kërkojnë mbështetje emocionale nga fëmijët e tyre në këtë periudhë që ata po kalojnë, por për të lehtësuar sa më shumë këtë dhimbje të shumëfishtë duhet të kërkojnë mbështetje psikosociale.

 

12 – 15 vjeç

Fëmijët në këtë moshë kanë nevojë për mbështetje të qëndrueshme nga të dy prindërit. Ata mund të mishërojnë fajin për divorc në njërin ose në të dy prindërit dhe mund të kundërshtojnë faktin e të qëndruarit një herë në njërën apo tjetrën  banesë të prindërve. Këtë shqetësim dhe mosaprovim të situatës ata e shprehin me anë të rezultateve të dobëta në mësime, përdorimit të drogës apo alkoolit, aktiviteteve seksuale, bien pre e simptomave të depresionit. Pavarësisht  faktit që këto shqetësime e kanë zanafillën në divorcin e prindërve këto raste kanë nevoje për asistence të specializuar si dhe mbështetje sociale dhe familjare.

 

15 -18 vjeç

Adoleshentët në këtë moshë fokusohen tek pavarësia e tyre dhe në aktivitetet sociale dhe shkollore. Dhe pa dashur ata bëhen intolerant ndaj problemeve të prindërve të tyre. Edhe pse adoleshentët në këtë moshë fokusohen në pavarësinë e tyre ata përsëri preokupohen për problemet e prindërve të tyre. Në këtë moshë ata mund të dëshirojnë që prindërit  të qëndrojnë bashkë të lumtur, por para faktit të një mosmarrëveshjeje të vazhdueshme ata do të pranonin divorcin. Megjithatë adoleshentët që e përjetojnë keq këtë fakt e manifestojnë atë me performancë të ulët në shkollë, probleme me drejtësinë, drogën e alkoolin, aktivitete seksuale si dhe arratisje nga shtëpia.

 

 

 

Format e shfaqjes së hidhërimit nga fëmijët

 

Mospranim dhe heshtje:  Në këtë gjendje, fëmija “mbyll sytë” ndaj situatës. Duket sikur atij nuk i intereson ajo që po ndodh mes prindërve apo sikur nuk e kupton. Duke bërë kështu, ai përpiqet të mbrojë veten nga humbja e madhe. Në fakt, kjo tregon se ai e shikon ndarjen si një ngjarje shumë të rëndë, të cilën e ka shumë të vështirë ta pranojë. Kjo sjellje shpesh kuptohet gabim nga prindërit që kujtojnë se fëmija po e pranon situatën.

Kthimi prapa në kohë/regresi: Të “pafuqishëm” për të  përballuar ndjenjat e ankthit, fëmijët mund të kthehen mbrapa në një moshë më të vogël me sjelljet e tyre. Ata mund të fillojnë të thithin gishtin, të lagen në shtrat, të flasin si bebe apo të paraqesin sjellje të tjera fëminore. Fëmijët mund të fillojnë të ankohen shumë që të rriturit të kujdesen më tepër për ta.

Lodhja fizike: Lodhja fizike shprehet nëpërmjet ankesave, si për shembull: “Kam dhimbje barku!” ose “më dhëmb koka!”. Lodhja fizike shpesh shfaqet atëherë kur fëmija është i pasigurt në gjërat që më parë i fitonte apo i arrinte “pa vështirësi”, si për shembull “jetën”, dashurinë prindërore, ushqyerjen, strehën dhe mbrojtjen.

Sjellja armiqësore dhe ndjenja e fajit: Sjelljet armiqësore shfaqen në formën e nervozizmit, inatit dhe të shpërthimit të ndjenjave të tilla që kalojnë nga sikleti në hakmarrje. Fëmijët e shfryjnë inatin te të tjerët në mënyrë që të përballojnë ndjenjën e fajit. Fëmijët e vegjël shpesh kanë ndjenja faji të forta, sepse besojnë që janë ata përgjegjës dhe shkaktarë të ndarjes së prindërve. Jo rrallë fëmijët parashkollorë besojnë se kanë fuqi të tilla të jashtëzakonshme dhe se mendimet e tyre për prindërit janë plotësuar në mënyrë të magjishme. U takon prindërve, pra, është përgjegjësi e tyre t’u shpjegojnë me durim e dashamirësi fëmijëve dhe t’i bindin se ata nuk kanë asnjë lloj faji për divorcin.

Paniku/alarmi dhe konfuzioni: Paniku dhe konfuzioni shfaqen atëherë kur fëmijët duhet të pranojnë jetesën e re.

Lejoje fëmijën të ndiejë: Sipas kësaj kërkese duhet që prindërit t’i lejojnë fëmijët të ndiejnë atë që duan, çfarëdo lloj ndjesie të jetë ajo. Për të arritur këtë, duhet pasur parasysh komunikimi me fëmijët sidomos me djemtë, të cilëve zakonisht u kërkohet të jenë të fortë apo të mos qajnë. Lotët janë shprehje e natyrshme e hidhërimit. Ato ndihmojnë për të çliruar emocionet.

Por edhe pse prindërit nuk duhet t’i ndalojnë fëmijët të derdhin lot, ata në asnjë mënyrë nuk duhet t’u ushqejnë atyre dhimbjen. Nga ana tjetër, duhet bërë dallimi mes një reagimi normal dhe një tjetri jonormal. Prindërit nuk mund ta bëjnë shpejt këtë dallim. Shenjat mund të jenë: problemet me mësuesit, edukatorët, vështirësi në të mësuar, tërheqje, të qara dhe agresivitet të vazhdueshëm ndaj prindërve, kujdestarëve etj. Ndërkohë që divorci përfundon, fëmijët përsëri do të kenë pyetje dhe shqetësime të tjera që duhen folur. Kur flitet që në fillim, më pas do të jetë më e thjeshtë, sepse fëmijët rriten dhe mund të arsyetojnë më mirë. Bisedat e ngrohta e të sigurta me prindërit u japin fëmijëve rehati, siguri dhe qetësi.

 

 

Këshillat

Kapërcimi i pasojave të ndarjes së prindërve është i vështirë për fëmijët, por situatat e vështira mund të zbehen me kalimin e kohës, nëse prindërit kanë parasysh këto këshilla që përmendëm deri tani, si dhe ato më poshtë:

Nuk ka një “moshë të mirë” që një fëmijë ta kalojë mirë divorcin e prindërve, sepse ndjeshmëria e fëmijëve ndryshon nga një moshë në tjetrën. Nëse divorci ndodh në një moment ndryshimesh për fëmijën, për shembull kur ai hyn në klasë të parë apo është në fillimet e adoleshencës, ai mund ta ketë shumë të vështirë ndarjen e prindërve. Nëse fëmijët e vegjël i ndiejnë më tepër efektet e menjëhershme të divorcit, fëmijët më të rritur i ndiejnë këto efekte më gjatë. Divorci është një ndryshim i madh në jetën e fëmijës, dhe me këto ndryshime me të cilat ato përballen hap pas hapi, tanimë në jetën e tyre duhet te mësohen gradualisht.

Gjithsesi, çfarëdo marrëveshje që të zgjidhet, nevojat e fëmijës suaj duhet të kenë gjithmonë përparësi. Duhet të shmangni betejën rutinë në raste të tilla për të fituar mbi bashkëshortin/en tuaj, duhet të merrni parasysh dëshirat dhe nevojat e fëmijës në raste festash, ditëlindjesh, pushimesh, të jenë ata të cilët mund të marrin vendimet se me kë duan të qëndrojnë dhe nëse duhet të jenë të dy prindërit në gëzimet, festat e ditëlindjet e tyre.

 

Pranvera Kola April 2, 2013 08:20
Komento

3 Komente

  1. gjergji November 6, 20:31

    Pershendetje! Jam 28 vjec i divorcuar kam nje vajze 5 vjece. Jam i divorcuar prej 2 vitesh. Ligji ka caktuar me te drejt qe femija te jet ne kujdestari te nenes se saj. Une si babai i saj i kam qendruar me prane, duke u kujdesur per edukimin dhe te respektoj te drejtat e femijes. E jema eshte larg shtetit dhe se kam iden se cfare duhet te bej. Eshte larguar pa then gje. Kjo nuk eshte per pak Kohe por per shume muaj. Eshte Hera e dyt qe largohet une personalisht nuk e kam problem por problemi eshte te vajza spese i mungon shume ajo nuk e shpreh por une e shoh ne syt e saj me thoni si te veproj eshte e mundur qe kujdestarin me ligj ta Marr une. Sepse pothuajse vajzen e kam mbajtur une, duke ditur qe une me ligj e kam vetem fundjavave me jepni nje keshille me respekt gjergji

    Reply to this comment
    • ana July 3, 11:41

      Sa gje e trishte.Edhe une jam e divorcuar 29 vjece dhe vajzen e kam 5 vjece.Edhe pse ja lejoj femijes qe te atin ta takoje sa here te doje dhe te flase kur te doje prape eshte e trishtuar.Jam dhe juriste dhe me pergjegjesi te plote te them qe e ema sa here qe te mare veprime te tilla duhet te mare aprovimin e te atit.sepse femija 5 vjec eshte i mitur dhe vendimet per te i marin te dy prinderit,qofshin ato dhe te divorcuar.drejtohu gjykates per rastin ligjor ndersa per moral e ema duhet tja bej me te thjesht femijes.ta lejoje sa here te doje te rrije me te atin sepse ka nevoje

      Reply to this comment
    • ana July 3, 11:42

      Sa gje e trishte.Edhe une jam e divorcuar 29 vjece dhe vajzen e kam 5 vjece.Edhe pse ja lejoj femijes qe te atin ta takoje sa here te doje dhe te flase kur te doje prape eshte e trishtuar.Jam dhe juriste dhe me pergjegjesi te plote te them qe e ema sa here qe te mare veprime te tilla duhet te mare aprovimin e te atit.sepse femija 5 vjec eshte i mitur dhe vendimet per te i marin te dy prinderit,qofshin ato dhe te divorcuar.drejtohu gjykates per rastin ligjor ndersa per moral e ema duhet tja bej me te thjesht femijes.ta lejoje sa here te doje te rrije me te atin sepse ka nevoje

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*