Problemi i punësimit të militantëve të PS-së nuk zhduket vizualisht duke mbyllur sytë

December 20, 2013 10:16

Problemi i punësimit të militantëve të PS-së nuk zhduket vizualisht duke mbyllur sytë

Shkrimtari dhe studiuesi Moikom Zeqo mendon se refuzimi i statusit të vendit kandidat për në BE është një refuzim konvencional. “Mos të gëzohen cinikët, as të hidhërohen naivët” – thotë ai në këtë intervistë në DITA. Ai flet edhe për një nga pikat më të ndjeshme në shoqëri, punësimet në administratë

DITA: Ka disa, si psh avokat Ngjela, që thonë se Rama ndërtoi një ekip qeverisës me kalamaj. Sa qëndron kjo vërejtje për Ramën?

M.ZEQO: Është tepër emocionale të thuhet se ministrat e Ramës janë kalamaj. Shumica janë të moshës së harkut kohor 40 dhe 50 vjeç – vetë Rama është 50 vjeç, Cani akoma më i madh në moshë, ministrat e caktuar nga LSI nuk janë aspak kalamaj. Mosha 40- 50 vjeç shihet si një moshë e mesme në politikë. Ditmir Bushati dhe Gjiknuri jo vetëm nuk janë kalamaj, por janë të ditur dhe personalitete, ndonëse modestë dhe jo gërthitës etj. Po kështu edhe anëtarë të tjerë të kabinetit. Ahere ku janë kalamajtë? Kriticizmi im është në këtë pikë tek ekipet e tyre siç e thashë më sipër. Kjo më shqetëson.

– Rama ka dhënë direktiva që administrata të mos ndërtohet me militantë, por në bazë të meritokracisë. A është e drejtë kjo?

– Meritokracia është një formulë veberiane e administratës. Veberi ngulte këmbë përherë tek meritokracia. Por të mos harrojmë se ka edhe shumë militantë që janë edhe me vlera meritokracie. Kryemilitanti i një partie politike bëhet kryeministër – padyshim edhe për meritokraci. Pse militantët e tjerë me merita të mos marrin poste adekuate? Ky është kyçi i Solomonit për të ndërtuar një administratë të përshtatshme dhe të gjallë. Nuk është  shumë e thjeshtë për shkak të subjektivitetit përzgjedhës, por jo  të rëndësisë së dukurisë – kjo është prova e kryeministrit por edhe e ministrave në përgjithësi. Kjo s’duhet harruar, as bishtnuar.

– Çfarë duhet bërë me militantët që qëndruan pa punë e pa përkrahje gjatë 8 viteve të qeverisjes së Berishës dhe që u duhet të presin akoma?

– Nuk duhen përbuzur dhe as margjinalizuar militantët sepse prishen balancat politike të çdo partie të vërtetë politike. Kjo është një ABC e politikës edhe për shkak të periodicitetit të zgjedhjeve politike çdo 4 vjet. Kësaj çështjeje Rama duhet t’i japë rëndësi të posaçme. Por sa janë kapacitetet reale kombëtare të punësimit të militantëve – bëhet fjalë për militantët e papunë dhe të tillë ka shumë? Ja një problem i ndërlikuar dhe delikat! Problemi nuk zhduket vizualisht duke mbyllur sytë. Ahere dalim tek çështja themelore dhe më e rënda: hapja e vendeve të punës! Ky është një parim dhe ligj i fortë i zhvillimit ekonomik intensiv dhe strategjik. E pra Shqipëria i ka të tëra mundësitë reale për një punësim masiv të popullit , të militantëve apo jo militantëve të të gjitha ngjyrave, pra të qytetarëve. Kjo kërkon një qasje të guximshme dhe përfundimtare më në fund.

– Si mund të bëhet kjo?

– Dhe vërtetë a mund të bëhet ndonjë gjë? Apo është një utopi, një ide onirike e pamundur? Nuk jam fatalist, as fantazist (fantazisti është një klonim i fatalistit në një formë tjetër). Po shpjegohem modestisht. Në indeksin kryesor të ekonomive kombëtare të shteteve mesdhetare industria e peshkimit zë një rol të dorës së parë. Kështu ndodh me Spanjën , Francën, Tunizinë , Italinë, Marokun , Egjiptin, Greqinë, Kroacinë-pa llogaritur vendet e Beneluksit, Danimarkën , Holandën, Finlandën etj Anglinë etj etj. Vetëm Shqipëria është gati në kuotën zero. E pabesueshme! Kemi mbi 30 mijë kilometra katrorë det si dhe hapësirat ndërkombëtare të  detit Mesdhe dhe nuk i shfrytëzojmë. Si ka mundësi vallë? Deti është ndryshe nga toka – nuk e mbjell, nuk pret shirjen, bërjen e bukës ose të bimëve me një cikël kohor, por hedh rrjetat e nxjerr proteina. Ja çudia ose mediokriteti. Pse nuk ngrihet nga qeveria nja bankë kombëtare për detin, t’iu japë disa mijëra peshkatarëve anije dhe mjete peshkimi me interesa të ulëta për 10-20 vjet dhe të stimulojë peshkimin si në çdo shtet mesdhetar? Punësimi do të rritet. Pa harruar edhe peshkimin ne ujërat e brendshme. Tjetër. Jemi vendi me ujëra të pijshëm me kapacitetin më të madh për frymë – me rezerva kolosale. Pse të mos ngrihet një sektor publik për industrializimin e ujit të pijshëm për kontrata për këtë ujë në vendet e Afrikës dhe të Azisë ku ka mungesa të mëdha? Lexoja këto ditë një libër të Zhak Atalisë, i cili flet për rëndësinë ë e pasurisë së ujit të pijshëm, pasuri e paçmueshme, sepse sipas statistikave në vitin 2030 do të ketë krizë botërore të ujit të pijshëm. Tjetër. Jemi vendi me rezervat më ta mëdha të kromit në Europë.  Pse të mos kualifikohet një industri minerale qoftë si sektor publik qoftë si shoqëri aksionare të shumëfishta për shfrytëzimin e këtij thesari natyror, duke shtuar progresivisht punësimin? etj etj. Fatkeqësia e ekonomisë shqiptare është modeli ekonomik – kemi përfunduar mjerueshëm në ekonomi shërbimi, kur duhet të zhvillonim ekonominë e prodhimit si tërë vendet e qytetëruara europiane. Prodhim do të thotë punësim – ky dhe vetëm ky është ekuacioni i artë – pa këtë ekuacion çdo gjë bëhet retorike, ose një varak i jashtëm i problematikës. Po kështu edhe bujqësia bio dhe blegtoria janë resurse të mëdha, por në Shqipëri mungon motivimi ekonomik fitimprurës i tyre. Po pse? Flitet për bankën kombëtare – këtë tempull të arsyetimit në fakt mediokër, për politika financiare dhe nuk flitet për politika strategjike bankare – nuk janë e njëjta gjë – ndonëse kanë lidhje patjetër. Edhe në këtë rrafsh duhen ide dhe koncepte të reja të një stimulimi progresiv dhe plot vizion, larg plogështisë burokratike provinciale. Nga ana tjetër mendoj se ekonomistët tanë duhet të jenë korrektë, por edhe të kujdesshëm me  FMN-në, për shkak të një lloj praktike dogmatizuese të FMN-së në realitetin shqiptar. Na duhen ekonomistë të shquar, shumë të shquar? Ku t’i gjejmë? Pse nuk merren këshilltarë kryesorë  ekonomistë të sprovuar me njohje ndërkombëtare , psh gjermanë ose anglezë? Do t’ia vlente padyshim!

Intervista e plotë, sot në DITA.  Faleminderit që na lexoni

December 20, 2013 10:16
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*