Prof. Petraq Sotiri, mbret i verërave dhe vreshtarisë shqiptare

April 6, 2021 13:30

Prof. Petraq Sotiri, mbret i verërave dhe vreshtarisë shqiptare

Nga Bashkim Koçi

 

Pasionin për punë të jashtëzakonëshme tek njerëz të zakonshëm e kam menduar të jetë si një flakë zjarri e pakontrolluar, e cila digjet e shuhet bashkë me të. Më erdhi ky mendim për fjalën “pasion” teksa meditoj për punën e specialistit të fruti-vitikulturës, njeriut me kontribute të çmuara në këtë fushë të bujqësisë shqiptare, Prof. Petraq Sotirit. Ai tashmë ka shkelur në vitin e 85-të të jetës së tij dhe, çuditërisht ndjehet energjik, që nuk e mban vendi për të kryer ca punë të cilat i ka marë përsipër që t’i përfundojë shpejt. Në këtë kuptim ai bën “jetë për vete” dhe nuk e ka menduar kurrë të niset me “shkop në dorë” për të kërkuar  lumturinë . Jo! Sepse Petraq Sotiri atë e ka gjetur hap pas hapi, në çdo çast gjatë këtij udhëtimi 85 vjeçar.

E rëndësishme është që ndërsa bëjmë përpara, duhet të ecim e ta bëjmë këtë me krenarinë e së shkuarës. I suksesëshmi Petraq Sotiri arriti majat në mbretërinë e prodhimit të verërave e të mbarështimit të vreshtarisë, edhe sepse u lind e u rrit me Taqkën, babain e tij aq puntor dhe të dashuruar me bimën e hardhisë. Sigurisht, në punën dhe përvojën e një fermeri, edhe pse e kryer me standarte të larta, nuk mund të bëhesh dikushi e të dish gjithçka rreth praktikave shkencore në punën me vreshtarinë. Kërkohet shumë më shumë, gjë që asimilohet dhe e bën pronën tënde vetëm nëpërmjet shkollimit dhe veprimtarisë shkencore. Petraq Sotiri deshte të ishte origjinal, të mos mbetej gjatë gjithë jetës kopja e të atit. Dhe ai ia arriti qëllimit.

***

Po cili është rrugëtimi i Petraq Sotirit? A është ai ashtu si të gjithë të tjerët, apo disi ndryshe e duhet të shkruash diçka sepse ka diçka për të thënë?  Po, për Prof. Petraq Sotirin mund të shkruhet shumë sepse është një ndër specialistët e fruit-vitikulturës që zë vend të merituar, nëmos qoshenë në “odën” e verërave e të vreshtave.

Petraq Sotiri lindi në qytetin e Korçës më 26 Qershor të vitit 1936. Arsimimin fillestar e mori aty, ndërsa shkollën e mesme e kreu me rezultate të shkëlqyera, në Korçë, në gjimnazin “Raqi Qirinxhi”.  Më pas, me idenë që të bëhej  kompetent dhe zot i vërtetë në baçen e baba Taqkës, shkoi për të vijuar studimet e larta në Institutin e Lartë Bujqësor (sot UBT), në Fakultetin e Agronomisë. Bashkëstudentët e tij, Nevruz Shtylla dhe Llukan Tase, të dy me tituj Profesor në shkencat bujqësore,  kujtojnë se Petraq Sotiri nuk ka ndryshuar shumë nga ai që ishte e që është sot, madje ka një vijushmëri të admirueshme nga pikpamja e shkathtësisë, e ndjekjes dhe përvetësimit të të rejave të shkencës e deri tek guximi për të qenë sipërmarrës në punë të vështira.

Petraq Sotiri është ndër  kontigjentët e parë të specialistëve me arsim të lartë dhe që ishte produk i Institutit të Lartë Bujqësor të Tiranës. Studimet i përfundoi me nota të shkëlqyera. Ishte viti i lagët 1958. Por, siç edhe thuhet, gjërat e mira ndonjëherë vijnë edhe rastësisht. Atij i erdhi emërimi për të punuar si specialist në sektorin e pemtarisë dhe konkretisht në NB e Lushnjes, në sektorin e porsangritur të Dushkut. Dhe, meqë erdhi rasti, na duhet të themi se Petraq Sotiri në Dushk bëri emër të madh, të papërsëritshëm. Ishte ai dhe vetëm ai, i cili vetëm me punë mundi ta përballonte ngritjen e 600  hektarve me vreshta, dhe 1200 hektarë me ullinj. Pra nuk ishin dy apo tre hektarë, por një masiv “sa të hante syri”, i cili shtrihej përgjatë teritorit Rrogozhinë-Lushnje, i gjithë ai masiv kodrinor që përshkon udhën automobilisteikë në disa dhjetra kilometra. Ata plantacione janë ende, sidomos sipërfaqet e mbjella me ullinj, të cilët gjelbërojnë në të gjitha stinët sipërfaqe të mëdha, por edhe që i japin një pamje nga ato që i shfaq e t’i dhuron vetëm bima e ullirit. Por aty, bashkë me ullinjtë, është “mbjellë” në kujtesën e banorëve të zonës edhe emri i specialistit Petraq Sotiri, për të cilin flasin me shumë respekt e mirënjohje. Eshtë një rast që meroton të thuhet e të shkruhet sepse rrallë ndodh që një specialist i vetëm të studjojë, të projektojë, ta piketëojë e më në fund ta mbjellë me duart e tij mijra hektarë.  Por ja që ka ndodhur dhe ky specialist e ka emrin Petraq Sotiri.

Beteja e vërtetë është mes çfarë ke bërë e çfarë je i aftë të bësh. Petraq Sotiri ishte i aftë që brenda specialitetit të tij, të përballej edhe me fusha që ndryshonin krejtësisht nga njera-tjetra. Një provë të tillë ai e dha kur u caktua të ishte pedagog në Institutin e Lartë Bujqësor. Ai e vlerësoi këtë moment si diçka që do të mësonte breza studemtësh, por do të formohej edhe vet në kuptimin mundësive që do ti jepeshin për të patur kontakt me të rejat e shkencës agronomike. Këtë gjë ai e konsideroi fat. Por fati i vetëm është ai që njeriu e krijon dhe e afron vetë. Ndaj edhe në këtë rast ky ishte fati që e kish krijuar vetë ai dhe vetëm me punë. Aty në Institut Petraq Sotiri gjeti mjedis të ngrohtë, kolegë që të ngjallnin respekt dhe do të shërbenin si modele e udhërrëfyes për të punuar me studentët. Emrat e korifejve të pemtarisë dhe vreshtarisë si Abedin Çiçi, Nevruz Kafazi, Todo Gjermani e të tjerë, krijuan premisat që Petraq Sotiri të guxonte për të bërë revolucion në trajtimin teorik e praktik të pemtarisë. Teksti i lëndës së Vitikulturës, i përgatitur  nga ai, me bashkautor Prof. Taso Ninin, është si një traktat, nga më të mirët të realizuar deri më sot. Ky liber i trajtuar e i sistemuar me dieni e fantazi shkencore, mbetet ende nga më të mirët për të përgatitur studentët me kapacitet të mjaftueshëm teorik. Por fatmirësisht nuk është i vetmi. Punën për të qenë në kontakt me të dhënat më të fundme të shkencës agronomike, ai e filloi porsa mbaroi studimet e larta dhe vazhdon ende edhe sot për të sjellë tek kultivuesit e vreshtave dhe të prodhimit të verërave teknologjitë më të përparuara. Eshtë  vendi për të sjellë dhe për t’i bërë të njohura disa nga studimet e këtij specialisti të mirënjohur kombëtarisht. Në muajin  korrik të vitit 1958, pra fill pas diplomimit, ai bëri të njohur studimin “Mbi biologjinë e disa varieteteve të rrushit të vendit tonë dhe të huaj”. Në këtë fushë duhet thënë se Petraq Sotiri punoi duke trajtuar probleme që kërkonin kohë, madje edhe disa vjeçarë. Në një kohëzgjatje prej 20 vjetësh (19601980), vetëm me durimin e një shkencëtari serioz, u mor me temën “Krijimi i kultivareve të rinj të rrushit nëpërmjet hibridizimit seksual intraspecifike tek hardhia”. Kujtojmë këtu se vreshti eksperimental ishte ngritur në sektorin e Dushkut, aty ku paralelisht punonte edhe për ngritjen e plantacioneve masive me vreshta, pemë frutore e ullin. Tematika e studimeve të tij, janë nga më të ndryshmet. Vetëm në “Qendrëne përmirësimit gjenetik” u krijuan 72 varietete të reja. Ashtu si edhe thamë, disa i kanë ngrënë kohë jo me muaj e vite, por me dekada. Studimin “Mbi ngarkesat optimale tek hardhia dhe agroteknika varietore” është ndjekur plot 30 vjet (1958-1988); atë ‘Mbi ndikimin e lartësisë së kultivimit në disa forma krasitje tek hardhia”, 25 vjet (1965-1990); “Mënyrat e krasitjes së varieteteve të rrushit të kultivuara në vendin tonë dhe influenca e tyre në cilësinë e verërave”, 31 vjet (1959-1990); Studime mbi aspekte të teknologjisë së kultivimit në kuadrin e mardhënieve mes ekosistemit dhe objektivave të prodhimit të rrushit të freskët me rreze të lartë cilësie të cv. Afuzali”, zgjati plot 26 vjet (1960-1986).

Studimet eksperimentale për Prof. Petraq Sotirin nuk kanë qenë thjeshtë punë. Ato kanë qenë shumë më shumë, forma më e lavdishme e punës. Dhe ja pse: puna eksperimentale dhe përfundimet që nxirrte ai për prodhimin e gjerë, u shërbenin ekonomive,  e sot të gjithë fermerëve anë e mbanë vendit. Janë disa studime me vlera të larta e që ia vlen të sjellim disa nga ata.  “Studimi agro-biologjik dhe kimiko-teknologjik i një grupi kultivarësh të rinj rrushi të krijuar në vendin tone” (korrik 1986); “Rajonizimi i Pemtarisë dhe Vreshtarisë në Shqipëri” (1988); “Mbi bonitimin e vreshtarisë Shqiptare”, (dhjetor 1991); “Mbi domosdoshmërinë e rikonstruksionit të vreshtave ekzistuese dhe investimet e duhura për ngritjen e vreshtave të reja për periudhën 1992 – 1995”, (1996); “Strategjia e zhvillimit të vreshtarisë Shqiptare gjatë periudhës 19972007”; “Gjendja dhe strategjia e zhvillimit të Vreshtarisë dhe Vertarisë për periudhën 1996 – 2010” (me bashkëautor Ing. Vangjel Zigori), (2004);  “Strategjia e zhvillimit të sektorit të vreshtarisë dhe verës për periudhën 2005-2015” e të tjerë, janë dhe do të mbeten pasuri kombëtare, materiale studimore që do t’ju referohemi sa herë që do të duhen në rrugën e zhvillimmit të vreshtarisë. Pasuri po kaq e madhe është dhe do të mbetet kontributi i tij në përgatitjen dhe udhëheqjen e temave studimore nga studentë që shkollohen në Universitetin Bujqësor për agronomë të degës së fruit-vitikulturës. Janë më shumë se 100 studentë, pjesa më e madhe e tyre kanë dalë në jetë e madje disa prej tyre kanë shkëlqyer në arritjet në prodhim dhe kanë mbrojtur dezertaciaone të mdryshme dhe kanë përfituar grada shkencore.

Profesor Petraq Sotiri ka patur dhe ka krijuar rraport të drejtë midis teorisë dhe praktikës. Nuk cënon kënd nëse pranojmë që ai është ndër të vetmit mësimdhënës që e diktonte studentin të shikonte me sytë e tij atë çka ai mësonte në auditor nëpërmjet librave e leksioneve. Falë këtij “fiksimi” pozitiv, pra të konkretizimit të teorisë me praktikën, ai u bë inisiatori i parë për të ngritur disa hektarë me vreshta pranë Institutit Bujqësor, i cili shërbente jo vetëm si bazë njohjeje për kryerjen e disa operacioneve gjatë vitit në bimët e hardhisë, por edhe si koleksion ku gjendeshin varietetet më të mira të rrushit të vendit dhe ata evropianë për prodhimin e verërave dhe për treg. Po për qëllime demostrimi u ngrit edhe një kantinë vere, me të gjitha kushtet dhe agregatet për prodhimin e verës me cilësi të lartë. Rëndësinë e lidhjes të teorisë me praktikën Prof. Petraq Sotiri citon jo pa qëllim një sentencë nga Ajshtajni: “Teoria është kur dihet çdo gjë e nuk funksionon asgjë. Praktika është kur çdo gjë funksionon e askush nuk di përse.”

Shpesh, dhimbja që na shkaktojnë të tjerët, nuk është aq e madhe sa ajo që ne i shkaktojmë vetes. Prof. Petraq Sotiri e ka një dhimbje e një plagë, cila zor se mund të shërohet plotësisht sa të jetë gjallë. Shkatërrimi që iu bë punës prej disa dekadash në ngritjen e vreshtave dhe kantinave të verës, ai e shikon të vështirë të ringrihen në nivelin që kanë qenë. Shifrat janë alarmanbte! Sipas Profesorit janë zhdukur 20 mijë Ha vreshta dhe 24 kantina vete, 7 prej të cilave ishin të nivelit evropian. Gjëmë po kaq e madhe ishte edhe rrafshimi i qëndrave të përmirësimit gjenetik në Karbunarë, në Zejmen dhe Qëndra Kombëtare që menaxhohej nga Ministria e Bujqësisë. Kjo valë flake përvloi edhe fidanishtet e prodhimit të fidanave të hardhisë. Në atë kohë, pra para viteve ’90 prodhoheshin dhe shpërndaheshin në të gjithë vendin 12 miljonë fidanë e ndërsa sot ata importohen, por sa një e dhjeta e asaj sasie.

Qëndresa kërkon sakrifica të mëdha gjë që shpjegon arsyen pse shumica e njerëzve në një cast të caktuar zgjedh të dorëzohet. Por profesori ynë nuk u dorëzua dhe nuk dorëzohet kur është fjala për punën me vreshtat. Për një kohë të gjatë ai u përfshi në punën shkencore për grumbullimin dhe sistemimin e varieteteve të rrushit pranë Akademisë së Shkencave. Rezultatet, për të cilat ai ka krijuar “bankë” të veçantë, janë një trashëgimi që do tu shërbejë prodhimit shkencor sot e në të ardhmen. Paralelisht Prof. Petraq Sotiri punon në frontin e ngritjes së vreshtave të rinj, duke u ardhur në ndihmë investitorëve dhe fermerëve që kanë marë përsipër të bëjnë ndryshimin e madh në kultivimin dhe shtimin e vreshtave. Vreshtat e rinj prej disa dhjetra hektarësh në periferi të Tiranës dhe në Zejmen të Lezhës janë produkt i përvojës dhe kapacitetit shkencor të këtij specialisti pasionant. Dhe të gjitha këto përpjekje ai i konsideron  si një betejë të vërtetë mes asaj çfarë ka bërë e çfarë është i aftë të bëjë.

Në rrugëtimin për disa dhjetra vitesh për të kontribuar për mbarështimit e vreshtave, prodhimit të verërave dhe përgatitjes të disa gjeneratave specialistësh të këtyre fushave, Prof. Pëtraq Sotiri tashmë gëzon disa tituj shkenncrë. Në vitin 1966 iu dha titulli “Bashkëpuntor i Vjetër Shkencor”, në vitin 1986 “Doktor i Shkencave” dhe në vitin 1993 mori titullin më të lartë, Profesor.

Për të gjitha këto arritje të Prof. Petraq Sotirit, si një ish student i tij, më duhet t’i drejtohem e t’i them: Ju profesor, për çka i keni dhënë fruti-vitikulturës shqiptare, mund të  krahasoni veten tuaj vetëm me veten tënde, e me askënd tjetër.

April 6, 2021 13:30
Komento

3 Komente

  1. Fatmiri April 6, 15:19

    Pershendetje Bashkim Koci!Ju pergezoi per shkrimin dhe vullnetin tuaj per te shkruar ,duke na kujtuar nji kohe per te cilen punuan e sakrifikuan mijra specialiste ne te kater anet e vendit tone,duke i dhene emer bujqesis shqiptare!, Emra si te Petraq Sotirit duhet ti sherbejne brezit qe ka ne dore bujqesine shqiptare sot se begatia arrihet ne token meme dhe jo duke u zvarritur neper bote!
    Te pergezoi edhe njihere per shkrimin dhe Uroi Petraqit qe se shpejti mbush 85 vjet edhe vite te tjera jete te fruteshme !
    Fatmir Xhamallati

    Reply to this comment
  2. Dr. Alqi Kasneci April 7, 13:29

    Petraq Sotirin e kam njohur që në fëmijërinë e herëshme, kur shkonim në shtëpinë dhe plantacionin e mollëve të „xhaxhi Raqes“, babait të tij, në Korçë. Petraqi është kushëriri im nga ana e mamasë. Kur Petraqi studjonte në Institutin e Lartë Bujqësor, vinte shpesh në shtëpinë tonë në Tiranë. Më kujtohet si gëzoheshim të gjithë, për çiltërsine e tij dhe dashurinë që tregonte për ne. Edhe prindërit e mi, dhe veçanerisht gjyshja ime, Ollga, nëna e mamasë, e deshte Petraqin si djalin e saj. Më pas, vizitat që bëja në shtëpine e Petraqit, në fillim në Kamëz dhe pastaj në Tiranë, më jepnin një kënaqësi të veçantë dhe i kujtoj gjithnjë me mall e dashuri. Autori i shkrimit dedikuar Prof. Petraq Sotirit, ka pershkruar me dashuri e hollësi rrugëtimin e këtij njeriu, që me punën e tij të palodhur arriti resultate të shkëqyera. Petraq Sotiri është një nga figurat më të spikatura të Agronomisë e të Vreshtarisë shqiptare. Student i shkelqyer e specialist i talentuar, veçanërisht në fushën e Vitikulturës, ai ka dhënë kontributin e tij të jashtëzakonshëm në prodhimin e shume varieteteve të rrinj rrushi dhe të verërave me cilësi të lartë. Prof. Dr. Petraq Sotiri e meriton të përfshihet në grupin e Akademikëve Shqiptarë, per njohuritë e tij në fushën e Agronomisë e të Vreshtarisë dhe punën e jashtëzakonëshme, qoftë si Pedagog në Universitetin Bujqësor ashtu dhe si një prakticien i talentuar në fushën e Vreshtarisë e të prodhimit të Verërave shqiptare. Kjo do t‘i bënte nder Akademisë tonë. I uroj mikut tim, Petraq Sotiri, shëndet e gëzime në familjen e tij dhe një jetë sa më te gjatë e aktive për të realiziar të gjitha projektet dhe ëndërat e tij ende të pa realizuara!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim