Profecitë gjeopolitike, a jemi në fillimin e një epoke të re?

July 28, 2018 07:13

Profecitë gjeopolitike, a jemi në fillimin e një epoke të re?

Prof. Fatos Tarifa

Kjo ese nuk duhet lexuar si të ishte një profeci. Edhe njerëzit më të talentuar dhe ekspertët më të mirë të shkencave shoqërore e të marrëdhënieve ndërkombëtare gabojnë në prognozat e tyre mbi zhvillimet e ardhshme, madje, shumë herë, janë të paaftë edhe që të dallojnë afrimin e ngjarjeve epokale, siç ishte, fjala vjen, shembja e Bashkimit Sovjetik dhe përmbysja e rendit të socializmit shtetëror në atë vend dhe në Europën Lindore.

Asnjë nga ekspertët sovjetologë, në Perëndim dhe në Lindje, nuk mundi ta parashikonte dot përmbysjen e atij sistemi dhe, sidomos, mënyrën paqësore të shembjes së tij, jo vetëm në fillim të viteve 1980, por as edhe në fund të asaj dekade.

Edhe akademikë nga më të shquarit, si historiani Richard Pipes në Harvard, e quajtën shembjen e komunizmit dhe shpërbërjen e bllokut sovjetik një ngjarje “të papritur”.

Martin Malia, një ndër ekspertët amerikanë më të njohur për Bashkimin Sovjetik dhe autor i librit të famshëm Tragjedia sovjetike (1994), e konsideroi “befasinë dhe tërësinë” e shembjes së sistemit sovjetik si “surprizën më të madhe të fundit të shekullit të 20-të”.

Në një artikull të botuar disa vite më parë në revistën amerikane Journal of Applied Sociology, kam shkruar se, në qoftë se studiuesit e shkencave shoqërore dhe ata të marrëdhënieve ndërkombëtare, me teoritë në të cilat mbështeten, nuk mundën ta parashikonin dot shembjen e socializmit shtetëror, shpërbërjen e kampit socialist dhe, bashkë me të, shembjen e “Botës së Dytë”, si mund të pritet që ata, të “armatosur” me të njëjtat teori dhe metodologji, të jenë në gjendje qëtë parashikojnë ndryshimet në nivel makroshoqëror, ose tendencat e zhvillimeve globale në shoqërinë e sotme apo ato të nesërme?

Karl Popper vinte në dukje se, kur një paradigmë nuk përputhet më me realitetin, kur probleme “anormale” i heqin një teorie aftësinë për t’i shpjeguar ato, do të thotë se ka ardhur koha të adaptohet një këndvështrim i ri.

Për kohën e sotme, nëse huazoj fjalët e Thomas Schelling, nevojitet “një teori mbi antagonizmin e paplotë dhe mbi partneritetin e papërsosur” për një botë që është bërë njëherësh “më shumë asimetrike në pikëpamje të perceptimeve e të pasioneve dhe më pak asimetrike në pikëpamje të fuqisë”.

Ashtu sikurse ekspertët më të mirë të futbollit nuk mund ta dinin paraprakisht se cili vend do ta fitonte kupën e Kampionatit Botëror në Rusi këtë vit, ose cili vend do ta fitojë atë në Katar katër vite më vonë, edhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk mund të parashikojnë dot se në cilin vend të botës do të shpërthejë një luftë ndëretnike vitin e ardhshëm, ose në pesë apo dhjetë vitet e ardhshëm, apo nëse dy ose më shumë fuqi të mëdha do të konfrontohen ushtarakisht mes tyre për të nisur një luftë të re botërore dhjetë, njëzet apo tridhjetë vite më vonë. Disa autorë marrin guximin të bëjnë prognoza specifike mbi zhvillimete ardhshme.

Një ndër ta, fjala vjen, George Friedman, në librin e tij Njëqind vitet e ardhshëm (The Next Hundred Years: A Forecast for the 21st Century), botuar më2009, parashikon se, në vitin 2020 Kina do të shpërbëhet, se aty rreth vitit 2050 Shtetet e Bashkuara, Turqia, Polonia dhe Japonia do të jenë fuqitë më të mëdha të planetit, të përfshira në një luftë globale mes tyre, dhe se, në fund të shekullit të 21-të, Meksika do ta sfidojë Amerikën. Pa as më të voglin hezitim, profeci të tilla unë i quaj tërësisht science fiction.

* * *

Ajo që mund të thuhet me një farë sigurie është se, sot jetojmë në fillimet e një epoke të re historike, tipari themelor i të cilës ende nuk është definuar.

Shumë intelektualë dhe studiues në Perëndim po bëjnë një karrierë të shkëlqyer duke pretenduar se definicionet që ata ofrojnë, si për shembull “botë pa kufij”, “ngritja e gjigandëve të Azisë”, “bota postmoderne”, “bota pa Perëndimin”, “katastrofa ekologjike”, “lufta kundër terrorit” etj, janë më të saktët për të shprehur karakterin e epokës së re.

Të njihesh me pretendimet e tyre është diçka e dobishme, sidomos nëse mbajmë parasysh historinë e dështimeve të shumta të intelektualëve gjatë shekullit të 20-të për të parashikuar kursin e zhvillimit shoqëror në plan global.

Vetëm gjatë këtyre njëzetë viteve të fundit, ideja se “shekulli amerikan” ka mbaruar dhe se Kina, Bashkimi Europian ose ndonjë fuqi tjetër e madhe do t’i zërë vendin Amerikës si fuqia hegjemone e globit, është shtjelluar në qindra libra dhe në mijëra artikuj të botuar në revista akademike.

Po kështu, të shumtë janë librat që parashikojnë një botë “post-amerikane”, shumëpolare, si rezultat i rënies së fuqisë amerikane. Disa prej titujve të botuar vitet e fundit, madje në vetë Shtetet e Bashkuara, dëshmojnë se ideja mbi shekullin e 21-të “post-amerikan” është përhapur si një epidemi ndër intelektualët e sotëm.

Tituj të tillë janë: Fundi i epokës amerikane, nga Charles Kupchan; Azia, Amerika dhe transformimi i gjeopolitikës, nga William Overholt; Bota post-amerikane, nga Fareed Zakaria; Shtetet e Bashkuara të Europës: Superfuqia e re dhe fundi i supremacisë amerikane, nga T. R. Reid, Hemisfera e re aziatike: zhvendosja e parezistueshme e fuqisë globale drejt Lindjes, nga Kishore Mahbubani; Kufijtë e fuqisë: fundi i eksepcionalizmit amerikan, nga Andrew Bacevich, Pas perandorisë: lindja e një bote shumëpolare, nga Dilip Hiro, Fundi i rendit botëror amerikan, ngaAmitav Acharya, Pse Europa do të sundojë shekullin e 21-të, nga Mark Leonard dhe shumë të tjerë.

Është për t’u habitur se si, në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare e të politikës globale, nisur nga disa zhvillime të ditës, edhe pse të rëndësishme, mund të krijohet kaq lehtë bindja se struktura e këtyre marrëdhënieve dhe prirjet e politikës ndërkombëtare mund të ndryshojnë brenda një periudhe relativisht të shkurtër.

Sidoqoftë, duhet theksuar se pikëpamja e sotme mbi rënien e supremacisë amerikane në politikën globale nuk është diçka e re. Qysh nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, kur Amerika u bë fuqia dominuese e globit, pikëpamja se hegjemonia amerikane po merr fund është bërë e modës të paktën katër herë.

Josef Joffe argumenton se profecitë mbi finis Americae janë përsëritur thuajse çdo dhjetë vjet. Për herë të parë, kjo ndodhi në fundin e viteve 1950, kur Bashkimi Sovjetik lëshoi Sputnikun e tij në hapësirën kozmike dhe, me këtë, u besua se ai vend do t’ia kalonte Amerikës në çdo drejtim.

Ajo ngjarje u pasua më vonë nga paniku, mjaft i përhapur në fillimin e viteve 1960, se Bashkimi Sovjetik e kishte lënë pas Amerikën si në teknologjinë e armëve bërthamore, ashtu dhe në numrin e tyre.

Për herë të dytë, kjo ndodhi në vitet 1970, pas rënies së Saigonit dhe stagflacionit në Shtetet e Bashkuara. Në atë periudhë, Richard Nixon dhe Henry Kissinger besuan se sistemit dypolar i kishte ardhur fundi dhe predikuan krijimin e një bote shumëpolare, të drejtuar nga pesë fuqi të mëdha.

Për herë të tretë, pikëpamja se Amerika po e humbiste rolin e saj dominues në botë u bë shumë e përhapur në vitet 1980, kryesisht si rezultat i sfidës ekonomike të Japonisë. Në atë kohë, historiani i njohur amerikan Paul Kennedy predikoi rënien e Shteteve të Bashkuara si pasojë e “tejshtrirjes imperiale” të saj.

Në të gjitha këto raste, ndryshimet që ndodhën në arenën ndërkombëtare ishin reale dhe, pa dyshim, shumë të rëndësishme.Ato sugjeronin se, në një planet, i cili, përveç Amerikës, popullohet edhe nga fuqi të tjera të mëdha, fuqia politike, ekonomike dhe ushtarake e globit mund të rishpërndahej.

Sidoqoftë, asnjë nga episodet e sipërpërmendur – as në vitet 1950, as në vitet 1970, as në vitet 1980 – nuk e transformoi strukturën e sistemit global në një sistem shumëpolar, në të cilin tri apo më shumë fuqi, pak a shumë të barabarta, do të mund të konkuronin me njëra-tjetrën dhe të balanconin peshën politike të globit.

Deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës, bota mbeti dypolare.Pas kësaj kohe, pesha e gravitetit të saj politik, ekonomik dhe ushtarak filloi të bjerë – dhe vazhdon të bjerë – mbi Amerikën, e cila mbetet e vetmja superfuqi e globit.

* * *

Në fillimin e viteve 1960, vetëm një dekadë pasi shumë teoricienë, ekspertë dhe analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare kishin zhvilluar konceptin e “dypolaritetit”, studiues të ndryshëm filluan të argumentojnë se, me rimëkëmbjen ekonomike të Europës dhe të Japonisë, bota po bëhej shumëpolare.

 

Pas rënies së Saigonit në vitin 1975 dhe dështimit të Amerikës në Vietnam ishin të shumtë ata, të cilët shpallën krijimin e një bote shumëpolare. Sidoqoftë, teksti më me influencë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në atë kohë, Teoria e Politikës Ndërkombëtare (Theory of International Politics, 1979), shkruar nga neorealisti Kenneth Waltz, argumentonte se, pavarësisht perceptimeve gjerësisht të përhapura mbi fundin e sistemit dypolar, një analizë e vëmendshme e strukturës materiale të botës tregonte se sistemi global vazhdonte të ishte, në thelb, dypolar.

Në vitet 1980, shumëkush besonte se Japonia do të bëhej sunduesja ekonomike e globit. Disa blerje spektakolare që bënë kompanitë japoneze në Shtetet e Bashkuara – përfshirë edhe blerjen e qendrës së famshme “Rockefeller Plaza”, në zemër të Manhatanit, si dhe “Pebble Beach” në Kaliforni – krijuan paranojën dhe mitin se “Japonia po e blen Amerikën” dhe u bënë, për një kohë, simbol i të ardhmes së Japonisë. Më 1991, Chalmers Johnson formuloi tezën e tij të famshme: “The Cold War is over, and Japan won” (Lufta e Ftohtë ka mbaruar dhe Japonia fitoi), që u bë një ndër sloganet më popullorë në Europë, në Azi dhe në Amerikën Latine. Madje, ish-Senatori amerikan nga shteti Masaçusets, Paul Tsongas, i cili kandidoi në atë kohë për postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, e bëri këtë slogan pjesë të fushatës së tij elektorale.

“Paniku” që u krijua në atë kohë, sidoqoftë, mori fund shpejt kur u provua se blerjet prej kompanive japoneze ishin bërë për një vlerë më të madhe sesa vlera reale e industrive të shitura. Në përgjithësi, mund të thuhet se, edhe pse përfundimi i Luftës së Ftohtë nuk e dëmtoi Japoninë, me mbarimin e saj, ky vend filloi të ndihej “më shumë i shqetësuar, sesa i kënaqur dhe më shumë i kërcënuar, sesa i sigurt”.

Që nga ajo kohë dhe për shumë vite me radhë – periudhë e cila për Japoninë njihet si “the lost decade” (dekada e humbur) – ekonomia japoneze ka qenë pothuajse në stanjacion, ndërsa ekonomia amerikane, e cila ndërkohë zhvilloi Internetin dhe teknologjinë e informacionit, është rritur më shumë se 40 për qind.

Në fillimin e viteve 1990, kur, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, në tregun e ideve u bë sunduese teza mbi sistemin njëpolar, me Shtetet e Bashkuara si e vetmja superfuqi e këtij sistemi, Kenneth Waltz shpalli se bota shumë shpejt po bëhej përsëri shumëpolare.

Perceptime të tilla mbi ndryshimin e strukturës së sistemit global janë ushqyer nga besimi se, me fuqizimin ekonomik dhe ushtarak të shteteve të tjerë dhe me daljen në skenën botërore të fuqive të reja të mëdha, Amerika do ta humbiste supremacinë e saj dhe influenca e saj në politikën globale do të balancohej nga ajo e fuqive të tjera.

Mite të tilla, shpesh herë ushqehen nga “iluzioni materialist” se fuqia ekonomike krijon domosdo influencë gjeopolitike dhe statusin e një “aktori polar”.

Japonia dhe Gjermania – dy fuqitë ekonomike më të mëdha pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës – të cilat, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë shfrytëzuan ndihmat financiare dhe ombrellën mbrojtëse të Amerikës për të rindërtuar ekonomitë e tyre moderne të industrializuara, janë shembuj të qartë që tregojnë se zhvillimi dhe fuqia ekonomike e një vendi nuk e transformojnë atë domosdoshmërisht edhe në një fuqi politike dhe ushtarake. Me fjalë të tjera, “gjeoekonomia” nuk përkthehet vetvetiu në “gjeopolitikë”.

Përveç kësaj, miti tashmë shumë i përhapur se “shekulli amerikan” ka mbaruar dhe shekulli i 21-të do të jetë “shekulli kinez” mbështetet mbi një argument të rëndësishëm – por të njëanshëm – sipas të cilit, ngritja e Kinës si një fuqi e madhe po e transformon peisazhin ekonomik dhe politik të globit, pa i kushtuar vëmendjen e duhur një argumenti tjetër, po kaq të rëndësishëm.

Ky argument ka të bëjë me faktin se vetë ngritja e Kinës është rezultat i ndryshimeve ekonomike, teknologjike dhe politike që po ndodhin në një botë gjithnjë e më të globalizuar, ndryshime këto, të cilat e shtyjnë Kinën jo drejt izolimit dhe autarkisë, si deri tri-katër dekada më parë, por drejt një integrimi dhe njëbashkëpunimi më të madh me aktorë të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, në radhë të parë me fuqinë më të madhe politike, ekonomike, ushtarake dhe teknologjike të globit – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

* * *

Shumë autorë, në Perëndim dhe në Lindje, projektojnë dekadat e ardhshme. Ka prej tyre që sinqerisht besojnë se e ardhmja do të njohë standarde morale më të larta në marrëdhëniet mes shteteve dhe se kjo do t’i bëjë konfliktet dhe luftrat më pak të mundshme—më saktë, një përjashtim dhe jo një rregull në marrëdhëniet mes kombeve dhe shteteve.

Një zhvillim i tillë, pa dyshim, do të ishte i mirëpritur. Sokrati do të thoshte se vetëm një i marrë nuk do ta dëshironte këtë. Problemi, sidoqoftë, nuk është nëse shtetet dëshirojnë ose jo që tëaplikojnë standarde më të mira në marrëdhëniet mes tyre, por nëse atamunden realisht që t’i respektojnë standarde të tillë. Autorë të tjerë besojnë se, brendanjë ose dy dekadave, hegjemonia amerikane do të marrë fund për t’u zëvendësuar nga hegjemonia kineze.

Të tjerë akoma parashikojnë rënien e Perëndimit dhe krijimin e një bote pa të, pra një “shekull aziatik”, ndërsa ka edhe ndonjëautor euroentuziast qëbeson se shekulli i 21-të do të krijojë një botë sipas shëmbëlltyrës së Bashkimit Europian.

Të parashikosh se ç’do të ndodhë në botë qoftë edhe dhjetë vite më vonë – madje edhe se sa do të ndryshojë vlera e dollarit amerikan në krahasim me monedhat e tjera valutore – është një gjë shumë e vështirë. Përfytyroni se sa më e vështirë është që të parashikosh zhvillimet globale pesëdhjetë apo njëqind vite më vonë. Për të kuptuar se sa e pamundurështë kjo, mendoni për një çast se çfarë mund të dinin njerëzit në fillim të shekullit të 20-të për fundin e atij shekulli.

Kush mund ta kishte imagjinuar në fillim të shekullit të 20-të se Europa do ta tërhiqte botën në dy luftra shkatërrimtare, se Rusia cariste, më vonë Kinadhe pothuajse gjysma e Europës do të bëheshin shtete komuniste, se zbulimi nga Maria Kyri i radiumit, më 1898, do të shpinte në prodhimin e bombës atomike dhe se, pas Hiroshimës dhe Nagasakit, bota do të njihte fillimin e epokës së politikës nukleare, se Amerika do të bëhej superfuqia e vetme e globit apo se vendet europiane do të binin dakord që të krijonin një union politik, një treg dhe një monedhë të përbashkët?

Prognozat për zhvillimet e ardhshme ndërkombëtare i bëjnë të vështira jo vetëm sjelljet – shumë herë të paparashikueshme – të shteteve që janë aktorë të rëndësishëm në politikën globale, por edhe pamundësia për të parashikuar zhvillime të tilla në shkencë dhe në teknologji, të cilat do tëmund të sillnin një përmbysje të realiteteve ekzituese dhe një botë krejtësisht ndryshe nga ajo që mund të imagjinojmë sot.

* * *

“Pllakat tektonike” të rendit global që sundoi shekullin e 20-të po zhvendosen. Drejtimi i lëvizjes së tyre nuk mund të dihet me siguri absolute. Kjo lëvizje nuk diktohet nga ligjet e gjeofizikës, por nga ligjësitë e gjeopolitikës dhe të gjeoekonomisë globale, të cilat sot determinohen gjithnjë e më shumë nga zgjerimi dhe thellimi i proceseve globalizuese e integruese.

Analiza e të dhënave të këtyre të fundit nuk ka të bëjë me strukturën e brendshme të planetit tonë, por me strukturën dhe natyrën e marrëdhënieve mes fuqive të mëdha, të cilat, nga ana e tyre, përcaktojnë sigurinë dhe ardhmërinë e planetit tonë,

Në një intervistë botuar në vitin 2008 në The Wall Street Jounal, Henry Kissinger vinte në dukje se struktura ndërkombëtare që ne kemi njohur për 300 vite – sistemi vestfalian që lindi pas luftrave fetare në Europë dhe që bazohet në shtetin nacional – po shembet.

Efektet transformuese të globalizimit dhe të teknologjisë së informacionit, ngritja e Azisë, rënia relative e influencës së Europës në marrëdhëniet ndërkombëtare, zgjerimi i islamizmit radikal dhe rëndësia më e madhe e aktorëve joshtetërorë – të gjithë këta faktorë, së bashku, po prodhojnë një rend të ri botëror, apo mungesën e një rendi të tillë.

Unë mendoj, sidoqoftë, se Amerika do të vazhdojë t’i ruajë avantazhet e saj si superfuqia e vetme e globit për një periudhë relativisht të gjatë, pa rrezikuar të kundërbalancohet, ose të rivalizohet nga fuqi të tjera, edhe pse përpjekjet për të balancuar fuqinë amerikane nuk kanë munguar dhe nuk do të mungojnë as në të ardhmen.

Rendi botëror i krijuar pas Luftës së Ftohtë ende nuk është transformuar. Ai vazhdon të jetë, në thelb,njëpolar dhe Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten e vetmja superfuqi. Megjithatë, sot vemë renjë rikthim të konkurrencës ndërkombëtare mes fuqive të mëdha – Shteteve të Bashkuara, Rusisë, Kinës, Europës, Japonisë, Indisë – të cilat konkurrojnë për dominim rajonal.

Lufta për influencë rajonale e globale është bërë sërish një tipar i rëndësishëm i politikës së sotme ndërkombëtare.

Nga pikëpamja ideologjike, periudha e sotme ka provuar se teza e Fukuyamës mbi triumfin përfundimtar të liberalizmit pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe fundin e historisë ishte e gabuar. Koha e sotme karakterizohet jo nga konvergimi ideologjik, por nga divergjenca ideologjike të theksuara, të cilat, ndoshta, mbështesin më shumë tezën e Samuel Huntingtonit mbi “përplasjen e qytetërimeve”.

Si studiues të shkencave shoqërore dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare ne nuk kemi në dispozicion teoritë dhe metodologjitë më të mira për diagnostifikimin e problemeve të shoqërisë dhe për parashikimin e zhvillimeve të ardhshme të saj, në nivel kombëtar ose ndërkombëtar.

Por a do të thotë kjo se ne jemi krejtësisht të paaftë që të parashikojmë se si do të jetë rendi ndërkombëtar njëzet ose tridhjetë vite më vonë? Ne mund të themi, me një farë sigurie, se ai do të jetë, pak a shumë, i ngjashëm me realitetin e sotëm: Shtetet e Bashkuara të Amerikës (me ose pa Trumpin) do të vazhdojnë të mbeten fuqia e vetme hegjemone e globit në një sistem, i cili do të akomodojë në mënyrë të arsyeshme interesat edhe të fuqive të tjera të mëdha – në radhë të parë, interesat e Kinës, të Bashkimit Europian, të Indisë dhe të Rusisë – pa lejuar që ato të sfidojnë seriozisht hegjemoninë e saj.

Vetëm kaq. Më shumë nuk mund të dimë.

 

July 28, 2018 07:13
Komento

2 Komente

  1. Ore , si u bo puna e Liqenit ne Marse qe zbuluan shkencetaret Italian ?! July 28, 11:32

    ka peshqe Brenda liqeni ?
    po peshkaqen ?
    po gjallesa te jera ?
    lejohet peshkimi atje ?

    etj etj pyetje qe preokupon njerezimin sot !

    Reply to this comment
  2. gjermani i fundit July 28, 15:42

    ne boten e sotme ka njerez apo grupe qe i vene zjarrin pyllit pa u ndjere fare dhe jane te paret qe çuditen qe pylli u beka shkrumb. Per tu rrezuar tere sistemi i Lindjes u shpenzuan miliarda dhe pastaj kur erdhi momenti ata qe e derdhen parane lume u çuditen sesi ndodhi kaq paqesor ky rrezim. Te gjithe amerikanet e dinin se Trampi ishte koqe kandari e do ta bente lemsh artin e diplomacise e prapeseprape e votuan, e bene president edhe pse ai ishte 2 milione vota pas Hillari Klinton dhe pastaj u çuditen sesi tramp po i ben fiks gjerat si koqe kandari. dhe perseri ky studim thote ne fund se Amerika eshte nje makine solide ne rruge te mire, pavaresisht se shoferi eshte i dehur.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*