PROFIL / Analizat e Generoso Tiros tregojnë se ai ka të ardhme në politikë

June 25, 2018 10:53

PROFIL / Analizat e Generoso Tiros tregojnë se ai ka të ardhme në politikë

 

Ish-Presidenti Generoso Tiro, i cili e pat marrë detyrën e lartë në raundin e dyzeteshtatë parlamentar pasi mbaruan të gjithë deputetët e tjerë të partisë, u është vënë seriozisht koment-analizave mediatike.

Siç pohojnë burime që përgjithësisht janë mirë me nishanin, dmth qëllojnë në shenjë, shpresat e ish-SHTZ-së Generoso Tiro janë që të bjerë në sy si autor i mprehtë dhe origjinal që e vë gishtin në plagë. Më tej plani është që një parti politike të kërkojë ta inkuadrojë në rradhët e saj, duke mos i rezistuar dot intelektit dhe përgatitjes, dhe kësisoj ai të bëhet deputet. Ku ta dish, ndoshta dhe ministër në të ardhmen, e me hir të perëndisë, mbase edhe president.

Me një shqipe të qëruar që s’ka të sharë, Generoso u hedh pa u lodhur kripë plagëve të qeverisë, të cilën e ka zënë belaja, sa nga akuzat e forta e parimore të tij, aq edhe nga gjuha brilante. Generoso i zgjedhon qëllimisht foljet gabim, duke përdorur rregullisht mbaresën -j në vetën e tretë numri njëjës. Për shembull, ai shkruan “media zbuloj”, dhe jo “media zbuloi”, enkas për të nakatosur kundërshtarin.

Po enkas, ai gjasme harron të vendosë një ë në formën kushtore të vetës së tretë njëjës, duke thënë “qeveria nxitoj ta përgënjeshtroj lajmin”.

Sipas Generosos, partnerët e shqiptarëve janë “serioz” dhe jo “seriozë”, këta që janë në pushtet janë “aventurjerë”, ndërsa si jehonë të largët të shqipes fanoliano-koniciane, ai përdor “dyke” në vend të “duke”.

Por ama, përveç gërmave si rruaza, Generoso Tiro, thonë burimet, ka edhe një armë sekrete, që të gjithë e kanë para syve por nuk e shohin dot.

Xhephaneja në fjalë është një foto që flet sa për njëmijë folje e emra të lakuara e të zgjedhuara gabim, sa për tremijë kundrinorë të vendosur keq, ku Generoso Tiro shfaqet duke parë përtej perdes gjysmë të hapur të dhomës, me vështrimin e tretur në horizont drejt avenirit; mesa duket në një çast shplodhjeje pas dy ditësh punë që i duhet për të përfunduar një shkrim prej 600 fjalësh qëllimisht të mbushur me gabime.

Një portret i pagabueshëm, që e ka të sigurtë të ardhmen në politikë.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike bujare me miqtë dhe armiqtë, që vërtet merr nishan dynjanë, por pa të keq.


June 25, 2018 10:53
Komento

1 Koment

  1. Niko June 26, 14:12

    Sigurisht qe ka te ardhme, eshte duke pa nga penxherja zyrat e doktorrit

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*