Prognozë retrospektive, Berisha në historinë e së shkuarës

Fatos Tarifa July 2, 2013 14:06

Prognozë retrospektive, Berisha në historinë e së shkuarës

Ndërsa kryeministri Berisha u detyrua të pranojë disfatën e partisë së tij në zgjedhjet e fundit legjislative, meraku i tij më i madh duket se është trashëgimia politike që ai lë pas dhe vendi që do i rezervojë historia e kombit shqiptar. A do të mbetet ai një humbës triumfator, apo “triumfi” i tij në këto 22 vitet e fundit të historisë sonë ka qenë një humbje për Shqipërinë dhe për popullin e saj?

Zonja Topalli, deri dje Nr. 2 në Partinë Demokratike dhe formalisht e dyta në hierarkinë shtetërore, fati politik i së cilës është edhe më obskur se ai i kryeministrit Berisha, ka nxituar këto ditë ta pagëzojë Berishën si “arkitektin e Shqipërisë moderne”, gati-gati njëlloj si Ataturku për Turqinë post-otomane. Të tjerë bashkëpunëtorë të orëve të para, ose të orëve fundit të Z. Berisha, hija e rëndë dhe metodat autokratike të të cilit i trembin ata edhe pas rrëzimit të tij nga froni, përmes ditirambesh të shumta po nxitojnë t’i ngrenë bosit të tyre për së gjalli një monument në altarin e njerëzve të mëdhenj të këtij kombi.

Unë nuk dua të bëj gabimin kaq shpesh të përsëritur në historinë e kombit tonë për t’i dhënë “vendin e merituar” apo për të parashikuar fatin historik të z. Berisha ende pa u krijuar distanca e nevojshme në kohë për të gjykuar me ftohtësi dhe me objektivitet për figurën dhe rolin e tij. Për këtë është ende herët dhe as “orakujt” tanë politikë apo mediatikë nuk mund të thonë dot gjë, sado që këtë po përpiqen të bëjnë qysh pas 23 qershorit. Sidoqoftë, atë që s’mund ta parashikojmë dot saktësisht e ta themi duke iu referuar së ardhmes, mund ta bëjmë, qoftë edhe si një ushtrim intelektual, ose logjik, duke iu referuar së shkuarës.

Disa kohë më parë, një kolegu im historian, kur debatonim mbi atë se si do të kishte qenë fati i Shqipërisë sikur Perandoria Osmane të mos e kish mbajtur atë të pushuar për pesë shekuj me radhë, argumentonte se në histori nuk flitete me “sikur”. Kjo mund të jetë një aksiomë në historiografi, por logjika dialektike, e kuptuar qoftë si një formë e të argumentuarit logjik (nga grekët e lashtë), qoftë edhe si një koncept filozofik mbi evolucionin që aplikohet edhe në fushën e historisë (nga Hegeli e deri më sot), mundëson t’i shohim historinë e sotme dhe atë të ardhme edhe nga një perspektivë retrospektive, pra të formulojmë “prognoza” jo për atë që eventualisht mund të ndodhë në të ardhmen, por për atë që mund të kishte ndodhur në të shkuarën, sikur një personalitet politik i sotëm të kishte jetuar dhe vepruar në kushtet e një periudhe historike të shkuar.

Fakti që “prognoza” të tilla retrospektive dhe ahistorike nuk mund të verifikohen dot empirikisht nuk do të thotë se ato nuk mund të bëhen. Shumë nga historianët dhe analistët tanë mund t’i kundërshtojnë ato çfarë argumentoj më poshtë; sidoqoftë, unë guxoj të parashtroj katër propozime (apo hipoteza), lidhur me modelin e liderit politik që përfaqëson z. Berisha, të cilat, edhe pse nuk mund t’i provoj dot, i konsideroj të vlefshme nga një perspektivë logjiko-historike.

1. Sikur z. Berisha të kish hyrë në historinë politike të shqiptarëve fill para, gjatë, ose pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, shembëlltyra politike e tij do të kish qenë Esad Pashë Toptani (jo Ismail Qemali apo Luigj Gurakuqi).

2. Sikur z. Berisha të kishte ardhur në pushtet në vitet 1920 ose 1930, ai, njëlloj si Ahmed Zogu, do të ishte vetëshpallur “mbret i shqiptarëve”. Dhe njëlloj si Toptani e Zogu, për të marrë pushtetin dhe për ta ruajtur atë, do t’u kishte falur shteteve fqinje më shumë se Shkodrën, Vermoshin, Shën Naumin dhe pjesë të hapësirës shqiptare në Detin Jon, dhe do të ishte sjelljë po njëlloj si ata ndaj kundërshtarëve të tij politikë, duke i asgjesuar ata.

3. Sikur z. Berisha të kishte ardhur në pushtet në vitet 1944-45, ai do të ishte bërë një diktator edhe më brutal se Enver Hoxha;

4. Sikur z. Berisha të kishte munguar në këto më shumë se dy dekada të tranzicionit postkomunist në Shqipëri, sot nuk do të gjendeshim në këtë pikë ku jemi, por Shqipëria do të kishte bërë një progres shumë më të madh. Politika e z. Berisha, siç kam shkruar edhe 7 vjet më parë, i ngjante më shumë autoritarizmit të Hugo Chavez-it (edhe pse pa naftën e tij), sesa ishte një politikë demokratike e largpamëse, si ajo që i ka bërë shumë vende të Europës Lindore postkomuniste pjesë të Bashkimit Europian.

Nëse si “arkitekt i Shqipërisë moderne” z. Berisha projektoi dhe krijoi një Shqipëri pa shtet të së drejtës, unë do të kisha preferuar më mirë një Shqipëri më pak moderne, por më shumë demokratike, ose një tjetër lloj “arkitekti” për një Shqipëri vërtet moderne.

Fatos Tarifa July 2, 2013 14:06
Komento

9 Komente

  1. Kujtim July 2, 12:52

    Bukur e thurur por une e konsideroj bukur fort “si kofini pas te vjelash”. Nuk mund t’a kuptoj se intelektuale, deri diku me integritet, nuk guxojne te thone ate qe mendojne ne kohe reale. Te jete vetem frika per buken e gojes? Nuk besoj

    Reply to this comment
  2. ILIRET July 2, 14:53

    4. Sikur z. Berisha të kishte munguar në këto më shumë se dy dekada të tranzicionit postkomunist në Shqipëri, sot nuk do të gjendeshim në këtë pikë ku jemi, por Shqipëria do të kishte bërë një progres shumë më të madh.
    Kete pyetje e kam shtruar keto dite ne shume komente: Sikur te mos ishte Berisha ne krye te shtetit shqiptar me 1996, kur lejoi dhe mburri skemat piramidale, te cilat sollen djegien e Shqiperise dhe vrasjen e mijra njerezve, a e imagjinojme dot se si do te ishte Shqiperia sot…?? Prandaj dhe analiza e z. Tarifa eshte shume e sakte.Berisha do te hyje ne histori, por si Hamza Kastrioti, si Ballaban Pasha, Esat Toptani, Ahmet Zogu, Xhaferr Ypi, Hamit Matjani, Xhevdet Mustafa… Ama jo si Enver Hoxha. Ky mund te ishte feudal e diktator, por kurren e kurres tradhetar. Tash 23 vjet, me gjithe germimet ne arkiva, ku nihilistet shkruajten cfare nuk shkruajten, por nje dokument, per nje dyshim me te vogel per shitje te nje interesi me te vogel te ceshtjes kombetare nuk munden ta gjejne. Pra Enver Hoxha eshte vite drite shume me lart se Sali Berisha…

    Reply to this comment
  3. Tarifa e Fatosit... July 2, 16:01

    Se paku Berishen nuk e quan dot te pa afte!

    Fatos Tarifa eshte aq i pa afte, sa, ka marre origjinal fjalen e Sevo Tarifes, te vitit 1975, te Shekullit te kaluar, mbajtur ne Kolegjin Ushtarak te Grupimit te Elbasanit, fill pas rrezimit, denimit e pushkatimit te grupit armiqesor te Beqir Ballukut etj!

    Reply to this comment
  4. tori July 2, 16:52

    Berisha eshte i paafte gjenial per te ndertuar, dhe po aq i afte gjenial per te shkaterruar.
    Esat pasha eshte lule krahasuar me kete hajvan qe na mbajti peng 20 vjet. Sa per krahasimet me Enverin jane te gjitha hipokrite . vetem per te qene politically correct.

    Reply to this comment
  5. TUSHI July 2, 17:10

    Kjo ka qen fatkeqsia ma e madhe e popullit Shqiptar qe te komandohet nga njerez manjak per pushtet si sali berisha apo jozi me shkoll te mesme me membran mbuloje demokracin qe ne ishim te uritur per te dhe ky njeri i pa pergjegjshem na hodhi pluhur syve bashk me mediat manjake te tijat ia a rriten qellimit deri sot .
    Vrau , persekutoj, kercenoj njerez qe jepnin mendime te ndryshme .
    Dhe ky njeri e ka vendin ne burg bashk me ata kriminela dhe drejtora policiet qe kercenojn popullin ne emer te berish manjakut

    Reply to this comment
  6. Mali i Gjere July 2, 17:22

    Mali i Gjere
    Tani u kujtua ky te shaje Berishen? Ambasadori ne Vashington … Ju kujtohet Fiksi. Me mire hesht se do te dalin gjobat qe ke vene dhe faturat fallco.

    Reply to this comment
  7. Mark.uk July 3, 12:59

    Sikur te ishte I till e me heq meturinat e fundit komuniste

    Reply to this comment
  8. shpresa July 4, 03:44

    ju lutem studjoheni me vemendje kete foto e tdo te kuptoni shume nga keta sharlatane

    Reply to this comment
  9. Thanas Gjika July 4, 06:16

    Detyra e bijve te ish kupoles komuniste eshte jo te nxijne vepren e figuren e z. Sali Berisha, por te distancohen prej mendesise komuniste, te distancohen e te kritikojne bemat e prinderve te tyre, ashtu si beri z. Bashkim Mehmet Shehu. Ky i kundershtoi disa bashkefshare te babait te tij, kur i thane se donin te ndertonin nje bust te Mehmet Shehut ne fshatin e tyre, si respekt te vlerave te tij. Ai u tha keto fjale lapidare: “Ju si popull nuk duhet ta nderoni Mehmet Shehun, sepse ai duke i sherbyer diktatorit me devocion u be nje kriminel dhe kriminelet nuk duhet t’i nderoje populli.”
    Nje gje eshte e qarte sot: sa me antikomunst te jesh aq me eger te sulmojne njerezit qe vuajne ende nga mendesia komuniste…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*