Projektet e nxitjes së punësimit, si të përfitoni

February 7, 2016 10:14

Projektet e nxitjes së punësimit, si të përfitoni

Qeveria ka rishikuar procesin e nxitjes së punësimit duke përfshirë shtatë programe të reja. Për vitin 2016, buxheti në dispozicion do të jetë 490 milionë lekë, ku është parashikuar rritja e kohës së pagës që subvencionohet nga ana e shtetit për disa kategori (kryesisht të rinj të sapodiplomuar), si dhe është zgjatur koha e kontraktimit. Nga zbatimi i këtyre skemave të përfitojnë rreth 10,000 persona.

Vitin e kaluar, rreth 50% e personave që përfituan nga skemat e nxitjes së punësimit ishin të rinj deri në moshën 29 vjeç, angazhimet e të cilëve shkuan përtej tavolinës së call center, duke u shtrirë edhe në hoteleri-turizëm, telekomunikacion, ndërtim, tregti etj.

Vetëm pak ditë më parë, qeveria miratoi shtatë programe të reja, që do të mbulohen nga një buxhet që në total shkon 490 milionë lekë. “Pjesa e luanit” natyrisht i takon Tiranës, por kanë përfituar edhe rajone si ai i Durrësit, Fierit, Beratit, Lezhës, etj, raporton Monitor.

Nga fondet e Programit të Nxitjes së Punësimit nuk përfitojnë vetëm të rinjtë, por edhe kategori të tjera, si jetimët, personat me aftësi të kufizuara, për të cilët shteti subvencionon punëdhënësin me mbulimin e pagës minimale për një periudhë të caktuar kohore (nga 6 muaj në 1 vit), ndërsa ka edhe programe të tjera me afat 1-vjeçar, që synojnë integrimin në tregun e punës e të rinjve të sapodiplomuar si dhe të shtresave në nevojë, që përfshijnë të papunët afatgjatë, persona në moshë mbi 45 vjeç dhe qytetarë të komunitetit rom apo egjiptian.

Me programet e reja qeveria parashikon të punësojë mbi 10,000 punëkërkues të papunë, ku rreth 70% e tyre do të jenë gra e vajza dhe pjesa tjetër punëkërkues të rinj. Për zbatimin e tij është parashikuar një sistem i ri vlerësimi që mendohet se do të risë numrin e aplikuesve (punëkërkues dhe punëdhënës).

Këto mekanizma do të jenë: Rritje e numrit të punëkërkuesve të papunë që përfitojnë nga programet aktive të tregut të punës; qasje e barabartë nga të gjitha ndërmarrjet aplikuese, në procesin e përzgjedhjes; dhënia e prioritetit atyre ndërmarrjeve që ofrojnë mundësi të qëndrueshme punësimi në sektorë që mund të kenë ndikim më të madh social-ekonomik.

Për të rinjtë që hyjnë për herë të parë në tregun e punës (e të sapodiplomuar) parashikohet formimi nëpërmjet punës për një periudhë 3-mujore dhe garantimi i punësimit të subvencionuar për një periudhë 9-mujore.

Nga ana tjetër është parashikuar subvencionimi i pagës në një nivel më të lartë se paga minimale në shkallë vendi për efekt të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Paralelisht kohëzgjatja e kontratës së punësimit deri në 15 muaj rrit shanset për një punësim të qëndrueshëm në grupet e përcaktuara.

Ndryshimet gjithashtu kanë synim të përmirësojnë targetimin e punëkërkuesve të papunë gra dhe vajza, duke marrë parasysh diversitetin demografik dhe nevojat, duke përcaktuar si përfituese gratë kryefamiljare dhe vajzat nëna, të cilat kanë në ngarkim fëmijë deri në moshën 18 vjeç. Për këtë kategori është propozuar dhe është miratuar rritja e nivelit të subvencionimit të pagës në masën 115% të pagës minimale, në shkallë vendi.

Programi i ri i nxitjes së punësimit për jetimët ka për qëllim të mbështesë kategorinë e të rinjve nën 30 vjeç, të cilët kanë status të jetimit dhe janë të regjistruar pranë zyrave të punës në shkallë vendi. /DITA/

February 7, 2016 10:14
Komento

1 Koment

  1. rilindja jote February 7, 13:01

    Vlora eshte harruar ne gjithshka z.Rama,rruget e Vlores sikur u ka rene bomba,8 vjet asnje investim,i hidhni syte se jeni dhe deputete i saj!!!!!!!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*