Projekti 654 mijë euro rrafshoi pishat dhe kujtimet mbi lulishten e dikurshme të Çelepiasit

August 27, 2019 04:45

Projekti 654 mijë euro rrafshoi pishat dhe kujtimet mbi lulishten e dikurshme të Çelepiasit

Nga Erjola Azizolli

E ndërtuar në vitin 1928, lulishtja e Çelepiasit u ngulit për dekada në identitetin e banorëve të qytetit të Beratit, por një projekt i kushtueshëm prej 654 mijë eurosh në kuadër të Rilindjes Urbane rrafshoi pishat shekullore dhe lulet dhe i zëvendësoi kujtimet e banorëve me gurë dhe rrugica betoni.

 

Stavri Toli e vizitoi për herë të parë Beratin kur ishte 5 vjeç dhe shoqëronte gjyshin tregtar. I moshuari kujton thuajse shtatë dekada më vonë se i mbeti në atë kohë ndër mend një lulishte me pisha të gjata, lule dhe pistë vallëzimi, ku fëmijët luanin dhe të rriturit kalonin mbrëmjet e tyre.

‘Mbaj mend që lulishtja ishte gjëja më e bukur e qytetit, e gjelbëruar, me lule pa fund, me stola, me lodra për fëmijë, me pistë kërcimi,” kujton 74-vjeçari për BIRN.

Tani pensionist, Stavri Toli bashkë me mikun e tij Qirjako Dorri kalojnë çdo ditë kohën në të njëjtin vend, në atë që njihet si lulishtja “e Çelepiasit”, por asgjë rreth e rrotull nuk ngjason më me kujtimet e gjalla të fëmijërisë.

E ngulitur thellë në identitetin e qytetit të Beratit, lulishtja “e Çelepiasit” në lagjen “Dëshmorët e Kombit” u krijua në vitin 1928 mbi një sipërfaqe toke ku më parë kishin qenë varrezat e myslimanëve. E ndërtuar me drurë dekorativë, lule shumëngjyrëshe, pistë vallëzimi dhe një fushë tenisi, ajo u kthye shumë shpejt në zemrën e qytetit dhe është fiksuar në fotografitë dhe kujtimet e shumë brezave të rritur në Berat.

Lulishtja u ruajt edhe gjatë komunizmit me përjashtim të dy tyrbeve dhe mekamit-që siç kujton studiuesja dhe koleksionistja e fotografisë, Parashqevi Sahatçi, u prishën në vitin 1967-kur Shqipëria e shpalli veten shtet ateist. Një objekt tjetër kulti u përdor si klub deri në vitet ’90 dhe më pas u la në harresë.

“Kjo hapësirë ishte pjesë e modernizimit të qytetit të Beratit…Në atë kohë nuk kishte në Berat  vende dëfrimi, shëtitjeje apo kopshte popullore ndaj dhe ndërtimi i lulishtes u diktua nga koha”, thotë Sahatçi për BIRN.

Lulishtja i mbijetoi edhe trazirave të dhunshme të vitit 1997, por një investim i realizuar gjatë vitit 2015 si pjesë e projektit të Rilindjes Urbane e transformoi totalisht atë, duke e zhveshur nga pishat shumëvjeçare, hapësirat e gjelbra dhe lulet brenda saj.

Një trung pishe i prerë në mesin e parkut “Dëshmorët e Kombit” në Berat. Foto: Eriola Azizolli.

Projekti për rikualifikimin dhe rikonstruksionin e parkut “Dëshmorët e Kombit” kushtoi 81.2 milionë lekë [654 mijë euro] dhe u financua nëpërmjet vendimit të Komitetit të Zhvillimit të Rajoneve si pjesë e programit Infrastruktura Vendore dhe Rajonale.

Punimet nisën në prag të fushatës për zgjedhjet lokale të qershorit 2015 nga kompania “Salillari”, ndërkohë që projekti parashikonte sistemimin e trotuareve, kanalizimin e ujërave, vendosjen e stolave dhe ndërtimin e një shatërvani në qendër të parkut. Por dhjetë ditë pas nisjes së punimeve, banorët e lagjes protestuan dhe denoncuan dëmtimin e pishave dhe gërryerjen e rrënjëve të tyre.

“Ne këtu qëndrojmë gjithë paraditen, çdo ditë në lulishte dhe kur u bënë punimet këtu ishim. Pamë se si u gërmua aq shumë afër pishave sa njëra ra, të tjerat u thanë,” thotë Qirjako Dorri ndërsa qëndron ulur në njërin prej stolave të parkut.

“Dolën shokët tanë në televizor në atë kohë, të gjithë ngritëm zërin se pishat u prekën nga rrënjët dhe se do të thaheshin, por askush nuk na e vuri veshin ne pleqve,” shton ai.

Pishat shekullore u kishin rezistuar kohëve, por 13 prej tyre nisën të thaheshin pas dëmtimit të rrënjëve nga gërmimet.

Më 6 korrik 2017, Zyra e Shërbimeve dhe Emergjencave Civile pranë Bashkisë së Beratit, në bashkëpunim me specialistët e gjelbërmit morën vendimin për të prerë shtatë nga pishat e thara për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm në jetë njerëzish.

Për studiuesin dhe njohësin e bimëve, Demokrat Keli tharja e pemëve ishte e paralajmëruar.

Me të u bashkuan organizatat mjedisore, shoqëria civile dhe banorë të lagjes, por alarmi ra në vesh të shurdhër dhe punimet vazhduan rrugën e tyre.

“Pisha ka rrënjë shumë të thella dhe dihet që ushqimin e merr pikërisht nga rrënjët e saj. Në momentin që rreth rrënjëve gërmohet, punohet pa asnjë kriter, pema tronditet dhe nuk ushqehet më, kështu ajo nis të thahet,” tha Keli për BIRN.

Ish-kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi i cili ka firmosur kontratën e projektit i tha BIRN se kompania sipërmarrëse ishte gjobitur në vitin 2015 për dëmtimin e një peme.

‘Në vitin 2015, firma sipërmarrëse u gjobit me një gjobë, pasi gjatë punimeve një pemë u rrëzua,” kujton Nasufi, i cili e dorëzoi mandatin po në vitin 2015.

Për dëmet e tjera mjedisore që pasuan punimet u mbyllën sytë dhe sot projekti konsiderohet një çështje e mbyllur nga bashkia e Beratit.

Tharja e pishave është shqetësimi kryesor, por jo i vetëm që banorët e Beratit kanë me parkun e ri të bashkisë.

Shatërvani i ndërtuar në kuadër të projektit të rikualifikimit të parkut, i cili nuk u vendos asnjë ditë të vetme në funksion. Foto: Eriola Azizolli.

Një shatërvan dikur plot hijeshi dhe me ujë në qendër të saj u zhduk gjithashtu, ndërsa zëvendësuesi i premtuar gjatë prezantimit të projektit në video 3D është sot një vaskë betoni e mbushur me pluhur, që s’u vu kurrë në punë.

Frekuentuesit e parkut nuk mësohet dot gjithashtu me zbrazëtinë që la pas mungesa e luleve apo e lodrave për fëmijë- çka e bënin lulishten të veçantë që prej krijimit të saj në vitin e largët 1928.

Por miqve pensionistë, Stavri Toli dhe Qirjako Dorri u mbetet të ngushëllohen me kujtimet e tyre.

“Pishat e thata vazhdojnë të na bëjnë hije, por këtu nuk ka më asnjë një lule, as shatërvan, as lodra për fëmijët. Vetëm pllaka, gurë dhe bar,” përfundoi Toli për BIRN.

 

*****

Eriola Azizolli është gazetare për Ora News TV në Berat

 

August 27, 2019 04:45
Komento

5 Komente

  1. Nje shqiptar August 27, 08:32

    Nuk jeni vetem. Ne vitet e demokracise apo te anarkise. Ne Shkoder lulishtja e Bashkise ne Fushe Cele, e ndertuar nga Austria ne vitin 1915, u zvogelua pergjysem per te ndertuar tre pallate me “leje” e paleje.

    Reply to this comment
  2. Glaukias August 27, 11:26

    Çirrjani maskat me lajme të tilla, ripublikojini premtimet e videot 3D dhe përballë vendosini realitetin. Bëjeni këtë për shegët, parlamentin e ri, turbinat me erë, centralin bërthamor etj, të Salih Berishës, tramjavin etj, të Lulzim Bashës, integrimin, bujqësinë etj, të Ilir Metës e të gjitha gënjeshtrat e gjysëm të vërtetat e Edi Ramës. Merrini të gjitha premtimet e fushatave e përballini me realitetin që të kuptojnë edhe militantët që kjo klasë politike ka qënë e është si një murtajë për Shqipërinë. Të gjitha privatizimet e pasurive publike me analiza nga ana ekonomike se çfarë kanë humbur e çfarë kanë fituar shqiptarët nga këto privatizime. Shkruani me shifra e fakte që të kuptojnë shqiptarët se sa iu është vjedhur. Shpjegoni edhe njëherë se sa taksa paguajnë shqiptarët e çfarë bëhet me to. Pyesni inxhinierët për kostot e ndërtimit të veprave, krahasojini me çmimet e qeverive të PD-PS e më pas shpjegojani popullit se me sa blihet hekuri, çimentoja etj e me sa i çmon qeveria. Thjesht e pastër, që edhe një i pashkolluar ta kuptojë, jo me shkrime të gjata me terma studimorë që përveç specialistave të fushës për të cilën shkruhet, asnjë nuk i kupton.

    Reply to this comment
  3. mirel August 27, 14:04

    I nevojiten leke horrave te Rilindjes. I prish ye gjutha parqet dhe i pret te gjitha pemet per te fituar tendera betonizimi.
    Nuk ka rendesi cfare behet. Vetem te bejne tenderin dhe te marrin leke.
    Nuk ke cte shtosh me ne listen e krimeve te Rilindjes qe te jete mjaftueshem per tja hapur koken me gur, por populli pranon take rrjepin me mire se te hedhi gurin.
    Duhet solidaritet madiv popullor kunder krimit te shtetit. Perndryshe prisni kur tju hapin varrin me tender, aty do veje puna

    Reply to this comment
    • tori August 27, 19:32

      O mirel apo “intelektual” apo zyrtar I larte I Shqup-it cdo gje qe ben “rilindja” eshte me e bukur me funksionale e me kosto shume me te ulet se cdo gje qe ka bere Shqup-i.Rilindja vetem me ndertim dosjesh personale te cdo qytetari nuk merret.Ajo dikur ishte pune esigurimit shtetit sot pune e Shqupit.llapaqener

      Reply to this comment
  4. Arben August 27, 17:17

    EPO DO RILINDIM, APO JO.

    BERATI VOTOI EDROGEN, KESHTU QE I TAKON

    TE GEZOHET NASHI.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim