Prokurimi Publik, ndryshimet ligjore shtojnë penalitetet për abuzuesit

December 17, 2014 09:21

Prokurimi Publik, ndryshimet ligjore shtojnë penalitetet për abuzuesit

Masa të reja ndëshkimore për abuzuesit me tenderët publikë. Qeveria i ka dorëzuar ligjvënësve kuvendorë një projektligj që forcon penalitetet për shkelësit e ligjit të Prokurimit Publik.

Projektligji përcakton dhënien e masës administrative nga 100 000 deri në 1 000 000 lekë për autoritetet kontraktore, kur keqinterpretojnë ligjin, penalitet ky që nuk ishte i parashikuar në ligjin aktual. Po kështu, propozohet të shtohet si masë penalizuese dënimi me gjobë, në masën nga 50 000 deri në 500 000 lekë, për mospërmbushje të detyrimeve të parashikuara në nenet 45 e 46 të ligjit, dispozita të cilat parashikojnë hartimin e kritereve të pranimit nga autoriteti kontraktor.

Synimi i këtij propozimi është të shmangë vendosjen e kritereve abuzive të kualifikimit nga autoritetet kontraktore, të cilat kufizojnë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë të interesuar. Në nenin 73 “Sanksionet për mosbashkëpunim” të ligjit në fuqi propozohet të bëhet një parashikim në mënyrë më të qartë i penalizimit të rasteve të refuzimit të autoritetit kontraktor për të bashkëpunuar me Komisionin e Prokurimit Publik dhe Agjencinë e Prokurimit Publik, ku ngarkohet me përgjegjësi titullari i autoritetit kontraktor dhe dënohet nga këto institucione me gjobë nga 50 000 deri në 1 000 000 lekë.

Në nenin 33 “Procedura me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit” të ligjit në fuqi propozohet të shfuqizohet njëri prej rasteve të përdorimit të kësaj lloj procedure, konkretisht, për kontratat që do të prokurohen në bazë të një marrëveshjeje kuadër, si një mundësi abuzimi nga autoritetet kontraktore. Ky propozim bëhet duke marrë në konsideratë faktin se procedura e prokurimit “Me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit” është një lloj procedure, e cila nuk kërkon njoftim publik dhe si e tillë kufizon dhënien e informacionit për operatorët ekonomikë të interesuar, për pasojë, dhe pjesëmarrjen e tyre në procedurat e prokurimit.

Në këto kushte, synohet që rastet e përdorimit të kësaj lloj procedure në ligj të jenë të kufizuara dhe të mirëpërcaktuara.

December 17, 2014 09:21
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*