Prokurorë e gjyqtarë “lobojnë” për votën e kolegëve në KLP e KLGJ

November 30, 2018 16:59

Prokurorë e gjyqtarë “lobojnë” për votën e kolegëve në KLP e KLGJ

Siç ia kërkon ligji, edhe kryetari i Gjykatës së Lartë shpalli ditën e zgjedhjeve, nga ku do të votohet për qeverinë e gjyqësorit. Më 12 dhjetor, mbi 350 gjyqtarë të të gjitha shkallëve do të mblidhen për të zgjedhur mes 10 garuesve, 6 kandidatë për vendet në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Njësoj do të veprojnë në datën 11 dhjetor edhe 305 prokurorë, që do të votojnë për qeverinë e tyre e cila quhet Këshilli i Lartë i Prokurorisë, e që sipas parashikimeve ligjore është më i rëndësishëm dhe më i fuqishëm sesa Prokurori i Përgjithshëm.

Pa banderola, pa premtime elektorale, 20 njerëz të drejtësisë – të cilët fituan me sukses provimin e vettingut – janë tashmë nën ethet e konkurrencës se cili prej tyre do të fitojë për në KLP dhe KLGJ. Por, ndryshe nga buja e zgjedhjeve, fushata e prokurorëve dhe gjyqtarëve po zhvillohet në heshtje, nëpër kafene me miqtë, në zyra dhe me influenca miqsh.

Fushata më e fortë po zhvillohet në shkallën e parë të prokurorive dhe të gjykatave, prej nga ka edhe më tepër garues. Për sa kohë që për në KLGJ, kandidati i Gjykatës së Lartë është vetëm një, gjyqtari Medi Bici, ai nuk ka asnjë konkurrent kundër të cilit të garojë.

Nga Gjykatat e Apelit duhet të dalin vetëm dy fitues, nga gjyqtarët pretendentë Brikena Ukperaj, Nertina Kosova dhe Ilir Toska, megjithëse lufta më e fortë do të jetë në Tiranë mes Toskës dhe Kosovës. Nga Gjykatat e Shkallëve të Para duhet të shpallen 3 fitues, nga 6 garues, në një fushatë që po zhvillohet e fortë sërish në gjykatën e kryeqytetit.

Nga ana tjetër, për në qeverinë e prokurorëve KLP, gara zhvillohet e fortë mes Kosta Belurit dhe Anila Lekës, prej të cilëve vetëm njëri duhet të fitojë. Automatikisht nga Apelet janë të fituar Arben Dollapaj dhe Bujar Sheshi, sepse nuk kanë konkurrentë.

Fushata do të jetë e fortë gjatë këtyre ditëve mes prokurorëve të Krimeve të Rënda dhe asaj të Tiranës, nga njëra anë, si dhe dy garuesve që përfaqësojnë rrethet, Vat Stakës dhe Besnik Canit, ky i fundit edhe këshilltar i Arta Markut. Siç thotë ligji për KLP dhe KLGJ duhet të fitojnë nga 6 vende dhe nëse do të ketë ankesa për zgjedhje të parregullta, gjithkush mund t’i drejtohet Gjykatës Administrative./ TopChannel

l.h/ dita

November 30, 2018 16:59
Komento

1 Koment

  1. te flasim si njerez November 30, 21:07

    Po eshte me lobim, e mori dreqi dhe kete, nese eshte me kerkesa dhe plotesim te tyre, ndryshe. Lobimet i bejne te pasurit qe duan te kene nen vete te varferit.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*