Prokurori i ri, Wollfarth: Presim zhvillime të shpejta në procesin e 21 janarit

Redaksia Online December 11, 2012 17:06

Prokurori i ri, Wollfarth: Presim zhvillime të shpejta në procesin e 21 janarit

Një ditë pas marrjes së detyrës së prokurorit të Përgjithshëm nga Adriatik Llalla, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, është shprehur se 21 janari është një nga çështjet që duhet sqaruar sa më shpejt. Në një intervistë për Ora News, Wollfarth tha se familjet e atyre që humbën jetën në 21 janar 2011 presin qartësi mbi këtë proces.

“Lidhur me 21 janarin, unë jam mes atyre që do të donin të shihnin një zhvillim të shpejtë, bazuar në ligj, në këtë çështje të rëndësishme dhe që të bëheshin të gjitha sqarimet e nevojshme. Është shumë e rëndësishme për familjet e atyre që vdiqën më 21 janar, si dhe për tërë vendin, që të kemi qartësi të plotë”, tha Wollfarth.

Wollfarth komentoi edhe mënyrën e emërimit të Adriatik Llallës në postin e kryeprokurorit. I komentuar nga mediat kohët e fundit për ndryshim qëndrimi në lidhje me përfundimin e mandatit të Ina Ramës, Wollfarth sqaroi edhe qëndrimin e tij.

“Lidhur me procesin e emërimit, ai u bë, me sa pamë, në përputhje me legjislacionin. Pati një seancë dëgjimore në komision dhe, më pas, një vendim në seancën plenare të Kuvendit. Pra, në këtë aspekt, rregullat u ndoqën qartësisht – një fakt shumë i rëndësishëm ky.

Sa i përket leximit, duke qenë se kur rregulli ndryshoi për mandatin dhe mbarimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk u përcaktua qartë se në cilën datë saktësisht do të ndodhte ndryshimi, unë thashë që ka argumente shumë të mira për majin 2013, por, siç ndodh shpesh në punët ligjore, ka gjithashtu lexime të tjera të mundshme, mes tyre nëntori i këtij viti. Siç u duk, kjo e fundit mbizotëroi ndër personalitetet që janë vendimtare për këto emërime në vend. Kjo është e pranueshme, në fushën ligjore kjo ndodh, jo vetëm ndonjëherë, por është një proces normal. Si rrjedhojë, është mirë gjithashtu që të kemi një diskutim, një diskutim publik bazuar edhe në leximet e ndryshme dhe ta përcjellim këtë. Prandaj nuk shoh ndonjë luhatje në këtë pikë. Në kërkim të argumenteve për qëndrimet e ndryshme, u zgjodh njëri dhe tani vendi duhet të shohë përpara, si edhe ta përkrahë Prokurorin e Përgjithshëm në detyrën e tij të pavarur për të bërë punën më të mirë të mundshme për maksimumin e shtetit ligjor në Shqipëri, pasi kjo është tejet e rëndësishme për procesin e integrimit dhe procesin e reformave”.

 

Redaksia Online December 11, 2012 17:06
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*