Prokuroria liron 6 marinarët ukrainas

May 27, 2014 08:17

Prokuroria liron 6  marinarët ukrainas

Pothuajse dy javë pas ndalimit në portin e Durrësit të anijes me 47 tonë cigare kontrabandë “Era 1” dhe ekuipazhit të saj ukrainas, Prokuroria e Rrethit ka vendosur të lirojë nga akuzat 6 marinarët dhe t’i lejojë të kthehen në vendlindjen e tyre në Krime. Shkak është mosgjetja e elementëve të veprës penale të përfshirjes në këtë kontrabandë, pasi askush prej tyre nuk ka pasur dijeni për ngarkesën dhe rrethanat e kontrabandës, duke mbetur vetëm me statusin e një punonjësi të thjeshtë të anijes lundruese. Pasi kanë dhënë dëshmitë e tyre se ishin nisur nga Qipro në fillim të majit dhe kthyer në Vlorë për shkak të kohës së keqe, për t’u rinisur përsëri drejt Malit të Zi, marinarët dje kanë mësuar edhe për lirimin nga akuzat. Prokuroria vendore konfirmoi lajmin. Ndërkohë që mësohet se 4 prej anëtarëve të ekuipazhit do rikthehen në Ukrainë pranë familjeve të tyre, kurse dy të tjerë kanë vendosur të kujdesen për anijen, në mirëmbajtjen e saj.

Në burg qëndron vetëm kapiteni i anijes, Volodomir Demakov, teksa hetime po kryhen edhe për firmën malazeze që kishte porositur cigaret e dyshuara kontrabandë, që u bllokuan nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, me vlerë 10 milionë euro në treg. Kapiteni mohoi përfshirjen në kontrabandë, duke kërkuar ta lejonin të dërgonte mallin në destinacion, në Malin e Zi.

Marinarët janë shprehur se tashmë janë jo vetëm të papunë, por edhe pa lekë për kthimin në atdhe, në mëshirë të fatit dhe pa ushqime. Në ndihmë të tyre kanë shkuar vetëm punonjësit e policisë portale, apo avokati, të cilët herë pas here u sjellin ushqime dhe ujë. “Jemi këtu duke pritur vendimin nga autoritetet për t’u kthyer në shtëpi. Nuk kemi ujë dhe as ushqim. Ne presim që të nisemi. Nuk jemi nën hetim, por nuk ka kanë dhënë leje që të largohemi. Policia na mban nën mbikëqyrje 24 orë në ditë. Avokati është duke na ndihmuar për procedurat për t’u nisur në shtëpi katër persona prej ekuipazhit. Punonjësit e policisë janë treguar të mirë sepse na kanë ndihmuar me ushqime. Jemi të gjithë nga Krimea, familjet po na presin. Ata shpresojnë që ne të shkojmë atje sa më parë”, thotë një prej marinarëve.

Gjithashtu janë ndihmuar në komunikim me familjarët e tyre. “Nuk e di kur do të ikim. Por ne nuk kemi asnjë lek, as për të ngrënë, nuk kemi asgjë. Kapiteni është në burg dhe ne brenda në anijen e bllokuar. Nuk e di nëse anija ka pasur dokumentacionin e duhur apo jo. Kompania që ka anijen nuk ka dhënë asnjë ndihmë”, shprehet Aleksandër Dudnik, një tjetër marinar. Tashmë priten vetëm procedurat për kthimin e marinarëve drejt Ukrainës.

Sipas avokatit të çështjes, Idlir Tivari, 4 marinarë do të largohen, kurse dy prej tyre vendosën të qëndrojnë. Avokati ka apeluar për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Volodomir Demakov, kapitenit të arrestuar.

 

May 27, 2014 08:17
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin