Prokuroria zbulon kontrabandë 1 mln euro me pajisjet e lojërave të fatit

December 22, 2015 11:01

Prokuroria zbulon kontrabandë 1 mln euro me pajisjet e lojërave të fatit

Prokuroria e Tiranës dhe Drejtoria e Doganave kanë zbuluar një rast kontrabande me vlerë 1 milionë euro. Bëhet fjalë për sjelljen në Shqipëri të pajisjeve elektronike të lojërave të fatit. Për rastin, fajtor janë shtetasit Gjovalin Ndoj dhe Paulin Preçi, administratorë të kompanisë së lojërave të fatit “Saturn Games”, të hetuar me masën e sigurimit “arrest në burg” në mungesë.

Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, ka nisur hetimin në bazë të disa materialeve referuese të D.P.Doganave, pas dyshimeve të krijuara se administratorët e kompanisë blinin pajisje “lojëra elektronike” në Gjermani dhe Slloveni dhe i deklaronin pranë autoriteteve doganore me shifra shumë herë më të ulëta blerjeje, me qëllim shmangien e taksave doganore.

Në bazë të veprimeve hetimore të Prokurorisë Tiranë rezulton se dy administratorët e kompanisë, në funksion të aktivitetit të tyre, gjatë vitit 2011 dhe 2012 kanë blerë një sasi të konsiderueshme makinerish për lojëra fati në kompani të ndryshme në Gjermani dhe Slloveni.

Në thuajse të gjitha rastet, këto blerje janë deklaruar dukshëm shumë herë më të vogla pranë autoriteteve shqiptare, krahasuar me faturat origjinale të blerjes, të cilat janë përftuar në bazë të letër-porosive të Prokurorisë Shqiptare, si edhe kërkesave për ndihmë zyrtate të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, drejtuar autoriteteve gjyqësore dhe doganore gjermane dhe sllovene.

Rezulton se shtetasi Paulin Preçi, në cilësinë e përfaqësuesit të “Saturn Games”, në vitin 2011 ka realizuar 7 hyrje malli në degën doganore Tiranë, të cilat, nga hetimi, rezulton se janë të gjitha të shoqëruara me dokumente blerjeje të fallsifikuara.

Po ashtu, rezulton se shtetasi Gjovalin Ndoj, në cilësinë e përfaqësuesit të “Saturn Games”, në vitin 2012, ka realizuar 10 hyrje malli në degën doganore Tiranë, të cilat, nga hetimi, rezulton se janë të gjitha të shoqëruara me dokumente blerjeje të fallsifikuara.

Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Tiranës vlerëson se dëmi i shkaktuar shtetit shqiptar, nëpërmjet shmangies së detyrimeve doganore, nga ana e dy shtetasve të mësipër është rreth 15 milionë lekë të reja (rreth 1 milion euro). /Dita/

 

December 22, 2015 11:01
Komento

1 Koment

  1. erald December 22, 14:12

    15 milione leke te reja = 110.000 Eur

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*