Pronat me 7501/ Qeveria ndryshon procedurat e regjistrimit

October 14, 2017 09:36

Pronat me 7501/ Qeveria ndryshon procedurat e regjistrimit

Qeveria vendos të shtyjë afatin për pajisjen me titull pronësie të fermerëve që kanë në përdorim toka bujqësore të ndara me ligjin 7501.

Kështu, limiti i përcaktuar deri në dhjetor të këtij viti do të zhvendoset deri në qershor të 2018-s, duke u dhënë mundësinë të gjitha atyre familjeve që kanë në posedim aktin e përdorimit të mund të marrin tapinë. Lajmin e dha dje ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi.

PELESHI

Nga Vlora, gjatë takimit konsultativ për buxhetin e vitit të ardhshëm, ministri tha se do të ngrihet një grup i posaçëm pune, i cili do të merret vetëm me trajtimin e pronave, në mënyrë që pajisja me titull pronësie të përfundojë brenda 300 ditëve të para. Ky afat i ri do të jetë shansi i fundit për fermerët. Peleshi bëri të qartë se nuk do të ketë më shtyrje të kësaj praktike, e cila duhej të kishte përfunduar shumë kohë më parë.

“Në fund të muajit dhjetor përfundon afati për bashkitë për të plotësuar me tituj pronësie ata fermerë që nuk e kanë marrë titullin e pronësisë, pra kanë vetëm aktin e marrjes së tokës në përdorim. Ne do të bëjmë një shtyrje të afatit, por më duhet të them që edhe këto shtyrjet e herëpashershme janë gati-gati qesharake. Të gjithë premtojnë se do të jetë shtyrja e fundit, por unë po zotohem edhe publikisht se do ta zhvendosim afatin me disa muaj deri në qershor të vitit që vjen, por kjo do të jetë finale.

Bashkive do t’u japim të gjithë mbështetjen që duan në zhbllokimin e ngërçeve për t’i shkuar deri në fund kësaj çështjeje. Një ekip i posaçëm në ministri do të merret vetëm me trajtimin e pronave, në mënyrë që pajisja me titull pronësie të përfundojë brenda 300 ditëve të para. Pastaj është regjistrimi i titujve të pronësisë dhe dorëzimi i tapisë, pra certifikatës së pronë- sisë”, bëri me dije ministri i Bujqësisë, i cili u ndal edhe në procedurat e reja që do të aplikohen për regjistrimin e tokës.

“Do të krijojmë Agjencinë e Titujve të Pronësisë, e cila nuk do të presë më fermerin që të paraqitet për të regjistruar Aktin e Marrjes së Tokës në Pronë- si (AMTP-së), por do të jetë agjencia që do të bëjë një regjistrim të përgjithshëm të titujve përmes një praktike të re pune, duke qenë se të gjitha institucionet që kanë pasur në ngarkim çështje të pronësisë do të jenë nën një çati”.

APLIKIMET

Numri i lartë i fermerëve që nuk janë pajisur ende me titull pronësie është tejet i lartë, çka ka detyruar qeverinë që të rishikojë edhe një herë afatin, duke u dhënë më tepër kohë bashkive dhe fermerëve. Veç atyre që kanë në përdorim tokë bujqësore, por nuk janë të pajisur me Aktin e Pronësisë në skemë janë edhe ata të cilët, pavarësisht se janë të pajisur me këtë dokument, nuk e kanë bërë ende regjistrimin e pronës në Hipotekë. Në të dyja rastet, qytetari duhet të paraqitet pranë bashkisë.

Sa i takon dokumentacionit që duhet të dorëzohet përveç kërkesës për pajisjen me aktin e përdorimit nga komisionet e ndarjes së tokës (për ata që ende nuk e kanë), kërkohet edhe planvendosja e secilës ngastër që kanë në përdorim, certifikatë familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e bashkisë, ku të pasqyrohet numri i anëtarëve të familjes përfituese, në favor të së cilës do të lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, sipas gjendjes më 1 gusht 1991, si edhe dokumentacionin që vërteton se janë përfitues, si rezultat i lëvizjes nga qendrat e tyre të banimit, me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave.

October 14, 2017 09:36
Komento

2 Komente

  1. lalai October 14, 10:35

    Niko Pambuku dhe ligji komunist 7501!!!
    Prona duhet te veje tek i zoti po ju or hajdute se keni problem ta tjetersoni dhe pastaj atij katnarit 5 dynymesh t’ja blini serisht sic keni filluar ta beni.

    Reply to this comment
  2. Guri Naimit D(Dh.Xh.) October 16, 15:11

    Mire beni z.Minister-Na degjoni dhe ne..hallexhijve.

    Zoti Minister, paci mirsi per kete qe beni, ne te mire te te shumevuajturve shqiptare,po nje pyetie kam:
    Jam nje ish bonor i Zavalanit te “Dangellise Naimjane” ,larguar nga fashati qe nga vite 60-t,e lene token e shtepine, atje,ish koperativisteve bashkefshatare ne perdorim.Kjo e njohur ne Kadaste si prone e famiies sone,(vetem 31 dylume,take are e vreshta).Tani pas 90tes sipas atij ligjit te famshem te 91, c’pronesohemi, si mund te behet kjo?!.
    Ate pake tone me gjak e dierse na e kane lene te paret tane.Ani se nuk jetojme atje,ajo duhet te jete prona jone. Nuk jemi latifonddiste apo pronare tokash te ish”Spahijve” te dikurshem. Shikojeni kete problem.
    Toka bujqesore eshte prona jone,kudo qofshim.Na ndihmoni ju lutem.
    Kjo besoj jo vetem per familien tone,tashme,pasardhes 10tra familie..Fjalen e kam si parim; toka i takon te ZOTIT legjitim.(aktualisht baojme ne Tirane).
    Na sqaroni z.Minister si te veprojme…Nuk duam konflikt me bashkefshataret tane,aktualisht bere pronare te tokave tona me ate ligj-politik do te quaja…
    Me konsiderate.
    Guri Naimit D.(Dh Xhoga)

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*