PRONAT / Noterët arsyetojnë firmat e të vdekurve: “Ata janë të gjallë në zemrat tona”

March 27, 2018 22:42

PRONAT / Noterët arsyetojnë firmat e të vdekurve: “Ata janë të gjallë në zemrat tona”

Një grup noterësh të emocionuar kanë arsyetuar dje praninë e firmave të personave të ndarë nga jeta, në çështjet pronësore që rëndom mediat diletante i kanë etiketuar si “vjedhje”.

Përmes një konference për shtyp, në emër të noterëve të akuzuar ka folur me zërin që i dridhej noteri Batak Çiu.

“Po thonë njëmijë të zezat për mua dhe kolegët e mi,” lotoi zoti Çiu, “por ata që flasin kështu janë disa shpirtzinj që nuk kanë njerëzillëk. Ka ndodhur që disa të vdekur kanë firmosur për mijëra hektarë prona, për disa shtëpi, troje ndërtimi, dyqane etj. Mirë, po unë ju them juve: Pse mos ta quajmë mrekulli hipotekore këtë fenomen? Pse duhet të ketë vetëm mrekulli mjekësore, mrekulli fetare, mrekulli sportive etj”.

Përballë gazetarëve të shastisur, Bataku bëri një rezyme të shkurtër sesi njerëz në gradë të fundit shërohen papritur, se si Vatikani vendos për mrekullitë e shenjtorëve, sesi prania e Kombëtares në Europianin e Francës u quajt mrekulli shqiptare etj.

“Si t’ja bëjmë? Ta quajmë De Biazin mashtrues? Ta quajmë golin e Sadikut trillim mediatik?,” sfidoi Batak Çiu.

“Kështu dhe firmat e ndjesë pastëve në ca prona të rëndomta, fare mirë mund të kenë shpjegim mrekullor,” vazhdoi noteri.

“Dhe diçka e fundit,” foli Batak Çiu duke u ngrysur në fytyrë: “Se nuk është paraja gjithçka në jetë. Ata të shkretët vërtet ngarkuan mushkat për në Shishtufinë, po për ne do mbeten përherë të gjallë”.

“Ata jetojnë në zemrat tona, ju dhe prokurorët dhe hetuesit gjithë çfarë jeni, t’u vijë turp”, e mbylli i emocionuar Batak Çiu.

Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike e panoterizuar      

March 27, 2018 22:42
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*