Pronat/ Vendimet e marra para vitit ’94, ja si do të bëhet kompensimi

May 22, 2016 11:56

Pronat/ Vendimet e marra para vitit ’94, ja si do të bëhet kompensimi

Në fund të këtij muaji, Agjencia e Pronave do të publikojë të gjitha vendimet që janë ndërmarrë për periudhën ’93 dhe ‘94. Për këto dosje ka përfunduar vlerësimi ekonomik i pronës, pra, është përcaktuar masa e përfitimit për secilën familje, dhe është gati që të nisë ndarja e kompensimit.

Regjistri me të dhënat për secilin vendim do të publikohet në datën 30 maj. Menjëherë pas botimit të tij, pronarët që do të kenë emrin në listë, duhet të paraqiten pranë ATP-së për të plotësuar formularin e aplikimit. Ata kanë të drejtë të zgjedhin për t’u trajtuar me një nga skemat e kompensimit.

KOMPENSIMI FINANCIAR

Për këtë vit janë vënë në dispozicion 24 milionë dollarë. Ata që do të zgjedhin të kompensohen financiarisht, do të kenë mundësi të marrin të plotë pagesën dhe jo me këste sikundër është vepruar deri më tani. Për sa i takon afatit të aplikimeve, ai nuk do të jetë i limituar në kohë. Qytetarët mund të paraqiten në çdo moment për të dorëzuar dokumentet.

KOMPENSIMI FIZIK

Përkundrejt kompensimit në të holla, skema e kompensimit fizik do të ketë përparësi. Agjencia e Pronës posedon 23 mijë hektarë tokë bujqësore, për të cilat ka përfunduar më herët edhe vlerësimi financiar.

Drejtoresha e ATP-së, Sonila Qato, ka bërë me dije se dy do të jenë kriteret bazë për kompensimin fizik. Kriteri i parë është rendi kronologjik i vendimeve, që do të thotë se, sikurse kompensimi financiar, edhe ky kompensim do të fillojë me vendimet më të vjetra në kohë.

Kriteri i dytë lidhet me vendndodhjen e pronës që do të përfitojnë si kompensim fizik. Pra, pronari do të kompensohet me një pronë nga fondi fizik, e cila gjeografikisht është më afër me pronën që i është njohur për kompensim.

Në lidhje me dokumentet që duhet të depozitohen, ato nuk ndryshojnë, por mbeten të njëjta, si në rastin e kompensimit financiar, ndryshon vetëm formulari i aplikimit, i cili është specifik për secilin rast.

ANKANDI

Një tjetër alternativë kompensimi për pronarët është edhe ankandi, i cili do të zbatohet vetëm nëse pronari paraqet interes pasi vëren se toka e hedhur në ankand plotëson interesin e tij.

Kjo formë kompensimi është e hapur për të gjitha kategoritë e tokës të vendosura për kompensim dhe pjesëmarrja në këtë procedurë shmang kriterin e rendit kronologjik të vendimmarrjes më të vjetër.

Përmes kësaj procedure një pronar me vendim kompensimi, për shembull, të vitit 2008, mund të përshpejtojë në kohë kompensimin fizik të këtij vendimi pavarësisht datës së vendimit që pret të ekzekutohet.

Në total janë 26 mijë vendime të formës së prerë, të cilat do të rivlerësohen financiarisht nga e para, ku çmimi për metër katror i tokës do të jetë ky i sotmi, por zëri kadastral ai që ka pasur prona në momentin e konfiskimit./Panorama

May 22, 2016 11:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*