Prononcohet deputeti i Merkel: Çështja “Tahiri”, kusht për hapjen e negociatave

April 30, 2018 11:11

Prononcohet deputeti i Merkel: Çështja “Tahiri”, kusht për hapjen e negociatave

Reporteri i Grupit të CDU-së për Shqipërinë në Parlamentin gjerman, Thorsten Frei, argumenton se negociatat e Shqipërisë me BE-në duhet të hapen vetëm kur gjyqtarët e niveleve të larta të Apelit të kenë kaluar Vettingun.

Në një intervistë për “Panorama”, Frei komenton çështjen “Tahiri” dhe thotë se maxhoranca në Shqipëri parandaloi hetimet, duke mos ia hequr plotësisht imunitetin ish-ministrit të Brendshëm.

“Po, unë e adresova çështjen “Tahiri” përsëri. Sërish unë nuk mbeta i kënaqur me përgjigjen nga z.Rama. Kundër ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Tahiri, ekziston një dyshim i fortë korrupsioni në sajë të informacioneve nga Policia italiane. Meqë shumica e Parlamentit shqiptar nuk kishte dëshirë të hiqte tërësisht imunitetin e Tahirit, hetimet e plota mbi këtë çështje janë parandaluar.”

Sipas Freit, procedurat dhe ligjet ekzistuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar kundër politikanëve dhe nëpunësve civilë të nivelit të lartë aplikohen me më pak përpikmëri.

“Por të gjithë duhet të jenë të barabartë përpara ligjit. Këto çështje vendosin besueshmërinë e të gjitha përpjekjeve të Shqipërisë. Ky është gjithashtu një kriter thelbësor për ne kur flasim mbi kohën e duhur për të hapur negociatat e anëtarësimit,” thotë ai.

s.a/dita

April 30, 2018 11:11