Propozimi i Putin / Drejt një Jalte të re: A i intereson Ballkanit?

February 11, 2020 23:52

Propozimi i Putin / Drejt një Jalte të re: A i intereson Ballkanit?

Nga Shaban Murati

 

Në prag të 75 vjetorit të Konferencës së Jaltës të tre fuqive të mëdha fituese të Luftës së Dytë Botërore, SHBA, BRSS, Britani e Madhe, (4-11 shkurt 1945), presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, doli me propozimin për të organizuar brenda vitit 2020 një samit të liderëve të pesë shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB, Rusi, Kinë, SHBA, Britani e Madhe, Francë.

Në fjalimin, që mbajti në 23 janar në Forumin për holokaustin në Izrael, Vladimir Putin deklaroi se “Pesë shtetet themeluese të OKB, pesë fuqitë që mbajnë përgjegjësi të posaçme për ruajtjen e civilizimit, mund dhe duhet të japin një shembull. Një samit i shteteve, që dhanë kontributin kryesor në disfatën e agresorit dhe në krijimin e sistemit botëror të pasluftës, do të luajë një rol të jashtëzakonshëm në kërkim të përgjigjeve kolektive për sfidat moderne”. Presidenti rus u shpreh se konferenca e re mund të organizohet në çdo vend dhe pikë të globit, që pesë shtetet do të bien dakord.

Nisma e presidentit rus është një ftesë për organizimin e një konference të re të Jaltës, ku 75 vjet më parë udhëheqësit e SHBA, të BRSS dhe të Britanisë së Madhe formësuan sistemin ndërkombëtar të shteteve të pas Luftës së Dytë Botërore. Tani kjo konferencë e re, sipas Moskës, duhet të japë përgjigje për sfidat e reja dhe zgjidhjen e konflikteve nëpër botë, duke ushtruar përgjegjësitë e tyre historike. Ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov, në datën 10 shkurt në ceremoninë e emetimit të një pulle të re postare ruse kushtuar 75 vjetorit të Konferencës se Jaltës, evokoi faqet e përbashkëta të historisë të kohës së Luftës së Dytë Botërore dhe theksoi se Rusia shpreson të marrë përgjigje konstruktive për nismën e saj.

Propozimi i presidentit rus për organizimin e një samiti të pesë liderëve të shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB deri tani ka marrë përgjigje pozitive nga Franca dhe nga Kina. Presidenti i Francës, Emanuel Makron, me një shpejtësi të pazakontë diplomatike, shprehu në 23 janar në Forumin e holokaustit në Izrael, ku ndodhej krahas Putinit, mbështetjen e tij, duke deklaruar se “sot pesë anëtarët e përhershëm të KS të OKB mbajnë përgjegjësi historike. I dashur Vladimir, unë e mbështes propozimin tënd për të na mbledhur sëbashku. Unë do të doja ta arrijmë këtë, meqë ne jemi garantuesit e paqes globale”.

Në 24 janar edhe zëdhënësi i MPJ të Kinës shprehu mbështetjen e qeverisë së tij për propozimin e presidentit rus. Madje ambasadori rus në Pekin, Andrej Denisov, sipas agjencisë ruse “TASS”, bëri të ditur në 10 shkurt se Kina bashkë me Rusinë po përgatisin samitin e pesë shteteve anëtare të përhershme të KS të OKB. Britania e Madhe nuk është shprehur, por ka kërkuar nga Moska detaje më të hollësishme lidhur me këtë propozim. Përsa i përket qendrimit të SHBA për nismën e presidentit rus, ambasadori i Rusisë në Uashington, Anatoli Antonov, i deklaroi agjencisë “TASS” në 9 shkurt se “nuk ka ndonjë reagim për propozimin nga ana e qeverisë amerikane, as nga ana e ligjvënësve amerikanë dhe as nga përfaqësuesit e tjerë të elitës drejtuese”.

Nisma e presidentit rus për të organizuar një Jaltë të re të pesë shteteve anëtare të përhershme të KS të OKB ka dy argumente. Së pari, që ato janë shtete themeluese të OKB, dhe së dyti që pesë anëtarët e përhershëm kanë përgjegjësi të veçanta historike për paqen globale dhe për botën. Në parim organizimet e samiteve të fuqive të mëdha në formate të ndryshme, ku të diskutojnë dhe  të marrin masa për boshtet dhe ekuilibrat gjeopolitike të paqes botërore në sistemin ndërkombëtar të shteteve, janë të mirëpritura në funksion të ruajtjes së paqes dhe të stabilitetit rajonal e ndërkombëtar.

I tillë qe sistemi i dakorduar në Konferencën e Jaltës në 1945, që ndërtoi stabilitetin ndërkombëtar bazuar në parimin bipolar të drejtimit të botës me parametrat ideologjikë të kohës. Por përsëritja e një konference të re të Jaltës 75 vjet më vonë dhe me një ekskluzivitet të pesë anëtarëve të përhershëm të KS të OKB, kërkon në rradhë të parë konsiderimin e realiteteve të reja të krijuara në sistemin ndërkombëtar të shteteve, të kushteve dhe të rrethanave të reja të botës së sotme. Është e qartë për të gjithë se bota e sotme nuk është ajo e 75 viteve më pare, të fundit të Luftës së Dytë Botërore. Pavarësisht se konflikte dhe luftra lokale konstatohen në disa rajone të botës, fakti dhe fati është se nuk ka një luftë globale botërore.

Së dyti, shtetet themeluese të OKB nuk kanë qenë vetëm pesë anëtarët e përhershëm të KS të OKB, por në 1945 kanë qenë 51 shtete themeluese, kurse tani OKB ka 193 anëtare. Në Kartën e OKB nuk shkruhet se pesë shtetet anëtare të përhershme kanë përgjegjësi të posaçme historike mbi të tjerët për fatet e botës. Nuk mendohet se shtetet e tjera të mëdha, që nuk janë anëtare të përhershme të KS të OKB, pajtohen me këtë status kujdestari botëror të pesëshes. Ajo që është më e rëndësishme është fakti se ka ndryshuar në mënyrë rrënjësore statusi dhe raporti i forcës në mesin e shteteve të sistemit ndërkombëtar dhe pesë anëtarët e përhershëm të KS të OKB nuk janë të vetmet qendra të fuqisë botërore.

Është vështirë të konceptohet sot se vendimet botërore mund të kenë efikasitetin ndërkombëtar pa pjesëmarrjen e fuqive të tilla të mëdha si India, Japonia, Gjermania, Brazili, etj. Sot kemi dy fuqi bërthamore si India dhe Pakistani, që me numur popullsie janë më të mëdha se Rusia, Franca e Britania, dhe që nuk janë anëtare të përhershme të KS të OKB. Ndryshimet e mëdha të ndodhura në raportet e fuqisë kanë nxitur qysh në vitin 1993 presionet dhe kërkesat e fuqishme për reforma në sistemin ekzistues të vjetëruar të OKB dhe në rradhë të parë në KS të OKB.

Ekziston grupi G-4, i përbërë nga India, Japonia, Gjermania dhe Brazili, të cilat sëbashku i janë drejtuar zyrtarisht OKB me kërkesën për zgjerimin e numurit të anëtarëve të përhershëm dhe jo të përhershëm e KS të OKB.

Në 25 shtator 2019 ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Brazilit, Indisë dhe Japonisë, në një deklaratë të përbashkët publikuar pas takimit të tyre në Njujork, deklarojnë: ”Ministrat theksuan mbështetjen e tyre për kandidaturat e njeri-tjetrit për anëtarë të përhershëm të KS të OKB në një Këshill Sigurimi të reformuar, për shkak të kapaciteti dhe të vullnetit për të marrë përgjegjësi më të mëdha lidhur me ruajtjen e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare”. Këtu kemi të shprehur me forcë dhe zyrtarisht mospranimin e katër shteteve të mëdha për statusin e klubit ekskluziv të pesëshes akuale, të cilin kërkon të konsolidojë presidenti rus me nismën e tij. Gjithashtu në KS të OKB nuk ka asnjë shtet anëtar të përhershëm nga dy kontinente, Afrika dhe Amerika Latine.

Ky raport i ri force midis shteteve në shkallë ndërkombëtare e bën jo të përshtatshëm formatin e konferencës së re të Jaltës, të propozuar nga presidenti rus. Nuk është rastësi që Rusia e propozon samitin jashtë kuadrit të OKB dhe jashtë Këshillit të Sigurimit, duke i dhënë një dimensiom botëror. Sipas zëvendëskryetarit të parë të komitetit të politikës së jashtme të Këshillit të Federatës Ruse, Vladimir Xhabarov, “jo gjithmonë është e mundur të diskutohen gjitha çeshtjet komplekse në KS të OKB”.

Sipas informacioneve të deritanishme është thënë se samiti i pesë shteteve anëtare të përhershme të KS të OKB do të diskutojë konfliktet në rajone të ndryshme dhe është përmendur konkretisht vetëm Libia. Por a mund të mendohet se do të jetë efikase që Jalta e re të diskutojë çeshtjen e Libisë pa pjesëmarrjen e Gjermanisë, e cila muajin e kaluar organizoi në Berlin samitin e posaçëm për Libinë, ose pa pjesëmarrjen e Italisë? Vështirë të mendohet se do të jetë efikas një diskutim në Jaltën e re për krizën e Ukrainës Lindore dhe të Krimesë pa pjesëmarrjen  Gjermanisë.

Nuk mund të lihet pa përmendur se Jaltën e re e ka propozuar shteti, që aneksoi me dhunë Krimenë dhe që ka provokuar konfliktin e zgjatur në Ukrainën Lindore. Vështirë të mendohet se mund të jetë efikas diskutimi i krizës së Sirisë në Jaltën e re pa pjesëmarrjen e Turqisë apo të Iranit. Po kështu nuk mund të mendohet për efikasitet në diskutimin e  çeshtjeve të konflikteve në Azi apo në Oqeanin Indian  apo në Paqësor pa pjesëmarrjen e Indisë dhe të Japonisë.

Në këtë logjikë të realiteteve nuk bëhet shpresëdhënëse një Jaltë e re edhe lidhur me Ballkanin. Mendohet që Ballkani, si rajon ku ka dy kriza të pazgjidhura: çeshtja e shtetit unik të Bosnjë- Hercegovinës dhe çeshtja e marrëdhënieve të ndera midis Serbisë dhe Kosovës, pritet të zerë vend në një Jaltë të re. Mirpo në këtë format janë dy shtete, që nuk e njohin Kosovën, dhe shteti propozues i samitit është protektor i dy faktorëve kryesorë të tensioneve ballkanike, Serbisë dhe “serpska republikës”. Dy shtete të këtij formati, Rusia dhe Kina, në Ballkan kanë nënshkruar vetëm me Serbinë Traktate të Bashkëpunimit Strategjik. Në këtë perspektivë, kur Rusia është kundër integrimit euroatllantik të shteteve të Ballkanit, çdo diskutim në një Jaltë të re për Ballkanin do të devijonte interesat e stabilitetit në rajon. Karta e Kosovës do të përdorej nga Rusia kundër Kosovës dhe në funksion të tratativave për kërkesat e saj lidhur me Krimenë apo Ukrainën Lindore, gjë që natyrisht ushqen skepticizëm.

Lidhur me motivet reale, që e shtynë presidentin rus të dalë me këtë nismë, në qarqet diplomatike numurohen dy. E para, është ambicja personale e presidentit rus për t’i dhënë vetes një rol botëror në diplomacinë ndërkombëtare. Së dyti, për t’i dhënë Rusisë mundësinë të kompensojë mungesën e saj në formatin e njohur G-7 të grupimit të rëndësishëm të shtatë vendeve më të industrializuara të botës, ku Rusia nuk ftohet më që pas agresionit të saj kundër Ukrainës në 2014. Në vend të G-7, Rusia propozon tani G-5 e anëtarëve të përhershëm të KS të OKB, që në fakt është një përpjekje për shmangien e G-7, ku marrin pjesë edhe Gjermania, Japonia dhe Italia. Por si kushtet historike, ashtu dhe ndryshimet kolosale në sistemin ndërkombëtar të shteteve, e bëjnë jo realiste një përsëritje të Jaltës. Siç shkruan politologu rus Fjodor Krasheninikov në “newtimes.ru” në 4 shkurt : “nuk mund ta rikonstruktosh politikën ndërkombëtare në formën e vitit 1945”.

Nisma e presidentit rus për organizimin e një samiti me pesë shtete anëtare të përhershme të KS të OKB apo të një Jalte të re, është në fazën e diskutimit si një çeshtje e diplomacisë së pesë shteteve. Por është e kuptueshme se të gjithë shtetet anëtare të OKB kanë dhe duhet të kenë interesin për dinamikën e këtij propozimi. Në këtë kuadër edhe qeveria dhe diplomacia e Shqipërisë do të bënte mirë të analizonte skenarët e mundshëm dhe të formulonte qendrimet dhe të niste veprimtaritë lobuese për mbrojtjen e interesave jetike të shtetit dhe të kombit përballë çdo alternative.

Në një plan konkret Shqipëria do të duhet të bashkohet me qendrimin e SHBA lidhur me nismën e re të presidentit të Rusisë.

 

****

Botuar në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

February 11, 2020 23:52
Komento

7 Komente

  1. vlonjati February 12, 04:37

    nga na doli Kina nder 5 shtetet themeluese te OKB, ne na eshte thene qe Kina nuk ka qene ne OKB qe ne fillim, bile anijet kineze lundronin me flamur shqiptar kur ne kishim marredhenie me ta

    Reply to this comment
  2. vlonjati February 12, 04:44

    Lexo si u pranua Kina ne OKB

    https://sq.wikipedia.org/wiki/Kina_në_OKB

    Reply to this comment
  3. aktualiteti February 12, 08:37

    Presidenti Putin kerkon te deklaroje perseri, por kete here ne prani te fuqive te tjera perballe, ate qe ka deklaruar dhe me pare, nje Referendum Vetvendoses (ka perdorur keto fjale) per Kosoven dhe Krimene. Ku me mjetin me demokratik, deshiren e shprehur me referendum, keto vende te vendosin si do qeverisen.
    Pastaj do ti mbetet vendeve perendimore, qe te tregojne sa jane te gatshem me vepra te bejne ate qe thone me fjale, pra zbatimin e parimit demokratik te vendosjes me vote popullore. Topi mbetet ne deren e Perendimit.

    Reply to this comment
  4. spata February 12, 11:57

    Me e mira eshte qe te filloje nje lufte tjeter dhe fituesit te ndajne perseri boten .
    Edhe pse dihen tashme pasojat cnjerzore te luftrave Lideret botror u fryjne teorive per ta sunduar ate. Bota sot eshte ne nje katraure qe duhet menduar per te ndalur vazhdimin e shkaterrimit te saje. Shume kembana qe bien cdo dite, si ato te epidemive ,faktorve natyror dhe ato qe shkaktohen nga vete njeriu,nuk po merren ne konsiderate nga me te fortit .
    Potencjalet ushtarake qe disponojne Fuqite e Medhaja jane po aq te kercenueshme per rruzullin toksor si termetet e cunamet qe godasin here pas here konttinentet .Kjo histeri e Liderve boteror u ka erresuar mendjen dhe syte te shikojne pasojat qe kane ato per njerzimin .Jeta e njerzve dhe egzistenca e tokes nga ta sot nuk ka vlera .Ky isterizem i cfrenuar tregon se reziqet me te medhaja njerzimit nuk i vjen nga fenomenet e natryres por nga idiotizmi i Liderve te botes.
    Cdo te thote nje Samit i Fuqive te Medha.Azgje me shume se pazare ne kurriz te popujve te vegjel.Po kur popujte e vegjel jane si pleshtart ne nje stad mizerje ckuptim ka nje rishikim i ndarjes se zonave te influences .Cfituan ruset e me pas amerikanet ne Afganistan ? Po ne Irak ,Libi e sote ne Siri ? Azgje me shume vecse provuan forcen ndaj popujve qe nuk kane asnje peshe ne bote .Pse keto superfuqi nuk godasin atje ku dhe kunderpergjigjja eshte ne e tmershme ? Leta provojne te godasin Pakistanin ,Indin ,Turqine ,Meksiken,Koret apo Gjermanine si shkatrimtare e Luftes se Dyte boterore .Kjo nuk i shkon per shtat Rusise e as Amerikes.
    Thone ,se prova nuk ka ,qe Dinozauret u zhduken nga renja e nje meteori ne toke qe shkaktoje cunam dhe zjarre shkaterues .Kjo hamendje seshte provuar . Por nje gje dihet sot qe nuk do hulumtime .Po te haen te medhenjte cdo gje do te shkaterrohet dhe bota do te filloje te rilinde mbas shume miljona vitesh .Keto llogari te bejne Liredet e botes e jo te meren me popujte qe jane qenja me vecante e ketij Universi .

    Reply to this comment
  5. Amant Dregjoni Boston February 12, 13:21

    Po çjane keta lloj karagjozash qe bejne sikur jane garant e fateve te kombeve mbi dhe? Jalta ishte dhe kishte arsye themelore kur popujt te pushtuar nga çizmja gjermane ende nuk dinin gje per fatin e tyre dhe rrjedhat qe do ti prisnin. Ne ate kohe stalini, çurçilli dhe ruzvelti ishin te tre bashke qe mbanin mbi supe luften dhe fatin e saj per çlirimin e popujve dhe kombeve dhe ishte nje e drejte themeluese te vendosnin. Por sot keta lloj birbosh politikanesh sharlatane, te cilet nuk i ka vetem shqiperia, kerkojne qe te rrindajne boten edhe nje here sipas midese dhe oreksit te tyre. Nuk ka sens. Zgjidhjet tashme jane bere dhe kane levizur nga vendimi i jaltes. Kjo ne baze te deshirave dhe te drejtave te kombeve ne demokraci. Po çduan keta lloj diktatoresh te rrinj? Te pangopshem per pushtet e me mendesi hitleriane. Shpresoj tek amerika e cila duhet ti tregoje vendin ketij korri te zhabave me putin, kine dhe makaronia e adoleshenti i frances qe merr udher nga gruaja. Harojen. Harojeni o karagjoze e klloun cirqesh. Jeni asgje.

    Reply to this comment
  6. StBck&Rlks February 14, 06:20

    Putin po fton te medhenjte te prapergatisin situaten per nje qeverisje boterore, globale, te fortet e kane kuptuar qe me lufte per influence mes tyre vetem humbasin, po te behen bashke per te sunduar boten kjo e zgjidh dhe ceshtjen e rivalitetit pasi resurset, burimet dhe pasurite natyrore ndahen sipas nje marreveshje paraprake, ata dhe klasat sunduese ne vendet e tjera vasale perfitojne pushtet dhe mireqenie, populli i sunduar perfiton nje shfrytezim maksimal per nje çap buke. Pra nga Proletare te te gjitha vendeve bashkohuni, behet Sundimtare te te gjitha vendeve bashkohuni. Dhe askush sdo kete bythe te ngrihet kunder, sepse do akuzohet si ekstremist i majte, i djathte apo fondamentalist fetar dhe policia e tipit antikck, e tipit kinez, anglez, rus apo survejimet e tipit NSA, me ndihmen edhe te aplikacioneve te rrjeteve sociale si facebook, do bejne te mundur mbajtjen nen kontroll te masave, inteligjenca artificiale dhe robotika jane pjese perberese e kesaj, pasja e nje fuqie ushtarake dhe pushteti politik te pakufishem sjell me vete edhe rrezikun e kalimit nga nje demokraci ne autokraci e diktature, USA nqs vazhdon me kursin Trumpist rrezikon te rreshkasi drejt nje sistemi te rrezikshem. Po perseritet e njejta histori me rrugen qe ndoqi nacional-socializmi gjerman dhe zoteria me mustaqe per te uzurpuar pushtetin ne gjermani, zoteria me mustaqe ishte i majte perpara se te behej i djathte, pra ideologjia e tij ishte marrja e pushtetit dhe plotesimi i egos personale, per te pak rendesi kishte cfare ngjyre kishte kali qe zgjodhi per te garuar, rendesi ka qe ta conte ne majen e pushtetit, nje shmebull te tille ne permasa shqiptare e kemi dhe ketu, ku nje i vetequajtur rilindas, nga ekstrem i djathte u be kryetar i nje partie te majte si e vetmja rruge per te plotesuar egon e tij personale dhe tekat e tij autokratike. njerez te tille jane te rrezikshem per vendin e tyre per vende si shqiperia, por jane te rreikshem per globin kur behet fjale per vende si USA, Rusia, Kina.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*