Protesta ‘Babale’, Policia: 11 efektivë të lënduar dhe një tubues

May 26, 2018 18:43

Protesta ‘Babale’, Policia: 11 efektivë të lënduar dhe një tubues

Pas protestës së opozitës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Policia e Shtetit ka reaguar duke thënë se ka pasur tentativa për të krijuar incidente nga ana e protestuesve.

Sipas saj, një grup protestuesish kanë tentuar të çajnë kordonin e forcave speciale të Policisë, pranë godinës së Ministrisë së Brendshme. Jo vetëm kaq, policia thotë në njoftimin e saj se mbi punonjësit e Policisë së Shtetit janë hedhur gurë dhe mjete të tjera rrethanore dhe mjaft prej tyre janë goditur me sende të forta.

Në njoftim thuhet se janë plagosur 11 efektivë, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ajo thotë se ka pasur edhe një të plagosur nga ana e protestuesve.

Midis rreshtash thuhet se për hetimin e rasteve të dhunës së ushtruar është ngritur një grup i posaçëm hetimor.

Njoftimi i policisë

Ditën e sotme, 26 maj 2018, Partia Demokratike dhe aleatët e saj organizuan një tubim në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në sheshin para Ministrisë së Brendshme.

Arritja e pjesëmarrësve në qytetin e Tiranës, grumbullimi i tyre në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe fjalimi i rastit vijoi normalisht sipas parashikimeve dhe kërkesave të organizatorëve.

Në përmbyllje të tubimit, së pari një grup personash, para Kryeministrisë, tentuan të krijonin incidente me Policinë dhe më pas një grup protestuesish kanë tentuar të çajnë kordonin e forcave speciale të Policisë, në afërsi të godinës së Ministrisë së Brendshme.

Mbi punonjësit e Policisë së Shtetit janë hedhur gurë dhe mjete të tjera rrethanore dhe mjaft prej tyre janë goditur me sende të forta. Për pasojë janë lënduar dhe po mbahen në mbikëqyrje mjekësore 11 efektivë policie, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Edhe mes tubuesve pati një të lënduar, i cili mori ndihmën mjekësore të nevojshme.

Drejtuesit dhe punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët u angazhuan në menaxhimin dhe mbarëvajtjen e tubimit, e kryen këtë detyrë me profesionalizëm të spikatur dhe në përputhje me ligjet dhe rregullat në fuqi në Republikën e Shqipërisë, duke garantuar rendin dhe sigurinë publike si dhe respektimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve.

Për hetimin e rasteve të dhunës së ushtruar është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Ky grup, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, po punon për identifikimin e episodeve të dhunës, identifikimin e personave përgjegjës si dhe dokumentimin e plotë të çdo episodi.

Policia e Shtetit falënderon qytetarët e Tiranës për mirëkuptimin dhe durimin e dëshmuar pavarësisht vështirësive që mund të kenë hasur në qarkullimin rrugor në ditën e sotme.

Falënderojmë misionet ndërkombëtare të asistencës policore për mbështetjen e ofruar në hartimin dhe realizimin e masave policore për menaxhimin e tubimit.

Policia e Shtetit falënderon dhe vlerëson gjithashtu mediat që transmetuan me transparencë dhe profesionalizëm masat e marra, angazhimin dhe punën e strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit në menaxhimin e tubimit.

Policia e Shtetit është e angazhuar të sigurojë kurdoherë zhvillimin e çdo tubimi paqësor, duke garantuar në çdo rast sigurinë e jetës së qytetarëve dhe rendin publik, në respekt e zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

s.a/dita

May 26, 2018 18:43
Komento

2 Komente

  1. TLN May 26, 20:34

    Vlonjate merrini ju hakun ketyre 11 policeve te plagosur. Babales i leroni mamalen.

    Reply to this comment
  2. Jimi May 26, 20:53

    Protesta tribale e nje tufe horrash e delinkuentesh!?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*