Protestojnë të paaftët: Ndihemi të nënvlerësuar

May 4, 2016 15:33

Protestojnë të paaftët: Ndihemi të nënvlerësuar

 

Të lodhur pas navigimeve në web, daljeve rresht në kafenenë pranë punës dhe telefonatave private, punonjësit e Inspektoriatit të Lartë të Shqipërisë së Mesme për Studime të Ulëta u ankuan sërish këtë të martë se askush nuk e vlerëson punën e tyre rraskapitëse, raportojnë Gojët e Liga.

“Unë vij gati çdo ditë në punë, më del kurrizi vendit për katër orë rresht dhe çfarë marr? As edhe një faleminderit”, u tha kolegëve të tij Stefi Dhëmbi, një prej shumë të paaftëve që e gjetën punën falë lidhjeve familjare e politike, dhe që çuditërisht ndihen të pavlerësuar.

Dhëmbi pastaj u kthye në zyrë, sepse ndjeu një nevojë urgjente për të hyrë në Facebook. Por ai nuk është i vetmi që e shtyn ditën duke bërë pallë.

Kolegu i tij Fran Kolë Kola që nuk di ta përdorë internetin, por që 70% të kohës e shpenzon me telefonata personale nga zyra, kërkon më shumë respekt. “Ata nalt”, tha Kola duke pasur parasysh drejtuesit e lartë të Inspektoriatit, “jan t’pacip. Kam nejt dje deri von për me u shti gjasme me marue nji projekt, por askush nuk m’vuni re”.

Edhe në qoftë eprorët nuk i vlerësojnë për përkushtimin e tyre, punonjësit e ngeshëm dhe pa asnjë lidhje me teknologjitë e reja pretendojnë që të paktën salla e shplodhjes të jetë më e madhe, kafetë dhe kruasantët t’u jepen falas, afatet për dorëzimin e projekteve të shtyhen dhe mundësisht, të premten dhe të hënën të punojnë nga shtëpia.

“Ky dikaster, pa mua bllokohet fare”, deklaroi koordinatorja Suzana Breshëri, e cila është e vetmja që di të përdorë aparatin e kafesë me xhetona, dhe që vjen në zyrë një herë në javë, “ta dini, jeni me fat që nuk i mbledh rraqet e të iki fare”. Ajo u theksoi kolegëve se një nga këto ditë, do t’ja bëjë të ditura drejtorit shqetësimet e stafit.

Por drejtori Ramazan Rryli është në dijeni të thashethemeve të stafit qesharak. “E di, e di që ata janë copa mishi që po marrin një rrogë të mirë vetëm se janë të rekomanduar nga lart”, pohoi ai me zë të ulët, “por nuk e kam shumë problem”. “Unë kam dy vjet këtu, ku nuk kam trokitur, por nuk më kanë thënë kokërr llafi se me çfarë duhet të merret Inspektoriati ynë. E kuptoni tani se ç’hall kam?”, shtoi ai.

May 4, 2016 15:33
Komento

1 Koment

  1. dajti May 5, 11:23

    Aktualisht mbi 50.000 te rinj dhe te reja ne te gjithe shqiperine punojne ne call-center. Nje pune skllaveruese me pasoja per shendetin dhe pa asnje dobi afatgjate per atdheun. Po sikur neser, keta investitor vendosin ti mbyllin keta call-centera dhe te zhduken, cfare ndodh me keto 50.000 te rinj? Automatikisht behen dembele? Jo zotrinj, duhet me shume respekt dhe pergjegjsmeri per fjalet qe nxjerrin nga goja politikanet. E verteta eshte qe ktu te ne eshte papunesi e madhe, dhe personalisht te gjithe qe punojne ne call-center dhe qe po mbajne gjalle kete vend i konsideroj te papune. Sepse eshte nje pune qe s’mund te behet perjetsisht, dhe pervec te mires qe pompon para ne qarkullim per konsum te perditshem, nuk ka asnje dobi tjeter.

    Ekonomistet, Qeveria, Institutet shteterore, gazetaret le ta marin ne konsiderat dhe te bejne studime per kete fenomen. Si eshte realiteti, cfare na pret te nesermen, pse rinia shperdoron energjite ne menyre jo eficente per vendin? Duhet qendruar larg demagogjive dhe fjaleve boshe. Realiteti nuk flet per dembelizem por per mungese oferte ne punesim.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*